NE, Bijtë e Skëndërbeut!
NE, Bijtë e Skëndërbeut!
O tokë e dashur që burrat e dheut te thërrisnin Nanë! O Gjergjë Kastriotë , o Skenderbe që burrat e Kombit të thërrisnin Babë ! O Burrë i tokes Arbërore që tingëllon forcë, krenari, nuk kishte lindur Birë i tokës të të vendoste në diskutim. Po ja që dalin disa lepurusha dhe kërkojnë te përçmojnë, të mbulojnë malin kryelartë, të mbulojnë, të fshehin, kur festojnë ditë fetare, sepse Ti rrezaton, Ti djeg dhe përvëlon akoma, o Trim!
Unë jam një qelizë e vogël e trupit tënd kombëtarë dhe rritem dhe forcohem nën hijen tënde madhështore, nuk jam një lepurush frikacak, Ti nuk më jep frikë, Ti më jep kurajo të thërras se cila jam!. E pra jam ulur të shkruaj këto rreshta dhe te diskutoj se cili je TI!
Po si mundem unë qeliza të shkruaj dhe të diskutoj trimëritë e tua, më vjen rënd të diskutoj se cili je TI. Skënderbe or Birë i këtij trualli nuk ke nevojë për rreshtat e mia, unë jam aq e vogël përpara figurës tende dhe po aq madhështore nga Bëmat e tua sa të thërrasë në pafundësi.
Por Shqipëria jote dhe e imja ka ndryshuar, është lëmsh e li, ngatërrohen datat, diskutohen trimat dhe tradhtarë bëhen heronj!!! Mos u çuditë, unë nuk çuditem më, është normale! Është normale të përkujtohet 16 shtatori Konferenca e Pezës dhe dëshmorët dhe është po aq normale që një lepurush tjetër si Ahmet Bej Zogu të ketë Statuj si Ti dhe tituj nderi Kombëtarë, njëlloj si Ti o Gjergjë Kastriotë!
Ti je një Yll në qiellin e pastër, Ti je një figurë historike e pamohuar, Ti je Ai, që kur fillova universitetin ne Bologna, 20 vjete me parë, profesoret më kujtonin emrin tënd dhe te Arbëreshve, dhe unë ndjeja Krenari! Emri jot, statuja jote ne Rome dhe pllakëza përkujtimore deri në Amerikë nuk kane nevojë për publicitet tjetër se cili je TI!
Nuk dëshiroj aspak ti përgjigjem lepurushave, të ulem në nivelin e frikacakëve, jo! Po luajnë me figurën tënde, po duan të të marrin nëpër këmbë….oh sigurisht, kur akoma nuk po del një i urtë, që të bëhet i marrë dhe ti mbylli gojën provokimeve dhe mashtrimeve. Po unë e gjeta të “marrin”, të “çmendurinë” , të urtin, e gjeta. Nuk u lodha ta kërkoja, aspak, sepse jeton ai, me të tjerët, në zemrën, mendjen time dhe quhet Naim… Frashëri….po po i “marri”, që do tu tregojë vendin lepurushave quhet Naim Frashëri. Ja si përgjigjet në poezinë për Skënderbeun /Histori e Skënderbeut
Kush nuk e di Skënderbenë,
që nderojti
mëmëdhenë?…
Dhe sot nga armët e tija
Kullon fjeshtë trimërija!
E di njerëzi e tërë
Atë Zot ç’punë ka bërë:
‘Kur hiq Skënderbeu
Shpatë
Trimave u jepte datë!… Këndo, ëngjëll, urtësinë
Edhe gjithë mirësitë,
Skënderben’ e trimërinë,
Q’i dha Shqipërisë dritë.
Të lumtë goja, këndona…
Skënderben’ e madh tregona,
Trimnë burrë, Zotn’ e naltë!
Ngriti gishtin dhe tha: “Kurrë!
Kurrë s’trëmbet Shqipëria,
Nukë vdiq, po ësht’ e gjallë,
Tjatrë përgjegje Turqia
Nukë do përveç me pallë!
Shqipëtari, trim i vlerë,
Kurrë nuk’ u frikësua,
E të trëmbet këtë herë!
Trimëria, trimëria!
Mban lirin’ e mëmëdhenë,
Qysh të zëmë miqësinë
Me atë që na bën varrë?…
Sulltan e të tjerë ç’qenë,
Më s’kishin tjatrë në gojë,
Po gjithënjë Skënderbenë….
Ju drodhi dhe po ju dredh emri i tij o lepurusha edhe mbas 500 vitesh. Ju vrau dhe po ju vret Lavdia e tij shekullore. Ju tregoj burrërinë, si shtrigat sot kërkoni ta varrosni emrin e tij. Ndoshta dhe e arrini në Shqipëri sepse SHKOLLA e bukura shkollë, ka marr fund!!! Po Naimi vazhdon me poezinë e Skënderbeut…
Ç’të mirë pe nga Turqia?
S’të vjen keq për shqipëtarët
E për Shqipërin’ e mjerë
E s’të merr, biro, të qarët,
Që humbi lirin’ e nderë?
Lexoni, studioni Naimin me shokë dhe do kuptoni Historinë; lexoni Migjenin dhe Fan Nolin dhe do kuptoni mjerimin, varfërinë shekullore shqiptare dhe do kuptoni tradhtarët Zogun me kompani. Naimi vazhdon edhe me tradhtarët, sepse ata që sot duan të diskutojnë figurën e Skëndërbeut unë i quaj lepurusha, Naimi i quan Tradhtarë.
Tradhëtorëtë
Shokë, kemi në mest tënë
Shum’ armik’ e trathëtorë!…
Harruanë mëmëdhenë
Dh’ e lanë kombinë tënë
E një tjatërë na gjenë!
Popo! mos u qoftë thënë!
Buk’ e mëmëdheut zëntë
Tradhëtorët e pabesë!
Dhe Zoti dërrmën u dhëntë,
Kurrë mos paçinë pjesë!
O, popo ç’turp kanë marrë!
Janë bërë tradhëtorë
Dhe s’janë më shqipëtarë,
Se nga kombi hoqnë dorë….
Ata që nga Kombi hoqën dorë, vini re të nderuar lexues, sepse kjo vlen për çdo situat historike, pra Naimi nënvizon fortë dhe qartë, jo unë, cilët quhen, tradhtorë. Pastaj me tonë fetarë, por vini re akoma- me tonë kristian/ pra rikthehet tek Rrënjët e Kombit, që për 1500 vjet e më tepër që kristian, më vonë turqit na kthenin në mysliman/ Naimi e ndjen të përdor gjuhën e Krishtit, para se të jepte shpirt ndërkohë që ishte i kryqëzuar, fjalët madhështore Frashëri me shumë domethënie i propozon, si vijon.
Ndjej, o Zot, se nukë dinë
Se ç’bëjnë, janë mahnitur,
Rrahin të prishin shtëpinë
Pun’ e lig’ edh’ e mërzitur…
Vëllazërin’ e harrojnë
Dhe kombin e mëmëdhenë,
Dhe armikëtë dëgjojnë
Edhe s’dinë se ku venë.
Pra tradhtarët dëgjojnë armikun, kjo vlen për kohën e Naimit, kjo vlejti për kohën e Fan Nolit, kjo vlen për kohën tonë, sot më 2017. Kur vendoset në diskutim figura e Skëndërbeut, që kurrë nuk duhet diskutuare, unë mendoj që armiku është përçarës, i pabesë, djallëzorë, gënjeshtarë, por përsëri është Naimi, miku im/ i joni, që i i përgjigjem me fjalët e Arta këtyre armiqve!!!
Hiqni dorë, hiqni dorë!
Mblithni mëntt’ e tupërohi,
Mos u bëni trathëtorë,
Se pasdaj do të pendohi.
Keto vjersha Naimi i ndritur i ka shkruar nga 1886 deri 1899 e, sinqerisht fjalët e tij vlejnë 1000 herë se çdo opinion, nuk kam se ç-të shkruaj më. Nuk mundem! Më tepër informacion i nivelit argumentues dhe më pak opinione: kjo është detyra e Shtypit! Së fundi e mbyll me një apel: Shkollë o e mjera shkollë shqiptare cfarë je duke bërë sot … sa gjuhë të huaja po u mëson shqiptarëve dhe po u jep mastra/doktoratura kur nuk dinë prejardhjen, kur nuk dinë se cilët janë dhe ku po shkojnë. Në mes të këtij lëmshi lepurushët kërcejnë andej dhe këndej nëpër gëmusha duke përhapur farën e keqe …kujdes se lepurushat shtohen si isllat, ndaj urgjentisht duhen sterilizuar.
Sa për Skënderbenë apo Naimin me shokë, Dëshmorët, Partizanët, janë e gjithmonë do të mbeten Yje lartë në qiell, dhe në tokë janë Oqean i gjerë, i thellë me dituri dhe freski. Lumë ai, që e lejon vetveten të përkëdhelet nga dallgët heroike dhe historike!!!
Dr. Kesiana Lekbello