Në nderim të profesorit tim të letërsisë, Hasan Lekaj
Bedri Islami
Atë ditë të largët shtatori të vitit 1966, kur sapo kisha nisur rrugën e gjimnazistit dhe në klasë hyri profesori i ri i letërsisë, Hasan Lekaj, djalë i ri, ndoshta 27-vjeçar, nuk e kisha menduar se pikërisht ai do të më bënte pjesë në rrugën e letërsisë, të cilën e kisha dashur edhe para ardhjes së tij, e kisha provuar pa ia ndjerë si duhet gëzimin.
Ardhja e tij ishte e pazakontë. Në gjimnazin ku isha, asaj kohe quhej “29 Nëntori”, të gjithë profesorët ishin burra të vjetër, autoritete të shkencës dhe të artit të pedagogut, të cilët më pas, thuajse të gjithë, do të ishin profesorët e parë të Institutit të lartë Pedagogjik të qytetit tonë.
Ia njihnim nga larg hapat mësuesve tanë. E dinim se si ecte profesori i matematikës, Tomor Dani, me hapin e tij të rëndë, të ngadaltë; njihnim ecjen e profesoresësh Urtie Osmani, të Jorgo Konos, ai kishte një ecje të gëzueshme, kollitej nga larg për të ditur se po vinte, por kjo ishte pa të keq; Shuaip Troshani mbante në dorë gjithnjë një vizore, edhe kur nuk kishte lëndën e tij të dytë, atë të vizattimit teknik; Xhema Tirana, Kadrie Kopliku dhe Itale Koka ishin ndër ato zonjat e mëdha të Shkodrës, të cilat edhe kur ecnin në rrugët e qytetit, njerëzit ngriheshin në këmbë në shenjë nderimi dhe që drejtori ynë, Skënder Vila, i quante zonja.
Pra, si do që të them, ata mund të përmblidhen një një të vetme: ishin ajka e mësuesisë, dhe, që të gjithë bartin mbi vete vite të shumta, përvojë dhe megjithë hijen e rëndë, ishin përçues të saktë të mendimit.
Shumë vonë e mësuam se disa prej tyre ishin nga ata që mund të quheshin pa droje , të prekur politikisht, pasi pjesë të familjeve të tyre ose ishin të dënuar ose nuk ishin më. Emri dhe puna e pazakontë që bënin e kishin detyruar regjimin t’i përkulej.
Kur profesor Hasan Lekaj hyri në klasën tonë ndoshta kam menduar se mund të jetë ndonjëri nga praktikantët e shumtë që vinin nga universiteti i Tiranës për të bërë praktikën mësimore.
Ishte i pazakontë. I ri, mes të vjetërve, me flokët e gjatë, një tabu e kohës; adhurues i zjarrtë i Kadaresë, por edhe i Mjedës, Migjenit, Nonda Bulkës; fliste lirisht në disa gjuhë të huaja, por duke pëlqyer shqipen letrare i bënte vend edhe gegërishtes; njohës i poezisë deri në themel dhe bibliotekar i kujdesshëm, ai ishte mësuesi që e donim të gjithë dhe e pritnim orën e tij të mësimit me atë gëzimin e çuditshëm që të ngjall ajo fillesë rinie.
Ndodhi njëherë që doja të ikja më herët nga ora e hartimit, asaj kohe koha e hartimit shtrihej në dy orë mësimi dhe, për t’i rënë shkurt, nuk e di pse shkrova një poezi. I dorëzova fletët dhe pas lejes së tij, ia mbatha.
Të nesërmen, krejt befas, më thirri dhe mbante në duar hartimin tim. “Pse e shkrove”, më pyeti dhe mendova se tani do të më thonte edhe diçka tjetër. Nuk e mbaj mend përgjigje time, por profesori im, sepse që asaj dite e kam quajtur ashtu, me dorëzoi çelësin e bibliotekës së shkollës dhe më tha se duhej të kujdesesha për të, duke më vënë para një grumbull librash me poezi, prozë dhe kritikë letrare, nga të cilët, veç Eseninit, kishte edhe një libër me kritika të Bjelinskit, sidomos për romanin “Një hero i kohës sonë” të Lermontovit dhe sot e kësaj dite, më e bukur më është dukur kritika se sa vetë romani.
Shumë studentë të profesor Hasanit, jo vetëm në gjimnaz, por edhe në Universitetin e Shkodrës, ku ai shkoi në katedrën e Gjuhës dhe të letërsisë, e dinë se në fillimet e tyre, pavarësisht se shumë prej tyre e kishin poezinë në gjakun e tyre, kanë pasur edhe praninë, fjalën e mendimin e profesorit. Në portën e tij kaluan Vasil Dede, i ndjerë, Vasil Tabaku, Petrit Ruka, Skënder Buçpapa, Visar Zhiti, Tonin Shtjefni, i ndjerë, Alfred Çapaliku, Ilirjan Zhupa, ai u bë redaktori i disa vëllimeve me poezi e prozë të autorëve të rinj të qytetit, ku ishin pjesë edhe studentët e tij.
Të gjithë e mbajnë mend njëlloj: flokëlëshuar, njeri i qeshur, me dashamirësinë si veti e natyrshme; humorin që përshkonte fjalën dhe seriozitetin që barte; njeriu që përpinte librat dhe nuk kërkonte kurrë një shpërblim për punën që bënte; krijuesi i Shtëpisë botuese “Pipaj-Camaj”, si një lidhje mes jugut dhe veriut përmes një qyteti si Shkodra; rebel në monizëm dhe i pashtruar në pluralizëm.
Ditët e fundit, para largimit të tij nga jeta, në librin tim të sapo botuar, “Vetmi akujsh” kam botuar edhe poezinë time në provimin e maturës me dedikimin për profesorin tim, i cili edhe më kishte dhuruar këtë poezi.
Nuk e mendonim se do të largohej kaq shpejt. Një ikje e shpejtë, e papritur, duke lënë pas vetes shumë mungesa.
E kam menduar shpesh dhe e di se do e mendoj gjithnjë.
Jo vetëm si një njeriu që ngulmoi që të jem pjesë e botës së librave, ku, e di, shpesh herë ka qenë i zhgënjyer nga unë, megjithëse më donte si një vëlla të tij, që nuk e kishte.
E mendoj më tepër si njëri nga ajo plejadë e jashtëzakonshme e mësuesve tanë, të cilët nuk kanë pasur shoq më pas dhe që ende tani, megjithëse shumë prej tyre prej kohe nuk janë më, i kemi si pjesë të një jete që e kemi ndërtuar përmes fjalës së tyre.
3 Korrik 2018