Në kërkim të relikteve dhe burimeve arkivore të Fan Nolit
Prof. Nasho Jorgaqi
Pas ekskursioneve nëpër vendet që lidheshin me Nolin dhe takimeve me shokët e bashkëkohësit e tij, u erdhi radha hulumtimeve arkivore dhe relikeve që kishin mbetur nga ai. Kjo ishte një punë e madhe për të cilën unë isha i ndërgjegjshëm, se me kohën që kisha në dispozicion nuk do të arrija t’i dilja mbanë plotësisht.
Dija, se duke qenë Meri Xhons, zbatuese e testamentit te Nolit dhe njeriu më besnik i tij, gjithë sa kishte lënë ai ishte ruajtur dhe tani administrohej nga Peshkopata. Ajo ishte treguar tepër korrekte në këtë detyrë. Vilën në Florida e kishte shitur dhe të hollat ia kishte dorëzuar kishës. Një pjesë të madhe të Bibliotekës së Nolit ia dhuroi Universitetit të Tiranës. Mjaft dorëshkrime erdhën në Arkivin Qëndror të Tiranës. Ajo bëri ç’kish në dorë për të mos humbur asgjë nga trashëgimia e Nolit. Në një letër, dërguar motrës së tij, marrim vesh, e kish vendosur të hulumtonte e të mblidhte tërë korrespondencën dhe i kërkonte asaj letrat e të vëllait. Mirëpo koha i solli ngatërresa që ajo nuk i mendonte. Shtëpia në Bllagden Strit u prish. Në këshillin e Peshkopatës lindën kontradikta serioze. Njerëz me interesa të ndryshme politike kërkonin të vinin dorë mbi trashëgiminë noliane. Por ajo u mbajt fort pas burrave patriote të Kishës, i mbështeti ata në përpjekjet për mbrojtjen e Nolit dhe depozitoi në Katedralen e Shën Gjergjit pjesën më të madhe të relikteve të tij.
Pesë vjet më vonë, më 1970, siç më tregoi At Liolini, me materialet autentike të Nolit u organizua dhe u hap në një nga mjediset e katit të parë të Shkollës së Katedrales së Shën Gjergjit një muze i vogël. Në radhë të parë aty qenë vendosur objekte të shtëpisë së tij. Në krye mbi një oxhak qëndronte një portret i Nolit. Në mes relikteve dallonin tavolina e punës, pjanua, bastuni dhe një faqe dorëshkrimi nga fletorja e shënimeve, vënë në kornizë. Aty qe përkthyer dhe kopjuar me dorën e mjeshtrit dhe një fragment i vogël nga “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit: “Duaj çdo krijesë të Zotit, gjithçka dhe çdo grimcë rëre. Duaj çdo jetë, çdo rreze nga drita e Zotit. Duaj kafshët, duaj bimët, duaj çdo gjë. Në se doni çdo gjë, do të shihni Misterin e perëndishëm të sendit. Me ta parë atë do të filloni të kuptoni më mirë çdo ditë dhe në fund do të filloni të doni të gjithë botën me gjithë shpirt”.
Një vend të veçantë zinte arkivi në këtë muze, dorëshkrimet letrare e shkencore, letrat, dokumentet kishtare, fotografitë, copa të prera gazetash etj. Pastaj vinin librat e Nolit, sidomos botimet e hershme, koleksione gazetash e revistash etj. Pranë muzeut gjendej dhe një sallë për studiuesit me konsulent shkencor prof. Nikolla Pano. Por kjo vatër noliane nuk e pati jetën të gjatë, sepse pas disa vitesh, ndërtesës së shkollës i ra zjarri dhe materialet e muzeut që shpëtuan rastësisht, u transferuan në Katedralen e Shën Gjergjit. Këtu u bë një riorganizim i relikteve dhe dokumenteve të Nolit. Muzeu me reliktet e objektet u nda nga Biblioteka, ku u përmblodh arkivi dhe fondi i librave të tij.
Muzeun e vizitova që ditët a para. U mbylla për disa orë dhe e sodita krejt i vetëm. Ndërsa jashtë binte dëborë, brenda m’u përftua një atmosferë mbresëlënëse sa më bëhej sikur diku aty përqark qëndronte vetë Noli. Ato relikte të rralla, më dukej sikur me heshtjen e tyre më flisnin,
Muzeu është vendosur në katin e dytë të Katedrales, në një sallë shumë të madhe e plot dritë. Sapo hyn, bien në sy portretet e Skënderbeut dhe Xh. Uashingtonit, si dhe një memorial i F. Nolit, në mes flamurit shqiptar dhe atij amerikan. Gjithë pasuria e muzeut është vendosur nëpër vitrina, që rrethojnë gati gjithë sallën. Jeta e Nolit përvijohet e konkretizohet nëpërmjet një vargu të gjatë reliktesh, objektesh, fotografish, dorëshkrimesh, librash. Vitrina e parë është ajo e Nolit Kryepeshkop i Kishës ortodokse shqiptare. Janë aty kryqi i madh i prelatit të lartë, kryqe të ndryshme, bizhuteri kishtare, objekte kulti si lugë kungimi, temjanica etj. Të tërheq vëmendjen një bastun i zi, me dorezë të zverdhur dhe tespijet prej qelibari, po akoma më shumë tërhiqesh pas mitrës dhe skeptrit episkopal,
Më tej një fletë e shkruar me dorën e Nolit, i kumton vizitorit këto fjalë të përkthyera prej tij nga Shkrimet e shenjta:
«Ti që u lartove, duke dashur pranë kryqin, shtetit që pret mëshirë prej tyre, dhuroi lumëri e dritë, o Krisht Perëndi, ngazëlloi me fuqi dhe hir krerët tanë besëmirë, falju mendje dhe triumf kundër armiqve, të patshim kurdoherë për luftar, armë për paqe, trope të pamundur».
Në mes librave të zgjedhur sheh “Dhjatën e Re” në përkthimin e Kristoforidhit (1872), librat liturgjike të shqipëruara nga Noli (1909-1913), Statuti i Kishës ortodokse autoqefale shqiptare (1929) Kanunore dhe Rregullore e Kishës së Shën Gjergjit. Një vend të veçantë zë shtypi që lidhet me emrin e Nolit si «Kombi», «Dielli», «Republika», «Revista Adriatike», apo organe të tjera shqiptaro-amerikane, si “Melesini”, “Përparimi”, “Liria”, “Idealisti”, etj.
Imazhi poliedrik i figurës së Nolit zbulohet dhe nëpërmjet fotografive të shumta të vendosura gjithandej. Ka në mes tyre fotografi të njohura, po shumë nga ato janë të rralla dhe befasuese për vizitorin. Më impresionuesja është ajo ku Noli ka dalë me rrobat festive të Kryepeshkopit. Është apoteoza e pamjes së tij, madhështia e mendimit i ka dhënë madhështi dhe shtatit. Ka aty diçka jo tokësore në atë pamje, që e bën Nolin padashur të distancohet nga njeriu i zakonshëm. E ndjeja këtë tek e shikoja atë ditë herë pas here, kur qëndrova mbyllur i vetëm në muzeun e tij. Kjo nuk zgjati shumë, sepse fotografitë e tjera ma sillnin Nolin në imazhe të afërta e të zakonshme. Portreti i tij m’u bë i prekshëm dhe intim kur mora në dorë pasaportën e viteve ’20. Ishte atëherë 44 vjeç, në lulen e burrërisë, me flokë të sapo rëna, nofullat solide, me vetulla të trasha, me rrudhat që sapo kishin nisur t’i dukeshin. Në pasaportë lexoj të dhënat: sy të zes, shtat mesatar, banim në Durrës. Udhëton nga Europa në Amerikë. Qëllimi i udhëtimit: punë ki- shtare.
Diku, në një nga vitrinat shoh një tufë lulesh të vyshkura. Duken tepër të vjetra. Besoj se po t’i prekësh mund të mbeten në dorë. Vallë ç’mund të jenë këto lule? Kush mund t’i ketë sjellë dhe me ç’rast? Dua të besoj se janë lule nga Shqipëria. Po për këtë nuk gjej asgjë të shënuar në vitrinë. Megjithatë, pranë luleve janë veshjet dhe punime të artizanatit shqiptar.
Botimet e veprave letrare e studimore të Nolit, të shtypura në gjallje të tij në Shqipëri e në Kosovë përbëjnë një kënd më vete. Janë aty dhe studime dhe artikujt kritikë mbi të, libra, revista, gazeta. Është dhe letra origjinale e Bernard Shout. Ka dhe relikte të tjera që flasin për adhurimin e shqiptarëve për udhëheqësin e tyre shpirtëror. Fill pas këtij këndi, hapet një hartë origjinale e Shqipërisë, ku mbi të fluturon një shqiponjë e hakërruar para kthetrave të gjakosura fashiste që sulen mbi tokën shqiptare. Nën të, broshura e Nolit “Shqipëria nga viti 1939″…
Gjithë ato relikte e dakumente, të shpërndara në sallën e muzeut janë vetëm disa grimca të jetës së madhe të Nolit. Secila flet vetë. Secila ka një ‘histori, një ngjarje, është pjesëz e pandarë e tij. Mjafton t’i vështrosh, t’i soditësh, t’i kujtosh dhe çdo gjë gjallërohet e merr jetë. Ndjen praninë e Nolit dhe mezi i bën ballë emocioneve dhe mendimeve.
Pas muzeut i erdhi radha, kërkimeve ne Bibliotekën Memoriale të Nolit, që përbën dhe punën time kryesore në Boston. “METROPOLITAN FAN S. NOLI: MEMORIAL LIBRARY” gjendet në ndërtesën e Peshkopatës, ngjitur me katedralen e Shën Gjergjit. Në të vërtetë, vlera e kësaj vatre të studimeve noliane, e vetmja deri me sot, nuk ka të bëjë aq me fondin e librave se sa me arkivin e pasurisë që ruan. Sepse Biblioteka vetjake e Nolit nuk ekziston më. Fondet e saj u shkapërderdhën. Pjesa më e vyer, librat e punës dhe ato të literaturës së tij të preferuar, iu dërguan Bibliotekës së Universitetit të Tiranes. Të tjerat, me prishjen e shtëpisë u morën nën administrimin e kishës dhe ruajtja e tyre ma sa duket nuk qe e lehtë. Tani në Memorial Library gjendet vetëm një pjesë e vogël e librave të bibliotekës së dikurshme, sikurse pjesa më e madhe është zënë me botime të reja nga Shqipëria. Kosova dhe diaspora. Ajo në fakt tani është biblioteka e Peshkopatës, ku në radhë të parë përfshihen libra të Nolit ose studime mbi të si dhe botime shqiptare dhe albanologjike. Ka libra të vjetër si «Ungjijt» e Kristoforidhit dhe «Bleta» e Mitkos, po dhe libra të kohëve të reja. sidomos botimet e bëra në Shqipëri në vitet 1945-1965, pra në gjallje të Nolit. Këto të fundit me sa duket janë siguruar në rrugë të ndryshme, janë dërguar dhe nga vetë autorët. Janë aty vepra të Nolit të botuara në Shqipëri si “Albumi”, “Otello, “Kishoti” e deri Antollogjitë shkollore me pjesë të tij. Nga librat e dërguara me autograf mund të përmendim “Xinxifilon” ku Mitrush Kuteli ka vënë këtë kushtim: “Mjeshtrit të shqipes. Imzot F. S. Nolit, me dashurinë, respektin adhurimin e gjithnjëshëm” M. Kuteli 9-7-1963. Po me autograf është dhe “Çarld Haroldi i Bajronit, që e ka përkthyesi Skënder Luarasi.
Nga fondi i librave në gjuhë të huaj janë përkthimet anglisht të Nolit të veprave fetare. Më zë syri një fletë palosje me mendime e konsiderata të profesorëve të Harvardit për dy nga këto vepra. Kështu, për “Librin e lutjeve të kishës Lindore” në anglisht profesor George La Piana shkruan: «Besnikëria, eleganca dhe bukuria e përkthimit do të thoja se janë mbi çdo parashikim. Çfarë pune e gjatë dhe e lodhshme do të ketë qenë përkthimi juaj. Kini patur aq shumë sukses duke e përkthyer në një anglishte të bukur, jo vetëm me një ndjenjë ritmike, e cila përshkon liturgjinë e vjetër, por kini dhënë dhe shijen e hollë të shkrimeve të shenjta, aq karakteristike e gjuhës së thjeshtë dhe të efektshme të liturgjisë”. Ndërsa për librin “Hymnore e ortodoksisë lindore” në anglisht, prof. Wallance Woodëorth i shkruan Nolit: “Ju kini dhënë një kontribut jo vetëm për kishën tuaj, por edhe kisha tona jashtë vendit të cilat çmojnë rregullat e muzikës së kishës në përgjithësi të kishës ortodokse të Lindjes”.
Po kështu për studiuesit janë më interes disa botime jubilare voluminoze të Harvardit me të cilat jepet biografia e ish studentëve të klasës të vitit 1912 e në mes të tyre dhe e Nolit.
Nuk di pse më bëri përshtypje një libër me anekdota: “Joyenses Anecdodes” të M. Frantelit, botuar në Paris 1924. Ndoshta, se Noli i kishte qejf këto dhe ishte një rrëfyes i mrekullueshëm i tyre. Edhe nga këto libra që kanë ngelur nga biblioteka e Nolit mund të kuptosh interesat e gjëra dhe botën në të cilën ai jetonte. S’ka dyshim se peshën më të madhe të vlerave të Memorial Library të Nolit e përmban arkivi, që ndodhet i mbledhur e i sistemuar aty. Është një pasuri dokumentare që nuk gjendet në asnjë arkiv tjetër dhe që çdo studim për Nolin nuk mund të jetë i plotë pa njohjen dhe shfrytëzimin e tij. Merita për krijimin dhe funksionimin publik të kësaj qendre i takon At Liolinit.
Ditën e parë, kur do të nisja nga kërkimet në arkiv At Liolini duke më treguar fondet të mbyllura në raftet metalike më thotë:
Shpresoj se gjithë sa do të zbuloni dhe studioni këtu do t’ju vlejë. Veç më vjen keq t’ju them se fondet e sistemuara përbëjnë vetëm një pjesë dhe kanë mbetur akoma shumë për t’u sistemuar. Këto janë sidomos korrespondenca private e zyrtare që përfshijnë mijëra letra. Duhet kohë, duhen njerëz të përgatitur që të merren me këtë punë. Peshkopata tani për tani nuk është në gjendje ta përballojë.
Megjithëse më trishtoi kjo gjë prapë u lehtësova kur pashë vargun e madh të dosjeve e më pas u magjepsa kur zura t’i hap e t’i studioj…. Sigurisht që nuk është hera e parë që gjendesha përpara dokumenteve autentike të Nolit. Po kësaj here, kisha ardhur në Boston, punoja në ambientet e tij dhe kjo më zgjonte emocione të veçanta. Materialet arkivore janë të vendosura nëpër dosje të sistemuara sipas kritereve tematike dhe kronologjike. Ato përbëhen kryesisht nga dokumente zyrtare dhe private, letra, dorëshkrime veprash, fotografi, copa gazetash dhe nga një fonotekë me zërin e Nolit. Fondi më i pasur ishte ai i letërkëmbimit me qindra letra të marra dhe dhjetra të dërguara prej tij. Vendin më të madh e zë korrespondenca zyrtare, në radhë të parë ajo kishtare, pastaj vjen ajo politike, diplomatike, shoqërore dhe familjare. Përafërsisht, siç shpjegon At Liolini, më shumë se gjysma janë shkruar në gjuhën shqipe, vendin e dytë e zënë ato në anglisht, ndërsa të tjerat janë shkruar në gjuhë të ndryshme.
Për të njohur rrethin e miqve, shokëve dhe bashkë- punëtorëve të Nolit me të cilët, ai ka korresponduar, studiuesit i vjen në ndihmë një bllok vetjak me adresa, që ka mbajtur në vitet 20-30, koha më intensive e jetës së tij publike. Në krye janë adresat e shqiptarëve të Amerikës të shpërndarë në të katër anët e kontinentit: A. Dragoti dhe A. Alushi (Nju-Jorik), Artur Tashko, S. Kaçska, Dh. Katundi (Boston) V. Cami (Southbrige), TH. Hondo, M. Kondili, V. Zisi (Filadelfia) K. Isak (Triming), Q. Kamenica, A. Mezhgorani e M. Harito (Cikago), G. Llavda, S. Myzeqari (Atllantik), A. Llazari, M. Lazi (S. Luis), S.Stayri, P. Kolonja, Th. Theodhos (Worcester). Adresa të tjera të çojnë në Mançester, Malboro, Xhemstaun , Uashington, Natick, Fromongton; Bruklin, Hudston, Kleveland Xhamaika Plein etj. Janë shqiptarë ortodoksë e myslimanë gati nga të gjitha krahinat e Shqipërisë nga shtresa të ndryshme: shoqërore, me pozita, të ndryshme politike. Adresa në Europë të çojnë te shokët e kolonive patriotike, të bashkëpunëtorëve KONARE-s, te personalitete politike e shkencore të kohës si dhe te njerëzit e familjes. Shumica kanë të bëjnë me Gjermaninë dhe Austrinë (Berlin, Vjenë, Mambunrg). Të tjerat me Zvicrën, Belgjikën, Francën, Italinë, Danimarkën, Greqinë, (Gjenevë, Bruksel, Lion, Paris Kopenhagen, Athinë, Aleksandropul, etj.) Në mes tyre gjenden adresat M. Xhelos, O. Nishanit, L. Borshit, Xh. Dishnicës, Ll. Fundos, D.Godellit, Th. Turtullit etj. Nga ato të personaliteteve te huaja janë Migliolit, Dr. H. Petersen, Dr. F. Maver, Dr. Bondy, Ë. Thon, B. Schonstendt etj. Por dhe të disa grave pas të cilave fshihen në përgjithësi lidhjet e tij ilegale me persona politike) si M. Eishest, Heiberg, Hiru etj. Adresa të tjera të çojnë në Tunizi (Isak Eski), Argjentinë (R. Kolonja), B. Kodrasi). Nga adresat të familjarëve janë ato të Vëllait Dhimitrit, të motrave, kunetërve, nipave.
Tek kisha përpara tërë ato pasuri epistulare nuk dija nga t’ia filloja. Secila fliste, hidhte dritë, zgjeronte njohjen! Përherë e më shumë kuptoja se Noli, ndonëse larg dhe ne dukje i vetmuar, gjithnjë ka qenë i rrethuar nga dashuria e respekti i shqiptarëve të Amerikës, nga komuniteti i tyre, nga malli dhe interesimi i shokëve të luftës e të punëve, më të cilët e lidhte mbi të gjitha Shqipëria. Në mes befasive te shumta që provova ato ditë, më prekëse ishin çastet kur lexoja letrat që i kishin dërguar njerëzit e familjes nga Traka e largët. Ato digjen nga malli për të vëllanë, për xhaxhanë e dajën, nga krenaria që ndjejnë për ta takuar a për ta njohur. Por nga ana tjetër, këto letra janë të mbushura plot halle e probleme që lidhen me gjendjen e tyre, te rëndë ekonomike dhe me shpresën se Theofani, që ka bërë emër aq të madh e që jeton në, Amerikë, do të gjejë mundësinë për t’i ndihmuar. Të gjithë të afërmit janë shpërngulur në Greqi, pas eksodit të dhimbshëm të vitit 1922 nga Turqia. Motrat janë martuar në Feres, Kavalle, Sefanik, kurse i vetmi vëlla jeton në Kipseli, në një fshat afër Ksanthit. Letrat e Dhimitrit u takojnë viteve 1935-36. Ai ka një familje të madhe prej dhjetë vetash dhe i shkruan se “jam në një gjendje të mjerë”, duke arsyetuar se “familja ime është dhe nderi yt”, prandaj lypset ta ndihmojë ekonomikisht. Por Noli nuk arrin dot t’i vijë në ndihmë. I vëllai e ka gjetur në kohën më të keqe, në kohën e krizës, pas kthimit të tij në Amerikë nga Europa.
Në qoftë se letrat e vëllait të tronditin me varfërinë që i ka pllakosur, letrat e të motrave të prekin me dhembshurinë, me nostalgjinë, me merakun, që kanë për shëndetin dhe fatin e Fanit të tyre të dashur. Ato evokojnë kujtime të përbashkëta nga koha e kaluar. Gjithmonë kujtojmë shtëpinë tonë, fshatin tonë të vogël (Qytezën N. J.) dhe nënën tonë, punëtoren e martirizuar… Nëna mbante mend kur t’i vijë nga Adrianopoja në fshat, me këmbët plagë, plot flluska dhe ajo të bënte banjo, ndërsa ne që ishim të gjithë të vegjël rendnim të gëzuar, me një gëzim që nuk përshkruhet.
Pastaj, kaluan vite dhe vitin e fundit në verë kur ike me kalë dhe pastaj nuk të pamë më në fshatin tonë… Unë vështroja nënën që qante ngaqë ti nuk ishe më në shtëpi… Kur shkruaj më shpërthen të qarët dhe mezi e marrë veten”.
Motra e vogël Sulltana që ka dy yjet pa marrë letër nga i vëllai, i shkruan për fatkeqësitë familjare që i kanë ndodhur ndërkohë: i ka vdekur i bija dhe i shoqi. Edhe ajo kërkon ta ndihmojë ekonomikisht, pasi ishte në një gjendje të keqe. Nga ana tjetër i biri Jani, i cili ka shpresuar se daja do ta marrë në Amerikë i thotë me një letër” Ke shumë kohë pa na shkruar. Dëshpërohem shumë nga kjo. Shqetësohem për shëndetin tënd. Nëna pyet gjithnjë postierin nëse ka ardhur ndonjë letër nga ty. Kemi varfëri të madhe. Babai punonte në pikë të vapës për të nxjerrë bukën. Nëna është e sëmurë. Është bërë gjysmë njeriu, do ushqim por varfëria nuk na lejon. Babai më futi në punë për t’i ardhur në ndihmë” .Letrën e mbyll me një lajm të gëzuar kur i shkruan: “Dje erdhi në dyqanin tonë Kristo Shkurti. Na tha se të njihte dhe kish marrë vesh për ty dhe politikën e Shqipërisë… Ai na tha se të pret populli i Shqipërisë. Këtë ia thashë nënës dhe u gëzua shumë”
Nuk mund t’i lexosh këto letra pa mallëngjim dhe pa dhimbje. Aq më tepër kur mendon se ç’tronditje sillnin ato në shpirtin e Nolit. Pamundësia për t’u takuar me njerëzit e afërt, do t’i shndërrohej në një peng të hidhur që do ta ndiqte tërë jetën. Mesa duket ai e ndjente se ishte ndarë me ta njëherë e përgjithmonë.
Vëmendjen më të madhe gjatë punës kërkimore në fondin e epistularit, ia kushtova )kërkimit të letrave të Nolit. Për fat të keq, këto në krahasim me letrat e tjera, janë shumë më të pakta. Si duket Noli rrallë mbante kopje të letrave që dërgonte.
Letrat e Nolit që gjeta kapin një periudhë të gjate, nga viti 1911 deri në vitin e fundit 1965. Gjendet në to, sa jeta e tij, e ngarkuar me përpjekje e shqetësime nga më te ndryshmet aq dhe problemet e lëvizjes kombëtare të mbarëvajtjes dhe përparimit të Shqipërisë, të fatit të saj. Ato u drejtohen disa figurave të njohura të vendit dhe të huaja.
Letrat e viteve 1911-1919 janë një pjesë e korrespondencës së tij me drejtuesit e Kishës ortodokse ruse të Amerikës së Veriut me peshkopët Platon dhe Aleksandër. Ato hedhin dritë mbi intrigat dhe provokacionet greke kundër kishës së re shqiptare, për pengesat e shumta dhe për frymën anarkiste që duan të krijojnë tek besimtarët shqiptarë. Noli e njeh mirë pabesinë e rretheve fanariote dhe është i vendosur të mos lëviz nga pozita dhe bindjet e veta atdhetare. Me shumë vlerë është letra dërguar Peshkop Aleksandërit më 14 nëntor 1919, ku i parashtron një shkurtesë të jetës së tij dhe jep disa të dhëna autobiografike interesante. Kështu, pohon se «stërgjyshit e mi kishin ardhur nga Kolonja e Shqipërisë së Jugut». Se me 1908, ka ndjekur për disa muaj një shkollë të lartë në Boston. Se më 1909 ka frekuentuar kurset e Letërsisë klasike dhe moderne të Harvardit, dhe se njihte, qysh atëherë disa gjuhe si latinisht, greqisht, anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, turqisht e norvegjisht. Nga letra marrim vesh se në Amerikë jetojnë, të paktën 40000 shqiptarë. Duke folur për përkthimet e tij fetare dhe laike, ai përmend fjalët lavdëruese, që kanë shkruar për të albanologët e shquar Luis Dyfur dhe H. Pedersen. Nga ana tjetër e vë në dijeni se Kuvendi i fundit i “Vatrës” e ka zgjedhur delegat për në Konferencën e Paqes, kurse dy -muaj, me vonë në një letër tjetër, do t’i kërkoj autorizim Peshkopatës ruse që ta lejojë të shkojë në Paris për të kryer një mision të rëndësishëm të ngarkuar nga, bashkatdhetarët e tij.
Letrat e vitee 20 kanë të bëjnë me shqetësimet dhe përpjekjet për konsolidimin e kishës ortodokse në Shqipëri dhe më pas me pozitën e tij si emigrant politik nëpër Europë. Në një letër të gjatë drejtuar Kostë Belbës (6 mars 1923), Noli përshkruan gjerësisht gjendjen e kishës ortodokse shqiptare dhe zbulon nga brenda intrigat greke për të sabotuar njohjen e autoqefalisë së saj nga Petrarkana e Stambollit, si dhe lëkundjet dhe politikën përçarëse nga kjo e fundit ndër shqiptarët otrodoksë. Në qoftë se shqiptarët patriotë punojnë me karta të hapura, janë të sinqertë, Patriarkana tregohet tinëzare dhe sipas tij tallet. Kisha ortodokse shqiptare nuk kish nevoje për eksark (delegat), siç ka dërguar Patriarkana peshkop Jerotheon, por për dy peshkopë që të sigurohet autoqefalia e kishës. Noli di se ç’kërkon, ndjek një taktikë, e strategji patriotike, të qartë e të vendosur.
Tri letrat e vitit 1926, drejtuar Vangjel Laskos nga Viena, flasin për pozitën e Nolit në emigracion, (për punët që bën dhe prespektivën. Është koha, kur ka botuar njëherësh pesë libra të; përkthyera nga letërsia: botërore: Të tërheq vëmendjen fakti që Noli ndonëse në këtë kohë gjendet në krye të KONARE-s shkruan se mendon të kthehet në SHBA, por varet nga shitja e librave (!) Ai nuk do që të kthehet për t’u mbetur në qafë nga pikëpamja ekonomike kishave të varfra atje, por të rrojë me të ardhurat e librave. Me sa duket, ky nuk do të ish një kthim i përkohshëm sepse mendon që në qoftë se fushata e shitjes së librave do të ketë sukses, ai pastaj do t’i kushtohet në mënyrë sistematike punës për të botuar një sërë librash letrare e kulturorë. Me këtë gjë, ai mendon se do të çel «një udhë shërbimi për kombin më të gjerë e më të bukur se sa patekat e shtrembra që janë përpjekur të çanj e ku jam arratisur e ku kam humbur shëndetin gjer më sot. Me këtë rast, kritikon rëndë F. Konicën për kompromiset e veprimet e tij, duke parashikuar se do t’i paguajnë të gjitha bashkë, kur të vinj koha…» Letrat i mbyllte si klerik me fjalët “Uronjësi juaj me Krishtin”.
Letra që i ka dërguar nga Hamburgu më 23 maj 1932, Cacit, Anastas ose Artur Tashkos, të birit të Thanas Tashkos është shkruar disa muaj para se të kthehet përfundimisht në SHBA. Kësaj here, siç del nuk e ka të lehtë ta marrë vizën nga autoritetet amerikane, prandaj e porosit djalin e mikut që të takojë disa nga shokët e klasës 1912 të Harvardit, të cilët aso kohe kishin pozita të larta, në mes tyre dhe të birin e ish presidentit T. Ruzvelt, “Të gjithë këta – porosit në letër – duhet menjëherë të përdorin influencën e tyre në Uashington për vizën time në Labor Department… Pra, çdo hap duhet bërë pa humbur kohë». Në. fakt Noli, do të kthehet në SHBA, vetëm pas disa muajve në tetor 1932.
Duhet të presim vitet 40, kur do të dalë rishtaz jeta e tij nëpër faqet epistularit. E para, në mes letrave të kësaj kohe është një kërkesë, ku s’mungon nota diplomatike e protestës drejtuar Adolf Hitlerit, me anën e së cilës lyp në emër të gjithë shqiptarëve të shpëtohet Dr. Norbert Jokli, autoriteti i gjallë më i madh të filologjisë shqiptare. Fill pas lufte, i dërgon një letër Koço Tashkos, ku i shpreh shpresën se me arritjen në SHBA- të një dërgate zyrtare shqiptare “Hyrja e Shqipërisë në OKB është e afërme”. Kurse letra tjetër për Qamil Çelën, kryetar i Kryqit të Kuq shqiptar është plot zemërim, mbasi nuk është bërë asgjë për ndihmat e mbledhura nga «Albanien Relief Fund».
Në letrën dërguar Kryepeshkopit Paisi me 2 nëntor 1950; Noli e informon për mbrojtjen që i ka bërë Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë nga Marko Lipe, i dërguari i Patriarkanës së Stambollit. Po prej saj marrim vesh se ka qenë i sëmurë nga një pneumoni e ndërlikuar me anemi dhe është këshilluar nga mjekët të pushojë një kohë.
Letra që i çon prof. F. Babinger, orientalistit të madh gjerman në Munih të Bavarisë zbulon marrëdhëniet e tyre miqësore dhe interesat e përbashkëta kryesisht në fushën e historisë. Noli në një letër mbron Biemin dhe Antivarasin dhe shton se ka ndërmend të shkruajë një artikull për diskutimin që ngjall vepra e tyre. Ai gjithashtu qahej për vështirësitë që hasen në Amerikë lidhur me sigurimin e literaturës skënderbejane, kur në Europë nuk ekzistojnë probleme të tilla.
Një çështje e rëndësishme, si ajo e amerikanizimit të kishave ortodokse të SHBA parashtrohet gjerësisht në letrën dërguar kryepeshkopit mitropolit Leonti. Sipas Nolit, kisha ortodokse në Amerikë që të mbijetojë duhet të amerikanizohet duke vënë në bazë anglishten, me një patriarkan më vehte dhe në krye të saj të vihet vetë Leonti. Kurse për kishën greke propozon të përjashtohet nga udhëheqja e kishave për shkak të shovinizmit të hierarkve të saj, të mungesës së shpirtit misionar dhe të statusit jashtëkanonik.
Në prill 1958 nisën përgatitjet për 50-vjetorin e Kishës Ortodokse Shqiptarë dhe Noli i drejtohet bashkatdhetarëve me thirrjen për të ndihmuar në të holla për këtë fushatë patriotike, ku me këtë rast do të botohet dhe libri jubilar. Atë e kanë zgjedhur kryetar nderi të komisionit përgatitor, ndërsa kryetari i komisionit të punës është Antoni Athanas.
Nga Florida, prej qytetit Fort Landerdale, ku kishte shtëpinë e dimrimit janë shkruar dy letrat e fundit në janar 1965 për sekretarin e Peshkopatës, at Sotir Dilogjikën: Edhe pse i sëmurë, ai nuk e largon mendjen nga punët e kishës. Në këtë kohë dërgoi dhe 300 dollarë, dhuratë për konizmën e Shën Gjergjit, i cili sipas tij, është themeluar nga xhepat e vogla dhe me këta ka për të vazhduar. Po kështu i solli dhe 200 dollarë Seminarit të Shën Vladimir. Ndërkaq nga letrat merret vesh se gjendja e kishës nuk është e mirë. Kanë plasur grindje dhe kërkon të shtyhet mbledhja e këshillit të Peshkopatës, në mënyrë që të ndodhet dhe ai. Cakton bile dhe datën 14 shkurt, por janë ditët e fundit sepse pas një muaji ai vdes.
Në adresë të Katedralës së Shën Gjergjit dhe të shtëpisë në Bllagden Str. kanë ardhur për afro gjysmë shekulli me mijëra letra. Vështirë s’e mund të bëhet sot një bilanc i plotë dhe i saktë. Një gjë dihet me siguri ato vinin nga të gjitha kontinentet, nga shumë krahina të Shqipërisë, nga njerëz të klasave dhe ideologjive të ndryshme, nga tërë etapat e historisë shqiptare të shekullit të njëzetë. Ato të shpërndara në kohë, i takojnë kohës, së Rilindjes të periudhës së pavarësisë dhe të shtetit të ri shqiptar. Është një korrespondencë që ka për emërues të përbashkët fatin e Shqipërisë probleme dhe shqetësime të mbarëvajtjes së saj, të cilat për Nolin përbënin kuptimin dhe qëllimin e vetëm të jetës së tij. Ky fond është më i pasuri i epistularit në arkiv dhe unë vetëm sa fillova të gërmoj në tërë atë mori të pafund letrash.
Në mes tyre mund të thosha se letrat e vitit 1933 janë të një rëndësie të veçantë. Ndonëse Noli është kthyer një vit më parë nga Europa dhe ka shpallur se ka hequr dorë nga politika, në fakt korrespondenca dëshmon të kundërt. Ai në të vërtetë nuk del ballazi në fushën e politikës, por lidhjet nuk i shkëput. Përkundrazi vazhdon të komunikojë me shokët e luftës, me figura të emigracionit shqiptar në Europë e gjetkë. Mban letërkëmbim merr shtypin politik për luftën kundër Zogut dhe lëvizjen revolucionare europiane. Të gjitha këto pasqyrohen në letrat që i kanë dërguar në atë kohë: Ll. Fundo, M. Kruja, Q. Çela, A. Kelmendi, etj.. Letra e Paganit, alias Llazar Fundo, shkruar nga Gjermania e vënë në dijeni të ëvizjes demokratike brenda dhe jashtë Shqipërisë, i thotë se shokët vuajnë tani brenda por gjendja është më e mirë se dy vjet më parë se gazeta “Liria Kombëtare N.J) futet në Shqipëri dhe se janë rekrutuar ca shokë të mirë, se Halimi (Xhelo) ka hyrë në Shqipëri etj. Marrim vesh se Noli do të botojë rijë libër me vjersha dhe Pagani me këtë rast, (i cili gjithmonë ia ka pasur me të pabesë Nolit) ironizon kur i thotë se duke hequr dorë nga politika, do të merret me botimin dhe shitjen e librave të veta. Gjithashtu i kërkon të interesohet për përhapjen e gazetës «Liria Kombëtare», me qenë se gazeta «Republika» vdiq»!
Letrat e Mustafa Krujës, i cili në këtë kohë hante bukën e Romës i sjellin Nolit të dhëna nga Shqipëria, sidomos për veprimet e Zogut si vrasja e H. Prishtinës, akrobacitë politike të mbretit për mbylljen e shkollave private etj. Në një letër tjetër e përgëzon se nuk po lodheni së punuari për letërsinë tonë, duke kontribuar për brezat e ardhshëm, kur shumica e politikanëve janë ato të sokaqeve dhe kafeneve». Ai i dërgon adresat që i ka kërkuar Noli si ato të S. Vinjaut, Q. Çelës, Dr. Turtullita Xh. Korçës, Q. Koculit, B. Omarit, Xh. Korçës etj. Në letrat e mëpasme del se Noli nuk pranon t’i bëhen pyetje nëpër letra për çështje politike. Në këtë kohë, Zogu ka hequr nga kryesia e kishës ortodokse Visarion Xhuvanin dhe Kruja do të dijë në se Noli ka ndërmend të pranojë këtë post, në qoftë se ia propozojnë. Ndërkaq, jep mendime për qeverinë liberale, që Zogu u detyrua ta sjellë në fuqi, por pohon se “throni është i vetmi ideal që ka a”. Nga ana tjetër hedh idenë se në qoftë se Zogu «do të sundoj si mbret i ndershëm me njerëz dhe sisteme të ndershme e moderne… duhet t’i harrojmë të shkuarat… për hirin e së ardhmes së Shqipërisë. “Dhe në fund e pyet: Ju, megjithëqë s’merreni me politikë, ç’thoni?”
Një vend të veçantë zë letërkëmbimi me komunistët që punonin brenda Komitetit të Çlirimit Nacional në Francë e Itali, si Ali Kelmendi dhe Qamil Çela. Në dy letrat e veta, A. Kelmendi, pasi i kujton njohjen në Berlin më 1930, e njofton udhëheqësin më faktin së gjatë qëndrimit në Shqipëri u bind se populli shqiptar pa përjashtim ju mban në zemër”. Nga ana tjetër, gëzohet shumë që Noli sipas një interviste që ka dhënë, ka deklaruar se «përderisa do të jetë regjimi i sotshëm në Shqipëri s’ka për t’iu kthyer dhe i lutet “t’më ndriçoni në këtë pikë”. Noli do t’i përgjigjet me rastin e Vitit të Ri dhe në letrën tjetër, Kelmendi, si i kërkoi dy fotografi, demaskon Llazar Fundon i cili «Gjithmonë ka ecë andej kah ka frye era e ditës» dhe jep të kuptohet se LI. F. ka folur keq për Nolin. Ai shkruan me përbuzje për disa nga politikanët shqiptar të emigracionit në Francë me në krye Q. Kaculin.
Në qoftë se A. K. i shkruan me një fare distance letrat, Q. Celës janë të një njeriu të afërt. Në letrën e parë, ai shpreh keqardhjen e madhe, që Noli i shtrënguar nga gjendja e vështirë, i lyp ndihmë ekonomike Zogut, arrin “të trokëllijë në derë të hasmit”… dhe sado i pakënaqur që është nga kjo ndodhi e hidhur, e siguron se besimi em tek ju qëndron i patundun”. Dy letrat e tjera kanë në qendër LI. Fundon i cili, sipas Q.Ç. është moll e grindjeve dhe shkatërrimit tonë, dhe ç’është më keq “Puna jonë asht në dorë të Fundos dhe prandaj vete për lumë”. Çela nuk mungon të thotë se «atë e urrej jo vetëm si shkaktar i shkatrrimit tonë, por edhe i tërheqjes suej nga lama e politikës. Ai tregon se padrejtësitë e bëra kundër-Nolit «kanë qenë shumë të mëdha», por shton se «një zemër bujare nuk do të rrafi veçse për të mirën e shpëtimin e të mjeruemve”.
Nga fundi i viteve 30 është folur e përfolur për një kthim të mundshëm të Nolit në Shqipëri, në krye të Kishës ortodokse autoqefale shqiptare. Për këtë bën fjalë letra e Stavofor Ikonom Josifit, i cili i propozon, që për t’u realizuar kjo, Noli duhet t’i shkruajë një letër drejtpërdrejt kryeministrit. Këtë problem e shkoqit më tej lera e gazetarit Zoi Xoxa, sipas të cilit, ardhja e Nolit në Shqipëri varet vetëm nga ai dhe se nuk ka asnjë pengesë tjetër. “Lartë Madhëria e Tij Mbreti e dha pëlqimin e tij». Xoxa e merr me të mirë dhe i bën lajka pranon zyrtarisht çdo kusht të Nolit, veçse të vijë dhe lyp vetëm «një konfirmim prej dorës suaj me qenë se të dhënat kanë qenë nga të tretë. Noli mesa duket nuk i pranoi këtë ofertë djallëzore, që i sillte përfitime politikës së Zogut.
Letra e episkop Agathangjelit në mars 1938 tregon për një hap që paska bërë Noli në raportet me Zogun.
Pas vizitës së princeshave në SHB, Noli i ka kërkuar me anë të një letre N. M Mbretëreshës “një ndihmë për nevoja muzikale” pasi don të përgatisë “gjithë muzikën e kishës”. Kjo e paska gëzuar mbretin dhe mbretëreshën, aq sa zogu e ka porositur kryeministrin që t’i transmetojë Nolit se N. M Tij dëshiron që juve të urdhëroni në Shqipëri për një vizitë sado të shkurtër”. Nuk e dimë përgjigjen e Nolit, por dimë se këto traktativa bëheshin në prag të pushtimit fashist.
Të tri letrat e F. Konicës i takojnë verës së vitit 1938. Është koha e afrimit dhe pajtimit të tyre. Konica përpiqet të tregohet sa me i sjellshëm dhe i dashur. Jo vetëm është i gatshëm ta ndihmojë me informacione bibliografike nga Uashington, por kur shkon në Boston i propozon të takohen e të bisedojnë vetëm për vetëm. Dëshiron të përtërihet miqësia e dikurshme.
Admirimi dhe vlerësimi i lartë i brezit të ri të intelektualëve përshkon gjithë letrën e Branko Merxhanit. «Intelektualët shqiptarë— i shkruan ai — ushqejnë një adhurim të thellë për punimet tuaja… Shkrimet tuaja janë një thesar i paçmueshëm për publikun tonë». Prandaj i kërkon të bashkëpunojë me revistën “Përpjekja shqiptare”- që ai drejton.
Andon Frashëri, ish sekretar i kabinetit të Nolit kryeministër, në letrën që i çon, i shtyrë nga lajmi i kthimit të Nolit në Shqipëri në pranverën e vitit 1939, i shkruan me entuziazëm të papërshkruar se siç priste Shqipëria një kohë Skënderbeun, po me atë mall ju presim dhe ju sot…Shqipëria sot ka nevojë për patriot si ju».
Pas Luftës së Dytë Botërore hapet një fazë tjetër në epistularin nolian, në kushtet e reja historike dhe në rrethanat e ndërlikuara të kohës. Megjithatë, Noli nuk e ngatërron nordin, mbetet në thelb ai që është. Emra të njohur përsëriten, emra të rinj hyjnë në korrespondencën e tij. I shkruajnë miq të vjetër si K. Tashko, S. Malishova, O. Nishani A. Xhuvani A. Frashëri etj. Po dhe emra të rinj si E. Hoxha, T. Jikova, B. Shtylla, H. Kapo, K. Ylli; E. Xhordano, N. Peshkëpia, S. Premte, A. Pipa Z. Oroshi etj. Në këtë periudhë Noli afirmohet më tej në arenën ndërkombëtare jo më si figurë politike„po si personalitet i kulturës dhe shkencës. Kjo shpjegon se përse në fondin e letër këmbimit figurojnë emrat e shkencëtiarëve të njohur si F. Babingerit, F. Novakut, G. La Pianas; E. M. Stettiniusit, O. W. Haussermanit etj.
Një korrespondence të pasur pasqyron lidhjet dhe bashkëpunimin e Nolit me udhëheqësit e shtetit shqiptar të pas luftës. Boshtin e saj e përbëjnë çështje jetike, si forcimi i pushtetit të ri, sigurimi i kufijve, njohja e Shqipërisë nga bota dhe pranimi; në OKB, ndihma për vendin e varfër dhe të shkatërruar nga lufta, popullarizimi i luftës Nac-Çl, para opinionit amerikan etj. Në këto marrëdhënie, Noli zakonisht tregohet korrekt dhe i sinqertë, disa herë dhe diplomat, por ndërkaq në letrat e udhëheqësve të shtetit të ri shqiptar krahas respektit dhe vlerësimit nuk mungon ndonjëherë një farë diktati, kërkesa që prekin pavarësinë e mendimeve të tij dhe jo gjithnjë tregohen të sinqertë dhe të hapur.
Në arkiv gjenden dhe letra të disa prej intelektualëve të emigracionit politik, si të N. Peshkëpisë, A. Pipa, Z. Oroshi etj. që flasin për mirëkuptim e tolerance dhe pasqyrojnë trajtimin human dhe patriotik të tyre nga ana e Nolit, pa paragjykime dhe rezerva. Duke u ngritur mbi mendimet dhe qëndrimet e veta, Noli i mirëpret ata në radhë të parë si bashkatdhetarë dhe njerëz të kulturës. Kështu janë mjaft interesante letrat e N. Peshkëpisë, i cili e nxit dhe e ndihmon Nolin për të përkthyer disa poezi të V. Hugoit. Është një dialog intelektual në mes tyre që të prek dhe që tregon se Noli çmon diversitetin e mendimeve dhe qëndrimeve politike.
Akoma më interesante janë letrat e at Zef Oroshit, kapelan i kishës katolike shqiptare në Amerikë. Ato na japin të dhëna të rëndësishme lidhur me mendimet e Nolit për një bashkim të mundshëm, të Kishës ortodokse shqiptare me atë katolike, për disa hapa që ai bën drejt një kishe kristiane shqiptare. Nga letrat e Oroshit del se Noli, ka kërkuar prej tij, që nëpërmjet Kardinalit katolik të Nju Jorkut, të pranohet me cilësinë e vëzhguesit në Këshillin Ekonomik të Vatikanit.
Letra e A. Pipes është një vlerësim i lartë dhe homazh i sinqertë që ai i bën përkthimit të «Dhjatës së Re» nga Noli, të cilën e quan “një anglishte të përsosur», gjë e rrallë kjo nga një gjuhë e huaj me një tjetër gjuhë të huaj.
Bota arbëreshe do të mbante lidhje të herëpashershme me Nolin. Ata do t’i drejtoheshin atij, me raste të ndryshme. Kështu, e ftojnë për përkujtimin e 150 vjetorit të lindjes së J. de Radës ose Papa Emanuel Xhordano i lyp mbështetje dhe ndihmë, financiare nga shqiptarët e Amerikës për të botuar fjalorin e tij arbërisht. Herë pas here Noli ka marrë letra nga intelektualë në zë të Shqipërisë. A. Xhuvani i shkruan me entuziazëm për “një Shqipëri pa bejlerë, pa agallarë, e bajraktarë, pa aksionistë e kamatarë, pa kapital të huej… pa na u përzjerë ndokush”. M. Kuteli i jep lajmin e gëzuar se është zgjedhur Kryetar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe se një varg letrarësh ndjekin në fushën e letërsisë rrugën e tij. S. Luarasi i rrëfehet kur i shkruan se “Në Krujë, në çastin kur u zbulua monumenti i Skënderbeut më pushtoi malli për ju, Këngëtar i kreshnikut tone”. Andon Frashëri, duke i kujtuar Tiranën e cila s’ishte më ajo e viteve 20, i thotë se Tirana është sot «një qytet modern» dhe shton se do të ishte fatkeqësi “po të mos vini ta vizitoni Shqipërinë e sotme”.
Lidhjet e Nolit janë aq të gjëra e të ndryshme sa në arkivin e tij gjen letra të njerëzve të thjeshtë që vijnë nga Kolonja e Korça nga Tirana dhe Elbasani e deri nga kampet e emigrantëve politikë në Itali.
Së fundi, nuk mund të mos shohësh pa emocion në arkivin e Nolit autografet e letrave të B. Shout, T. Mannit e J. Sibeliusit, që kanë si emnues të përbashkët vlerësimin e savantit tonë nga një kuotë botërore. Po nuk janë vetëm këta që i kanë shkruar Nolit. Në arkiv gjen me dhjetëra letra nga profesorë universitetesh, specialistë të shquar të fushës së muzikës, historisë, teologjisë. Pasuria e letërkëmbimit të Nolit është një dëshmi e habitshme, jo vetëm e lidhjeve të tij të gjithanshme, shtrirë në dhjetëra vjet po me sa duket një mënyrë të jetuari, e jetës së tij intelektuale dhe shpirtërore.
E dija qysh më pare se fondi i dorëshkrimeve të veprave të Nolit në Boston nuk e kish atë pasuri të dorëshkrimeve të tij, siç e ka Arkivi ynë Qendror në Tiranë. E megjithatë, kërkimet dhe në këtë drejtim patën prapëseprapë befasi të këndshme dhe nuk qenë pa rezultat. Atje më ra në dorë dorëshkrimi i daktilografuar i veprave kapitale të tij, siç janë “Historia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut» dhe «Bethoveni dhe revolucioni francez” si dhe «Autobiografia», të korrigjuara me dorën e Nolit. Ato natyrisht, kanë interes për studiuesit, vështruar sidomos nga pikëpamja tekstologjike. Hulumtimet për ndonjë vepër të panjohur artistike nuk dhanë ndonjë frutë me përjashtim të autografit të “Sonatës për violinë dhe orkestër”, kompozuar në 31 mars 1937 dhe që Noli mesa duket e kryen në kuadrin e detyrave kur ishte student në Konservator.
Dorëshkrime nga veprimtaria e tij e shumanshme ruhen veçanërisht nga fusha e oratorisë. Janë disa fjalime, qe ai i quan Përkujtimore ose Shërbesa përkujtimore, të mbajtura në raste të ndryshme në gjuhën angleze, zakonisht në Katedralen e Shën Gjergjit, pas meshës. Me qenë se ato janë shqiptuar para auditorit të besimtarëve, këto fjalime kanë një njohje të kufizuar. Të gjitha janë mbajtur në vitet 60 dhe u kushtohen figurave të ndryshme, sidomos atyre klerikale. Vend të veçantë zënë Shërbesat përkujtimore për kolegët e tij, si për peshkopin Jerotheo; një nga themeluesit e kishës autoqefale shqiptare, për priftin rus Jakov Grigoriev që ndihmoi për legalizimin kanonik të meshës së parë në gjuhën shqipe. Në radhën e fjalimeve hyjnë dhe parashtresat si «Farisejt dhe publiku», “Njëzet të dielat”. Por në mes tyre bien në sy një fjalim mbajtur me rastin e vdekjes tragjike të presidentit të SHBA Xhon Kenedit më 1963 dhe fjala e shqiptuar në Shtëpinë e Bardhë para shekspirologëve, të ftuar nga president L. Xhonson, me rastin e 400 vjetorit të lindjes së Shekspirit në 1964. Këtyre u shtohet dhe kumtesa «Jeta e Jezuit» hartuar në vitin 1942, gjatë kohës që përgatiste doktoraturën.
Ndërmjet dokumenteve që gjetëm do të veçonim ato që lidhen me kthimin e tij të fundit nga Europa në SHBA në 1932. Aty është lëje qëndrimi në Gjermani, nga Zyra e policisë e Lybekut më 15 qershor 1932. Është gjithashtu viza e marrë nga Konsullata e përgjithshme amerikane në Hamburg më 3 shtator 1932. Nga dokumentet del se Noli ka udhëtuar me linjën «America Linie», Hamburg-Nju- Jork me vaporin e “New-Dorf”. Këtë e njofton gazeta “New Dorf Staats Zeitung” e 22 tetorit 1932 që dilte në këtë anije transatllantike. Gazeta informon se në të udhëton peshkop Dr. Fan Noli, i cili jeton në Gril të Lubekut të Gjermanisë. Me “New Dorfin» udhëtojnë gjithashtu dhe personalitete të tjera, intelektulë, profesorë dhie studiues të ndryshëm. Me këtë rast, jepet një biografi e shkurtër e Nolit, duke e veçuar nga të tjerët për të cilët shënohet vetëm emri. Dokumentet dëshmojnë gjithashtu se ai ka zbritur në Ellis island me 21 tetor 1932. Këtu ka mbushur kërkesën dhe formularin për Zyrën e Imigracionit, sipas të cilave del se ka udhëtuar me vizë të zakonshme dhe jo të emigracionit. Ka shënuar para emrit Rev. si dhe adresën postare 168 Dartmouth Str. Boston Mass., por dhe atë të shtëpisë 26 Bllagden Str. Nga të dhënat për veten ka shkruar se është 53 vjeç me sy bojëkafe, fytyrë të bardhë gjysmë i thinjur, me preka, 170 paund (85 kg.), raca shqiptare, kombësia pa shtetësi (stateless). Në të njëjtën dosje gjenden dhe copa gazetash që kanë pasqyruar arritjen e tij, siç janë “Daily Neës””The Neë York Times”, “N. Y. American”, “Herald”, “Jemstoën Evening Joumall” etj. Titujt janë kuptimplotë dhe në stilin amerikan: «Ellis Island ka bllokuar kokën e Shqipërisë «Ish kryeministri i Shqipërisë në Ellis Island. Ish kryeministri i Shqipërisë i ndaluar. «Peshkopi shqiptar mbahet këtu» Peshkopi shqiptar lejohet të zbresë në tokë», “Peshkopi shqiptar lejohet të hyjë në SHBA pas intervistës së emigracionit”, “Peshkopi shqiptar lejohet të largohet nga Ellis Island”. Të gjitha gazetat e cilësojnë kryeministër ose peshkop, duke e shoqëruar me fotografi. Në Ellis Island do të qëndrojë plot një javë (21-27 tetor 1932) dhe pastaj del në Nju Jork. Arsyeja e ndalimit është jo vetëm se duhet t’i përgjigjet intervistës që kërkohet sipas rregullave amerikane, por edhe sepse akoma nuk i kanë mbërritur dokumentet. Pret deri sa mblidhet një këshillë për të vendosur. Kështu më 27 tetor ai largohet nga ishulli dhe rikthehet në SHBA për të mos u larguar kurrë më. Nga dokumentet konstatojmë se Noli akoma nuk është qytetar i përhershëm amerikan, megjithëse jeton në SHBA, nga viti 1906. Shtetësinë amerikane, ai do ta marrë 8 vjet më vonë. Këtë e dëshmon vendimi i Gjykatës së Bostonit marrë më 11 mars 1940, pasqyruar në dokumentin CERTIFI- CHATC NATURALIZATION
Në arkiv hasen dhe materiale të tjera të cilat megjithëse s’kanë lidhje më njëra tjetrën paraqesin interes për jetën e Nolit. Kështu Noli vegjetarian kish hartuar një dietë që ua rekomandonte besimtarëve, si një dietë korrekte, ku thoshte se shkenca e dietës ka provuar se gjellët kreshmore janë të ngrëna natyrale për njeriun, më të shëndetshmet se gjellët e purbuletura «dhe se «po– të respektohet kjo dietë arrihet “fare lehtë versa e qindit”. Interesante është dhe korrespondenca e Nolit me B. Shoun për problemet e ushqimit vegjetarian.
Në arkiv është ruajtur dhe programi i shtypur i një koncerti laik prej korit rus të Kryepeshkopit Theofan Stilian Noli, dhënë në sallën e Librarisë (Bibliotekës) së Shkollës së re teknike në Tiranë më 14 shtator 1924. Programi përmbante vepra të Bethovenit, Shumanit, Verdit, Arnoldit, Arkangelsit, Davidovit, si dhe një varg këngësh korale ruse dhe ukrainase. Në program zë vend dhe recitimi prej S. Maleshoves i “Korbit” të E. Poes dhe “Skënderbeut” të Lonfelout përkthyer nga F. Noli,
Për jehonën e veprës “Bethoveni dhe revolucioni francez”, dosja për këtë monografi është e mbushur plot artikuj nga shtypi amerikan. Por janë dhe dy artikuj, botuar në gazetën “Dielli”, njëri me 11 qershor, 1940 nga N.C, që e quan “vepër, frut i një diturie të thellë e të gjerë dhe të një durimi të madh” që e radhit Nolin në radhën e studiuesve të Bethovenit, kurse tjetri më 28 janar 1948, shkruar nga kompozitori Thoma Nashi, që e cilëson një vepër që bën krenar çdo shqiptar.
Për aq kohë sa kisha në dorë, vështirë se mund t’ia arrija deri në fund qëllimit që i kisha vënë vetes. Më doli e vërtetë ajo që më tha At Liolini në fillim të punës se do të zbulosh vetëm majën e ajzbergut.
E pata të vështirë të ndahesha atë mbasdite të ftohtë dimri nga arkivi i Nolit. Por prapë më mbante shpresa se mund të kthehem rishtaz këtu një ditë. Në mos unë kolegët e mi, mjafton që asgjë nga jeta dhe vepra e Nolit të mos mbetet në errësirë.
Takimi im i fundit me Nolin në Boston ishte homazhi që bëra në varrezat e Forest Hillsit, ku prehet trupi i tij. Atje shkuam së bashku me Llukën dhe Arturin, një mesditë marsi. Pas një nate, me stuhi dëbore mëngjezi çuditërisht kishte gdhirë i kthjellët, por shumë i ftohtë, aq sa dëbora kishte ngrirë gjithandej.
—Dhe atëherë kur e varrosëm, një ditë marsi ishte. Marsi i vitit 1965 — tha Luka kur po niseshim.
Varrezat e Forest Hillit gjenden në periferi të Bostonit të Jugut, shtrirë në një pllajë të valëzuar. Kur hymë nga porta qendrore dhe përpara na doli një «qytet» i tërë i strukur, që shkëlqente e vezullonte nga dëbora nën një bardhësi të virgjër dhe të heshtur, na u lbyrën sytë dhe padashur ra më në mendime.
—Këtu mund të humbasësh në qoftë se nuk e ka adresën e saktë- thotë Arturi, ndërsa e nget makinën me ngadalë nëpër udhën që gjarpëron. Ai ka ardhur këtu kushedi sa herë dhe nuk e ka të vështirë të orientohet. Në një farë vendi zbresim dhe ecim në këmbë. Ecim si nëpër rrugët e një qyteti, i cili sado i çuditshëm që është ka planimetrinë e tij urbanistike, ka lagjet, avenytë, rrugët, me një simetri estetike, të pagëzuar me emra nga më të ndryshmit. Varret janë në përgjithësi të thjeshtë, të pangarkuar dhe pa prirje sentimentale, si vetë natyra amerikane. Zakonisht janë ngritur me copa a blloqe mermeri të bardhë e me pak ngjyra, në përmasa. normale. Mbi to lexon vetëm të dhënat kryesore të atyre që bëjnë aty gjumin e përjetshëm. Vetëm të rënët në luftë dhe veteranët kanë nga një flamur të vogël anash.
Varri i Nolit ndodhet në thellësi të Forest Hillit. Ecim nëpër avenynë “Redwood”, avenynë “Druri i kuq”. Një rrugë e gjerë, me drurë të bukur dekorativë. E dalloj nga larg varrin e tij, jo vetëm se është buzë rrugës, po e njoh nga memoriali. Hapat tanë sepse bëhen më të ngadalshëm, më të rëndë. Afrohemi dhe unë mezi i mbaj emocionet. Gjithë jetën e kisha përfytyruar Nolin të gjallë, bile më të gjallë se kurrë këto ditë që gjendesha në Boston. Tani duhej ta përfytyroja të vdekur. Këtë moment psikologjik zura ta përjetoj menjëherë sapo u gjenda para memorialit të tij. Një bazareliev, në mes portreti i Nolit me mitrën episkopale dhe në një krah gdhendur një shqiponjë dhe në krahun tjetër kryqi. Poshtë portretit janë latuar fjalët në gjuhën angleze: Kryepeshkop Fan Stilian Noli, Themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Nën shqiponjë lexohet: Dijetar-Poet-Delegati në, Lidhjet e Kombeve. Deputet në Parlamentin Shqiptar. Ministër i Punëve të Jashtme. Kryeministër i Shqipërisë. Ndërsa nën kryq lexohet: Lindi në 6 janar 1882, Dorëzuar prift më 8 mars 1908. Kurorëzuar peshkop më 21 nëntor 1923. vdekur më 13 mars 1965. Qoftë i përjetshëm. : –
Përsipër varen degët plot sythe të ca drurëve zbukurues të panjohur për mua. Poshtë, buzë memorialit, tufa lulesh të borëzuara vënë aty nga duar dashamirëse. Në mes tyre vendosim dhe ne lulet tona.
Për një çast një mendim papritur më bën të stepem: Iulet që sapo kisha vendosur aty ishin lule të bukura, të këputura në serën e vogël të Eftes. Por këto nuk kishin asnjë vlerë, në qoftë se do të kisha sjellë nga Shqipëria, një tufë me lule të egra të mbledhura diku në malet e fushat tona! Zuri të më mundonte ky peng dhe më ngushëllonte vetëm fakti se kisha prurë në Boston bocelin e një statuje të Nolit, vepër e Skulptorit të Popullit Mumtaz Dhrami, që do të vendosej në muzeun e tij. A thua e zëvendësonte kjo?
Qëndroja i heshtur para varrit të tij dhe më bëhej se në atë çast koha kish ndalur. Çdo gjë tek unë kish marrë fytyrën e tij. Forca e gravitetit ishte prania e tij. Terë ajo jetë, gjithë ato energji mendore ato dallgë emocionesh ishin shuar aty buzë avenysë “Redwood”. Bile, më bëhej se ai varrë, që ndodhej aty buzë rrugës ishte i përkohshëm. Se ai që prehej nën të, priste një ditë jo të largët të vinin ta merrnin dhe ta çonin në Shqipëri. Mjaft kish jetuar në dhe të huaj, mjaft i kish rënduar dheu i huaj. Vetëm nën dhe un e Shqipërisë ai do të prehej i qetë, shpirti i tij përjetësisht i shqetësuar do të gjente paqen e amshuar.
Ngjitur me Nolin është varri i Peshkop Stefan Laskos, pasardhësit të tij besnik, që u njoh dhe u çmua si shqiptar i mirë, klerik e burrë me karakter. Edhe i vdekur ai i qëndron pranë kryezotit të vet shpirtëror.
Jo larg prej këndej, në avenynë “Rosendall” (Pllaja e trëndafilave) pushon Faik Konica. Këta dy miq dhe kundërshtarë edhe këtu nuk janë ndarë nga njëri- tjetri. Përsëri janë tok në dhe të huaj, nën savanin e bardhë të dëborës. Një varr i thjeshtë me një bllok mermeri ngritur vertikalisht, ku janë gdhendur fjalët: Faik Konica, 15 mars 1876 – 15 dhjetor 1942 Luftëtar i Përjetshëm për Pavarësinë Shqiptare, Ministër i Shqipërisë në ShBA 1926-1939.
Lexoj këto fjalë dhe sytë më terratisen nga bardhësia e dëborës që shtrihet tejembanë. Një bardhësi e thellë, që gati më përfton mirazhe. Mirazhe të jetës së (Konicës e të Nolit, të një kohe mbushur me ëndrra dhe përpjekje, me dritë e me hije, e cila tani ka hyrë në histori.
Nuk jam në gjendje të them sa qëndruam në Forest Hill. Një orë, ndofta më pak, ndofta më shumë, po mbaj mend që gjatë kësaj kohe, moti ndryshoi krejt papritur. Marsi dhe këtu tregonte trillet e veta. Zuri të bjerë një dëborë e rrallë, e ngadaltë por e dallueshme. Dukej sikur nga qielli i vrenjtur i Bostonit zbrisnin flutura farfuritëse dhe unë nën këtë bardhësi marramendëse, me një gjendje shpirtërore të ndezur ndjeja se nuk e kisha të lehtë të ndahesha nga Noli. Dukë shkelur në dëborë, ndërsa fluturat e bardha më treteshin mbi qepalla, një mendim, si të ishte leimotivi i një kënge më vërvitej nëpër mend: një jetë që lindi njëqind e ca vite më parë në rrafshulëtat plot diell të Trakës, u sos këtu në ‘brigjet e largëta të Atlantikut dhe prehet nën dheun e Forest Hillit!
—Edhe atë ditë, që e varrosën binte dëborë, – më sjell në vete zëri i Llukës. —Ra gjithë ditën dhe vetëm në mesnatë pushoi.
Dalëngadalë, tek çapitemi evokojmë së bashku ditët e fundit dhe fundin e Nolit. Edhe pse i moshuar, vdekja e tij kish ardhur krejt e papritur. Askujt nuk i shkonte ndërmend se do të vinte një orë që ai do të vdiste. Dukej se për të nuk kishte vdekje. Edhe pse i kish rralluar mëshimet, vizitat, takimet, prapë shqiptarët e Bostonit nuk u vinte për mbarë ta çonin mendjen tek fundi i tij. Megjithatë, koha, mosha bënte të sajën. Shëndeti i Nolit nuk ish aq i mirë siç dukej. Një ditë nëntori të vitit 1964, ai u operua dhe pas kësaj, u pëshpëritën fjalë të pikëllueshme. Një muaj më vonë, ai u largua nga Bostoni me tren dhe arriti në Florida, në Fort Lauredal. Pushonte në vilën e tij, që ia kish ngritur bujaria e shqiptarëve të kolonisë. Por ndërrimi i vendit e i klimës, nuk i sollën ndonjë ndryshim të vërtetë.
Ai ndjehej tepër i lodhur. Sëmundja fatale i përparonte dita ditës, ajo i pakësonte fuqitë. E megjithatë, ai nuk donte të shkëputej nga jeta. Jepte e merrte me telefona e me letra me administratën e kishës, më sekretarin e peshkopatës At Sotirin, me këshillin laik, me mikun e tij Gari Riskën. Meri Xhons tregon se tre ditët e fundit, ai pranoi të merrte ilaçe. «Nuk kam parë me sytë e mi – i shkruan ajo motrës së vogël të Nolit, Sulltanes — njeri me kurajo kaq të madhe. Ai e donte aq shumë jetën, sa shpeshherë ngrihej mbi dhimbjen që e mundonte. Këtë e tregonte dhe me dashurinë që kish për pemët. Ai kish mbjellë pemë prapa shtëpisë. Thosh: «Sa mirë ndjehem kur shoh këto pemë”. I gëzohej shumë dhe diellit. Dielli e qetësonte. Dhe vërtetë, ndodhi që ai e dha frymën e fundit, jashtë në kopsht tek merrte rreze dielli».
Ishte një vdekje e qetë, pa dhimbje, njerëzore, si shpirti i tij. Ishte dita e 13 marsit, marsi i butë i Floridës, në një kohë kur gjithë Amerikën e kish mbuluar dëbora dhe të ftohtët.
Mandata e vdekjes së Nolit, ra siç shkruan një mik i tij, ra si bombë atomike në mes shqiptarëve të Amerikës. Zemra e tyre u trondit si asnjëherë. Në Boston nuk deshën ta besonin. Gari Hiska u nis menjëherë prej këndej për në Florida dhe më 15 mars, e solli me aeroplan trupin e tij ne Boston, nga ishte nisur së gjalli.
Ditët që erdhën qenë një homazh i paparë ndonjëherë për bashkësinë shqiptare në Amerikë. Çdo gjë u organizua ashtu siç i kishte hije një njeriu si ai. Trupi i tij, i shtrirë në një arkivol të bukur, veshur me rrobat episkopale, u vendos në Katedralen e Shën Gjergjit, mbuluar me flamurin kombëtar. Për tri ditë me radhë shqiptarët zbritën nga gjithë anët e Amerikës për t’i dhënë përshëndetjet e fundit udhëheqësit të tyre. Mbi 5000 njerëz kaluan në heshtje, me sy të përlotur para tij, tek qëndronte në arkivol, në një qetësi madhështore, sikur flinte.
Gazeta «Dielli» shkruan për këtë pamje të fundit të Nolit: “Fytyra si në bronz, e zbehtë, pa shumë rrudha. Një jetë e tërë, një jetë e lashtë — ishte njeriu nga më njerëzorët e shqiptarëve të Amerikës, gjeniu dhe njeriu i thjeshtë”.
Më 20 mars u organizua mesha dhe përcjellja e fundit, që vazhduan për pesë orë me radhë. Kori i madh, i përbërë nga koret e kishave të Natickut dhe Worçesterit do të këndonte gjatë gjithë kohës këngë liturgjike. Katedralja ishte mbushur plot e përplot. Në mes froneve të zëna të kishës binte në sy një fron i zbrazët. Ai ishte froni i Nolit. Guvernatori i Bostonit John Volpe dhe dhjetëra njerëz të shquar të Bostonit u gjendën atë ditë në këtë ceremoni.
Pas mbarimit të riteve fetare, u mbajt mitingu i përmortshëm, ku folën Ikonim Sokrat Sotiri në gjuhën shqipe dhe Sotir Dilogiika në anglisht, pastaj Imam Ismaili dhe Baba Rexhepi. Dhimbja për vdekjen e tij i kish bashkuar gjithë shqiptarët. Aty ishin të gjithë brezat e kolonisë së tyre, nga të gjithë shkallët e shoqërisë, nga të gjithë krahinat e Shqipërisë. Ishin miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.
Ishte grigja e besimtarëve. Ishin bile dhe ata pakë kundërshtarë politikë që kishin mbetur, por që humbja e madhe dhe madhështia e veprës së tij i kish bashkuar në një. Sytë e përlotur të turmës së pafund ishin lotë për shqiptarin e madh që po ikte.
Nën tingujt e përdëllyer të korit, që përsëriste vargun shqip -“I përjetshëm kujtimi”, arkivoli u nxor nga kisha. Zëri i atyre djemve dhe vajzave që këndonin për një çast sikur u drodh. Nolin e vendosën në makinë për në Forest Hill.
Jashtë binte dëborë pareshtur. Qindra makina në mes të dëborës dhe të ftohtit të madh, ndiqnin arkivolin nga pas. Ishte rruga e fundit, që ata bënin me Nolin. Në Forest Hill ceremonia qe e thjeshtë. E vendosën atë në një mauzole të posaçëm dhe e mbuluan me lule.
—Duke u kthyer atë ditë prej këndej, mbaj mend, – thotë Lluka, – se e ndjeva veten jetim. Si unë, besoj se këtë ndjenjë e provuan kushedi sa shqiptarë. Ikja e Nolit ishte e pazëvendësueshme.
Ashtu i kapluar nga mendimet, tek shkelja nëpër shtresën e bardhë dhe duke tretur vështrimin përpara në flokët e dëborës, që më ngjanin herë si flutura, herë si lule kumbullash, m’u kujtua një fakt prekës që më kish treguar një natë më parë At Liolini. Në tavolinën e punës së Nolit, pas vdekjes së tij kishin gjetur të hapur një vëllim me vjersha të Alfred de Vinjisë. Këto ishin faqet e poemës së njohur «Vdekja e Ujkut» ku, ai ditët e fundit, e kish rilexuar dhe kish nënvizuar vargjet:
“Të rënkosh, të qash, të lutesh është njësoj si të nënshtrohesh.
Të kryesh me përkushtim detyrën e gjatë e të vështirë që të ka caktuar fati.
Dhe pastaj si unë vuaj dhe vdis pa nxjerrë asnjë fjalë!”
Sillja ndër mend këto vargje dhe thoja me vete, se ai libër i hapur ashtu mbi tavolinë nuk kish qenë i rastit. Me siguri, ai e kish parandjerë fundin e tij të pashmangshëm dhe duke nënvizuar ato vargje kish lënë pas kredon e gjithë jetës së vet.
Kur i hipëm makinës dhe dolëm në rrugën kryesore që të çonte në Boston, kuptova atë çast se kish mbaruar dhe udhëtimi im i gjatë në kërkim të gjurmëve të jetës së Nolit. Një udhëtim që kish zgjatur më shumë se dhjetë vjet. E kisha nisur me 1981, kur kisha shkuar në Turqi, në Qytezë, vendlindja e tij, e kisha vijuar në Greqi, Bullgari për ta ndjekur nëpër Shqipëri dhe po e përfundoja këtu në Amerikë, në Forest Hill, ku ai pushonte në përjetësi.
Kisha kryer kështu një detyrë në përpjekjet e përbashkëta për ta njohur sa më afër Fan Nolin, por kisha përmbushur dhe një detyrim shpirtëror që ndjeja ndaj tij, nga një kohë që s’e mbaja mend.
FUND