Jump to content

Në gjurmët e Fan Nolit në SHBA (III)

Nga Wikibooks

Prof. Nasho Jorgaqi

Një gjë dua të them shkoqur, se pavarësisht që marrëdhëniet tona s’kanë qënë vaj, sepse ai terë jetën mbeti mengjër dhe unë i djathtë, na ka bashkuar dashuria për Shqipërinë dhe unë gjithmonë kam qënë i afeksionuar pas tij. Ç’është e drejta, ai ishte një njeri që të zotëronte, të pushtonte, shumë i zgjuar, tërheqës, elokuent, me një humor të hollë. Tek ky njeri nuk kishte asgjë për t’u dukur, që të t’i tregonte se ja kush jam unë. Çdo problem e zgjidhte me logjikë sado i vështirë që të dukej, e bënte të lehtë, e shkoqiste qartë. Të ngjante si kur s’vinte re, por asgjë nuk i shpëtonte syrit të tij. Ai të këndonte me një të parë. Patriotizmi i Nolit ishte me rrënjë. Kur vinte puna për Shqipërinë, ai as shitej, as blihej. Merr historinë e Shqipërisë dhe shih rolet e tij. Asnjëherë nuk do të tundej nga ideali i shqiptarizmës. Ngaherë do të thërriste: Rroftë Shqipëria!

Në politikë, ai ishte demokrat dhe siç të thashë, mbeti deri në fund i mëngjër. Mbaj mend, që kur krijoi urdhërin e Shën Gjergjit, me të cilin dekoroi disa aktivistë të kishës, si Lili Miçellin, Thoma Nashin, Gari Rdskën, mua dhe pak të tjerë po me këtë urdhër nderoi dhe shërbëtorin e kishës, për të na dhënë të kuptojë neve, se pavarsisht nga pasja, ishim të gjithë njësoj. Demokratizmi i tij, i bëri ata që s’e donin, ta quanin bile dhe të kuq. Dhe tregojnë, se në kohën famëkeqe të makartizmit, në vitet e pesëdhjeta, kur e pësuan shumë intelektualë në Amerikë, e thirrën Nolin para Komisionit zyrtar dhe i thanë: Hirësi, ju kemi thirrur se jeni i kuq! Peshkopi bëri të habiturin: «Unë i kuq?! Siç më shikoni, unë jam i verdhë!»

Noli sa i vendosur dhe koseguent ishte në mendimet dhe bindjet e tij, aq dhe tolerant donte të tregohej me kundërshtarët politikë me përjashtim të shovinistëve grekë. Tregohej i gjërë, njerëzor i kulturuar. Vështro marrëdhëniet e tij me Faikun! Pas tërë atyre zënkave dhe sharjeve, ai pati burrërinë t’i zgjasë dorën dhe ta thërrasë prapë usta. Kështu dhe me Zogun, kur i shkroi letër dhe i kërkoi që shteti shqiptar ta ndihmonte materialisht, mbasi Parlamenti më 1922, i kish lidhur një pension të përjetshëm. Dhe kur pasuesit e Nolit këtu u zemërua i keq nga ky gjest, ai tha: Unë nuk ia kërkova Jorgos së Greqisë, as Petros së Serbisë, po Ahmetit të Shqipërisë. Kështu u përgjegj. Prapë, në kohën e luftës së dytë, nuk e kundërshtoi bashkëpunimin me të për të mirë të Shqipërisë, kurse pas luftës i çoi një «Histori të Skënderbeut” me dedikasë.

Noli klerik dhe njeri i fesë, është një dimension, krejt i veçantë i personalitetit të tij. Larg çdo fanatizmi dhe puritanizmi, ai vështronte thelbin human të fesë kristiane, po dhe të gjithë feve të tjera. Si udhëheqës fetar, ai gëzonte respektin e të gjithë drejtuesve të komuniteteve fetare, shumë përpara se egumenizmi të kishte statusin e tanishëm. Kishte marëdhënie dhe miqësi me prelatë të lartë katolikë, puritanë e të tjerë. Ish aq largpamës e i gjërë, sa mendonte dhe nisi nga përpjekjet për krijimin e një kishe kombëtare kristiane, ku për të mirën e Shqipërisë, të bashkoheshin kisha ortodokse dhe ajo katolike shqiptare. Për këtë u lidh dhe me kardinalin e kishës katolike të Nju Jorkut Cushing.

Ai mbështeti dhe ndihmoi materialisht e moralisht në ngritjen e institucioneve fetare për shqiptarët katolikë, myslimanë e bektashi këtu në Amerikë. Qe mik i baba Rexhepit. Imam Vehbiut, monsinjor Oroshit. Të gjitha këto i bënte sepse ishte i bindur se institucionet fetare i shërbenin ruajtjes dhe forcimit të traditave kombëtare në mërgim.

Ai vetë e çmonte lartë rolin e kishës ortodokse si shtyllë të atdhedashurisë në mes mërgimtarëve. Mbaj mend, që më rrëfente njëherë se kur më 1919 besimtarët u mblodhën në kishën e Shën Gjergjit për të shpallur Nolin peshkop dhe, kryepeshkopi rus nuk erdhi për shkak të intrigave greke, u krijua një situatë e vështirë dhe njerëzia s’dinin ç’të bënin. Atëherë u ngrit një grua, Eleni i thoshin, dhe në mes heshtjes shqetësuese, pyeti me zë të lartë: A ka burra këtu apo s’ka? — dhe u drejtua menjëherë nga ajodhima për të marrë mitrën e peshkopit e për t’ia vënë Nolit në kokë. Atëherë gjindja mori zjarr më tepër dhe e shpalli Nolin peshkop duke thirrur njëzëri: Aksios, aksios, aksios (I merituar). Këtë që ndodhi, grekët Nolit ia morën për të madhe dhe do ta përdornin kundër tij edhe ikur u bë peshkop kanonik. Po ai s’desh t’ia dijë. Bile për të kuptuar se sa i çliruar ishte Noli nga dogmat dhe fanatizmi fetar e tregojnë dhe meseletë që rrëfente, me të cilat shumë herë vinte në lojë priftin, e tallte dhe sikteriste keq.

Noli, ndryshe nga Faiku, që në sjelljen e tij kishte mjaft bejllëk, Noli i donte dhe ishte i lidhur me njerëzit, interesohej dhe i ndihmonte sa mundej. Ai gëzohej pamasë nga vitaliteti i shqiptarëve të këtushëm, nga sukseset e tyre në tregti, nga vullneti dhe interesimi që tregonin për të ndjekur shkollat. Këtë dashamirësi të tij e kam provuar vetë, e kam ndjerë vazhdimisht në jetën time. Gëzohej kur vinte në “Pjer For” dhe shikonte që punët më shkonin mbarë. Më nderonte duke më ardhur në shtëpi. Kur erdhi për herë të parë në shtëpinë e re në Swampscotte u hutua nga hapësirat e mëdha dhe eleganca e mobilimit. Buzëqeshi e më tha: Në Shqipëri kishat ishin ndërtesat më të bukura, kurse shtëpitë shpesh qenë si kasolle. Pas këtyre fjalëve, unë e shtova ndihmën time financiare për mirëmbajtjen e kishës së Shën Gjergjit.

Vetë Noli në apartamentin e tij në Bllagden Strit bënte një jetë spartane. Më thjeshtë s’ka si mobilohet një shtëpi. Ca mobilie të vjetra që nuk i ndërroi kurrë. Në dhomën e ndenjjes, që ishte dhe «zyra e tij» priste miqtë dhe vizitorët. Mbaj mend që mbante sandale të hapura. Kur i mendoj këto, gjithnjë trishtohem. Them si e kalon jetën ashtu në vetmi, gati si murg. Shtonin ca shqiptarka patriote për t’i bërë yzmet, si Vangjeli Theodhosi me shoqe. Po kryesorja në atë shtëpi ishte sekretarja e tij, Meri Xhons. Një amerikane me origjinë irlandeze, një grua shumë e sjellshme e papërtuar, që priste dhe përcillte shqiptarët pa u ndierë dhe që hynte e dilte si hije. Kish një mendje të zgjuar, ishte intelektuale, po kjo nuk e pengonte t’i shërbente Nolit, të tregonte një përkujdesje e vëmendje të përkryer ndaj tij. Vitet e fundit gati e trajtonte me dashurinë e nënës për fëmijën dhe kur ndodhte që ne e tepronim me diskutimet tona, gjente mënyrën e na thoshte: «Ju lutem, mos e mundoni!»

Për mua, ajo grua, që u zhduk nga rrethi ynë, me vdekjen e Nolit, ka mbetur një mister dhe sot e kësaj dite!

Pyes ndonjëherë veten, po dhe të tjerët më kanë pyetur: «A ishte njeri i lumtur Noli?» Nuk është e thjeshtë t’i përgjigjesh prerazi i kësaj pyetje e aq më tepër ta shkoqitësh deri në fund. Megjithatë, unë do të thosha se ai tërë jetën u përpoq me mish e me shpirt, me gjithë ç’kish për Shqipërinë dhe ky ish burimi kryesor i lumturisë së tij. Pastaj gëzime i sillte mbarëvajtja e kishës, si altar i patriotizmit këtu, sukseset e shqiptarëve në të gjitha fushat në Amerikë, ekzistenca e Shqipërisë si shtet i pavarur. Sigurisht ka pasur dhe rrethana të vështira në jetën politike e kishtare, halle, zikzake. S’ishte kollaj të merreshe vesh me të gjithë. Por ajo që më bënte përshtypje mbi të tëra ishte fakti që mbahej i fortë, nuk ligështohej, i qëndronte besnik bindjeve te tij themelorë, mbetej gjithnjë patriot dhe demokrat me rrënjë të forta. Mund të them se jeta dhe historia ka vërtetuar drejtësinë dhe vërtetësinë e mjaft prej mendimeve dhe ideve të Nolit. Ne shqiptarëve të Amerikës, kjo na nderon që i dhamë kombit një burrë si Noli, po dhe na obligon, që të vazhdojmë më tej në udhën që ai hapi.

Nuk mund t’i mendoj ditët e mia në Boston, pa ndihmën fisnike dhe rol udhërrëfyes të At Liolinit në kërkimet që kreva në këtë qytet. At Liolini ishte fëmijë në gjallje të Nolit e megjithatë, ai është një nga njohësit më të mirë jo vetëm të trashëgimisë, po dhe të personalitetit dhe botës së tij shpirtërore. Gjatë bisedave, kuptova se ai veç njohurive te gjëra që ka për Nolin (sepse vite të tëra gjurmon mbledh dhe sistemon gjithçka që lidhet me të), ka depërtuar thellë në universin nolian, në thelbin filozofik dhe psikologjik. At Liolini është rritur që i vogël me kultin dhe adhurimin për Nolin. Dhe në qoftë se ai mori rrugën e priftërisë kjo nuk ndodh rastësisht. I ati, Evans Liolini, ishte mik i Peshkopit dhe veprimtar i njohur i kishës shqiptare. Ishin këto rrethana dhe vetë dëshira e Arturit të ri, që ai vendosi të ndjekë shembullin e Nolit. Të ndjekë rrugën e fesë, të vesh rason e priftit kombëtar për t’i shërbyer interesave të larta të atdheut. Por një i ri inteligjent si Arturi nuk mund të ishte një prift i rëndomtë. Në shembullin e Nolit, ai u hyri studimeve serioze, kreu shkëlqyeshëm universitetin e Prinstonit për teologji, i pasuroi ato më pas në Zvicër, në Institutin e arteve të Bukura në Nju Jork, në Qendrën e Studimeve Bizantine në Harvard e Uashington, bëri studime në fushën e artit dhe të arkeologjisë mesjetare. Formimit dhe pjekurisë intelektuale e kishtare i shërbyen dhe udhëtimet hulumtuese në Turqi, Armeni, Rusi, Gjeorgji, Finlandë e Greqi. Dhe pas të gjitha këtyre viteve plot punë intensive, ai u vu në shërbim të kishës ortodokse shqiptare në Amerikë, duke u dorëzuar prift në vitin 1964 për t’u bërë më vonë Sekretar i Peshkopatës dhe në fund Kryekancelar i Kishës ortodokse shqiptare në SHBA.

At Liolini duke ndjekur rrugën e Nolit është një klerik i emancipuar, në kuptimin më të mirë të fjalës, me koncepte moderne, që e sheh fenë të harmonizuar me arritjet e shkencës dhe të qytetërimeve bashkëkohëse, larg dogmave dhe çdo lloj paragjykimesh të ngushta. Kështu mund të shpjegohen interesat e tij të gjëra; studimi që ka ndërmarrë për bektashizmin si një fe liberale e me frymëzim patriotik apo trajtimi i një teme, delikate si ajo «Figura grash në jeton e Nolit» etj.

Prandaj, është fat te gjendesh në shoqëri me At Liolinin për ditë e net të tëra, të bisedosh e të dëgjosh mendimet e tij për Nolin. Disa nga këto mendime, pas sa e sa bisedash, u mundova t’i hedh në letër. Kryesisht s’ka dyshim i thotë At Liolini, -se Noli është një nga njerëzit më të mëdhenj të kombit tonë. Ai jo vetëm ndihmoi për restaurimin e identitetit të kombit të shtypur për afro pesë shekuj, por u bë faktor qëndrueshmërie e besimi, bashkimi e (organizimi për lëvizjen shqiptare në rritje gjatë këtij shekulli, sidomos për komunitetin shqiptar në një vend, siç është Amerika. Ashtu si Xhefersoni, ai ishte një humanist i shquar dhe reformator energjik. Noli është një figurë shumë dimensionale që mund t’i drejtohesh e ta shohësh nga disa pikëpamje. Një figurë e plotë, e kompletuar si rrallë kush, me të mirat dhe dobësitë. Është një minierë e pashtershme mendimesh, idesh, emocionesh, dhuntish, kulture. Dhe prapë, megjithë studimet e bëra, mbetet mister dhe në momente të caktuara paraqitet si një enigmë që pret të zgjidhet.

Ata që e njohën flasin për peshën dhe efektin e fjalës së tij. Ai mund të të magjepste, të qortonte, te këshillonte, të kërcënonte, të ngazëllente, aq sa i hutonte shpesh dhe miqtë. Kish një sens humori të papërsëritshëm, dinte t’i fitonte zemrën njerëzve, por gjithsesi ishte njeri i padepërtueshëm, dhe kjo vinte sa nga adhurimi i të tjerëve ndaj tij, aq dhe nga një farë hezitimi që ai kish për t’u lidhur instiktivisht me njerëzit. Qerim Panariti thosh se Noli kishte miq, por s’kish asnjë konfident. Dhe ndaj miqve do të tregohej jashtë mase besnik, veçanërisht me shokët e mërgimit, me ata që e ndihmuan dhe nuk e braktisën. Se ai thosh: ka miq të dimrit dhe miq të beharit. Mjafton t’i hedhësh një sy korrespondencës dhe të vëresh njerëzit e rrethit të tij të ngushtë e të gjërë: veteranë, politikanë, intelektualë, shokë të Harvardit, klerikë, tregtarë, punëtorë, deri dhe fëmijë. Dhe me të gjithë ishte seriozë dhe korrekt. Këtë e kam provuar vetë, kur isha nxënës dhe student. Sa herë i shkruaja më përgjigjej rregullisht.

Është shumë interesant se Noli sa qe gjallë, do të ishte në kërkim të pareshtur për të gjetur vendin dhe rolin e tij në jetë, për të qënë sa më i dobishëm për Shqipërinë, për bashkësinë shqiptare këtu, për diturinë dhe letërsinë, për Kishën kombëtare. Këto përpjekje që do ta shoqëronin tërë jetën, do ta bënin ta kalonte nga një fushë në tjetrën dhe në çdo fushë do të linte gjurmë.

Por sado paradoksale që të duket, ai mbeti gjithnjë shqiponjë e vetmuar. I shkëputur nga vendlindja që i ri, i munduar nëpër rrugët e jetës e të politikës, duke qenë prelat i lartë duke gjetur veten në sferat e diturisë e të arteve, ai bëri një jetë të vetmuar. Për dekada të tëra, në vitet e pas luftës, sidomos, do të merrej kryesisht me përkthimin e Shkrimeve të shenjta. Ndoshta, shumë gjëra i provoi e i arriti në jetë, suksesin dhe disfatën, ngjitjen dhe zbritjen, besimin dhe zhgënjim. Erdhi një kohë që personaliteti i tij rrezatonte vetëm urtësi, humanizëm, kulturë.

Noli, siç dihet ka meritën historike që krijoi të parën kishë ortodokse shqiptare dhe u bë prifti i parë kombëtar. Me kishën që krijoi, Noli shpëtoi Shqipërinë, po pastaj do të jetë kisha ajo që do ta shpëtojë Nolin. Kisha do të qe për të altari, tribuna, shtëpia dhe familja e tij. Nën rrobën e priftit, ai hodhi shtat dhe arriti atë madhështi që ia njeh historia. Si klerik, Noli qe mendjegjerë, aspak mistik, po realist, e shikonte fenë si filozofi humane dhe Krishtin si mbrojtës të lirisë e të drejtësisë njerëzore. Qerim Panariti thoshte Noli ishte dhe fetar, dhe skeptik d.m.th. nuk merrej me dogmën, po me thelbin e besimit dhe këtë e shikonte në mënyrë logjike, kritike. Nuk pranonte çdo gjë, formalisht. Për këtë, veç të tjerash flet dhe një studim për jetën e Krishtit, që ka bërë më 1942, si detyrë universitare (kur përgatitej për të marrë gradën e doktorit të shkencave.

Duan të thonë se Noli nuk besonte, nuk ishte fetar. S’ka gjë më absurde se kjo. Edhe Ajshtajni që zbuloi teorinë e relativitetit dhe i solli aq argumente materializmi, vinte një kufi përtej së cilës shkenca nuk jepte shpjegime. . . Kështu dhe Noli, sado që në fillimet e veta, duke qënë nën ndikimin e Niçes, ka pasur një revoltë anarkike sidomos ndaj kishës, prapë në thelb besonte. Mendimi se nuk i besonte ishte përhapur dhe (këtu në Amerikë. Më tregon nëna se njëherë kur erdhi Noli në Nju-Jork, të meshonte siç e kish zakon çdo vit, ajo, duke qenë kryetare e gruas shqiptare, u ngarkua prej shoqeve dhe shkoi një natë përpara e takoi dhe i bëri tre pyetje. E para, ne gratë, a duhet të vëmë beretë në kokë nesër kur të vimë në meshë? Noli iu përgjigj: S’ka rëndësi se ç’ke mbi (kokë, po ç’ke brenda saj. E dyta, të vim me (korse apo pa korse? Noli u përgjigj: Pse gratë katolike e protestante, vijnë pa to? E treta: Është e vërtetë, se ju besoni më shumë në politikë se sa në fe? Noli buzëqeshi dhe krejt i qetë e pyet: Pse, si thoni ju, të ketë njeriu një jetë dhe t’ia kushtojë një gjëje që nuk e beson?

Petku fetar nuk do ta pengonte Nolin të jetonte me shkencën, të pranonte dhe të operonte në të vërteta shkencore. Ai të kujtonte intelektualët e Rilindjes Europiane, me interesat e gjëra, me humanizmin dhe idetë iluministe, me etjen e pashuar për dituri, dhe tolerancën. Sado që jetonte i vetëm, për arsyet që dihen, ai nuk bënte jetë prej asketi.

Botën e tij të pasur shpirtërore e përbënin të gjitha gëzimet e brengat njerëzore, virtytet dhe dobësitë. Mund të duket e çuditshme, po jo rastësisht më ka tërhequr studimi i një aspekti delikat, siç është vendi që (kanë zënë gratë në jetën e Nolit. Tërë jetën, ai ka qënë në shoqëri me gra. Nuk është fjala për marrëdhënie në planin sentimental e aq më tepër erotik. Nga dokumentet dhe korrespondenca, kam identifikuar lidhjet miqësore me 7-8 gra. Vështruar thellë, shoqëria me gratë, ai e kthente në një komunikim intelektual, në diskutime e bashkëbisedime me spektër të gjërë, larg akademizmit e dhaskalizmit, për çështje të artit, të diturive, të fesë, të problemeve ekzistenciale të njeriut. Liberalizmi i tij në këtë sferë është brenda kufijve të moralit dhe të pozitës fetare e kishtare. Kështu, një nga miqësitë më jetëgjata do të përmendja atë me Berta Shënstejnin, një grua intelektuale gjermane me të cilën është njohur në vitet 20-30 në Gjermani. Ajo do t’i dërgojë letra Nolit deri në 1940. Kështu dhe korrespondenca me albanologen angleze Edit Durham apo miqësia që ai ka pasur me Dr. Dhimitra Ilia, një nga mjeket e para shqiptare në Amerikë. Ndoshta, më komplekse kanë qenë marrëdhëniet me Meri Xhonsin, e cila «nuk qe thjesht një sekretare, po dhe një konsulente e denjë në punët e vështira intelektuale që përballonte. Nga shënimet që ka vënë Meri Xhonsi në librat e tij (dhe këto janë rreth 300) del se çfarë mendimesh me vlerë i ka shprehur ai kësaj gruaje të respektuar e me (kulturë në punë e sipër.

Noli edhe në sferën kishtare, në ceremonitë e ritit ortodoks u tregua reformator, natyrisht pa shkelur parimet themelore kanonike. Kështu, ai reformoi muzikën kishtare. Me kohë, nuk u mbështet më te kori grek, po te ai bizantin, duke vënë në bazë muzikën ruse. Këto mendime e preferenca i kish të hershme, po ta mendosh se në vitet 20, pat sjellë në Tiranë një kor rus, me qëllim, që nga një anë t’i vinte kufi ekspansionit të kishës greke dhe nga ana tjetër për ta vënë kishën ortodokse shqiptare mbi baza profesionale serioze. Reformimit të kishës i shërben dhe hapi tjetër i guximshëm, kur fut në kohën e duhur, si në shërbimet liturgjike, ashtu dhe në meshë, anglishten. Ai e ndjen se me ardhjen e brezave të ri kisha shqiptare do ta kishte të vështirë të komunikonte me auditorin, sepse nuk do ta merrte vesh. Futja e anglishtes nga Noli në kishë u prit aq mirë, sa dhe peshkopi i këtushëm grek Jakovi erdhi në kishën tonë, e dëgjoi dhe e zbatoi në kishat e tij. Në këtë pikëpamje, Noli është nga pionierët kryesorë të kishës ortodokse panamerikane. Duke punuar për një ortodoksi të përbashkët në një vend si Amerika, ai natyrisht, nuk mohonte, por përkundrazi do të afirmonte dhe veçoritë kombëtare të kishave sipas përkatësisë etnike. Veprat fetare që përktheu, nga «Psallmet e Davidit» e deri tek «Dhjata e Re» e «Poeti i Nazaretit, pa përmendur të tjera, qenë kontribute shumë të vlefshme për realizimin e konkretizimin e një kishe ortodokse panamerikane me liturgji në gjuhën angleze. Jo më kot, Hirësia e tij John Meynderof do të thotë se “Mitropoliti Theofan Noli do të kujtohet, pa dyshim nga Amerika ortodokse për brezat që do të vijnë si një nga eksponentët e parë udhëheqës të kishës sonë në Kontinentin e Amerikës së Veriut”. Po kështu përkthim i «Dhiatës së Re» nga Noli, ishte një ndërmarrje shumë e guximshme dhe ambicioze po të mbajmë parasysh se ekzistonin dy përkthime anglisht të kanonizuara të «Dhjatës se Re», një i Xheimsit të I-rë dhe tjetri version i Dueit (shek 17). Megjithatë, Noli ynë ia doli mbanë dhe dha një “Dhjatë të Re” me një anglishte të admirueshme që u çmua lartë, në mes të tjerëve dhe nga Dr. Henri Van Djuzen, President i Seminarit të Bashkimit Teologjik të Nju Jorkut. Ai i shkruan Nolit se disa pjesë janë më të mira se ato të përkthimit zyrtar të “Dhjatës së Re”.

Noli do të thosha që dhe mbeti deri në fund një natyrë e fortë, një karakter i papërkulur, me një vullnet të çeliktë, besnik i idealeve të tij humane, besnik i vetes. Nuk e përkuli as mërgimi i përjetshëm as vuajtjet e jetës, as vetmia as pleqëria. Gjithë jetën luftoi dhe punoi për lirinë dhe progresin, për një Shqipëri të pavarur e të përparuar, për një njeri shqiptar të një niveli me qytetërimet e botës.

Mund t’ju them se gjithë sa kini parë e zbuluar këtu në Boston dhe gjithë sa do të shikoni këto ditë, janë vetëm maja e ajzbergut të jetës dhe trashëgimisë së Nolit.