NËN PUSHTETIN E URDHRAVE/15

Nga Wikibooks
      UÇK-ja, e cila u rrit në periudhën 1996-1999 nga një grup guerrilasish të shpartalluar në një lëvizje të armatosur të mirëorganizuar, mori pjesë në shumë luftime taktike, të cilat vunë në rrezik jetën e civilëve. Njësitet e UÇK-së zinin prita apo sulmonin pozicionet e policisë e të ushtrisë në fshatra të caktuara, e më pas tërhiqeshin, duke i lënë fshatarët nën mëshirën e hakmarrjes së mundshme. Masakra të vërteta shpesh ndodhën për këtë arsye, duke dhënë kështu një ndihmë në përhapjen e kauzës së UÇK-së dhe në internacionalizimin e konfliktit.
      Elementë të UÇK-së janë gjithashtu përgjegjës për sulme të ndryshme në periudhën e pasluftës mbi serbë, romë dhe jo-shqiptarë të tjerë, madje edhe mbi shqiptarë etnikë, të cilët shiheshin si rivalë politikë. Menjëherë pas hyrjes së NATO-s në Kosovë pati djegje e plaçkitje sistematike të shtëpive të serbëve, romëve, pjesëtarëve të minoriteteve të tjera të Kosovës, si dhe dhunime të kishave e manastireve ortodokse. Kjo dhunë u shoqërua me kërcënime, të cilat synonin largimin e pakicave jo shqiptare nga Kosova. Deri nga fundi i vitit 2000, e kishin lënë krahinën më shumë se 210,000 serbë; shumica e tyre ikën në javët e para të pasluftës. Ata që mbetën ishin të përqëndruar në enklava mono-etnike, fjala vjen në Mitrovicë, Fushë Kosovë apo Graçanicë.
      Ç’është më e rënda, prej 12 qershorit janë vrarë apo kanë humbur rreth një mijë serbë e romë. Sipas shumë gjasave, në incidentet e pasluftës janë përfshirë banda kriminale e individë hakmarrës. Sidoqoftë, elementë të UÇK-së janë përgjegjës për shumë prej këtyre krimeve. Dëshira për hakmarrje është vetëm një shpjegim i pjesshëm, pasi në një numër të madh sulmesh nuk duhet të anashkalohet një objektiv i qartë politik: largimi nga Kosova i banorëve jo shqiptarë në mënyrë që të përligjej më mirë kauza e shtetit të pavarur të Kosovës.
      Vetë shqiptarët etnikë nuk mbetën jashtë vorbullës së kësaj dhune. Janë rrahur, rrëmbyer apo vrarë shqiptarë të akuzuar për “bashkëpunim” me autoritetet serbe, sidomos në komunat e Prizrenit, Gjakovës dhe Klinës. Sulmet kundër veprimtarëve politikë e partiakë, sidomos kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës, vazhduan edhe pas zgjedhjeve administrative të 28 tetorit 2000.

< 14
faqe
- 15 -

16 >