Jump to content

Muzika/Mjeshtër/10

Nga Wikibooks

Vini Re! Jeni duke lexuar pjesë në punim e sipër. Por mendojmë se ja vlenë të lexohen nga të interesuarit. Për bashkpunim shiko Wikibooks:Kuvendi


Isuf Myzyri[1]
(Elbasan 8 Mars 1881 †Elbasan 21 tetor 1956)
NË ENCIKLOPEDI


“Artist i Popullit”- pas vdekjes. Mjeshtër popullor i njohur gjithandej me emrin Usta. Krijues, këngëtar-tenor dhe interpret i shquar popullor në veglën e violinës i gjysmës së parë të shek. XX. Enci. Përpara se Isuf Myzyri të hynte në jetën muzikore popullore të qytetit të Elbasanit, tradita e këngëve të vjetra popullore elbasanase ishte mbledhur dhe sistemuar nga Spiro Papajani më 1859 dhe Harallamb Papajani më 1877. Sipas Prof. Shuteriqit: në Elbasan dëgjoheshin sidomos ato që i quajnë “këngë të vjetra”. Janë këngë qyteti, plot melizma. I përdorin edhe pak fshatra veriore pranë, ku melizmat ua shtojnë, si në krahinën e Zaranikës. Në fëmijëri Isuf Myzyri punoi në zanate të ndryshme. Martohet në moshë të re dhe ndahet pas disa vitesh. Tërë jetën e tij e kaloi së bashku me të motrën e tij, dhe nuk u martua përsëri. Më 1905 formon formacionin e tij me vegla popullore të përbërë nga Simon Vela me çyr, Mahmut Ashiku me llahutë, Arif Çerma-Topalli me dajre, Thoma Priftin e gërnetë, Mehmet Gurra me ud, Ibrahim Zaimin me çyr bishtëgjatë, Myrteza Gracenin dhe Riza Beratin me violinë. Megjithëse veprimtarinë e tij si krijues “Usta Isufi” e filloi në moshë të madhe rreth viteve 1927-1928, me autorësinë e Usta Isufit njihen rreth 30 këngë popullore elbasanase. Ndër këngët e kompozuara dhe përpunuara prej tij përmendim: “Në zabel të gjeta”, “Iku nata, agun malet”, “Dashunija si rrufe”, “Një lulishte me trandafila”, “Midis vetllash më ke një pikë”, “Ma mirë në pyll se në qytet”, “Si bilbili në pranverë”, “Ç’u dëshirush për me të pa”, “Spaske pasë pikë mëshire” etj. Usta Isufit i njihet merita e ndërtimit të një repertori me këngë popullore elbasanase ku spikatin bukuria e frazës muzikore si dhe orientimi për nga vlerat e vërteta të kulturës muzikore të Elbasanit. Si besimtar bektashian, Usta Isufi ka kënduar edhe një pjesë të repertorit muzikor fetar të këtij besimi. Këngët e tij kanë kaluar gojë më gojë dhe nga njeri këngëtar në tjetrin jo vetëm në Elbasan por në gjithë Shqipërinë, në Kosovë dhe tek shqiptarët e Maqedonisë. Në vitin 1950, në qytetin e Elbasanit, formacioni muzikor i Usta Isufit ka regjistruar disa disqe me këngë popullore në një shtëpi diskografike të ish Bashkimit Sovjetik. Ndër këngëtarët që ka regjistruar këngë në këto disqe me Usta Isufin është Ali Zena. Ndër këngëtarët e tjerë popullorë të qytetit të Elbasanit që kanë kënduar këngë popullore me formacionin e tij me vegla përmendim edhe Mitat Stringën, Leksi Vinin, Mustafa Bodinin, Rustem Sericën, Mahmut Ashikun, Arif Topallin, Met Balashin, Demir Shoren, Ali Zenën etj. Më 31.08.1978 (pas vdekjes) i jepet titulli i lartë “Artist i Popullit”. Emri i tij është përjetuar në Shtëpinë e Kulturës së Elbasanit. Traditën e mrekullueshme të krijuar nga Isuf Myzyri, pas viteve ’50 e vazhduan këngëtarë të tjerë, pasues të tij si Vëllezërit Zena, Albert Tafani, Agim Saliu, Mustafa Mehja etj. Shiko “Zena vëllezërit”.

Literatur:

  • Ceka, H. “Usta Isuf Myzyri, muzikant i dëgjuar i Shqipërisë së mesme”, gaz. “Bashkimi”, 1957, 12 Korrik;
  • Bebeti Mehmet, Shëngjergji Rrapush, “Luftëtar dhe këngëtar i lirisë”, gaz. Shkumbini, 1982, 12 shtator;
  • Filja Hysen, “Isuf Myzyri, krijues i njohur i këngës popullore”, “Drita”, 1986, 9 mars;
  • Dedej Sulë, Balliçi Alfons, “Isuf Myzyri”, Onufri 1996;
  • “Isuf Myzyri”, broshurë. Elbasan;
  • Shuteriqi Dhimitër, “Nga kënga e popullit”, Tiranë 1991 etj.

  1. Enciklopedia e muzikës popullore shqiptare