Jump to content

Muzika/Këngëtarë/20

Nga Wikibooks

Vini Re! Jeni duke lexuar pjesë në punim e sipër. Por mendojmë se ja vlenë të lexohen nga të interesuarit. Për bashkpunim shiko Wikibooks:Kuvendi


Kristaq Antoniu[1]
( Bukuresht 25.12.1907 † Tiranë 17.03.1979)
NË ENCIKLOPEDI


“Artist i Popullit” (1975), këngëtar i shquar i muzikës lirike dhe asaj popullore shqiptare. Qysh në moshë të re ra në sy për talentin e tij. Në periudhën 1925-1928 kryen shkollën për aktor në Bukuresht dhe pas përfundimit të saj interpreton si aktor në 14 filma. Paralelisht me këtë shkollë merr edhe mësime në kanto nga tenori me origjinë shqiptare Mihal Toskani. Në moshën 17 vjeçare këndon për herë të parë në publik këngën popullore korçare “Korçë moj e zeza Korçë”. Më 1932 vjen në Shqipëri dhe jep disa koncerte me këngë popullore dhe arie të ndryshme i shoqëruar në piano nga Lola Gjoka. Më 1939 kthehet përfundimisht në Shqipëri. Me themelimin e T.O.B-it, atashohet pranë tij si solist lirik. Në fushën e operas ka kënduar dhe interpretuar role tek operat: “Traviata”-1956, “Ivan Suzanin”-1957, “Kavaleria Rustikana”-1958, “Don Paskuale”-1959, “Lulja e Kujtimit”-1961, “Mrika” etj. K. Antoniu regjistron ndër të parët këngë popullore qytetare shqiptare pranë shoqërisë “Columbia” në Itali në vitet ’40. Këto janë këngë qytetare mbarëshqiptare si shkodrane, korçare, beratase etj. Në periudhën kur Antoniu regjistron këngët popullore, kishte filluar disi jeta artistike në qytetet kryesore shqiptare prej disa artistëve lirikë të porsa diplomuar në shtete si Itali, Austri etj. Pikërisht në këto koncerte u futën për herë të parë edhe këngët popullore qytetare me shoqërim në piano. Këngët e Antoniut me shoqërim në piano janë realizuar së bashku me Pjetër Dungun dhe ato me orkestër nën shoqërimin e një orkestre italiane të ngritur pranë shoqërisë diskografike “Columbia”. Ndër këngët popullore të kënduara prej tij përmendim: “Zogë ku më qënke”, Shkonte plaka malit-e”, Çelni ju lule çelni”, “Bilbil o mor i mjeri bilbil”, “Se çkëndon bilbili”, “As aman o syri i zi”, “O moj e vogëla si floriri”, “O e bukura More”, “Dashnor t’u bana”, “O sabah i parë” etj. Në vitin 1968 lë skenën si këngëtar. Këngët popullore të kënduara prej Antoniut dhe Mihal Cikos-“Artist i Merituar” (1900-1986) dhe të pasuara nga interpretimet e Zihni Beratit-“Artist i Popullit” (Berat 24 prill 1922- Tiranë 6 maj 1992), Hysen Pelingut-“Artist i Merituar” (Shkodër 08.05.1921 † Tiranë 1999), Ibrahim Tuliçi-“Artist i Popullit” (Shkodër 1926), Mentor Xhemali-“Artist i Popullit” (Përmet 1924-† Tiranë 1992) etj kanë krijuar përvojat e para të shkollës shqiptare të interpretimit të këngës lirike popullore. Lit: Pelingu Hysen, “Një talent i artit tonë vokal”, gaz. “Zëri i Popullit”, 1957, 25 dhjetor; Këlliçi Zamir, “Jeta dhe aktiviteti koncertal i Artistit të Popullit Kristaq Antoniu”, “Nëndori”, 4/1978; Mula Avni, Çako Gaqo, “Nga përvoja e një artisti”, gaz. “Drita”, 1978, 5 shkurt; Avrazi Gaqo, “Zëri i paharruar i Artistit të Popullit Kristaq Antoniu”, “Nëndori”, 5/1979; Hajro Riza, “Për të kujtuar një kohë”, Tiranë 1998 etj.


  1. Enciklopedia e muzikës popullore shqiptare