Jump to content

More njerëz, more skllevër!…

Nga Wikibooks

Kam një jetë-ju kam treguar,

gjithë zullumet e shtetit,

ju më thoni zëmëruar:

“Lëri përrallat e poetit!”



Kam një jeté-jam torturuar,

sytë t’ju hapja sadopak,

ju me shpirt kini mallkuar:

“Mos na nxirr nga ky batak!”



Kam një jetë që ju kam dashur,

dhe pse ju s’më deshët kurrë,

dhe tani që u është trashur,

shuall e shkreta lëkurë!…



Në zenith të ulërimës,

nuk ju thoshja një gënjeshtër,

se pas shiut-suferinës,

do té binit prapë në breshër!



Një jetë duke bërtitur,

kreshpëruar porsi zjarri,

ju nga llumi s’jeni ngritur,

më të bindur se gomari!



Ju kanë shkelur-ju kanë tallur,

porsi mizat-more njerëz,

ju të vdekur-të pakallur,

zgjodhët që të vdisni skllevër!



Kot gjëmoj me zë të dredhur,

shkuan kot këngët e mia,

për fatin që kini zgjedhur,

s’ka ç’ju bën as Perëndia!



Tirania gjithmonë tallet,

me një popull të përunjur,

porsi djalli i dredh vallet,

përmbi njerëzit e përgjumur!



Në çastin që lë qëndresën,

frymë merr-po nuk jeton,

tirania ngrë fortesën,

përmbi turmën që duron!



Këtu po durojmë shumë,

gjer të shkelur keq me këmbë,

kur s’duhet të flini gjumë,

bëni gjumin mé të rëndë!



Unë ju ftoj në rebelime,

dhe s’jam një karrigethyer,

por se qeveria ime,

ju ka tallur-e gënjyer!



Përmbi qafë ju ka hipur,

dhe çdo ditë ju thith gjakun,

po kur je ti kaq i shtypur,

as guxon të kalosh pragun!



As guxon të kalosh pragun,

jo më të dalësh në sheshe,

se askush nuk ta merr hakun,

po nuk ngrite vetë rrebeshe!



Për të shembur tiraninë,

lufto fort në këtë jetë,

gjersa në pushtet të vinë,

shërbëtorët e vërtetë!



Tridhjet vite klikë pas klike,

ju kanë mbytur veç me rrena,

ndaj kjo klasë politike,

duhet të zhduket nga skena!



Të lodhesh duke kërkuar,

më keq nga këta nuk gjen,

nuk gjen dot kaq të mallkuar,

me të ligën në çdo gen!



Thamë se ditë e asaj Vere,

një dritë për neve hapi,

po për dreq dhe kësaj here,

vamë si cjapi te kasapi!



Dritëz në tunel kërkuam,

për të ardhmen shqiptare,

gjersa një ditë e kuptuam,

se tunel nuk kishim fare!



A.DUKA

17 Gusht 2018