Moikom Zeqo, saga e lirisë së Skënderbeut
(INTERVISTË E SHKRIMTARIT MOIKOM ZEQO DHËNË REDAKTORES RREZARTA MERJA, TË SHTËPISË BOTUESE” ERIK”)
Pyetje: –I nderuar Moikom, unë kam punuar me tekstin e librit tënd të ri, me legjendat, mitet dhe ngjarjet historike kushtuar Heroit tonë Kombëtar, të quajtur “Ëndrrat e Gjergj Kastriotit”.
Libri u botua dhe u paraqit edhe në Panairin të 21 të Librit “Tirana 2018”, që u zhvillua në Pallatin e Kongreseve në 14-18 Nëntor 2018.
Ky libër u pëlqye shumë nga lexuesit e disa moshave, ose le të themi nga ajo kategori lexuesish që ju i klasifikoni si: “Fëmijë 100 vjeç dhe pleq 10 vjeç”.
Dua t’ju pyes, pse dhe cilat ishin shtytjet që e shkruat një libër të tillë pikërisht në jubileun të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut?
Përgjigje: Zanafillën e këtij libri e kam në indet e mija, me vetëdijen e zhvilluar që nga fëminija e deri më sot.
Vetë ideja për të shkruar një libër për Gjergj Kastriot Skënderbeun është një ide, që i përket jo vetëm historisë, por edhe imagjinatës.
Është shumë e vështirë të ftillëzosh dhe të ndriçosh figurën e një heroi, i cili për Kombin Shqiptar ka marrë përmasat dhe cilësinë e identitetit.
Asnjë figurë tjetër njerëzore nuk ka mundur ta bëjë dhe ta realizojë këtë gjë kaq të veçantë dhe të papërsëritshme më.
Kam qenë fëmijë, trembëdhjetë vjeç, kur kam parë për herë të parë në kinemanë e qytetit të Durrësit, filmin për Skënderbeun.
Kaq shumë emocione më shkaktoi ky film, kaq shumë e kam ndjerë subjektin, fjalët dhe muzikën e filmit, saqë dhe sot kur kanë kaluar vite, kam një drithërimë për një ringjallje të pakufishme të kujtesës dhe të asaj që përjetova, kur në përfytyrimin tim lëvizi duke kalëruar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Më vonë kam lexuar librat e një biblioteke të tërë, që janë shkruar për këtë Hero të Lavdishëm.
Por, librat nuk më bënë atë përshtypje marramendëse që më bëri filmi, megjithatë më strukturuan më qartësisht Epokën Kastriotase, që përbën Sagën e Lirisë së shekullit të XV.
Libri i parë i shkruar për Gjergjin është i Marin Barletit, që ai e ka botuar në vitin 1508, 510 vjet më parë. Por, pse Barleti e botoi librin pikërisht në 1508? Mos është një rastësi?! Dihet që Skënderbeu ka vdekur më 17 Janar 1468 dhe u varros në Lezhë 550 vjet më parë. Ai e përmend këtë përvjetor të plotë, për të kuptuar se në 1508 ishte 40 vjetori i vdekjes së Skënderbeut.
Kjo do të ketë qenë një arsye madhore, që kronikani Marin Barleti ta botonte librin.
Ai e shkroi librin në gjuhën latine, që ishte një gjuhë e njohur dhe ndërkombëtare
Menjëherë ky libër u përkthye në të gjitha gjuhët europiane.
Mund të thuhet me plot gojën, që pena e Marin Barletit e mprehu më tepër dhe e ngriti më lart shpatën e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Fill mbas Barletit shkruan libra të mrekullueshëm për Skënderbeun edhe Frang Bardhi në shekullin e XVII dhe sidomos Fan Noli në shekullin e XX.
Më saktë, janë të panumërueshëm librat që janë botuar dhe botohen pa pushim për Heroin.
Por ka dhe një dimension tjetër në shtjellimin legjendar dhe në folklor të figurës dhe bëmave për Gjergj Kastriotin.
Në gjithë territorin e Shqipërisë gjen legjenda, parabola, toponime dhe simbole që lidhen me këtë kryefigurë.
Por dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, tek Arbëreshët dhe kudo që kanë emigruar shqiptarët, për Skënderbeun ka këngë dhe balada, valle, histori dhe pikturë.
Kështu, figura e Skënderbeut është bërë më e shumanshme, sa historike dhe e vërtetë, aq edhe fantastike dhe frymëzuese deri në lartësitë më të mëdha të shpirtit. Këtë gjë e ka arritur në shekuj vetëm Skënderbeu.
Pyetje: – Natyrisht që ju nuk e keni shkruar të gjithë librin, vetëm në vitin 2018.
Aq më tepër që ju e konsideroni këtë libër, në brendësinë e indeve tuaja, që nga fëmijëria e deri më sot.
A mund të na thoni diçka më konkrete për procesin krijues të librit?
Përgjigje: – Tregimin e parë që kam shkruar dhe botuar që në vitin 1968, pra 50 vjet më parë, me titull “Beteja e Albulenës” e pata si një epiqendër, ose shkas për shkruar edhe tregime të tjera, kryesisht në vitet 1970-1978.
Këto tregime ishin konceptuar dhe shkruar pikërisht për fëmijët, por që mund të lexoheshin normalisht dhe pa asnjë mëdyshje edhe nga të rriturit.
Disa tregime të këtij libri i kam shkruar më vonë, por megjithatë mund të them se e gjithë substanca e rrëfimeve, parabolave dhe ngjarjeve për Gjergj Kastriot Skënderbeun i takon periudhës kohore të viteve ’70, të shekullit XX. Kjo do të thotë që në rininë time më kanë tërhequr dhe më kanë mrekulluar motivet Skënderbejane.
Këto motive kishin pika takimi edhe me figura të tjera të mëdha të historisë botërore.
Kështu, në njërin nga takimet, unë përshkruaj dijetarin e madh italian Galileo Galilei, i cili mbrojti teorinë e vërtetë astronomike, se nuk është Dielli që vërtitet rreth tokës, por është e kundërta, Toka që rrotullohet rreth Diellit.
Galileo Galilei kishte miqësi me një poete mjaft të njohur të kohës, që quhej Margarita Sarroki.
Pikërisht Margarita Sarroki është gruaja që ka shkruar një epos të madh poetik për Gjergj Kastriot Skënderbeun, më të madhin deri më sot në letrat europiane.
Për mua nuk ishin të huaja edhe veprimet e astronomit shqiptar Gjon Gazulli, i cili në takimet e tij me personalitetet e Europës, luante rolin e një diplomati dhe përfaqësuesi të Skënderbeut, duke bërë përpjekjet për lirinë dhe shpëtimin e Europës, nga vërshimi dhe pushtimi osman.
Këto janë motive historike, pra që kanë ndodhur, por njëkohësisht janë dhe subjekte të trillit letrar dhe të shtjellimit të prozës artistike.
Veç të tjerave, motivet historike alternohen edhe me motivet e trashëguara nga gojëdhënat.
Në një rrafsh të veçantë janë dhe parabolat në prozë, që tregojnë disa çudira të kohës.
Kështu është tregimi që tregon për anijen, që ishte njëkohësisht edhe mulli, ose dhe shpikja e topave me dru qershie që përdornin barut.
Prandaj rrëfimtaria bëhet më e plotë, por dhe më e hollësishme.
Pyetje: – Letërsia për fëmijë në të gjitha kohërat, e përdor si një instrument të magjishëm dhe shumë të suksesshëm trillin e Imagjinatës.
Edhe në tregimet e tua. ku i referohesh më drejtpërdrejtë historisë, imagjinata është e plotfuqishme dhe e pranishme në çdo pikë të ligjërimit dhe të arsyetimit.
Çfarë rëndësie ka imagjinata për të shtjelluar dhe artikuluar subjektet?
A mund të ketë letërsi për fëmijë paditur dhe pa përdorur atë që quhet laboratori stimulues i Imagjinatës?
Përgjigje: – Natyrisht letërsia për fëmijë i ka të pafundme mundësitë për t’i hapur të vegjëlve, portat e mëdha të imagjinatës.
Në tregimin për “Tri Fatat e Arbërisë”, në lindjen e Vojsavës, është paraqitur skena e një lindjeje, lindja e Gjergj Kastriotit, si një simbol i përjetimit të çdo lindje fëmije të popullit, që është forma e përtëritjes dhe mbijetesës së jetës, por dhe të një lindjeje specifike dhe të dyfishtë: të nënës së tij Vojsavës, si edhe të vetë Historisë.
Kuptohet që aspekti përrallor dhe mitologjik e përshëndrit dhe e përflak imagjinatën në kuptimin e një apoteoze, prandaj unë në disa subjekte kam ecur në këtë drejtim.
Ka shumë legjenda për shpatën e Gjergj Kastriotit, por legjenda që unë paraqes, që është krijuar e gjitha sipas meje e lidh shpatën e Skënderbeut me një shpatë të jashtëzakonshme dhe testamentale të mijëvjeçarëve dhe të shekujve.
Vetëm për shpatën e Skënderbeut janë krijuar këngë, mite dhe proverba që të kujtojnë edhe ciklin e habitshëm të rrëfimeve për Mbretin Artur dhe të shpatës së tij, të cilin ai e shkuli se ishte e ngulur në një shkëmb.
Në këtë mënyrë shpata bënte edhe vetë përcaktimin e karakterit të Mbretit Artur.
Në mjedisin ballkanik shpata e Skënderbeut ka krijuar edhe ajo ciklin e vet të ngjarjeve, ose dhe të historive përrallore dhe të pabesueshme.
Kaq e famshme ishte shpata e Gjergjit, sa që siç thuhet në një nga këto legjenda, i çuditur vetë Sulltan Mehmeti i II-të i dërgoi një letër Skënderbeut ku i kërkonte, që t’i huazonte për ca kohë shpatën.
Të gjithë prisnin, që Skënderbeu nuk do t’ia dërgonte shpatën e tij Sulltanit, sepse të gjithë ishin të bindur se fuqia e shpatës ishte njëkohësisht dhe fuqia e Skënderbeut.
Pa shpatën Skënderbeu nuk do mund të bënte asgjë.
Por Skënderbeu, i mençur siç ishte, me një qetësi të paparë ia dërgoi shpatën e tij sulmëmadhe, Sulltan Mehmetit të II-të, kundërshtarit të tij më të madh për jetë a vdekje.
Sulltani e mori shpatën dhe e provoi shumë herë, për të kuptuar pse kjo shpatë bënte mrekullira, siç kishte dëgjuar.
Në të vërtetë në dorën e Sulltanit shpata e Skënderbeut nuk është se po bënte mrekullira.
Përkundrazi, Sulltani nuk po kuptonte i turbulluar dhe mendjeprishur pse shpata që i dha famë Skënderbeut, nuk funksiononte në të njëjtën mënyrë edhe për të.
Gojëdhëna thotë se më në fund i mërzitur dhe i dëshpëruar, pa asnjë shpresë dhe i zhgënjyer, Sulltani ia ktheu shpatën Gjergj Kastriotit.
Skënderbeu thuhet se e përshëndeti dhe e mirëpriti kthimin e shpatës nga ana e Sulltanit dhe i shkroi në mënyrë gati proverbiale diçka, se është forca dhe mendja e njeriut, që i shumëfishon mundësitë e çdo shpate fitimtare.
Prandaj në një nga këngët popullore, thuhen këto dy vargje:
Nuk është shpata, që është metal i dheut,
por është dora dhe mendja e Skënderbeut.
Gjithashtu edhe një shtegtim në botën e nëndheshme të kreshnikëve, të ciklit poetik mesjetar, që njihet si cikli i Mujit dhe Halilit, ka gjithashtu përkushtimin për të bërë ndërlidhje kohore dhe hapësinore të heroizmit të paraardhësve me Skënderbeun dhe pasardhësit.
Pyetje: – Ju keni përdorur në këtë libër, i nderuar Moikom, teknikën rrëfimore të njohur si teknika Onirike, domethënë e shtjellimit të ëndrrave.
Jo më kot libri juaj e mban titullin “Endërrat e Gjergj Kastrotit”.
Ç’mendon ju, sa i suksesshëm është rrëfimi me teknike Onirike, kur u drejtohet gjeneratave të fëmijëve, apo dhe të adoleshentëve dhe përgjithësisht moshave të reja?
Përgjigje: – Nuk mund të ketë jo vetëm letërsi për fëmijë por asnjë lloj letërsie tjetër për të gjitha moshat pa përdorur teknikën Onirike.
Një teknikë më ndriçuese dhe intime, që shtojnë ndjesinë e kuriozitetit dhe të papriturës, është ajo që lidhet me ëndrrat, konkretisht me ëndrrat e Skënderbeut, i cili nëpërmjet këtyre ëndrrave përjeton jo vetëm epokën e tij, por të gjithë epokat.
Natyrisht shumë ëndrra janë shtegtuese, ato lëvizin nganjëherë duke sfiduar dhe shpejtësinë e dritës, për t’u futur dhe dalë në mendjet e heronjve historikë, kaq të famshëm si Aleksandri i Madh dhe Pirroja i Epirit, me të cilët Skënderbeu është i lidhur origjinalisht, sipas një kuptimi vijësues dhe ndërlidhës, prandaj në këtë formë vizuale, që në ditët tona përbën dhe një kulturë digjitale, që fëmijët sot e njohin kaq mirë, unë e kam plotësuar jo vetëm mozaikun e subjekteve, por edhe kuptueshmërinë e të gjithë librit.
Mendoj se ky libër për Gjergj Kastriot Skënderbeun mund të ndikojë në mendjen dhe në rritjen e gjallë e simbolike të fëmijëve.
Ky libër mund të pasurojë lirshëm, pa asnjë shtrëngesë, dobishëm dhe pa asnjë kotësi përfytyrimet fëminore.
Nuk mund të ketë kujtesë kombëtare të shqiptarëve, pa Gjergj Kastriot Skënderbeun.
Nëse gjenerata e re, fëmijët, nuk e njohin dhe nuk kanë intimitet ndjesor dhe kuptimor për Heroin Kombëtar të tyre, atëherë mund të themi se kujtesa kombëtare do ta humbë fuqinë e saj për krijimin dhe përjetësinë e vetëdijes dhe të identitetit. Ky është dhe qëllimi fisnik, i përkorë në të gjitha përmasat i këtij libri. Skënderbeu ishte një luftëtar i madh.
Shpata e tij është simboli më përfaqësues.
Por ai ishte dhe një Hero i mendjes.
Ai kërkonte jo vetëm Lirinë e Atdheut të tij, por ai ishte dhe një Hero i vërtetë Europian, që ruante dhe mbronte edhe lirinë dhe kulturën e shkëlqyer të Europës.
Pyetje: – Në vështrim të parë njeriu mund të mendoi, se duhet të jenë botuar shumë libra për Skënderbeun, në zhaneret e letërsisë për fëmijë.
Por, duke hulumtuar, kam vënë re se tregimet, apo legjendat për Skënderbeun drejtuar lexuesve të vegjël nuk janë të shumta dhe mund të them se ky është libri i parë dhe më i plotë për figurën e Gjergj Kastriotit, në letërsinë shqipe për fëmijë.
Pra ka një lloj eksluziviteti.
Dihet se shkrimtari Mitrush Kuteli ka shkruar librin e tij “Tregime të motshme shqiptare” me subjekt dhe motive nga Eposi Mesjetar i Veriut.
Një libër i shkëlqyer.
Por në të vërtetë ka qenë e nevojshme edhe një libër për një epokë historike, siç është epoka e shekullit XV e lidhur me emrin Gjergj Kastriot Skëndërbeun.
Megjithatë, i nderuar Moikom, në rrëfimet e tua për Skënderbeun ndihet mjedisi legjendar i shekujve dhe i heroizmave të tjera të popullit tonë, në epoka më të hershme, por edhe për të pasur më pas si një Zenit Lavdie bëmat dhe ngjarjet e Skënderbeut.
Një mënyrë e tillë vepruese dhe shtjelluese ka qenë e qëllimshme nga ana juaj?
Përgjigje: -Dua të shtoj diçka, si një POST CRIPTUM, për këtë libër. Duke shkruar për Gjergj Kastriot Skënderbeun unë kam shkruar dhe për heronjtë e tjerë të historisë.
Më vjen keq, se përgjithësisht tradita e letërsisë për fëmijë ka mangësi përsa i përket formësimit dhe shpalosjes së personazheve më të spikatur të shekujve, që nga kohërat më të hershme, nga antikiteti, mesjeta dhe deri në kohërat moderne. Vëmendjen time, që në fëmijëri, e kanë përthithur ngjarjet më të bujshme dhe të spikatura kundrejt historisë botërore.
Që në shekullin e XIII para erës sonë, pra 24 shekuj më parë, ndodhi LUFTA E TROJËS. Homeri këndoi me vargjet e tij me egzametra, siç kishte ndodhur në Trojë, duke përmendur dinakërinë e pushtimit të Trojës me anë të kalit të drunjtë, në barkun e të cilit ishin futur ushtarë, që i sollën vdekjen përfundimtare Trojës.
Por në Trojë kishte dhe luftëtarë dardanë.
Ata luftuan për ta mbrojtur Trojën.
Por ishte e pamundur.
Mbas djegies së gjëmshme dhe të frikshme të Trojës, kalorësit dardanë e nisën udhëtimin e tyre, për t’u kthyer në viset e origjinës, në Dardaninë Ilire.
Këtë shtegtim përmes flakëve dhe vdekjeve të kalorësve dardanë, unë e kam përshkruar tek libri im “Kalorësit dardanë”, që u botua në vitet ‘70 të shekullit të XX-të dhe u ribotua shumë herë me një tirazh me qindra, mijëra kopje.
Është pikërisht ky libër, ku unë i trupëzova frymëzimet e mija nga bota universale ilire, nga kultura, arti dhe heronjtë ilirë.
Me “Kalorësit dardanë” u hap një udhë e madhe.
Ky libër tërhoqi pas vetes libra të tjerë, ku unë shkruaja për historinë ilire.
Kështu u formua një lloj sage e vogël e imja me librat që i adresoheshin fëmijëve.
Po përmend disa nga titujt e këtyre librave: “Heroi i detit Nanas dhe shkëmbi i tokës Guraks”, “Pedagogu i Kopernikut”, “Princi i Vjeshtës”, “Vjeshta e Princit”, “Tre libra në Një”, “Enigma E.Y.”, “Kësulkuqja Fluturuese”.
Nga këto përmbledhje që janë pjesë e një kompozimi dhe i një harmonie mendore mund të koleksionohen disa tregime për heronjtë ilirë, për Mbretëreshën Teuta, për kryengritësin e madh ilir kundër pushtimit romak Baton, për Mbretin, dijetarin dhe mjekun e famshëm ilir, Gentin.
Të shumtë janë dhe heronjtë e periudhës mesjetare.
Në këtë qerthull, që është në lëvizje dhe me plotësim të përhershëm, qëndron dhe cikli i tregimeve të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Edhe para shekullit të XV-të, në mesjetën e hershme, historia flet për figura të tjera të lavdishme
Me vite unë kam shkruar, duke hulumtuar në shumë libra dhe kronika,historinë e Kalorësit Florimont,i cili ishte zoti i qytetit të Durrësit dhe historinë e tij plot aventura mrekullibërëse, apo dhe disfata të humnerëshme, përbëjnë një sintezë të një heroi që e sfidoi vdekjen dhe u ngrit mbi të
Në shekullin e XI, një poet frëng, Amon De Varanes shkroi në frëngjishten e vjetër një roman poetik në mijëra vargje me subjektin mahnitës dhe tronditës të Kalorësit Florimont.
Florimonti ishte prej shumë kohësh një preokupim i imi ngulmues, sa i dashur aq dhe torturues, sa i bukur aq dhe i dhimbshëm, sepse e konsideroja një model të arritur dhe të shkëlqyer të heroit.
Por gjithë ky hero, që njihet edhe në letërsinë europiane, që përpara dhjetë shekujsh (nuk është pak, besoj), sa më shumë ngrihej në zenitin e lavdisë së tij, aq kishte dhe një mungesë që e zbehte këtë personazh.
Askush nuk mund të vërtetonte se Kalorësi Florimont kishte jetuar në të vërtetë.
Nga e kish marrë legjendën e Florimontit, poeti Amon De Varanez?
Në shpjegimet dhe shënimet e romanit poetik flitet për gjetjen e një kronike shumë të vjetër, që në shekullin e IV para erës sonë, pra 15 shekuj para se të lindte Florimonti në Durrës e që gjoja vetë Aleksandri i Madh i Maqedonisë ishte stërgjyshi i Florimontit, kur asnjëri nuk e kish parë këtë kronikë dhe as nuk mund ta vërtetonte dot, që ajo të ishte e vërtetë, pra dhe e besueshme.
Kështu që, Kalorësi Florimont ishte dhe është për mua i dashur, por është më tepër një krijim i fantazisë, ose një figurë hibride midis elementëve përrallorë dhe ndoshta disa elementëve historikë, që kishin qenë dikur, por ishin zhdukur përfundimisht. Të gjitha këto që thashë më sipër kanë një kuptim.
Ato më çojnë drejtë një sinteze, ose drejt një konkluzioni.
Vetëm Gjergj Kastriot Skënderbeu është një Hero me substancë historike, krejt i vërtetë që ka ekzistuar dhe nuk dyshon askush se ai është Heroi i papërsëritshëm i shekullit të XV dhe se vetë shekulli i XV ka si një identifikim të pashmangën emërin e Skënderbeut.
E veçova këtë hollësi ose dallim për të shprehur idenë se tregimet për Gjergj Kastriot Skënderbeun, asnjëherë nuk e legjendarizojnë atë, deri në zbehjen e përkatësisë dhe vërtetësisë historike
Pra, midis të Vërtetës dhe Trillimit, Gjergj Kastriot Skënderbeu është ashtu siç ka thënë poeti i madh Naim Frashëri “Një histori krejt e vërtetë”.
Për lexuesit përmbledhja qoftë dhe në një formë të re e tregimeve që kam shkruar në vite të ndryshme, duke filluar që nga viti 1968 dhe më pas, duke bërë edhe shtesat, për të lidhur pika të këputura në kohë dhe në hapësirë është në të vërtetë një ftesë për reflektim.
Njohja e figurës së heroit nuk është gjë tjetër veçse një formë e shumëfishtë dashurie, nderimi dhe mirënjohjeje.
Dhe s’ka se si të ndodhë ndryshe.
Skënderbeu qëndron në kufirin e kohërave.
Ai është dhe mbetet Demiurgu i Lirisë.
Ne trashëgojmë si flamur kombëtar pikërisht flamurin e tij. Kudo në qytetërimin shqiptar spikasin dhe ndrisin simbolet e Heraldikës Skënderbejane.
Askush nuk mund ta harrojë dot Gjergj Kastriot Skënderbeun.
Nëse e harrojmë atëherë nuk do jemi më vetvetja.
Sa më shumë ta duam aq më shumë do të jemi vetvetja.
23 nëntor 2018