Jump to content

Moikom Zeqo, arkeologjia shqiptare në Hildeshaim

Nga Wikibooks

– Intervistë e arkeologut dhe studiuesit Moikom Zeqo, para 29 vitesh, dhënë redaktores dhe gazetares Teuta Mulaj,- gazeta “Adriatiku“–


Pyetje: Nga 6-8 qershor 1989, në qytetin Hildeshaim, në Landin e Saksonisë së Sipërme dhe në RF Gjermane, zhvilloi punimet Simpoziumi„ Ilirët dhe bota antike“.

Ju morët pjesë në këtë simpozium me një kumtesë.

A mund të na thoni diçka rreth punimeve të simpoziumit e rezultatet e tij?

Përgjigje: Simpoziumi i Hildeshaimit qe i suksesshëm dhe më i rëndësishmi në llojin e vet i mbajtur jashtë vendit tonë.

Studiuesit nga Shqipëria, RF Gjermane, Austria, Greqia paraqitën 20 kumtesa shkencore nga të cilat 7 ishin nga studiuesit shqiptarë.

Simpoziumi u bë në muzeun „Rëmer dhe Poiccus“ pak kohë mbas mbylljes në të të ekspozitës arkeologjike „Thesare nga vendi i shqiptarëve“, që u vizitua nga 100.000 vetë.

Për këtë ekspozitë u botua një Katalog prej 476 faqesh me cilësi të lartë që është botimi më i madh dhe i plotë për arkeologjinë shqiptare jashtë vendit.

Informacioni i këtij Katalogu tërhoqi vëmendjen e shumë studiuesve evropianë.

Simpoziumi në temat e veta kishte parasysh edhe objektet konkrete të Ekspozitës e si material bazë referimi Katalogun.

Në Katalog janë dhe një numër i madh objektesh arkeologjike nga Durrësi.

Durrësi kishte një peshë të veçantë në Hildeshaim për veprat e artit të lashtë me të cilat ishte përfaqësuar.

Kumtesa ime „Aspekte të artit antik në Durrës“, me të cilën hapa seancën e parë të ditës së dytë të Simpoziumit, bënte një periodizim të skulpturës dhe relievit të lashtë, të gjetur në qytetin tonë.

Në diapozitivat, që paraqita, ishin përveç veprave të artit të ekspozuara në Hildeshaim dhe vepra të tjera nga më përfaqësueset, që nga epoka e artit arkaik deri në antikitetin e vonë.

Kumtesa ngjalli interes të veçantë.

Dua të shtoj këtu diçka për mënyrën e organizimit të Simpoziumit.

Seancat e çdo dite të simpoziumit drejtoheshin nga një dijetar i njohur, autoritativ.

Mbasi mbahej kumtesa e çdo studiuesi drejtuesi i seancës organizonte pyetjet rreth kumtesës, të cilave do t’u jepej përgjigjja në vend.

Pastaj bëheshin diskutimet, që mund të zgjasnin si kohë më shumë se sa mbajtja e vetë kumtesës.

Një gjë e tillë u bë papërjashtim për të tërë kumtesat.

Mbasi e mbajta kumtesën në frëngjisht u bënë pyetje dhe diskutime rreth saj nga prof. dr. Guntram Koch nga Marburgu, nga prof. dr. Klaus Fittschen nga Gotingeni dhe dr. Costas Sueref nga Selaniku.

I pari e vlerësoi materialin e veprave të artit durrahas si të klasit të parë e u ndal në koleksionin e stelave antike e të dhënat që jepja unë në kumtesë për elementin estetik dhe etnik si koine artistike e klasit te larte , në shekujt III-I para erës sonë.

I dyti foli për një kokë skulpturore të shekullit IV, unikale në Durrës dhe në Shqipëri dhe e mbështeti datimin e bërë nga ne

I treti mbasi dëgjoi përgjigjen tonë për pyetjen që bëri për skulpturën arkaike të shekullit VII-VI para erës sonë në Durrës foli për lidhje kulturore të qytetit tonë me Korkyrën e Italinë e Jugut.

Për mua ishte hera e parë që merrja pjesë në një Simpozium Shkencor Ndërkombëtar.

Kisha emocione.

Isha më i riu nga pjesëmarrësit.

Mund të them se kam mësuar shumë nga ky Simpozium.

Ditët e tij qenë shumë të ngjeshura.

Dreka hahej në një nga sallat e Muzeut e në orën 15 (pa bërë pushim) niste përsëri seanca, kështu deri në orën 21.

Tamam ditë pune.

Pyetje: A pati tema të tjera për Durrësin?

Përgjigje: Natyrisht.

Neritan Ceka në kumtesën “Personaliteti i mbretit Monun në bazë të dëshmive arkeologjike” foli për disa prerje monetare të Monunit, duke vërtetuar vërtetësinë e të dhënës historike të Trogut për këtë mbret ilir e duke bërë një kronologji të re të numizmatikës durrahase.

Një zbulim i vërtetë qe kumtesa e studiuesit austriak prof. dr. Peter Siewert nga Vjena „Epidamni dhe roli i tij gjeografik në një pllakë bronzi me mbishkrim nga Olimpia“.

Në të kumtohej gjetja e një pllake bronzi me mbishkrim në qytetin e Olimpias të periudhës arkaike të shekullit VI para erës sonë.

Te ky mbishkrim bëhej fjalë për privilegjet dhe detyrat që kishin banorët e Epidamnit në tempullin e Zeusit në Olimpia, duke patur kështu një status të rëndësishëm si qyteti-polis më me emër, në skajin më verior të trevës adriatiko-ballkanike.

Mbishkrimin, i cili është gjithashtu unikal.

Me shumë rëndësi për qytetin tonë.

Studiuesi e paraqiti të transliteruar, te traskiptuar dhe ne perkethimin ne gjermanisht.

Prof. dr. G. Koch në kumtesën„ Monumente mbivarrore të kohës perandorake romake në Shqipëri“ u ndal në relievet e sarkofagëve të Durrësit.

Prof.dr.G.Koch shtjelloi studimin e tij, duke diferencuar artin popullor të relievit te sarkofageve te territorit shqiptar nga ai zyrtar perandorak.

Për monedhat e Durrësit foli dhe prof. Christof Boehringer nga Gotingeni në kumtesën „Çështje të qarkullimit monetar në periudhën helenistike“.

Si dhe Peter Kracht nga Unna – Massen, në kumtesën„ Themelimi i Epidamnit e Apolonisë dhe lidhjet e tyre me hinterlandin ilir“.

Durrësi u përmend dhe në kumtesën e diskutimet e prof. dr. Luciana Aigner – Foresti dhe prof. dr. Klaus Fittschen.

Pra mund të shprehemi se Durrësi qe në qendër të vëmendjes.

Këtë gjë atij ia jepte vetë pesha e lëndës arkeologjike, që për nga vlerat i kalon kufijtë e atdheut.

Se ka rëndësi dhe nga pikëpamja e historisë botërore të lashtësisë.

Pyetje: Ç‘gjë tjetër mësuat në Hildeshaim?

Përgjigje: Edhe pushimet gjatë seancave qenë plot diskutime interesante.

Qe një frymë mirëkuptimi, bashkëpunimi shkencor.

Në muzeun e qytetit patëm rastin të shihnim një Ekspozitë të Artit Egjiptian të vjetër si dhe një Ekspozitë të Porcelanit të lashtë kinez.

Patëm një takim pune me Institutin Arkeologjik të Hildeshaimit, ku na treguan metodat moderne e rezultatet e gërmimeve të ndërmarra në Egjipt, në një piramidë, ku qe gjetur dhe një karro ceremoniale faraoni.

Ky zbulim i madh, kishte bërë një bujë shkencore, plot interes profesional në botën shkencore.

Të paharruara për mua e kolegët e mi do të mbeten vizitat e bëra në qytetin e Hanoverit.

Aty pamë Galerinë e Arteve me disa nga kryeveprat e mjeshtërve më të mëdhenj të Impresionizmit e të Artit të shekullit XX.

Shikuam edhe parkun e Honoverit, me një liqen olimpik, monumentet arkitektonike të stilit gotik të shekujve XI-XII.

Ashtu i realizuam tok edhe vizitat në qytetin e Gotingenit.

Ne u ftuam të merrnin pjesë në një mbledhje të Akademisë së Shkencave, të Komisionit për Studimet e Evropës Juglindore.

Aty asistuam ne debatete shkencore te akademikeve te famshem.

Në Gotingen pamë shumë monumente, sheshe ,shtëpitë, ku kishte jetuar Gëtja, Hajnia, vëllezërit Grim, Beniamin Fraklini etj.

Gjatë rrugës për në Gotingen pamë jo shumë larg kështjellën, ku ka jetuar romantiku i madh, Navalis.

Keshtjella na befasoi edhe që ruante një legjendë të ngjashme me atë të murimit të Rozafës.

Në Gotingen me ndihmën e studiueses Helga Shteinit siguruam një kopje të kseroksuar të romanit në vargje të shekullit XII “Florimont” të Aimon de Varranesit.

Te ky roman poetik me vargje flitet për Durrësin.

Vepër kjo, e publikuar në këtë qytet, në shekullin XIX ,nga Alfond Hilka, që e ka pajisur me shënime të karakterit historik e filologjik.

Mikpritësit gjermanë na çuan dhe në një fshat, pranë Hildeshaimit, ku morëm pjesë në një festë popullore, që kishte një kolorit të veçantë.

Vetë Hildeshaimi qe një qytet shumë i bukur, tepër karakteristik.

I tëri me arkitekturë gjermanike, nordike (s’kish asnjë grataciel).

Në të ishin dy nga shtëpitë më të vjetra mesjetare të Gjermanisë.

Fasadat e tyre ishin me relieve në dru si dhe piktura.

Shumë shtëpi ishin restauruar për vlerat e tyre.

Kisha gotike e Hildeshaimit e vetmja me afreske me ndikimin bizantin kishte dhe një trandafil njëmijëvjeçar, ku çdo degë e tij kishte të shënuar dhe vitin.

Ky trandafil qe krenaria e simboli i qytetit.

Mikpritja qe miqësore.

Për Simpoziumin e pjesëmarrjen tonë u shkrua dhe në gazetat e televizioni lokal dhe aspekte të veprimtarisë.

Dega e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-R.F.Gjermane bëri disa takime dhe mbrëmje takimesh.

Një gëzim i veçantë për mua qe dhurimi nga ana e Barbara Pier,, e librit me prozë të Migjenit të titulluar “Vetëvrasja e trumcakut”, në gjermanisht.

Libri i Mgjenit qe i ilustruar me gravura nga vetë ajo.

Dua të përmend këtu përpjekjet e bëra nga Drejtori i Muzeut dr. Arne Eggebrecht si dhe sidomos nga Margot Rathenowut, që merrej me propagandën e Muzeut të Hildeshaimit në gjithë botën, që nuk kursyen asgjë për ta ndjerë veten si në shtëpinë tonë.

Në Simpoziumin e Hildeshaimit Arkeologjia Shqiptare pati një afirmim tjetër në arenën ndërkombëtare.

Duke argumentuar vijimësinë iliro-shqiptare.

Duke krijuar kushte për bashkëpunim të mëtejshëm në fushat shkencore e kulturore midis të dy vendeve.

Ky Simpozium do të mbetet për mua, një ngjarje me mbresa të mëdha.

Një përvojë e frytshme shkencore e kulturore.

-Faleminderit !


Viti 1989