Jump to content

Milo: Skënderbeu, luftëtar dhe gardian i qytetërimit europian

Nga Wikibooks

Gjergj Kastriot Skënderbeu është cilësuar një gardian dhe luftëtar i qytetërimit europian. Në ligjëratën e tij mbajtur në ceremoninë organizuar në Akademinë Britanike me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, profesor Paskal Milo ka sjellë fakte historike të vlerësimit të Heroit tonë Kombëtar si nga shteti i Vatikanit, papëve të tij, ashtu dhe nga shtetet e fuqishme të kohës si Venediku, Napoli apo dhe Hungaria. Sipas profesor Milos, bazuar dhe në përcaktimet e historianëve që kanë studiuar rrezikun otoman ndaj qytetërimit europian, dy kanë qenë kështjellat e rezistencës ndaj këtij rreziku, Mbretëria hungareze me kapitenin Janosh Huniadi dhe Skënderbeu.

PASKAL MILO/ Dimensioni europian i rezistencës arbërore kundër pushtimit osman nën udhëheqjen e Skënderbeut është njohur e vlerësuar në shekuj në studimet historike e në krijimtarinë letrare e artistike europiane e botërore. Por ndërkohë ajo nuk ka qenë e trajtuar si çështje e posaçme studimi në gjerësinë e vlerën që i përket. Përvjetori i 550-të i vdekjes së Skënderbeut shërbeu si një shtysë për t’u thelluar edhe më shumë në studimin e këtij dimensioni të rëndësishëm të rezistencës arbërore të shekullit XV kundër pushtimit osman.

Europa kishte disa shekuj që kishte ndjerë kërcënimet që vinin nga Lindja, por duke u nisur nga fundi i shekullit XIV ato u bënë më të rrezikshme nga fuqia aziatike në rritje e turqve osmanë. Ata kishin arritur të vendoseshin pjesërisht në Ballkan, në dyert e Europës. Me rënien e Perandorisë Bizantine në 1453, rruga e pushtimeve drejt Europës ishte plotësisht e hapur.

Qytetërimi europian i epokës si tërësi e vlerave kulturore, intelektuale, morale, materiale e si mënyrë jetese u ndodh para një sfide të madhe. Thelbi i këtij qytetërimi dhe nxitës i tij ishte krishterimi (Kristianizmi). Te qytetërimi europian bashkoheshin traditat greko-romake, ajo judeo-kristiane dhe të ashtuquajturat tradita barbare.

Në shekullin e XV, qytetërimi i krishterë europian u ndodh nën trysninë e fuqishme të islamizmit dhe të variantit të tij politik më të organizuar, ai i turqve osmanë. Kërcënimi prej tyre ishte i “përhershëm, një rrezik universal”, ndaj edhe “krishterimi duhej të mbronte kundër tij qytetërimin e tij, vetë ekzistencën e tij”. Kështu nisi ajo përplasje gjeopolitike midis dy qytetërimeve, atij lindor, mysliman me atë perëndimor, europian e të krishterë. Këtë pikëpamje e kanë mbrojtur shumë historianë, filozofë e shkrimtarë europianë në shekuj, duke përfshirë edhe shqiptarë, filluar nga Marin Barleti e deri në ditët tona.

Arbëria e ndodhur në periferinë gjeografike, politike e kulturore europiane, u bë arenë ballafaqimi midis të dy qytetërimeve. Arbrit të ndodhur në vijën ndarëse midis dy perandorive, asaj romake të Perëndimit dhe asaj të Bizantit në Lindje, i përqafuan të dy besimet e krishterimit, katolicizmin dhe ortodoksinë, në varësi edhe të përkatësisë administrative, por edhe të fuqisë së influencës së tyre. Pikërisht “ky qëndrim i ndërmjetëm midis Perëndimit e Lindjes, i bashkuar me ruajtjen e ngulur të natyrës së vetë etnike, i ka gdhendur Shqipërisë përgjithmonë fytyrën e saj të veçantë”.(Çabej) Historianët kanë pohuar se “…hapësira arbre në Mesjetë ishte një zonë me larmi të veçantë kulturore, një nyje ku kryqëzoheshin ndikimet kulturore nga bota bizantine me ato nga bota perëndimore, të cilat morën trajta të posaçme në mjedisin arbër”.

Arbëria në pragun e shekullit të XV ishte një vend që zhvillohej nga pikëpamja politike, ekonomike, shoqërore e kulturore me ritme të njëjta si edhe vendet e tjera të rajonit ballkanikoadriatik. Arbëria mesjetare arriti nivelin kulmor të zhvillimit të saj para fillimit të sulmeve e të pushtimeve osmane. Mjaft historianë të njohur të huaj mes të cilëve Šufflay dhe Jireçek kanë pohuar “se deri në pushtimin osman, Arbëria kishte ndjekur zhvillimin qytetar të Europës së atyre kohëve”, se “feudalët arbër ishin të barabartë me fisnikërinë e lartë të Italisë”.

Shoqëria arbërore nuk zhvillohej e izoluar. Në një masë të madhe të saj ajo u ndodh në kontakte e nën ndikimin e identiteteve të tjera më të forta. Në gjysmën e parë të shekullit XV ato principata arbërore në lidhje varësie me osmanët ishin ende të lira në besimin e tyre në krishterim. Ekzistonte një situatë e veçantë. Ndërsa ato i ishin nënshtruar sistemit të timarit, në pikëpamje fetare, kulturore e tregtare ishin të orientuara në lidhje me shtetet perëndimore, kryesisht të përtej Adriatikut. Qytetet bregdetare shqiptare nën Republikën e Venedikut ishin gjithashtu qendra të ndikimit të gjithanshëm europian. Ndodhi ai proces që ngadalë, pa u kuptuar e shpesh në mënyrë të pavetëdijshme, identiteti europian përthithej në venat e gjakut arbëror.

Identiteti arbëror dhe ai europian u ndërthurën në një unitet jo vetëm mbi bazën e vlerave shpirtërore, kulturore, të traditës e të lidhjeve tregtare. Ato hodhën hapa afrimi e bashkëpunimi politik edhe para rrezikut osman si kërcënim i vlerave të përbashkëta. Madje, ky komponent politik i unitetit të Arbërisë me shtetet europiane, kryesisht italiane, ishte shfaqur që para Skënderbeut, me aleancat e fisnikëve të veçantë arbërorë me Papatin, Mbretërinë e Napolit, Republikën e Venedikut, Raguzën, etj..

Gjergj Kastriot Skënderbeu këtij orientimi të natyrshëm e fillimisht të ndrojtur europian të shumicës së fisnikërisë arbërore i dha një përmbajtje të re dhe e ktheu në tipar të qenësishëm të identitetit arbëror.

Gjergj Kastrioti ishte shumë i qartë dhe nuk ushqente asnjë iluzion se furia osmane e Sulltan Muratit do të mund të përballohej për një kohë të gjatë në emër të lirisë e të aleancës së brendshme arbërore. Ai e njihte nga afër e nga brenda armikun e tij të fuqishëm, potencialet dhe ambiciet që ai kishte. Skënderbeu gjithashtu e dinte se shtetet evropiane, e në radhë të parë ato italiane, kishin shumë vite që e ndienin nga afër rrezikun osman dhe tentativat për një kryqëzatë antiturke nuk ishin realizuar. Kauza dhe interesat arbërore u puqën me ato europiane përballë kërcënimit gjithnjë e më të madh që po vinte nga Lindja. Aq sa nevojë kishte Skënderbeu për ndihmat e mbështetjen europiane, po kaq e rëndësishme do të bëhej dita-ditës rezistenca arbërore përtej Adriatikut për shpëtimin e Europës nga kërcënimi osman. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ishin një proces i dyanshëm dhe i dobishëm për të dy palët.

Arbëria si shtet në kohën e Skënderbeut ka ushtruar një politikë të jashtme të organizuar, kryesisht me shtetet e tjera europiane. Ka pasur kancelarë dhe njerëz të ngarkuar me këtë punë, këshilltarë, ambasadorë, të dërguar të posaçëm që sipas misioneve që kryenin merrnin edhe emra të ndryshme. Dokumentet arkivore të kohës dhe burime të tjera historike i përmendin shpesh misionarët diplomatikë të Skënderbeut në Selinë e Shenjtë në Romë, në Senatin e Republikës së Venedikut, në oborret mbretërore të Napolit e të Hungarisë, në dukatet e Milanos apo të Burgundisë, në qytetin e Raguzës, etj..

Skënderbeu nuk ishte thjesht një udhëheqës guerilas arbëror apo një burrë i fuqishëm i shpatës, siç mund edhe të jetë cilësuar rëndom në kronika të veçanta të kohës apo në faqe librash të mëvonshme. Ai ka qenë burrë shteti në kuptimin e plotë të fjalës, që përcaktoi me vendosmëri dhe me qartësi orientimin europian të Arbërisë, që me ndërgjegje ndërtoi aleanca me shtete europiane. Skënderbeu “zotëronte një kontroll të plotë politik e ai ka qenë patjetër në gjendje që të përcaktonte vetë drejtimin programatik të veprimit të tij”. Duke nënvizuar fort këtë tipar të qenësishëm të politikës së tij, është mëse i drejtë edhe kujdesi që duhet pasur që europeizmin e Gjergj Kastriotit të mos e modernizojmë e të mos e keqpërdorim. Ai duhet vendosur në kornizën e kohës së vet e në logjikën e veprimit politik të një aleance kundër një qytetërimi që ishte i huaj për atë europian. Pra, nga Gjergj Kastrioti, siç vëren me shumë të drejtë albanologu i njohur At Giuseppe Valentini, nuk do të kërkojmë që të na ketë lënë një traktat për europeizëm, as që edhe të përmendte Europën në fjalimet që u mbante ushtarëve të vet.

Në politikën e jashtme dhe në aleancat e Skënderbeut me shtetet europiane ka pasur një hierarki marrëdhëniesh. Prioritetet u përcaktuan nga një numër faktorësh si pesha dhe roli i këtyre shteteve kundër rrezikut osman; gatishmëria e tyre për të ndihmuar Skënderbeun në rezistencën e tij antiturke, perceptimi i këtij kërcënimi nga këto shtete, interesat e tyre specifike për të mos u konfrontuar deri në fund me osmanët si dhe shkalla e autoritetit dhe e influencës që këto shtete kishin në nivel europian. Gjykuar nga veprimi i këtyre faktorëve për 25 vite, marrëdhëniet e Skënderbeut me këto shtete kanë qenë të diferencuara, me ulje-ngritje, por pa e humbur asnjëherë boshtin europian të orientimit në politikën e jashtme.

Një numër historianësh që janë marrë me historinë e Skënderbeut kanë mendimin se aleati i parë dhe kryesor i arbërorëve në rezistencën e tyre antiosmane ka qenë Selia e Shenjtë në Romë. Argumentet janë autoriteti i lartë moral i kryeqendrës katolike, historia e përpjekjeve për të udhëhequr një kryqëzatë të krishterë kundër osmanëve, ndihmat financiare dhe vlerësimet e larta të papëve për Skënderbeun si mbrojtës i krishterimit.

Autoriteti i Selisë së Shenjtë në shekullin XV nuk ishte në shkëlqimin e tij. Mbretërit dhe princat e fuqishëm europianë në një Europë ku mbizotëronte partikularizmi shtetëror nuk i bindeshin universalizmit kristian të papëve të Romës. Ata më tepër ishin në grindje e në luftëra midis tyre për pushtet e për zgjerime territoriale. Që nga viti 1439 e deri në 1464 Selia e Shenjtë kishte dështuar në organizimin e kryqëzatës antiosmane, pikërisht për shkak të interesave të ndryshme, të mungesës së gatishmërisë e të flirteve të shteteve të veçanta me sulltanët. Jo të gjitha shtetet europiane e perceptonin rrezikun osman në të njëjtën mënyrë e me të njëjtin intensitet. Papati, shtetet italiane dhe ato të Europës Qendrore ishin në vijën e parë të kërcënimeve osmane.

Shfaqja e Skënderbeut në krye të arbërorëve në frontin e rezistencës antiosmane thuajse nuk u vlerësua në fillim. Vetëm pas fitoreve të para të tij kundër ushtrive osmane jehona e betejave arriti në Romë e në kancelaritë e tjera italiane e europiane. Thyerja e ushtrive të Sulltan Muratit II dhe të Mehmetit II para mureve të Krujës e në fushë beteja të tjera në tokat arbërore që vazhduan ndër vite ngjalli shpresa të mëdha për shpëtimin e Europës. Në Romë ato u përjetuan me një interes të madh sepse kalorësit e shquar të krishterimit ishin të pakët.

Gjergj Kastrioti për gati një çerekshekulli u vlerësua me epitetet më sipërore nga papët bashkëkohës të tij. Ata janë shprehur me fjalorin e fesë katolike, e natyrshme për rolin e misionin e Selisë së Shenjtë. Papa Nikolla V (1447-1453) e ka quajtur “luftëtar shumë të fortë” të krishterimit dhe kampion në mbrojtje të tij kundër turqve. Papa Kalisti III (1453-1458) e vlerësonte “si mbrojtës i fortë e luftëtar i vërtetë i fesë kristiane”. Pasuesi i tij, Papa Piu II (Enea Silvio Pikolomini) (1458-1464) që e ka ngritur lart më tepër se të gjithë papët e tjerë e cilëson Skënderbeun si “atleti i Krishtit”, “mbrojtësi më i rreptë i Krishtit”, njeriu “që e shpenzoi gati tërë jetën ndër armë duke luftuar për emër të Krishtit”. Papa Pali II në gjurmët e paraardhësve e ka quajtur Skënderbeun “kampion trim i Jesu Krishtit”. Cilësime të tilla e kapërcejnë kufirin fetar dhe marrin një dimension tjetër më të gjerë e më thelbësor sepse krishterimi ishte njohur e pranuar si filozofia e thelbi i qytetërimit europian.

Këto vlerësime në vështrim të parë krijojnë imazhin se lufta e arbërorëve me në krye Skënderbeun ka pasur karakter thjesht fetar. Këtë përshtypje janë përpjekur që ta ushqejnë në shekuj edhe historianë të veçantë, të cilët u janë referuar edhe letrave të Skënderbeut drejtuar papëve ku ndër të tjera u shkruan se osmanët janë “armiqtë tanë dhe të besimit të krishterë”, se “dëshirojmë të numërohemi në çetën e besimtarëve të Krishtit”, etj..

Padyshim që krishterimi si ideologji e si besim fetar ishte një faktor nxitës e përbashkues kryesor mes arbërorëve të krishterë, por jo edhe i vetmi. Lamartini, historiani francez i shekullit të XIX thotë se kauza e Skënderbeut ishte më pak fetare se kombëtare. Dhe po kështu nuk ka qenë i saktë edhe vështrimi nënvlerësues i rolit të krishterimit në rezistencën arbërore dhe i përfundimit se Skënderbeu qëndronte mbi fetë. Selia e Shenjtë ishte shtet dhe në mënyrën e me mjetet e saj ajo bënte një politikë të caktuar në përputhje me objektivat e saj. Ndaj edhe vlerësimet me ngjyrime të papëve për Skënderbeun nuk duhen parë thjesht si akte kortezie e nxitëse fetare të kohës, por edhe si një veprim me një mesazh e kuptim politik. Papët nuk mund të flisnin me një gjuhë tjetër dhe as mund të dilnin jashtë misionit të tyre. Ata edhe kur përgatitnin kryqëzatën në qendër të saj vendosnin mbrojtjen e krishterimit nga të “pafetë”, nga osmanët myslimanë. Madje, në përgatitjen për fillimin e saj, në vitin 1464, Papa Piu II e emëroi Skënderbeun Komandant të Përgjithshëm të ushtrive tokësore europiane. Por prapa mbrojtjes së krishterimit e në emër të tij, kryqëzatat dhe shtete të veçanta europiane si Mbretëria e Napolit, Republika e Shën Markut apo ndonjë shtet tjetër synonin edhe ekspansionin e zotërimin e territoreve të Mesdheut lindor e përtej tij.

Papët kanë çmuar në mënyrë sipërore Skënderbeun edhe në krahasim me kontributet e përkushtimin e mbretërve e princërve të tjerë në mbrojtje të qytetërimit europian. Papa Kalisti III i shkruante Skënderbeut në shkurt 1458: “Të kishim mes princërve të tjerë të krishterë asish me shpirtin tënd, atëherë nuk do të ishim as të shqetësuar e të brengosur për mbrojtjen e fesë”. Edhe Papa Piu II i shpreh të njëjtin shqetësim udhëheqësit arbëror kur i shkruan: “Na vjen keq për së tepërmi që nuk gjetëm ndër princërit e krishterë atë përkushtim që shpresonim të gjenim ndaj punëve të fesë…”. Këto konsiderata të larta për Skënderbeun dhe rolin e tij nga Selia e Shenjtë nuk përputheshin gjithnjë me ndihmën konkrete që papët i jepnin atij. Për këtë çështje historianët kanë pikëpamje jo të njëjta. Disa prej tyre (Barleti, Noli, Gegaj, Plasari, etj.), janë të mendimit se Selia e Shenjtë meriton të ketë vendin e parë midis atyre shteteve që ndihmuan Skënderbeun. Kundërshtarët e këtij mendimi, (Fojgti, Fallmerayer, etj.) thonë se ndihma e papëve ka qenë tepër e vogël, “vetëm bekime apostolike dhe me ligjërata panegjirike”. Disa dëshmi të kohës shkojnë në favor të këtyre kritikëve.

Aleatët dhe aleancat Skënderbeu i meritonte për shkak të misionit të tij si një ledh në mbrojtje të qytetërimit të krishterë europian. Në atë kohë fronti i luftës kundër turqve osmanë ishte vendosur në zonën e Danubit e të Adriatikut. Kështjellat e rezistencës kundër depërtimit osman në Europë ishin vetëm dy: mbretëria hungareze me regjentin e saj, kapitenin e madh Janosh Huniadin dhe Arbëria me kryetrimin e saj, Skënderbeun. Eduard Gibbon, por edhe historianë të tjerë, Huniadin dhe Skënderbeun i vendosin në listën e heronjve edhe për një arsye tjetër. Ata “që nga momenti i angazhimit të tyre kundër ushtrive osmane vonuan shkatërrimin e perandorisë greke (bizantine-PM) si një nga formacionet politike dhe vatrat kulturore më të rëndësishme të mesjetës”.

Skënderbeu dhe Huniadi nuk u takuan nga afër me njëritjetrin për shkak të rrethanave në të cilat u ndodhën ndonëse përpjekjet nuk munguan. Por në distancë, në respekt të ndërsjellët për njëri-tjetrin e përmes përfaqësuesve të tyre tentuan të ndërtojnë një aleancë. Edhe nëse ajo nuk u arrit në formën e një dokumenti të shkruar, funksionoi në realitet në fushat e betejave kundër armikut të përbashkët osman. Gjithsesi është e njohur se të dy kapitenët e mëdhenj kanë dërguar te njëri-tjetri ambasadorë ose përfaqësues për të koordinuar ndihmën e veprimet mes tyre. Këto kontakte filluan në 1446-n dhe vazhduan në 1448-n deri në 1456-n, që është edhe viti i vdekjes së Huniadit, pak pas dështimit të rrethimit osman të Beogradit që mbrohej nga heroi hungarez. Largimi i tij nga jeta e la Skënderbeun pa aleat në frontin e luftimeve. Ai “mbeti kryqtari i vetëm aktiv në Ballkan” dhe mori mbi vete edhe rolin e Huniadit si heroi i krishterimit.

Shtetet italiane ishin aleate të Arbërisë në luftën antiosmane, por ato nuk angazhuan forca të mirëfillta ushtarake veç disa kontingjente të vogla në mbrojtje të kështjellave. Ato u deklaruan disa herë të gatshme për t’iu bashkuar kryqëzatave që Selia e Shenjtë përpiqej të organizonte, por nuk shkuan më tej. Ato kishin synimet e tyre të cilat nuk dëshironin t’i sakrifikonin në emër të luftës antiosmane. Madje, këto shtete, veçanërisht mbretëria e Napolit e Republika e Venedikut, ishin në rivalitet të ashpër dhe jo njëherë edhe kishin flirtuar me sulltanët osmanë. Marrëdhëniet e tyre me Skënderbeun funksionuan kryesisht në planin ontiosman, por edhe të përcaktuar nga shkalla e lidhjeve që ai kishte me secilin prej këtyre shteteve. Udhëheqësi arbëror u ndodh shpesh në pozita delikate për të ruajtur drejtpeshimin në qëndrimet e tij ndaj tyre. Për këtë arsye marrëdhëniet kanë pasur lëkundje e përparësi të ndryshme në vitet e rezistencës arbërore.

Skënderbeu kishte vetëm një synim madhor: mbrojtjen e lirisë së trojeve arbërore nga pushtimi osman. Në funksion të tij ai i kërkonte dhe i ndërtonte edhe marrëdhëniet me shtetet italiane. Për nga shkalla e interesit që kishin për rezistencën arbërore në kohë të ndryshme ato i përgjigjeshin ose i refuzonin thirrjet e kërkesat e Skënderbeut për bashkëpunim. Disa shtete europiane ishin të prirura t’u përshtateshin konjukturave të krijuara, interesave të çastit dhe nuk vështronin larg. Për ato, rreziku osman afrohej e distancohej në varësi të rezistencës që bënte Hungaria në frontin e Danubit dhe Arbëria në frontin e Adriatikut. Mbrojtja e krishterimit në emër të të cilit ishin organizuar kryqëzata nuk i mbulonte përparësitë që shtetet europiane veç e veç kishin në fushën politike apo edhe tregtare. Për venedikasit (venecianët) thuhej se ata vinin racën e tyre mbi fenë dhe së pari ata ishin venecianë e pastaj të krishterë”. Venediku ishte shtet i fuqishëm tregtar në Adriatik e në Mesdhe me flotë të madhe tregtare dhe ushtarake dhe me pikëmbështetje të shumta e të fortifikuara në të gjithë këtë hapësirë të gjerë detare. Në funksion të interesave të saj Republika aq sa i bashkohej aleancës së krishterë europiane kundër osmanëve, po aq edhe përpiqej t’i shmangej kur vinte puna në veprime konkrete. Senjoria kishte nënshkruar që në vitin 1430 një traktat paqeje me Sulltan Muratin II dhe përpiqej të nxirrte përfitimet maksimale prej tij.

Ky pragmatizëm tradicional i Republikës së Shën Markut u manifestua plotësisht edhe në marrëdhëniet me Skënderbeun. Këto marrëdhënie ishin komplekse, të ndërlikuara, me ulje-ngritje pothuajse për një çerek shekulli. Aleanca e krishterë europiane dhe antiosmane në rang shtetëror mund e duhej t’i kishte dhënë Skënderbeut një ndihmë e mbështetje më të madhe. Në lojë nuk ishte vetëm fati i Arbërisë, por edhe i qytetërimit europian. Brenda në Arbëri e në fushat e betejave të Skënderbeut u krijua në miniaturë një front europian. Marin Barleti dhe kronikanë të tjerë të kohës kanë shënuar se në ushtrinë e Skënderbeut kishte “një diversitet të madh të kombeve”, italianë, francezë, spanjollë, gjermanë, anglezë, serbë, dalmatë, etj.. Rrugëve të Arbërisë vëzhguesit kishin parë dhjetëra kalorës francezë që shkonin për t’u radhitur si luftëtarë kryqtarë në ushtrinë e Skënderbeut. Gibbon shkruan se “aventurierët më trima të Francës dhe Gjermanisë u joshën nga fama e tij dhe u vunë në shërbim të tij”. Vullnetarët gjermanë u shquan më tepër sipas dëshmive në mbrojtjen e kryeqendrës së Skënderbeut, Krujës gjatë rrethimit të parë të saj nga Sulltan Murati II në vitin 1450. Ndër anglezët, mjaft burime të kohës përmendin gjerësisht pjesëmarrjen aktive të John of Newport-it në luftime, por edhe në misione diplomatike. Pamja e aleancës simbolike europiane në radhët e ushtrisë së Skënderbeut bëhet edhe më e plotë po të llogariten edhe qindra luftëtarë që dërguan mbretëria e Napolit, Republika e Venedikut etj., në Arbëri.

Shumica dërmuese e historianëve, filozofëve, poetëve e shkrimtarëve që kanë shkruar për Skënderbeun në shekuj bien dakord në një vlerësim: luftëtar dhe gardian i qytetërimit europian. Është jashtë çdo mundësie për t’i përmendur të gjithë ato cilësime, qoftë edhe duke përjashtuar ato shqiptare. Skënderbeu është jo thjesht Heroi Kombëtar i shqiptarëve, por edhe pasuri e krenari e qytetërimit europian.


Ligjëratë mbajtur në ceremoninë e organizuar në Akademinë Britanike me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.


18 Nëntor 2018