Matteo Mandala, filologu i çmuar i botës arbëreshe
Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Që kultura arbëreshe, në mënyrën më të mirë të mundshme të vetën, jo vetëm që përmbushi një mision madhor, lidhur me ruajtjen nga zhdukja e një thesari të paçmuar të kulturës së lashtë shqiptare, por plejada e autorëve të hershëm, që para dhe pas De Radës, krijuan traditën dhe rrugën e pandërprerë të studimeve dhe vlerësimit të kësaj kulture, e cila në rrënjët e veta, ka një ekstrat të hershëm shqiptar.
Në rrjedhën e kohëve, në një aventurë dramatike dhe të rrezikshme për t’u asimiluar apo dhe zhdukur tërësisht, brezat e studiuesve, që erdhën kohë pas kohe, i bënë kulturës arbëreshe dhe asaj shqiptare në përgjithësi shërbime të çmuara. Ata evidentuan hershmërinë, vlerën, traditën, valorizimin e saj, por dhe krijuan traditën studimore, pa të cilën asnjë kulturë e çdo lloj populli nuk mund të mbijetojë gjatë.
Kultura arbëreshe, e cila mbartëte brenda vetes traditat dhe një kujtesë të madhe shpirtërore të popullit shqiptar, që nga kohët më të lashta të tij, u kthye në një shkollë të përhershme, jo vetëm për njerëzit që vazhduan të mbeten të lidhur me fatin e kombit të tyre, por radhë pas radhe dhe kohë pas kohe, ajo nxori emra të ndritur të letërsisë së shkruar, poetë, shkrimtarë dhe studiues të nivelit evropian.
Në rrjedhën e kohëve, kur fatet e Shqipërisë vazhdonin të rrugëtonin sa në Lindje po aq dhe në Perëndim, ku njëra palë kërkonte ta eliminonte apo ta zvogëlonte deri në mos-kuptim dhe pjesa tjetër luftonte që ajo të mos zhdukej dhe pse nga dita në ditë ajo pakësohej, arbëreshët e Italisë, jo vetëm nxorën njerëz të ditur dhe të aftë për ta bërë të pranishme kulturën dhe mjedisin roman, por dhe luftëtarë të dijes dhe shkencës, që i erdhën në ndihmë atdheut të të parëve të tyre.
Në asnjë moment historik, të njohur për zhvillimet politike apo kulturore, ideologjike apo arsimore, kulturës shqiptare dhe eventualitetit të saj nuk i kanë munguar luftëtarët, studiuesit, poetët, linguistët, folkloristët dhe estetologët që lindën, u edukuan dhe kontribuan ndër arbëreshët e Italisë në mënyrë të veçantë. Në mënyrën më të mirë kultura arbëreshe përveçse i ndali rrugën bjerrjes dhe humbjes deri në moskthim të një kulture shpirtërore, kulture popullore, traditash dhe zakonesh, duke arkivuar një pjesë të mirë të kësaj kulture, por ajo përmes njerëzve të saj të dijes u zhvillua dhe kontribuoi paralelisht me zhvillimet shqiptare, veçmas gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare.
Në kuadrin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, poetë, studiues, shkrimtarë, filologë, linguistë, folkloristë dhe njerëz të tjerë të dijes arbëreshe, përveç bashkëpunimit dhe mbështetjes së hapur që i dhanë kësaj lëvizje madhore, afruan kontribute të qarta dhe të mrekullueshme shkencore, që pavarësisht revokimit dhe “mbajtjen gjallë” të Motit të Madh në veçanti, në kontekstet kohore dhe zhvillimet nëpër të cilat po kalonte Shqipëria, përbënin një motiv frymëzues dhe stimulues për të gjithë patriotët e penës dhe të mendimit shqiptarë të kohës.
Pa këtë traditë të mirë, të kultivuar dhe të ushqyer nga shumë faktorë, qofshin ata shpirtërorë apo dhe historik, pa ata dhjetëra korifenj të mendimit letrar dhe gjuhësor arbëresh, ne nuk do të mund të kishim këtë traditë ndër arbëreshët e Italisë, nuk do të kishim një plejadë të mrekullueshme studiuesish dhe në ditët e sotme, gjithë këtë kontribut shkrimor për gjithçka kulturore, letrare, folklorike, shkollore, gjuhësore e në fushat tjera të dijes.
Prof. Matteo Mandala zë një vend të rëndësishëm, jo vetëm në aktualitetin hulumtues, studimor dhe kritik të kulturës, letërsisë së shkruar dhe letërsisë gojore arbëreshe, por dhe në radhën e personaliteteve të gjithë kulturës shqiptare, për shkakun e thjeshtë të natyrës që kultura shqiptare ka në përgjithësi. Me këtë rast Prof. M. Mandala i ka kushtuar një vëmendje të posaçme integritetit të kulturës shqiptare me qasje të reja, ku prirjet për të anashkaluar pasuri të njohura kulturore- historike, nuk janë thjeshtë kalimtare.
Personalitetet e njohura të dijes letrare, albanologjike, gjuhësore dhe folklorike shqiptare, e kanë konsideruar universin dhe kulturën arbëreshe fondamentale, jo vetëm për referencën e vjetërsisë apo lashtësisë së saj kulturologjike- gjuhësore, por për fondin e nevojshëm që ajo sot posedon. Jo pak, por për gati pesë shekuj, studimet për kulturën arbëreshe nuk janë ndaluar asnjëherë, pavarësisht vakuumeve të vogla kohore. Studimet vazhdojnë dhe sot e kësaj dite, siç është puna e Matteo Mandalës, Françesko Altimarit, Antonio Belushit, e dhjetëra autorëve të tjerë, që po i kontribuojnë me vepra dhe studime kësaj kulture të mrekullueshme.
Sado që kalojnë kohët, këngët e moçme shqiptare, baladat, gjëegjëzat, rrëfimet, gjithë ai thesar i shpërndarë në horën arbëreshe dhe kudo ka pasur dhe ka arbëreshë, zbulon diçka që nuk e kemi njohur, nuk e kemi zbuluar, nuk ka pasur qasje etj. Pavarësisht studimeve jo të pakta, pavarësisht kujdesit tematik të rëndësishëm dhe të nevojshëm lidhur me këtë kulturë, kjo tregon se universi apo thesari arbëresh, mbartësi më i mirë dhe më konkret i kulturës së lashtë shqiptare është i gjerë, i thellë, rrënjor, real dhe një regjistër i vërtetë i kulturës e historisë së njërit nga popujt me kulturën e gjuhën më të vjetër të gadishullit të vjetër ballkanik.
Në veprimtarinë e gjerë kërkimore e shkencore të Matteo Mandalasë, të bien në sy përfitimet që ka kultura shqiptare dhe ajo arbëreshë nga studimet e tij, pasi dy librat e tij, që i janë vënë në dorë lexuesit shqiptar të titulluar “Gjurmime filologjike” (2006) dhe “Studime filologjike” (2012) me editorë korrekt dhe kompetent, na bëjnë me dije se kultura arbëreshe ka nevojë të vazhdueshme për studime akoma të thelluara dhe shkencore. Ky është një lajm i mirë për kulturën arbëreshe dhe për filologjinë, letërsinë, poezinë popullore dhe gjithë dijen tjetër shqiptare në përgjithësi.
Kultura shqiptare, pasuria shpirtërore, universi arbëresh është kaq i shpërndarë dhe kaq i nevojshëm për t’u gjurmuar, sa me të drejtë Mandalasë i duket vetja si i “hedhur” në det, e ai si një “notar” i mirë po bën sakrificën e duhur për t’i mbijetuar dallgëve dhe rrymave të shumta. Më lejoni të sjell në vëmendje opinionin korrekt dhe të nevojshëm për punën e një shkencëtari dhe studiuesi skrupuloz si Mandala, nga një studiuesi prof. dr. Shaban Sinani, i cili në përcjelljen e librit të titulluar “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, (2012) shkruan: “Mbi të gjitha, modeli i punës së Matteo Mandalasë: në zgjidhjen e ekuacioneve grafematike, në stabilizimin e konteksteve të tyre në lexim, duke nisur prej emrit të personazhit, të cilin ai në mënyrë bindëse e shmang nga tradita (Bala) dhe e nyjëton në formnë “Balla”; pastaj me leximin e krahasuar shqip e italisht, një lexim i munguar historikisht; më tej me plotësimin e shkrimeve në prozë dhe të teksteve me përmbajtje religjioze, edhe këto të munguara; me pyetjet dhe përgjigjet për çështjet e autorësisë, Darën dhe Darenjtë, ashtu dhe faktin, shenjon kapërcimin prej gati një shekulli pune vullnetmirë, por anekdotike, në një metodologji krejt të shkencorizuar, me ekdotikë të ngritur mbi parime të drejta.” (Parathënie, fq.11-12)
Mendoj se Prof. Sinani është korrekt dhe ka thënë një të vërtetë të këndshme, jo vetëm për studiuesin Mandala, por dhe me natyrën skrupuloze që ai ka promovuar në studimet mbi kulturën arbëreshe në të gjithë kompleksin e vet.
Të merresh me kulturën arbëreshe, ndërsa është një gjë e bukur, e larmishme dhe e këndshme, është dhe një punë tepër e vështirë, pasi në rrjedhën e shekujve, kulturologë, gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë arbëreshë bënë një detyrë fisnike duke iu përgjigjur realitetit arbëresh dhe nevojës shpirtërore të këtij komuniteti, duke kontribuar me vepra të shumta shkrimore, të natyrave të ndryshme, herë letrare, herë të besimit, metodologjisë arsimore dhe artit dramatik, romantik dhe studimeve, por që përmbushën një detyrim të shenjtë, mbajtjen gjallë të kulturës dhe shpirtit arbëresh.
Hora arbëreshe ka kaq shumë kontribute shkrimore sa me të drejtë të duket vetja se gjendesh në një det, por kjo pasuri është një mekanizëm mbijetese për arbëreshët. Matteo Mandala e njeh mirë këtë pasuri arbëreshe, e cila ka nevojën e domosdoshme të eksplorohet nga njerëzit e dijes.
Do ta quaja një sakrificë të ndershme dhe pambarimisht të lavdërueshme qasjen e Mandalasë, i cili në punën e tij kërkimore, interpretuese, shkencore, duke pasur dije pararendëse shkencore dhe debatuese të pjesës më të madhe të studimeve për kulturën arbëreshe, kur në kontributin e tij shkencor gjenden emrat e De Radës, çështjet e mitit pellazgjik, po sipas De Radës dhe Giovani Emanuele Bideras, Gavril Darës, Anton Santorin, Zef Skiroin, Trifon Guinderës, Lekë Matrëngës, Gjergj Guxetës, Pal Parrinos, Nikollë Filja, Nikollë Keta, Jakin Kjarkjarin, Gjergj Nikollë Brankatin, çështje filologjike mbi gjurmimet leksikografike, tipologji të ndryshme mbi konceptet “kënkë” përmes të cilave merr një informim për punën e studiuesit të nderuar.
Pjesën më të madhe të këtyre autorëve arbëreshë ne i kemi njohur që më parë, pasi ata kanë qenë njerëzit e mençur dhe të ditur, të cilët kanë arritur të bëjnë prezent për brezat dhe për dijen arbëreshe “kampionët” më të mirë dhe më të domosdoshëm nga thesari kulturologjik arbëresh, për t’i bërë pronë jetike të njerëzve të thjeshtë dhe objekt studimi për shkencën gjuhësore, folklorin dhe fushat e tjera, për t’i rezistuar violencës kulturologjike në vendin e huaj.
Mandala në tërë këtë veprimtari të gjerë shkencore, ka kuptuar dhe ka arritur të sjellë këndvështrim të plotë dhe kritik për të gjithë këtë pasuri të madhe. Ledi Shamku Shkreli në botimin e veprës së Mandalasë, titulluar “Gjurmime filologjike për letërsinë e vjetër arbëreshe” shkruan: “Mandala ofron një mënyrë studimi edhe më moderne, e cila i ndjek të gjitha etapat analitiko- deskriptive, në trajtimin teksteve të vjetra një metodë e tillë ka dy përparësi; ajo formëson një procedurë të saktë studimi dhe nuk ndërhyn në gjuhën origjinalit, pasi të gjitha shpjegimet nuk kryhen mbi tekstet vetë, por u pranëvihet atyre si aparat leximi”.
Për arsye të tilla, të një informacioni të gjerë, konnkretësi shkencore, shfrytëzim të konsiderueshëm të referencës, qëndrimeve kritike dhe jo të qarta, rileximi mbi veprën dhe konceptet e njohura si p.sh të De Radës apo ndonjë autor tjetër në vështrimin e Mandalasë është i këndshëm dhe i nevojshëm. Matteo Mandala të “detyron” ta lexosh dhe t’i shkosh në fund opinionit të tij shkencor.
Siç është vënë në dukje dhe herë të tjera, studiuesit arbëreshë të kohës sonë kanë marrë një detyrë të rëndësishme në studimet e tyre, për shkakun se ata po punojnë dhe po shtjellojnë ide të rëndësishme mbi tekste të studiuara më së shumti dhe më parë, por kjo tregon se kultura arbëreshe ruan akoma vlera të pa eksploruara dhe të paidentifikuara. Në këtë aspekt, konsideroj sfida të vazhdueshme tri çështje që dalin nga studimet e Mandalasë, të cilët në dukje shpërfaqen të thjeshta, por ato duket se e lidhin kohën në cepat e saj. Çështja më e rëndësishme është të marrit me tekstet e vjetra. Besoj se askush nuk mund t’ia hiqte rëndësinë kësaj çështjeje.
Një nga krerët e parë të librit “Gjurmime filologjike për letërsinë e vjetër arbëreshe” bëhet fjalë për njërin nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë dhe kulturës arbëreshe, për Leke Matrëngën, autorin famshëm të njërit nga librat më të vjetër të kësaj kulture “E mbsuame e krështerë”, që me të drejtë studimi i saj shkencor, krahasues, gjuhësor, predikues, kulturologjik, alfabetik dhe shumë çështje të tjera që shtjellon një tekst i tillë, do të përbëjnë një gur themeli në rrugëtimin e mbarë të studimeve arbëreshe. Mandala është marrë gjerësisht me Lekë Matrëngën, duke sjellë një këndvështrim dhe debat profesionist për çështjet më bazikë të tij.
Një orientim mençurish është ai me tekstet e vjetra të kontributeve shkrimore të arbëreshëve të Italisë, pasi gjuha e shkruar është material, është lënda e parë për të ndërtuar një opinionin dhe studim të pa debatueshëm për shqipen dhe historinë e saj. Pavarësisht kufijve historik, konkretisht viti 1555, me të cilin shënohet shkrimi shqip, kërkimet nuk duhen ndaluar.
Në debatin e Madalasë ka një bazë të konsiderueshme referenciale me autorë dhe vepra të pabotuara, të cilat kërkohet kohë të eksplorohen dhe të ekspozohen për studiuesit. Mandala njofton se Parrino është i pa eksploruar, pasi ai ka lënë një pirg me dokumente, gjegjësisht kushtuar kulturës arbëreshe.
Pjesa më e madhe e studiuesve dhe autorëve arbëreshë, të cilët u morën me fusha të ndryshme të kulturës dhe dijes arbëreshe ishin njerëz të besimit dhe të shërbesës fetare. Gjurmimi i veprimtarisë dhe fatit të veprave të tyre të shkruara, pasi ky kontingjent i caktuar njerëzorë dhe kontribues shkruanin të gjithë është i rëndësishëm. Pse dhe si u shkrua “Meshari i Buzukut”, parimisht dihet, një vepër fetare dhe për shërbesat fetare, si dhe “Formula e Pagëzimit” e Pal Engjëllit. Gati të gjithë veprat e këtyre autorëve kanë elementë dhe informacion kryesor fetar.
Në këto kushte i rëndësishëm është debati i Guxetës për shkrimet e autorëve të njohur të Veriut (Katër B-të e famshme), mbi alfabetin që ato përdorën, por dhe vepra e Nikollë Ketës “Tesoro” e vitit 1777. Lidhur më një çështje të tillë ka pak subjekt, pasi për Nikollë Ketën njoftohemi se ai kishte si qëllim të vinte me shërbim në Shqipëri, kryesisht në Himarë. Misionet kishtare të kohës ishin të njohura për misionarët e kishës.
Në vitet 1760 dhe 1777 në Shqipëri ka një zhvillim jo të pakët lidhur me shqipen dhe informimet kulturologjike. Tek – tuk, pavarësisht se të pakonfirmuara nga dija zyrtare, mendohet se në vitin 1632 në Pllanë të Lezhës, apo në Kurbin, ku mendohet se ka qenë dhe një kopje e Mesharit të Buzukut (gjithmonë për shërbesë) ka pasur shkolla fetare. Interesimi dhe njoftimi i Ketës për këtë ekspeditë të gjatë domosdoshmërisht, ka të ngjarë që të krijojë koordinata të rëndësishme për këto hipoteza, që me gjasë, përderisa Keta kërkon të mësojë shqip, madje ka dhe një fjalor të rëndësishëm, të ketë pasur një informacion dhe mbi çështje të tilla.
Intuita e studiuesit është e hollë dhe me arsye të shëndoshë, pasi seminaristë dhe misionarë si Keta apo ndonjë tjetër, përveç shërbesës e kishin pjesë të punës së tyre mësimin e shërbesës fetare, në grupe të vogla apo në klasa të vogla për fëmijët. Është koha kur lufta fetare e besimeve nuk ishte e qetë.
Krijimi i një tabloje të plotë mbi shërbimin e ëndërruar të Ketës në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në Himarë, një vend i njohur herët në analet historiografike dhe të besimit, me priftërinjtë brazilian, të cilët janë të njohur për shërbimet e largëta në të gjithë globin, besoj se nuk është një punë që autori e konsideron të përfunduar. Këta, në veprimtarinë e tij krijojnë koordinata të rëndësishme për gjurmime të studiuesve të kulturës arbëreshe në veçanti.
Veprimtaria e murgjve bazilianë në viset shqiptare, kërkon njohje të gjera për një çështje të tillë, jo vetëm për heshtjen e derisotshme për të, por ky moment do të ishte një çelës dhe për shumë çështje të tjera historike, gjuhësore dhe një udhërrëfyes për zbulime të tjera në këtë trevë, e cila shquhet për kontaktet me Lindjen dhe Perëndimin. Shërbimet fetare gjatë gjithë historisë së tyre kudo ata shkonin kishin dhe aksesorë të tjerë.
Matteo Mandala ka një standard korrekt dhe absolutisht të respektuar prej tij; ai me cilindo autor që është marrë nuk ka anashkaluar dhe as toleruar çështjet gjuhësore. Pavarësisht kohës, vitet jo të shumta për të absorbuar kaq shumë kulturë gjuhësore, pasi kultura gjuhësore për shqipen dhe arbërishten nuk është e lehtë të krijohet në pak vite, Mandala njeh mirë të gjithë traditën studimore gjuhësore të shqipes dhe arbërishtes, që nga autori i parë e deri tek studiuesit dhe gjuhëtarët bashkëkohorë. I aftë për të përballuar debatin dhe interpretimet e ndërlikuara që nga etimologjia, leksikografia, gjuhësia historike dhe e krahasuar, fleksionin e shqipes dhe atë indoevropian, huazimet dhënëse dhe marrëse, të gjitha këto mbi një lëndë arbërishte, Mandala përbën një model të mrekullueshëm të studiuesit të sotëm të kulturës arbëreshe.
Prof. Matteo Mandala mendoj se duhet të jetë objekt i punës studimore dhe praktikës mësimdhënëse në shkollat dhe universitetet shqiptare në veçanti, në universitetet e indoevropianishtes, në mjetet e informimit shqip, pasi puna e tij përmbush një mision historik të çmuar të traditës dhe një nivel korrekt shkencor të studimeve të sotme.
Puna e mrekullueshme e Mandalasë dhe brezit të ri të studiuesve të sotëm të kulturës, letërsisë, folklorit dhe gjuhës shqipe është një arsye e plotë dhe plotësisht e besueshme për t’i rezistuar kohës dhe zhvillimeve të kulturës arbëreshe dhe një motiv më shumë për ta dashur më shumë këtë kulturë.
2 Korrik 2018