Jump to content

Marrëveshja që lindi “e vdekur”

Nga Wikibooks

Marenglen KASMI

Këtë fillim gushti u mbushën plot 75 vjet nga Mbledhja e Mukjes, e cila u mbajt më 1-3 gusht 1943 ndërmjet Frontit Nacionalçlirimtar (FNÇ) dhe Ballit Kombëtar. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi dhe marrja e një vendimi për një luftë të përbashkët kundër pushtuesve të huaj.

Në një gjykim historik, duke konsultuar edhe dokumentacion të ri arkivor, siç është ai i arkivave gjermane, mund të japim disa detaje e të arrijmë në disa përfundime, të cilat e plotësojnë tablonë e kësaj ngjarjeje shumë të diskutuar të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Mund të themi pa ngurrim se, trajtimi i Mbledhjes së Mukjes në këto 28 vitet e fundit është shndërruar në një debat politiko-historik, ku në varësi të qëndrimit që historianët mbajnë ndaj kësaj çështjeje, etiketohen ose komunistë ose ballistë. Pra, një rrugë të mesme nuk ka! Njësoj si dje në luftë: ose me ne, ose kundër nesh! Kësisoj, politizimi, por edhe amatorizimi i shkruarjes së historisë ka çuar në revizionizimin e historisë së shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, çka shpesh ushqehet nga pena e disa “historianëve ustallarë”. Sigurisht që, ka aspekte që në historiografinë e para viteve 1990 janë shkruar sipas diktatit të Partisë-Shtet. Po kaq e vërtetë është edhe nevoja për rishikimin apo ritrajtimin historik të së kaluarës. Madje, në historiografinë perëndimore një studim quhet i vjetëruar, nëse është mbi pesë vjet. Shkurt, ky është një ritëm normal studimor, sepse pretendohet se koha-kohës në arkiva zbulohen dokumente të reja. Por, ky proces duhet të udhëhiqet nga parimet shkencore të historiografisë, jo nga ato politike, e aq më keq të ndikohet nga prejardhja familjare apo fisnore, respektivisht sipas palës që u rreshtuan gjatë luftës paraadhësit e tyre. Parë në këtë këndvështrim, Mukja vazhdon sot ende të turbullojë e përçajë shqiptarët, duke rrezikuar që edhe shkruesin e këtyre radhëve ta etiketojnë si historian komunist, apo më keq me bindje komuniste.


Marrëveshja e Mukjes lindi e “vdekur”. Në thelb ajo ishte një “ndërzim” mes dy gjinive, kryqëzimi i të cilave rezultoi i pasuksesshëm për të prodhuar një aleancë politiko-ushtarake.

Le t’i marrim arsyet me radhë.

Kalimi i forcave të Boshtit Qendror në mbrojtje në Stalingrad, zbarkimi aleat në Siçili në natën e 9 korrikut, rritja e mosbesimit të Commando Supremo-s ndaj elitës politike italiane si edhe shumë faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm, çuan më 24 korrik 1943 në rënien e Mussolini-t dhe krijimin e qeverisë Badoglio. Kësisoj, ishte e lexueshme për të gjithë që, herët a vonë, Italia do të dilte nga lufta. Kështu që, gjithë forcave politike shqiptare u duhej të rishikonin qëndrimin e tyre. Po ashtu, vazhdimisht misioni britanik në Shqipëri, këmbëngulte në një luftë të përbashkët të shqiptarëve kundër pushtuesve. Ata e morën edhe nismën për këtë takim.

Letërthirrja zyrtare për takimin u bë nga Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili në mbledhjen e tij të datës 9 korrik 1943 vendosi krijimin e një aleance politiko-ushtarake me Ballin Kombëtar. Pra, sipas FNÇ-së, më saktë Partisë Komuniste, në takim duhej të diskutohej mënyra si Balli Kombëtar t’i bashkëngjitej FNÇ-së dhe rrjedhimisht edhe luftës së organizuar kundër pushtuesit italian. Ndërkohë, Balli Kombëtar shkoi në Mukje dhe, siç e treguan zhvillimet, duke dominuar mbledhjen, tentoi të realizojë një “Pezë” të dytë. Këtë gjë e mundësoi tejkalimi i kompetencave të përfaqësuesve të FNÇ-së, ku ndër 12 delegatët e tij vetëm tre ishin komunistë, konkretisht Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi dhe Gogo Nushi, si edhe paaftësia e tyre negociuese përballë personaliteteve më përvojë si Mihat Frashëri dhe “juristit skolastik” Hasan Dosti. Balli Kombëtar kishte ardhur dukshëm më i përgatitur në takim.

Krijimi i Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë i dalë nga Mukja dominohej nga Balli Kombëtar dhe nacionalistët. Partia Komuniste përfaqësohej në këtë Komitet vetëm nga Mustafa Gjinishi. Në të vërtetë, ky Komitet ishte një strukturë paralele me Frontin Nacionalçlirimtar, i cili më 10 korrik 1943 kishte krijuar edhe Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe që prej shtatorit 1942 kryente aksione të organizuara ndaj pushtuesve italianë. Logjikisht, qysh këtu për Partinë Komuniste çështja e bashkëpunimit me Ballin Kombëtar me këto kushte mund të quhej e mbyllur. “Komiteti Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë mori përgjegjësinë që i ngarkonte Marrëveshja e Mukjes dhe vendosi qysh të nesërmen e arritjes së kësaj marrëveshjeje ta pagëzonte vetveten si komitet drejtues i luftës së përbashkët me një betejë kundër pushtuesve italianë. Komandën, deri sa të krijohej shtabi i përbashkët, ia ngarkoi Abaz Kupit”, shkruan Uran Butka. (U. Butka: Marrëveshja e Mukjes. Shans i Bashkimit, peng i tradhëtisë, Tiranë 2018, f. 87-88). Siç lexohet, marrëveshja zeronte çdo organizim politiko-ushtarak të deriatëhershëm dhe nxirrte një organizim të ri në ballë të luftës dhe hidhte kësisoj poshtë çdo organizim të arritur në Pezë.

Për të mos pranuar këtë marrëveshje në disfavor të Partisë Komuniste, Enver Hoxha nuk kishte nevojë të dëgjonte as jugosllavët e askënd tjetër! Është e pamendueshme për çdo parti politike, si atëherë e ngahera, që një marrëveshje e tillë e rëndësishme të nënshkruhet nga delegatët, pa u diskutuar më parë në strukturën e saj drejtuese. Parë në këtë këndvështrim, vendimet e Mukjes mund të konsiderohen në rastin më të mirë si një projekt-marrëveshje, e cila mbetej të miratohej nga PK-ja, drejtuesit e të cilit nuk morën pjesë në bisedime. Madje edhe U. Butka e pranon se Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar vetëm i porositi delegatët e tij çfarë duhej të kishin parasysh në hartimin e marrëveshjes. (U. Butka: Marrëveshja e Mukjes, f. 45). Por nuk thotë se delegatët ishin të autorizuar edhe të nënshkruanin marrëveshjen. Sepse kështu ishte.

Realizimi i një marrëveshje do të thotë që palët bien dakord kur kushtet e saj janë të pranueshme për të dy palët. Si mund të quhej e pranueshme kjo marrëveshje për Partinë Komuniste? Për çdo llogjikë të ftohtë këtu mbyllet diskutimi dhe analizohen shkaqet dhe pasojat e këtij dështimi. Të gjitha pretendimet e ngritura, si gjatë luftës nga Balli Kombëtar, ashtu edhe sot nga pasuesit e tyre për prishjen e kësaj “marrëveshje të prishur” janë demagogji për të jusitifikuar dështimin politik të Ballit Kombëtar gjatë konfliktit më të madh botëror në shekullin e 20-të! Viktimizimi i Ballit Kombëtar nga Partia Komuniste, si strategji për të jusitifikuar dështimin politik dhe qëndrimin e gabuar gjatë luftës, e kryesisht gjatë pushtimit gjerman, nuk e shpëton këtë organizatë nga marrja e përgjegjësive dhe kritika e sotme historike.

Prandaj, nëse duam të trajtojmë me objektivitet Mukjen, më tepër se të rrekemi t’u tregojmë shqiptarëve sa projugosllav, pushtetdashës e gjakatar ishte Enver Hoxha – çka shqiptarët e provuan deri në lëkurë për mëse 45 vjet -, duhet të bëjmë edhe një analizë kritike të qëndrimit politik dhe ushtarak të organizatës së Ballit Kombëtar në vitet 1943–1944.

Tezat që po hedh në këtë shkrim dhe që sigurisht do t’i argumentoj janë: 1) Balli Kombëtar ndiqte një politikë të opsioneve të hapura si ndaj aleatëve, ashtu edhe ndaj Gjermanisë hitleriane. 2) Balli Kombëtar shkoi në Mukje jo për të bashkëpunuar me FNÇ-në, por për të marrë në tavolinë drejtimin e luftës. 2) Edhe nëse marrëveshja nuk do të funksiononte – dhe me këto kushte për Ballin ishte e qartë që Partia Komuniste nuk do t’i pranonte –, Balli shpresonte se, duke shfrytëzuar ndikimin nacionalist brenda FNÇ–së, të dobësonte sadopak pozitat e Partisë Komuniste brenda qëndresës antifashiste dhe 4) ndonëse i vonuar, të shndërrohej në një faktor politiko-ushtarak.

Krerët e Ballit e lanë Hotel Dajtin dhe kaluan në ilegalitet më 27 korrik 1943. Ndërkohë kundërshtarët e tyre ideologjike kishin dalë në mal dhe luftonin kahershëm. I njëjti “ilegalitet dhe qëndrim luftarak ndaj pushtuesit” i vonuar ndodhi edhe gjatë pushtimit gjerman. Më 7 tetor 1944, një muaj para mbarimit të luftës, Mithat Frashëri njoftonte Misionin Britanik se, Balli Kombëtar kishte dalë në mal të luftonte gjermanët, kështu që mund t’i furnizonin tani me armë.

Zyrtarisht marrëveshja u prish nga Enver Hoxha. Kaq mjaftoi që Balli Kombëtar të ndiqte hapur një bashkëpunim ushtarak me pushtuesit e rinj gjermanë sepse politikisht e kishin filluar këtë bashkëpunim kahershëm. Bashkëpunimi me gjermanët i detyruar nga fillimi i luftës civile pas prishjes së Mukjes është një justifikim i pabazuar. Opsioni për të luftuar i vetëm dhe me ndihmë e Aleatëve ngeli gjithmonë i hapur. Po të kishte ndodhur, Enver Hoxha nuk do ta kishte patur të lehtë t’i godiste. Ka shumë shembuj të tjerë në Europë, ku kundërshtarë ideologjikë luftuan pushtuesin në mënyrë të pavarur.

Në mënyrë figurative, dështimi i Mukjes mund të quhet jehona apo vala goditëse e një ngarkese eksplozivi me plasje të programuar! Fitilin që minoi shtegun e bashkëpunimit mes shqiptarëve e ndezi Enver Hoxha, por ama, mbushja eksplozive ishte balliste! E thënë më qartë, Mukja është një dështim tipik shqiptar.


Siç e theksova qysh në krye të këtij shkrimi, Mukja nuk mund të shpjegohet me histori lokale, fate apo kujtime personale e aq më pak me revizionizim të historisë. Po ashtu, ajo nuk duhet mbivlerësuar për rëndësinë e saj historike. Sigurisht që aspirata e bashkimit në një front të vetëm kundër pushtuesit është madhore. Por, e parë në detaje, Mukja nuk ishte e tillë! Një formulim i tillë kundërshton shumë interpretime e botime për këtë ngjarje.

Por, si mund të besohet që Balli Kombëtar shkoi në Mukje me mendje të mbledhur për të luftuar, ndërkohë që kishte tentuar të lidhej me gjermanët qysh në vitin 1942 dhe po ashtu, si para ashtu edhe gjatë kohës që mbahej Mukja, konsulli gjerman Schliep i raportonte Berlinit se Balli Kombëtar ka premtuar se nuk do të luftojë kundër nesh?

Dokumentet gjermane hedhin dritë mbi një takim të fshehtë të Vehbi Frashërit me këshilltarin gjerman për çështjet etnike në shtabin e Komandantit të Përgjithshëm gjerman në Serbi, në datën 7 dhjetor 1942.(PA/AA, Akten der deutschen Gesandschaft Tirana).

Sipas Frashërit, nënshkrimi i një paqeje me kushte të veçanta ndërmjet Italisë dhe kundërshtarëve të Gjermanisë do të rriste ndikimin e Anglisë në Mesdhe. “Prandaj, ose ndoshta pikërisht për këtë arsye, qarqet nacionaliste shqiptare shpresonin ende që, me ndihmën e Gjermanisë, [ata] të hidhnin tej sundimin italian” shprehej V. Frashëri. Madje Vehbiu e ngacmoi më tej bisedën duke thënë se: “Në Shqipëri është krijuar një numër çetash të vogla e të armatosura – rreth 20 të tilla – që janë të shpërndara në gjithë Shqipërinë dhe zbatojnë pa hezitim urdhrat e komandës së organizatës së fshehtë nacionaliste shqiptare. Drejtuesit e kësaj organizate janë të gatshëm të kryejnë gjithçka që Gjermania kërkon prej tyre. Ata po qëndrojnë në gatishmëri për kohën kur rrugët e Gjermanisë dhe Italisë do të ndahen”. (PA/AA, Akten der deutschen Gesandschaft Tirana).

Kjo organizatë e fshehtë nacionaliste, nuk është tjetër veçse Organizata e Ballit Kombëtar. Me të drejtë mund të thuhet se Vehbiu nuk ishte anëtar i Ballit Kombëtar, por jo domosdoshmërisht negociatori duhet të ishte ballist, por më tepër i besuar i gjermanëve. Dhe Vehbiu ishte i tillë!

Përpjekjet dhe ofertat e nacionalistëve shqiptarë filluan të ngjallin interes në qarqet e larta politiko-ushtarke gjermane së pari në verën e vitit 1943, kur u pa qartë që kapitullimi i Italisë nga lufta ishte çështje kohe. Në këtë kuadër, diplomacia gjermane në Tiranë filloi të ishte shumë aktive në Shqipëri, sepse duhej të përgatiteshin kushtet për pushtimin e detyruar të Shqipërisë. Kapitullimi i Italisë hapte gjithë frontin e Europës Juglindore për Gjermaninë. Kështu që, para se të hidhej hapi ushtarak, duhej së pari të qartësohej politika pushtuese ose më së paku, të dihej se kush do të ishte armiku i ardhshëm dhe cili do të ishte qëndrimi i shqiptarëve ndaj tyre.

Kështu që, më 3 gusht 1943, kur po mbahej edhe Mbledhja në Mukje, bazuar në informacionet e ardhura nga konsullata gjermane në Tiranë, komanda e lartë gjermane vlerësonte se nacionalistët, siç ata quanin Ballin Kombëtar, e përshëndesnin një ndërhyrje të gjermanëve në Shqipëri dhe po ashtu pranonin parimisht çdo ndihmë që largonte italianët nga Shqipëria. Po ashtu, më 19 shtator 1943, një javë pas pushtimit, shtabi i div. 100 i këmbësorisë malore vlerësonte se “Partia më e fortë është Balli Kombëtar, e cila nuk mundi të organizohej mjaftueshëm gjatë pushtimit italian. Ajo përbëhet nga pjesa më e madhe e inteligjencës së vendit dhe para së gjithash nga aristokracia shqiptare. Sipas përvojës së deritanishme, kjo parti është e prirë të bashkëpunojë me Gjermaninë”. Siç lexohet, raporti bazohet në një sukses të mëparshëm bashkëpunimi.


Por si i ndiqnin gjermanët zhvillimet në Tapizë e Mukje dhe a kishin ata ndonjë ndikim në këto zhvillime?

Konsulli Schliep raportoi mbi këto bisedime për herë të parë në Berlin në datën 31 korrik. Pra, ai raporton për takimin e datës 26 korrik në Tapizë, sepse Mukja ende nuk kishte ndodhur. Ndërlidhja kryhej nëpërmjet ambasadës gjermane në Romë. Roma e transmetoi këtë raportim të Schliep-it në Berlin më 2 gusht. Ndër të tjera ai raportonte: “Situata e brendshme karakterizohet nga krijimi i një “Organizate për Çlirimin Kombëtar të Shqipërisë” e cila si edhe quhet në shpallje, ka një besim të patundur në sinqeritetin e aleancës anglo-sovjetiko-amerikane, që lufton ndaj Boshtit për një Shqipëri të pavarur dhe demokratike. Në krye të saj qëndron një Këshill i Përgjithshëm, në të cilin përveç drejtuesve të njohur të bandave, Abaz Kupi dhe Myslim Peza, janë edhe tre komunistë. Përveç tij, është krijuar dhe një “Shtab i Përgjithshëm i Ushtrisë së Çlirimit Kombëtar” me qëllim unifikimin e drejtimit dhe aktivizimin e luftës së bandave, mbi kuptimin e të cilit nuk dimë ende detaje […].”(Burimi: Telegram drejtuar Ministrisë së Jashtme Berlin nga Roma, 2 gusht 1943, Ora 18.00.Në PA/AA: Büro des Staatssekretärs, Akten betreffend Albanien vom 3. April 1939 bis 15. Juni 1944).

Këtu së pari lind pyetja, si është e mundur që konsulli gjerman ishte kaq shpejt i mirinformuar dhe prej kujt e kishte këtë informacion? Gjithë intensiteti i raportimit, por edhe saktësia e tij të çon në përfundimin se ky informacion vjen nga burim i dorës së parë dhe siç edhe vetë Schliep-i raporton disa ditë më vonë, në datën 23 gusht, ““Organizata për Çlirimin Kombëtar të Shqipërisë (siç gjermanët quanin Komitetin e Shpëtimit të Shqipërisë) nuk mund të merret në konsideratë [për bashkëpunim], sepse në të është i pranishëm fuqishëm elementi komunist, të cilët mbajnë lidhje me armikun. Fronti [Balli] Kombëtar, të cilët i janë bashkëngjitur organizatës, pavarësisht [se janë bashkuar në Komitet] më kanë dërguar lajm se, Fronti [Balli] Kombëtar do të luftojë vetëm italianët dhe jo kundër gjermanëve. Kryetari i bandës Abas Kupi (Bazi i Canës) pritet të mbajë të njëjtin qëndrim. Po ashtu mund të pritet që, shumica e ndjekësve të komunistëve të mbajnë fillimisht një qëndrim pritës ndaj nesh.”(Burimi: Telegram drejtuar Ministrsë së Jashtme Berlinnga Roma, 23 gusht 1943, nisur 0ra 0.10, mbërritur 1.30Në PA/AA: Büro des Staatssekretärs, Akten betreffend Albanien vom 3. April 1939 bis 15. Juni 1944).

Siç lexohet, nga gjithë pjesëmarrësit në Mukje, kushtet e bashkëpunimit nuk i plotësonin vetëm komunistët. Ndërsa për bashkëpunim i plotësonin ballistët, e disi më pak, zogistët.

Balli Kombëtar, për gjithë arsyet e sipërpërmendura, ndonëse fillimisht nuk u shpreh i gatshëm për bashkëpunim të hapur, deklaroi se të paktën nuk do të luftonte kundër tyre. Kësisoj, vendimi i Ballit Kombëtar në Mukje për një“luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve të mëdhenj Anglisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, si edhe popujve të shtypur kundër pushtuesve barbarë”, bie ndesh me atë çka ata prapa kulisave i kishin premtuar konsullit gjerman Schliep. Për çfarë lufte kishte premtuar Balli Kombëtar në Mukje, kur prishja e Marrëveshjes së Mukjes u shpall nga E. Hoxha në Labinot, më 4–9 shtator 1943?

Përveç pyetjes se nga e kishin informacionin gjermanët, që besoj se del qartë nga citatet e mësipërme, konsulli Schliep, në raportimin e datës 23 gusht për Ribentropp-in, hedh hije të forta dyshimi se ka qenë i përfshirë në hartimin e pikave të marrëveshjes. Ndër të tjera ai raporton se: “[…] sipas thirrjes programatike të këshillit të organizatës së përmendur të dorëzuar nga unë, duhet që pas largimit të armikut [nënkupton italianët – M.K], t’i lihet vetë popullit zgjedhja e formës së qeverisë”.(Burimi: Telegramnr. 4193, datë 22.8 drejtuar Ministrsë së Jashtme Berlin nga Roma më 23 gusht 1943, nisur 0ra 0.10, mbërritur 1.30. Në PA/AA: Büro des Staatssekretärs, Akten betreffend Albanien vom 3. April 1939 bis 15. Juni 1944).

Çka më sipër, por duke vlerësuar edhe qëndrimin e Ballit Kombëtar ndaj gjermanëve më pas gjatë pushtimit, arrihet në përfundimin se, Balli Kombëtar shkoi në Mukje më opsione të hapura, duke flirtuar si me britanikët, ashtu edhe me gjermanët. Edhe gjermanëve u interesonte ky flirtim. Axhenda e bisedimeve u përgatit nga kryesia e Ballit Kombëtar, kështu që dokumneti i sipërcituar e implikon rëndë Ballin Kombëtar. Duke ndjekur më tej këtë logjikë argumentuese, nëse do të funksiononte marrëveshja dhe marrja e drejtimit të luftës në tavolinë nga Balli Kombëtar, cili do të kishte qenë qëndrim i Komitetit pas pushtimit gjerman? Jo më kot Schliep raportonte edhe për krijimin e një kundërqeverie që do të dilte nga Komiteti, sepse ky ishte synimi. Sigurisht që, sipas planit elementi komunist në këtë qeveri do të ishte i papërfillshëm. Me shumë gjasa, Balli përsëri do të kishte bashkëpunuar, jo si formacion luftarak joqeveritar, por qeveritar. Ky nuk është spekullim, sepse ndodhi më vonë! Po ashtu, nëse ndodhte zbarkimi aleat, ai e gjente Ballin Kombëtar në krye të luftës dhe gjithë flirtimet me gjermanët ishin të panjohura për ta. Edhe ky nuk është spekullim, sepse ndodhi! Kur Balli Kombëtar u bind se zbarkimi nuk do të ndodhte, atëherë kaloi në bashkëpunim të hapur me gjermanët. Dhe dështimi i Mukjes ishte dhe vazhdon të jetë justifikimi për këtë hap të ndërmarrë.

Proklamatën e Mukjes të përkthyer, Schliep-i ia dërgoi Ribbentrop-it në Berlin. Mukja skicoi politikën gjermane të pushtimit. Në telegramin e datës 21 gusht që ai i dërgon nga Berlini Schliep-it, lexohet qartë kjo gjë. Sipas konceptit të paqësimit politik të Ribbentrop-it të gushtit 1943, pra ende pa kapitulluar Italia, konsulli Schliep duhej të kujdesej që të kontaktonte sa më shpejt me personalitete të përzgjedhur politikë shqiptarë, të cilët ishin të gatshëm që “me ndihmën tonë [gjermane] politike dhe ushtarake të merrnin drejtimin e vendit sa më shpejt në dorë dhe të viheshin në krye të një qeverie të tillë kombëtare”, e cila sigurisht që në plan të parë, duhej t’u shërbente interesave gjermane. Ribbentrop-i shpresoi fillimisht në një bashkëpunim me Komitetin e Shpëtimit të Shqipërisë, të dalë nga Mukja. Por, ky opsion nuk rezultoi i suksesshëm, sepse sipas Schliep-it “Organizata për Çlirimin Kombëtar të Shqipërisë (siç gjermanët quanin Komitetin e Shpëtimit të Shqipërisë) nuk mund të merret në konsideratë [për bashkëpunim], sepse në të është i pranishëm fuqishëm elementi komunist, të cilët mbajnë lidhje me armikun […]”.(PA/AA R27772) Për hir së vërtetës, elementi komunist nuk ishte i tillë.

Siç lexohet, nga gjithë pjesëmarrësit në Mukje, kushtet e bashkëpunimit nuk i plotësonin vetëm komunistët. Balli Kombëtar, për gjithë arsyet e sipërpërmendura, deklaroi fillimisht se të paktën nuk do të luftonte kundër tyre. Kësisoj, vendimi i Ballit Kombëtar në Mukje për një“luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve të mëdhenj Anglisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, si edhe popujve të shtypur kundër pushtuesve barbarë”, bie ndesh me atë çka ata prapa kulisave i kishin premtuar konsullit gjerman Schliep. E thënë shkoqur: Për çfarë lufte premtoi Balli Kombëtar në Mukje? E ndërkohë që, prishja e Marrëveshjes së Mukjes u shpall nga E. Hoxha në Labinot, më 4–9 shtator 1943.

Me shumë gjasa, nga tentativa e dështuar e shqiptarëve në Mukje për t’u bashkuar, përfituan vetëm gjermanët. Mukja hodhi bazat e politikës gjermane ndaj Shqipërisë. Ribbentrop-i e skicoi këtë politikë bazuar pikërisht në Proklamatën e Mukjes. Për të siguruar bashkëpunimin e shqiptarëve, Ribbentrop-i mendoi t’u premtonte atyre atë që ata dëshironin më shumë. Fakti që në vija të përgjithshme dhe për interesa ushtarake, politika gjermane ndaj Shqipërisë, konsistonte formalisht në krijimin e Shqipërisë së Madhe, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe qeverisjen e vendit nga një qeveri bashkëpunëtore progjermane, e shoqëruar me propagandën që ushtarët gjermanë nuk janë pushtues, por kalimtarë, të shpie natyrshëm në këtë përfundim. Për fat të mirë, jo të gjithë shqiptarët u gënjyen nga kjo lojë.


Disa interpretime të sotme, ku në qendër të tyre vendoset viktimizimi i Ballit Kombëtar nga komunistët, duke mos kryer analiza gjithëpërfshirëse historike, por duke u bazuar kryesisht në emocione dhe kujtime personale të protagonistëve ballistë, të shkruara kohë më vonë dhe siç ndodh shpesh në këtë gjini shkrimi, me ngjyrime narciziste, nuk e lan përgjegjësinë politike të Ballit Kombëtar për “lehtësirat” që i krijoi Enver Hoxhës për të ardhur në pushtet! Dokumentet gjermane të sipërcituara vërtetojnë se, Balli Kombëtar u orientua gabim, qysh në fillimet e tij. Duke besuar në fuqinë gjermane, kërkoi ta shfrytëzonte atë për të ardhur që gjatë luftës në pushtet, ose të paktën të dilte si faktor i fortë politik nga lufta, duke asgjesuar kundërshtarin politik me ndihmën e gjermanëve.

Për fatin e keq, mbështetja kërkohej te kampi i gabuar dhe jo te Aleatët. Drejtuesit e Ballit nuk e kuptuan mesazhin e kohës, por zgjodhën rrugën e rehatisë dhe jo të luftës. Në këtë këndvështrim, edhe Mukja ishte e destinuar të dështonte qysh në fillimet e saj. Nuk ishte Çështja Etnike dhe ndikimi jugosllav ajo që prishi marrëveshjen. Madje të pretendosh se nacionalistët shqiptarë u sakrifikuan për çështjen e Kosovës është naivitet! Të argumentosh se, një nga shkaqet e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes ishte edhe hapja plotësisht e rrugës për vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe përfshirjes së saj, si vend strategjik, në kampin e vendeve komuniste të Lindjes është injorancë historike. Se nga mund të dinte Balli Kombëtar se çfarë vendimesh do të merrnin aleatët në Konferencën e Jaltës dhe atë të Potsdamit në vitin 1945, një zot e merr vesh!

Edhe sikur Çështja Etnike të mos ishte trajtuar në Mukje, ose e thënë ndryshe emisarët jugosllavë të mos kishin pasur asnjë kundërshti, ky bashkëpunim nuk do të kishte funksionuar. Nëse FNÇ-ja ishte nën dominimin komunist, organet e dala nga Mukja dominoheshin nga ballistët. Po ashtu, të dyja palët nuk ishin të gatshme të pranonin rolin drejtues të palës tjetër! Është absurde të mendohet se, Partia Komuniste mund të pranonte një strukturë drejtuese të luftës që nuk dominohej prej saj, ndërkohë që kishte afro dy vjet që luftonte në qytet e në mal. Kështu që, tentativa e Ballit Kombëtar për të realizuar në Mukje një “Pezë të dytë” ishte një veprim i dështuar. Përse shumë nacionalistë – ata që më vonë e drejtuan Ballin Kombëtar – nuk e përkrahën platformën e Pezës dhe refuzuan bashkëpunimin me komunistët? Madje, mospjesëmarrja e elitës nacionaliste në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, mund të quhet pa hezitim dështimi i parë i tyre për t’u bashkuar në një front të vetëm kundër pushtuesit. Sigurisht që, Balli Kombëtar nuk mund të fajësohet për këtë gjë, sepse ende nuk ishte krijuar si organizatë. Një prezencë më e madhe nacionaliste në Pezë nuk do të kishte lejuar, ose të paktën do ia kishte vështirësuar punën PKSH-së, që ajo gradualisht të mbyste ndikimin nacionalist në FNÇ, ta dominonte atë, e nëpërmjet luftës të siguronte ardhjen e saj në pushtet. Flegmatizmi nacionalist lejoi që në Pezë të hidheshin rrënjët e komunizmit në Shqipëri.

Për të prishur këtë marrëveshje të pafavorshme për të, Enver Hoxha nuk kishte nevojë të merrte ndonjë urdhër nga jugosllavët. Edhe pa jugosllavët, kjo marrëveshje në këtë formë e përmbajtje nuk i interesonte atij dhe Partisë Komuniste. Prishja e njëanshme e Mukjes nga komunistët, nuk e justifikon Ballin Kombëtar nga përgjegjësia e dështimit politik dhe ushtarak si edhe të bashkëpunimit të kahershëm me pushtuesit. Ata nuk e kuptuan se ishin tejkaluar nga koha dhe ngjarjet. Pikërisht kjo është arsyeja, që ende sot Mukja vazhdon të përçajë shqiptarët, duke e bërë të pamundur trajtimin e saj me objektivitet.

Sot flitet për një ndjesë të munguar nga komunistët për krimet e bëra ndaj shqiptarëve gjatë sundimit 45-vjeçar të tyre. Me të drejtë! Kanë ndodhur! Ndjesa sigurisht që nuk rregullon gjithçka, por më së paku është fillimi i një reflektimi dhe paqëtimi. Por, mos ndoshta ka ardhur koha që edhe pala tjetër të bëjë të njëjtën gjë dhe të shikojë në mënyrë kritike qëndrimin e saj gjatë luftës? Antikomunizmi nuk ështe vlerë universale që zeron çdo veprim, dështim, bashkëpunim me pushtuesin apo krim ndaj bashkëkombësve. Edhe kjo palë ka plot kusure të tilla që duhet të kërkojë falje. Moskryerja e këtij veprimi nga të dyja palët nuk është gjë tjetër veçse një tregues i tranzicionit të gjatë politik, ekonomik, social, kulturor por edhe historik të Shqipërisë.


3 Gusht 2018