Marrëdhëniet financiare të Ali Pashë Tepelenës
Nga Jolanda Shuaipi
Ali Pashë Tepelena përfaqëson pa dyshim një nga personalitetet më karizmatike të epokës së vet pasi jo vetëm qëndroi në pushtet për 30 vjet, por u bë aktor dhe faktor i shumë zhvillimeve panevropiane.
Një aspekt pak i studiuar i epokës së tij janë marrëdhëniet financiare të Pashallëkut të Janinës në raport me Perandorinë Osmane, Venecian, Francën, Anglinë dhe Rusinë. Për drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi studimi i marrëdhënieve financiare të Pashallëkut të Janinës hedh dritë edhe në kontekstin historik të epokës së tij, si një nga etapat kalimtare të historisë sonë të afërme dhe që pati ndikime të rëndësishme gjeopolitike më vonë në shtetin e porsaformuar grek dhe në territoret shqiptare.
Një moment që veçohet gjatë kohës së udhëheqjes së tij është fakti se ai vendosi kontrollin mbi doganat, dhe i dha fund trafikut të paligjshëm, që mesa duket ka qenë dhe mbetet një plagë e përhershme në këta sektorë.
Studimi i marrëdhënieve financiare të Pashallëkut të Janinës hedh dritë edhe në kontekstin historik të epokës së tij, si një nga etapat kalimtare të historisë sonë të afërme, çfarë mund të mësojmë më shumë nga kjo epokë?
Dorian Koçi-Ali Pashë Tepelena është figura më interesante dhe më karizmatike e kapërcyellit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit të XIX në historinë e Shqipërisë. Koha në të cilën u brumos dhe ushtroi aktivitetin e tij pashai tepelenas ishte koha kur Ballkani dhe territoret perëndimore të tij nën kontaktin e drejtpërdrejtë me ushtrinë franceze që pushtuan ishujt jonianë dhe zhvillimit të një rrjeti tregtar të admirueshëm me Europën kaluan nga procesi i Mesjetës së vonë në iluminizëm dhe nacionalizëm.
Merita e Ali Pashë Tepelenës është se ai nuk u gjend i papërgatitur për të përjetuar këto ndryshime, por në varësi të rrethanave dhe gjeopolitikës evoluoi qëndrimet e veta politike nga një shkollë administrative e politike që e kishte përgatitur për të qenë një pasha tradicional otoman në një prijës makiavelik me tendenca moderniste të aftë për të krijuar shtetin e vet.
Ali Pashë Tepelena i përkiste klasës së ajanëve myslimanë, pushteti i të cilëve bazohej në mbrothësinë e tyre si pronarë tokash apo tregtie dhe marrëdhëniet e veta me qeverinë qendrore. Në vitet e qeverisjes së tij ishte shumë evidente dhe ngritja e shtresës së tregtarëve të krishterë.
Ky realitet i ri u pasqyrua dhe në një nga shtyllat e politikës së tij të brendshme, e cila ishte mbështetja e tregtisë me vepra zhvillimi. Tregtia me Evropën siguronte shpërblime të barabarta për tregtarin e krishterë dhe ajanin mysliman.
Ky i fundit furnizonte produktet bujqësore dhe mbronte tregtarin. Të dy grupet donin një sistem të lirë e të hapur tregtie brenda perandorisë dhe i kundërviheshin kontrollit dhe rregullave të qeverisë.
Pikërisht ky bashkëpunim midis ajanit mysliman dhe tregtarit të krishterë ishte një nga shtyllat më të forta shoqërore të shtetit të Aliut dhe dëshira për të zotëruar një territor ku të ushtronin aktivitetin e tyre ekonomik dhe politik lirisht ishin një nga shtysat për më tepër autonomi në Pashallëkun e Janinës.
Cilat ishin burimet e të ardhurave dhe sistemi financiar në Perandorinë Osmane dhe burimet e të ardhurave në Pashallëkun e Janinës?
Dorian Koçi-Pashallëku i Janinës ishte pjesë përbërëse e Perandorisë Otomane dhe sistemi taksave nga ku vileshin dhe të ardhurat ishin njëlloj si ato të Perandorisë Otomane. Llojet kryesore të taksave, që vileshin si pasojë e dhënies në përdorim të tokës, lidheshin me përqindjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Në Perandorinë Osmane taksat kryesore sher’i (fetare) ishin:
Yshyr-i ose e dhjeta. Në perandorinë osmane të gjithë shtetasve, myslimanë ose jomyslimanë, u kërkohej të paguhej yshyri. Raporti varionte nga 1/10 deri në 5/10, sipas krahinave.
Këto ndryshime pasqyroheshin dhe parashikoheshin në kanunnametë e sanxhaqeve. Vetëm pas reformave të Tanzimatit u zbatua parimi i uniformitetit dhe taksa filloi të mblidhej kudo në të njëjtin raport, 1/10, sipas emrit të saj.
Haraçi, ishte një lloj takse që lidhej me dy karakteristika të tokës. Së pari me madhësinë e saj dhe së dyti me shkallën e prodhimtarisë. Kjo e dyta paguhej vetëm nëse kultura bujqësore vilej.
Xhizja, ishte taksë për kokë për shtetasit meshkuj jomyslimanë të perandorisë. Vlerësohej si një taksë për frymë, që mblidhej nga burra të moshave nga 14- 75 vjeç.
Ndërkohë, grupi tjetër i taksave ishin ato që u paguheshin spahinjve. Por përveç detyrimeve për shtetin dhe feudalin spahi, fshatarët paguanin edhe një grup detyrimesh të jashtëzakonshme, që lidheshin me përmbushjen e nevojave të ushtrisë në kohë lufte dhe paqeje.
Si aplikoheshin taksat dhe tatimet, e po ashtu regjimi juridik i tokës si burim i të ardhurave?
Dorian Koçi-Dukuria e shndërrimit të sistemit të timarit në çifligje njohu një rritje, si sasiore (referuar numrit të çifligjeve), ashtu edhe cilësore (bashkimin e çifligjeve të vogla në disa të mëdha) dhe u zhvillua kryesisht në shekullin e XVIII deri në vitet ’30 të shekullit të XIX, pikërisht koha që përkon me sundimin e Ali Pashës në Pashallëkun e Janinës.
Ali Pasha dallohej si çifligari më i madh mes familjeve të tjera në Shqipëri (qoftë në jug, qoftë në veri), me mbi 900 çifligje, zotërime feudale, të cilat përfshinin Shqipërinë e Jugut, Maqedoninë dhe Greqinë e Veriut. Sipas Leak-ut, tokat e familjes së Aliut (çifligjet) sillnin të ardhura vjetore të barabarta me 1400 qese.
Ato tatoheshin deri në masën 4/10 në natyrë për produkte bujqësore, si grurë, elb, misër, verë, tërshërë, pambuk, lin, oriz, duhan dhe zarzavate, të cilat shiteshin në vend si dhe 1.000 qese që buronin nga eksportet e produkteve të mësipërme, duke shtuar edhe limonët, portokallet dhe lajthitë e oborreve private të Aliut.
Të dhënat e mësipërme, përveçse na shërbejnë për të identifikuar një nga burimet e të ardhurave të Ali Pashës, siç është toka dhe produktet e lidhura me të, në një këndvështrim tjetër, mund t’i shërbejnë çdo studiuesi për të bërë një vlerësim më të gjerë, lidhur me kulturat bujqësore që kultivoheshin në territoret e pashallëkut në përgjithësi dhe në zona, fshatra a krahina të ndryshme në veçanti. Burim tjetër i të ardhurave ishin doganat. Ali Pasha vendosi rrjetin e vet të doganave (gjymrykëve).
Nga njëra anë, duke vendosur autoritetin e tij edhe në këtë fushë, ai siguronte të ardhura, të cilat i administronte vetë. Vendosja e kontrollit mbi doganat nga ana e Ali Pashës, i dha fund trafikut të paligjshëm, që mesa duket ka qenë dhe mbetet një plagë e përhershme në këta sektorë.
Në këtë mënyrë, ai zëvendësoi këtë trafik me monopolin mbi doganat. Këto veprime energjike të Ali Pashës në fushën e doganave lidhen ngushtë edhe me kundërvënien e tij ndaj Portës së Lartë. Në kundërshtim me politikat e Stambollit, ai vendosi pothuajse një monopol të plotë mbi gjithë eksportin e drithërave nga territoret e tij.
Sipas Henri Holland: “Për sa u përket drithërave, vetë veziri ishte monopolisti më i madh i eksporteve”. Peshkimi ishte gjithashtu një aktivitet që sillte të ardhura të konsiderueshme në arkën e vezirit të Janinës.
Nuk duhet harruar që territori i Pashallëkut të Janinës kishte një vijë të gjerë bregdetare sidomos pas uzurpimit edhe të qyteteve si Parga, Butrinti etj. Nga ana tjetër, në këtë territor përdoreshin për efekt peshkimi edhe liqenet e pashallëkut, kryesisht ata të Janinës dhe Butrintit.
Edhe për peshkimin në liqenin e Janinës, Ali Pasha kishte vendosur monopolin e tij. E drejta për peshkim në liqen u jepej me qira ose me koncesion banorëve të ishullit më të madh, të cilët i paguanin Aliut 15.000 piastra në vit, plus furnizonin me dru rezidencën e tij në ishull, në këmbim të të drejtave ekskluzive mbi peshkimin e vitit.
Pak a shumë e njëjta procedurë zbatohej edhe në liqenin e Butrintit apo liqene të tjera më të vogla, ku janë ndërtuar dajlane për kapjen e peshkut. Dajlani i peshkimit në liqenin e Butrintit i ishte dhënë me qira peshkopit të Kalaritës dhe peshkopit të Dyzet Shenjtorëve, për 55 qese me para në vit.
Ndërsa e drejta për të peshkuar me rrjeta në liqene, laguna dhe lumenj, u është dhënë nga sipërmarrësit e taksave, korfiotëve (banorëve të Korfuzit), që për këtë sjellin shumë lundra.
Marrëdhëniet financiare në këtë periudhë kohe janë edhe një tregues mbi ndikimet e rëndësishme gjeopolitike më vonë në shtetin e porsaformuar grek dhe në territoret shqiptare. Si rrodhën ngjarjet financiare dhe historike?
Dorian Koçi-Në vitin e fundit të sundimit të tij, Ali Pasha aplikoi falje (ajo që ne e quajmë amnisti fiskale sot) lidhur me taksat që duhet të paguheshin, në masën 2250 groshë. Pas vdekjes së Aliut dhe nën sundimin e Hurshid Pashës, deri në vitin 1830, shtohen edhe 13 taksa të tjera, deri sa më 1831, kur u regjistruan familjet e të gjitha zonave të pashallëkut, u bë unifikimi (njësimi) i taksave, përveç taksës së verës, e cila afirmohet si një taksë e përgjithshme.
Të gjitha llojet e taksave të përmendura më sipër, vileshin në mënyrë të drejtpërdrejtë, përveç taksës së doganës, e cila vilej në mënyrë të tërthortë.
Në përshkrimet e të gjithë atyre që kanë njohur nga afër Ali Pashën dhe shtetin e tij, që nga Pouqueville-i te Leake-u, nga Henri Holland të Hughes, si dhe nga historianë grekë e të tjerë, dëshmohet që taksat e aplikuara ishin shumë të rënda dhe të papërballueshme, pra dëshmohet një aspekt tjetër i ashpërsisë së Ali Pashës ndaj shtetasve të vet.
Gjithsesi, nisur nga numri i madh i veprave publike që ai la pas, besohet se një pjesë më e madhe e tyre u investuan në Pashallëkun e Janinës. Gjithashtu në studime të ndryshme numërohen vepra të shumta publike të ndërtuara me këto të ardhura.
Nëse ju kërkojmë të vlerësoni figurën e Ali Pashë Tepelenës, me të gjitha njohuritë tuaja mbi të, a mund të quhet periudha e sundimit të tij si e “artë” fal hovit ekonomik ose zhvillimeve të tjera që ndodhën në atë periudhë kohe?
Dorian Koçi-Padyshim që periudha e tij ishte një periudhë e ashpër, por që la gjurmë në idenë e shtetndërtimit mes shqiptarëve dhe grekëve. Studime të ndryshme numërojnë vepra të shumta publike të ndërtuara me këto të ardhura. Këto punë publike konsistojnë në: ndërtime rrugësh, bujtinash apo hanesh, duke lehtësuar udhëtarët dhe tregtarët e shumtë që qarkullonin nga një anë e Perandorisë në tjetrën.
Sipas Katherine E. Fleming në veprën e saj “Bonaparti mysliman, diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës”, duke iu referuar Leake, thuhet se nga Trikalla në Janinë, kishte hane për çdo një orë rrugë.
Vepra bonifikuese si tharja e kënetës dhe moçaleve në veri të Artës, nën drejtimin e inxhinierëve evropianë, duke e shndërruar atë në një nga fushat më pjellore në vend. Ngritja e urave dhe vendosja e trageteve në lumin Drinos.
Ndërtimi i objekteve me karakter rezidencial, fortifikues ushtarak, si kalaja e Tepelenës, kalaja e Palermos etj. Nxitja e ndërtimit të objekteve me karakter kulturor, si gjimnazi “Zosimea“. Është e njohur shprehja që përdorej në atë kohë për Janinën: “Janina e para në armë, në groshë dhe në kulturë”.
Rebelimi i tij shënon kundërvënien e parë serioze të një pushteti lokal mysliman shqiptar me pushtetin qendror perandorak osman dhe si e tillë përbën një rast të veçantë studimi dhe meriton vëmendjen e duhur të historiografisë europiane.
Tregtia në Pashallëkun e Janinës
Ishte një sektor jashtëzakonisht fitimprurës, jo vetëm për tregtarët, por edhe për vetë arkën e Ali Pashës. Kur flasim për tregtinë sigurisht kemi parasysh edhe tregun e brendshëm edhe atë të jashtëm. Territoret e pashallëkut kanë patur një histori të suksesshme në tregtinë ndërkombëtare.
Tregtarët e Janinës prej disa shekujsh zhvillonin tregti me qytetet italiane, e inkurajuar kjo sidomos në kushtet e sundimit venedikas. Produktet kryesore që eksportoheshin nga Janina drejt Europës ishin pëlhurat, lënda drusore, leshi dhe lëkurët e bagëtive, kuajt etj., ndërsa importoheshin kryesisht artikuj luksi nga Europa.
15 Qershor 2018