Marin Barleti, vepër monumentale

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

Ribotimi i veprës “Rrethimi i Shkodrës” i Marin Barletit ka dhe diçka të re: përkthyesi Henrik Lacaj këtë botim e paraqet në formën e normës së gjuhës letrare shqipe, duke u ngritur kështu mbi disa forma dialektore të gegërishtes të përdorura prej tij më parë, duke saktësuar në ndonjë vend dhe përmbajtjen e ndonjë fraze apo fjalie duke e pasuruar strukturën e përkthimit, – e kjo bën që lexuesi ta lexojë e ta rilexojë edhe më me endje veprën e Barletit.

Vepra “Rrethimi i Shkodrës” u botua latinisht në Venedik në datën 10 Janar të vitit 1504 nga tipografi me origjinë shqiptare Bernard-Vitabuli, shqiptarësinë e të cilit e thekson sidomos dijetari venedikas bashkëkohor, Antonio Sabaliko (1436-1506).

Sapo u botua, vepra pati një jehonë të madhe jo vetëm te shqiptarët e diasporës në Itali, por në tërë Evropën gjë që bëri të njohur Marin Barletin si një nga figurat e shquara të humanizmit evropian dhe padyshim si kryefigurën e humanizmit kulturor shqiptar.

Marin Barleti ishte në moshë të re kur qyteti i tij i lindjes Shkodra, përjetoi rrethimet e saj të egra nga ushtritë osmane.

Siç e tregon vetë Barleti, në atë kohë ai rrëmbeu shpatën e luftoi mbi bedenat e kështjellës si luftëtar për të mbrojtur Shkodrën e lirinë.

Pra, Barleti fitoi kështu të drejtën e dëshmitarit të ngjarjeve të kronikanit që kishte parë e përjetuar gjithçka drejtpërsëdrejti “in visu”.


Me librin e tij “Rrethimi i Shkodrës” Marin Barleti është themeluesi e babai i historiografisë shqiptare, të cilën ai e paraqiti me dinjitet e krenari përballë tërë veprave historiografike të popujve të tjerë të kontinentit.

Gjithashtu, Barleti, si tek “Rrethimi i Shkodrës” e sidomos tek kryevepra e tij mbi jetën e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut paraqitet jo vetëm si një dijetar i shkencës historike, por dhe si një shkrimtar me një stil të fuqishëm që e kërkon dhe e përdor siç duhet forcën e fjalës, që përdor një botë figurash të guximshme e , i frymëzuar thellësisht nga kultura e lashtë, si dhe nga kultura popullore e folklori shqiptar.


Vepra “Rrethimi i Shkodrës” nis me një parathënie të Barletit ku ai shtjellon arsyet që e shtynë për ta shkruar veprën e tij si dhe mendimet humaniste të cilat i ka kudo, të punës e të krijimit.

Kështu ai shkruan:

“Kur në historinë e njerëzimit ndodh diçka e jashtëzakonshme… dalin disa njerëz, të cilët jo vetëm që e vështrojnë me njëfarë admirimi atë ngjarje… por, për më tepër përpiqen ta përjetësojnë dhe me anën e penës…

Kurrë s’do të kaloja në heshtje e me mosmirënjohje një ngjarje kaq të rëndësishme (është fjala për rrethimin e Shkodrës në 1474 dhe 1476 – shënimi im M.Z.), por me një mënyrë ose më një tjetër do të orvatesha ta përjetësoja me një përmendore letrare…

Qëllimi ishte që të dukej se e kreva detyrën time ndaj Atdheut si qytetar i ndershëm”.

Këto rreshta flasin qartë për veprën patriotike të ndërmarrë nga Barleti, për motivet shtytëse e burimin e frymëzimit.

Vepra “Rrethimi i Shkodrës”, është ndërtuar në formën e 3 librave, që lidhen me njëri-tjetrin nga përmbajtja e nga forma.

Në librin e parë Barleti me erudicion të madh për kohën jep mendime të autorëve të lashtë e bashkëkohës mbi origjinën e turqve, flet për pushtimet e tyre, për emrat e sulltanëve deri në pushtimin e Konstandinopojës në vitin 1453.

Në librin e parë Barleti përqendrohet edhe rreth origjinës së vetë qytetit të Shkodrës duke dhënë mjaft shënime historike e gojëdhëna, si dhe bën një përshkrim gjeografik e arkitektonik të kështjellës së Shkodrës.

Këto shënime janë me vlera dhe e tregojnë autorin si një njeri me njohje të gjerë.

Barleti ka të drejtë kur e cilëson Shkodrën si një qytet që s’e ka themeluar Aleksandri i Madh, se Shkodra është shumë e vjetër në kohë.

Barleti shkruan:

“Më patën rënë në dorë disa shkrime, më tepër se sa anale ku flitej më shumë për meremetimin që i bënë këtij qyteti stërgjyshërit tanë, se sa për ndërtimin e tij.

Ishte shkruar aty në gjuhën popullore se njëfarë Roze, me motrën e saj të quajtur Fa, qenë themelueset e para të Shkodrës e prandaj fortesa e saj u quajt Rozafa”

Nga këto rreshta mësojmë se të paktën deri në fund të shekullit XV ekzistonin akoma dorëshkrime e dokumente “në gjuhën popullore”, d.m.th. në gjuhën shqipe, gjithashtu mësojmë edhe shpjegimin e parë për emrin e legjendës tregimtare të kalasë së Rozafës, që i atribuohet dy motrave.

Edhe në legjendën e kënduar nga rapsodët, riti i sakrificës njerëzore në themelet e mureve lidhet po me figurën e një gruaje që në këtë rast mban emrin Rozafa, emër të cilin Barleti e shpjegon si sintezë e bashkëngjitje të y emrave të bashkëthemelueseve të Shkodrës.

E dhëna e Barletit është me interes për folkloristikën tonë e atë Ballkanike, gjë e cila do të përbënte në vetvete një subjekt studimi të veçantë.


Në librin e dytë Barleti përshkruan të gjitha përpjekjet e sforcuara që bën Sulltan Mehmeti II për pushtimin e rrethimin e Shkodrës në 1474 e 1478.

Përshkrimet këtu kanë karakter epik, gjë që u jep paraqitja e operacioneve ushtarake të rrethimit, e bombardimeve të rënda të artilerisë dhe e qëndresës së madhe të kështjellarëve arbër.


Libri i dytë përbën kulminacionin e tërë veprës.

Në librin e tretë Barleti na jep epilogun tragjik të luftimeve, rënien heroike të kështjellave të Zhabjakut, Drishtit, Lezhës e, në fund fare, të vetë Shkodrës.


Barleti e botoi veprën e tij në vitin 1504.

Në vitin 1474 Gjergj Merula (1431-1494) hartoi relacionin e tij me njoftime historike të quajtur „Lufta e Shkodrës“ në formën e një letre drejtuar Jakov Merulës e Françesk Gambarinit.

Në vitin 1503, humanisti shqiptar me origjinë nga Shkodra Marin Biçikemi kishte botuar një fjalim panegjirik ku, i nisur nga motive atdhetare ngriti lart heroizmin e shkodranëve.

„Unë vetë e mora, përsipër barrën, shkruan Biçikemi, që të mos flisja si një letrar privat, por si një orator i atdheut tim fatzi“.


Marin Barleti i ka njohur shkrimet e Marulës e Biçikemit, por nga shumësia e të dhënave, nga struktura epike e ndërtimit të veprës së tij, nga pasioni e forca e të shkruarit, nga logjika e fakteve historike ia kalon e i kapërcen shumë dy të parët.

Ai paraqitet në veprën „Rrethimi i Shkodrës si një historian humanist, e shkrimtar i shquar, i formuar nga pikëpamja kulturore, i mbrujtur me një koherencë konceptesh e mendimesh atdhetare, shkencore dhe letrare.

Vepra „Rrethimi i Shkodrës“ është në fakt parathënia e veprës mbi Skënderbeun që do të botonte në vitet 1508-1510 në Romë.

Barleti me këto vepra do të bëhej autori i parë shqiptar me famë botërore, që do të përkthehej e ribotohej vazhdimisht për shekuj me radhë.


„Rrethimi i Shkodrës“, është një përmendore letrare e heroizmit të shqiptarëve në fundin e shekullit XV në muret e qytetit të Shkodrës, që përsëriste epopenë madhështore të rrethimeve të Krujës.

Barleti, përveç përshkrimit të situatave, ngjarjeve e informacionit historik ndalet në figurat e mbrojtësve me emra duke i portretizuar me dashuri.


Kështu Barleti flet për kryearkitektin e Shkodrës të quajtur Donat, për trimat luftëtarë Llesh e Nikollë Begani, për Bartolomeon, që kishte shërbyer vite më parë nën urdhrat e vetë Skënderbeut të madh, për Nikollë, Jakob dhe Moncin Movetën – tre vëllezër që u shquan në luftime etj.

Barleti mburret për origjinën e të parëve, të shqiptarëve, të cilët sipas tij rrjedhin nga Pirroja i madh.

Barleti për shqiptarët shkruan se:

„Ata s’përkulen, s’thyhen dhe si të pathyeshëm që janë ata nuk shtrohen me armë…, ata s’e pranojnë sundimin e të huajit.“

Libri „Rrethimi i Shkodrës“ ka interes të veçantë dhe për gjuhëtarët, etnografët, arkeologët, për arsye se Barleti i jep të dhëna interesante në këto drejtime.

Kështu, kur flet për qytetin e Krujës Barleti bën një shpjegim etimologjik të drejtë shkencor e është i pari dijetar që e shpjegon emrin e Krujës me fjalën shqipe krua, burim – gjë që e ka pranuar si të drejtë shkenca gjuhësore e sotme.

Barleti vë në dukje „se fjala „besë“ për ta (është fjala për shqiptarët – shënim im, M.Z.) është diçka e veçantë dhe tradicionale“ duke na dëshmuar kështu i pari një element kyç të ekzistencës së kanunit të lashtë shqiptar të veriut, që njihet sot me emrin e Lekë Dukagjinit.

Gjithashtu, Barleti përshkruan gërmadha monumentesh, qytetesh, objektesh kulti etj., që u interesojnë historianëve të arkitekturës e të artit.

Natyrisht lëvdatat panegjirike ndaj Venedikut te Barleti kanë karakter koniunkturor e të sipërfaqshëm, që në fakt janë larg thelbit racional të veprës e dashurisë së tij të pavdekshme për mëmëdhenë.


Libri mbyllet me epilogun tragjik të rënies së Shkodrës, por në të nuk ndihet asnjë frymë disfatizmi apo fatalizmi, por përkundrazi, e tërë vepra është plot optimizëm, plot besim në fitoren mbi armiqtë, plot atdhedashuri, duke u lënë e transmetuar brezave mesazhin e pamortshëm të qëndresës e vazhdimësisë. (Viti 1983)