Malakia - Kapitulli 3
|
1 "Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën para meje. Dhe menjëherë Zoti, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e vet, engjëlli i besëlidhjes që ju kërkoni me endje, ja, do të vijë", thotë Zoti i ushtrive.
2 "Po kush do të mund të durojë ditën e ardhjes së tij? Kush do të mund të qëndrojë më këmbë ditën kur ai do të shfaqet? Ai është si zjarri i shkrirësit, si soda e larësve.
3 Ai do të ulet si ai që shkrin dhe pastron argjendin; do t'i pastrojë bijtë e Levit dhe do t'i rafinojë si arin e argjendin, me qëllim që ata të mund t'i ofrojnë Zotit një blatim me drejtësi.
4 Atëherë oferta e Judës dhe e Jeruzalemit do të pëlqehet nga Zoti, si në kohët e shkuara, si në vitet e mëparshme.
5 Kështu unë do t'ju afrohem për gjykim dhe do të jem një dëshmitar i gatshëm kundër magjistarëve, kundër shkelësve të kurorës, kundër atyre që bëjnë betime të rreme, kundër atyre që vjedhin mëditjen e punëtorit, që shtypin të venë dhe jetimin, që dëbojnë të huajin dhe nuk më kanë frikë", thotë Zoti i ushtrive.
6 "Unë jam Zoti, nuk ndryshoj; prandaj ju, o bij të Jakobit, nuk jeni konsumuar.
7 Që në ditët e etërve tuaj ju jeni larguar nga statutet e mia dhe nuk i keni respektuar. Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem tek ju", thotë Zoti i ushtrive. "Por ju thoni: "Si duhet të kthehemi?".
8 Një njeri do të vjedhë Perëndinë? Megjithatë ju më vidhni dhe pastaj thoni: "Çfarë të kemi vjedhur?". Të dhjetën dhe ofertat.
9 Mallkimi ju ka qëlluar, sepse më vidhni, po, mbarë kombi.
10 Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë", thotë Zoti i ushtrive, "në se unë nuk do t'i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini.
11 Përveç kësaj do të qortoj shumë për ju gllabëruesin, me qëllim që ai të mos shkatërrojë më frytin e tokës suaj, dhe vreshti juaj nuk do të rreshtë të sjellë për ju fryt në fushë", thotë Zoti i ushtrive.
12 "Të gjitha kombet do t'ju shpallin të lumtur, sepse ju do të jeni një vend kënaqësish", thotë Zoti i ushtrive.
13 "Keni përdorur fjalë të ashpra kundër meje", thotë Zoti. "Megjithatë thoni: "Çfarë kemi thënë kundër teje?".
14 Keni thënë: "Éshtë e kotë t'i shërbesh Perëndisë; ç'përfitim kemi nga respektimi i urdhërimeve të tij dhe nga vajtja para Zotit të ushtrive të veshur me rroba zie?
15 Prandaj ne i shpallim të lumtur krenarët. Ata që kryejnë paudhësi jo vetëm përfitojnë, por ndonëse e provokojnë Perëndinë, mbeten të pandëshkuar"".
16 Atëherë ata që kishin frikë nga Zoti i folën njëri tjetrit. Zoti i dëgjoi me vemendje dhe një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij.
17 "Ata do të jenë të mitë", thotë Zoti i ushtrive, "ditën kur unë përgatis thesarin tim të veçantë, dhe unë do t'i fal, ashtu si e fal njeriu birin që i shërben atij.
18 Atëherë do të shikoni përsëri ndryshimin ndërmjet të drejtit dhe të pabesit, ndërmjet atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben atij".