Më shumë respekt për historinë!

Nga Wikibooks

Nga Hamza Malaj

Para ca kohësh, një nga krerët e ballit kombëtar për t’u mbrojtur nga akuzat ndaj tyre, citoi një shprehje kur Enver Hoxha kishte thënë se edhe ballistët, gjatë luftës Nacional Çlirimtare ishin treguar shumë trima, se dhe ata shqiptarë ishin. Po! Kjo është e vërtetë, e kam lexuar edhe unë. Veç kjo shprehje është marrë jashtë kontekstit dhe jo e plotë: “Ata ishin trima, po ju mungonte ideali”, ideal që u bë pluhur e hi pranë komandaturave gjermane. Kështu e keni ju. Kur ju intereson, Enverin e merrni si kriter të së vërtetës, ndërsa në të kundërtën e krahasoni me Hitlerin, Musolinin dhe Stalinin. Vetëm me Zogun nuk e krahasoni. Dhe kjo sepse Zogu ka shtatore në bulevard. Dhe në të njëjtën kohë ai sipas studiuesve tanë, kishte ndërtuar shtetin modern. Karagjozllëk! A mund të ketë shtet modern pa një Universitet, pa një akademi të shkencave, pa një hekurudhë apo hidrocentral, me 90% të popullsisë analfabete, me një ushtri të shkatërruar, dhe me një vend ku bënte kërdinë malarja dhe sëmundjet e tjera?

Prandaj është absurditet krahasim i tillë. Hitleri e Musolini i vunë zjarrin një bote të tërë ku u vranë mbi 50 milionë njerëz. Ndërsa Enver Hoxha, në krye të një ushtrie vullnetare, e theksoj vullnetare, çliroi atdheun nga bishat nazi-fashiste dhe pastaj e mbrojti atë deri edhe nga ballistët që hidheshin me parashutë nga ajri dhe vrisnin vajzat shqiptare! Dhe pse? Sepse shkonin vullnetare për të ndërtuar hekurudhat e hidrocentralet, apo se shkonin në kurset kundër analfabetizmit! Dhe cilët e kryenin këtë? Të ashtuquajturit demokratë që e kishin mohuar Atdheun. Është për të ardhur keq që edhe një deputete, shumë aktivë në politikë nuk u kujtua qoftë edhe një herë të vetme të kishte përmendur heroinat e Mirditës bashkëkrahinoret e saj, ndërsa vrasësve të tyre u dhuron buzëqeshje. Për juve edhe dita e çlirimit 29 Nëntor i vitit 1944, është një ditë e zezë. Vetëm bastardët mund të gjykojnë kështu. E dini ju zonja deputete se Shqipëria ka qenë 6 vjet e pushtuar nga nazi-fashizmi? E dini që çdo luftë, ashtu si çdo fenomen shoqëror, ka një fillim dhe një mbarim? Mbarimi për ne është dita e çlirimit. 29 Nëntori i vitit 1944. Për ne që luftuam me armikun, kjo ditë është e shenjtë. Ajo është një monument krenar dhe përmbledh sakrifica të pashoqe, të djemve e vajzave 20-25 vjeçare. Juve ashtu mbetshi të zinj, siç dëshironi, por kjo nuk është as zgjuarsi, as trimëri. Dua të të kujtoj vetëm kaq. Popujt edhe kur nuk i kanë simbolet dhe heronjtë, i krijojnë vetë! Ne s ‘kemi nevojë se i kemi bile me shumicë! Pavarësisht se ndonjë deputet hedh baltë si mbi heronjtë edhe mbi përmendoret!

Zonjë, urreje sa të duash Enverin, por mos harro se gjermanët nuk e zhvarrosën Hitlerin, kurse italianët i bënë bust Musolinit dhe mbesën e tij e kanë deputete. Si diktator, si perandor, si mbret, apo republikan ata janë pjesë e historisë së çdo populli, edhe të popullit tonë.

Po juve urrejtja ju ka errësuar logjikën. Aq sa pjesëtarët e ushtrisë Nacional Çlirimtare i etiketoni si “Lufta e Pleqve” si të ishin në ndonjë azil. Nëse jemi plakur apo jemi akoma te rinj këtë e dinë vetëm bashkëshortet tona, nuk e di nëse i ke pyetur dhe të janë ankuar!

Ata që nuk e njohin Enver Hoxhën si komandant të përgjithshëm të Ushtrisë Naçl, duhet të pranojnë edhe që luftë të dytë botërore nuk ka patur, ose duhet të pranojmë që Shqipëria nuk mori pjesë në këtë luftë. Po a mund të mbahet ky shkëmb kaq i rëndë mbi supe? Si do të injorojmë ne betejat tona, dëshmorët tanë, fshatrat e përvëluara?

Duke mënjanuar Enver Hoxhën ne mënjanojmë një periudhë të tërë, periudhën më të ndritshme të historisë tonë të re!

Pavarësisht se kishin ushtrinë tonë që udhëhiqej e drejtohej nga komandat dhe shtabet që arriti deri në Korporata, që kishte hierarkinë e gradave, përsëri disa ballistë duan ta fshinë këtë periudhë dhe harrojnë se pranë ushtrisë tonë qëndronin edhe aleatët tanë të mëdhenj, që kanë vlerësuar me respekt luftën Naçl, edhe udhëheqjen e saj.

Të vjen çudi dhe mbushem me keqardhje kur dëgjon ca pseudo historianë, që kanë frikë të thonë të vërtetën, që nuk flasin për marrëveshjen e Mitat Frashërit me Greqinë, apo atë të Pasiçit me Ahmet Zogun! Sipas tyre, edhe populli shqiptar dhe ushtria e tij shkuan në këtë luftë, pa organizim, pa udhëheqje, njësoj siç na përshkruan Enciklopedia Maqedonase që disa fise të prapambetura, zbritën nga malet dhe erdhën në fusha. Njësoj sikur ky heroizëm të kishte kaluar jo mbi shpinën dhe gjakun e popullit tonë, por mbi malet e tij!


3 Shtator 2018