Jump to content

Lumo Xhafo – një aventurë amerikane

Nga Wikibooks

Dy netë më parë Lumo Xhafo e fiku qiririn e jetës së tij me një dashuri të madhe për Shqipërinë. Të gjitha botimet e tij historike, librat e shkruar veçanërisht këto 30 vjet i kushtohen Shqipërisë, por lidhja e tij shqiptare është një lidhje e hershme që atëherë kur babai i tij Kasim Xhafo, në lulen e rinisë, la Filatin e Çamërisë dhe u nis për kurbet drejt Amerikës gati pothuaj para një shekulli, në fillimet e viteve ’20.

Në shtëpinë time kam një fotografi të Kasimit bashkë me anëtarët e bandës muzikore të shqiptarëve të Hartfordit, ku ai luan mandolinë. Kishte shpirt artisti Kasimi, por ishte dhe atdhetar i flaktë edhe pse gjithnjë i urtë dhe i paqtë, një zotni që ishte i afërt me familjen Belushi por dhe një njeri që i ndenji besnik shqiptarëve të Vatrës gjer në fund. Nga Hartford, Kasimi u kthye në Filat të merrte nuse Ilfanin dhe të kthehej përsëri në Amerikë për të vazhduar këtë aventurë amerikane që do të vazhdonte më pas dhe me fëmijët e tij.

Në 1959, Kasimit iu mbush mendja të vinte të jetonte në Tiranë bashkë me katër fëmijët, pranë njerëzve të familjes së tij, pasi në Filat greku ia kishte marrë shtëpitë. Ai shiti kafenenë e tij dhe mori rrugën e gjatë drejt Shqipërisë por shpejt, pas gëzimit të rigjetjes së vëllait, motrës, kushërinjve të afërt e kuptoi se nuk mund të qënronte aty. Katër fëmijët e tij, të rritur tashmë, Lumo, Cufi, Vera dhe Lulja, që kishin lenë shkollat amerikane, donin të ktheheshin dhe kështu me zemër të thyer Kasimi u kthye. Kishte shumë trisht në sytë e tij.

E kujtoj gjithnjë me nostalgji ardhjen e tyre një natë të errët pa drita në barakën e mjerë të vëllait që ishte një roje i thjeshtë e po kështu dhe largimin e shpejtë, pasi Kasimit i kishin thënë se s’ka punë tjetër për të veç të shiste cigare! Kështu, aventura amerikane vazhdoi, por tashmë dhe për djemtë e vajzat e tij. Kur motra e tij, Nazo dhe gjyshja ime, vdiq, po atë ditë erdhi një letër nga Amerika: Kasimi pyeste për shëndetin e motrës që e donte aq shumë… Lumo mbaroi universitetin, por një pasion i veçantë për të ishte piktura, punimet në guash dhe akuarel e veçanërisht peizazhet në natyrë, çka e ngazëllente gjithnjë.

Pas hapjes së Shqipërisë me botën, Lumo zbarkoi menjëherë në Shqipëri, u martua dhe pati një djalë, Jasonin, i cili sot ka mbaruar universitetin dhe është një instrumentist i shkëlqyer, çka mua më kujton gjyshin e tij… Shoh sot pikturat e librat e Lumos, duke menduar gjithnjë sesa shumë ai e deshi ai këtë vend, Shqipërinë edhe pse larg saj, historinë legjendare dhe figurën e Skenderbeut të cilit i kushtoi disa vjet studime… Qiriri i Lumos u shua në heshtje, por biri i tij vazhdon tashmë po të njëjtën aventurë dhe po të njëjtën dashuri për rrënjët e të parëve.


15 nëntor 2018