Jump to content

Luka - Kapitulli 3

Nga Wikibooks
Dhjata e Re
< LUKA >
Kapitulli 3
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24


1 Tani në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, Herodi tetrarku i Galilesë, i vëllai, Filipi, tetrarku i Itureas dhe i krahinës së Trakonitidës dhe Lizania tetrarku i Abilenës,

2 nën kryepriftërinjtë Ana dhe Kajfa, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarias, në shkretëtirë.

3 Atëherë ai e përshkoi gjithë krahinën përreth Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për faljen e mëkateve,

4 ashtu siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: "Ja zëri i njërit që bërtet në shkretirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij!

5 Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen

6 dhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë".

7 Ai, pra, u thoshte turmave që shkonin të pagëzoheshin prej tij: "Pjellë nepërkash, kush ju ka mesuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen?

8 Bëni, pra, fryte të denja pendimi dhe mos filloni të thoni brenda jush: "Ne kemi Abrahamin për Atë", sepse unë po ju them se Perëndia mund t'i nxjerrë fëmijë Abrahamit edhe nga këta gurë.

9 Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo pemë që nuk jep fryt të mirë do të pritet dhe do të hidhet në zjarr".

10 Dhe turmat e pyesnin, duke thënë: "Dhe ne, pra, ç'të bëjmë?".

11 Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: "Ai që ka dy tunika le t'i ndajë me atë që s'ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu".

12 Tani erdhën edhe disa tagrambledhës që të pagëzohen dhe e pyetën: "Mësues, ç'duhet të bëjmë?".

13 Dhe ai u tha atyre: "Mos vilni asgjë më tepër nga sa ju është urdhëruar".

14 Edhe ushtarët e pyetën duke thënë: "Dhe ne, ç'duhet të bëjmë?". Dhe ai u tha atyre: "Mos i bëni shantazh asnjeriu, mos i bëni akuza të rreme kurrkujt dhe jini të kënaqur me pagën tuaj!".

15 Dhe populli ishte në pritje dhe të gjithë pyesnin në zemrat e veta nëse Gjoni ishte Krishti vetë.

16 Gjoni u përgjigj duke u thënë të gjithëve: "Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen ai që është më i fortë nga unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t'ia zgjidh lidhëset e sandaleve; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.

17 Ai mban në dorë lopatën e vet, për ta pastruar krejt lëmin e vet dhe për të mbledhur grurin në hambarin e tij, por bykun do ta djegë me zjarr që nuk shuhet".

18 Kështu ai e ungjillizonte popullin duke e këshilluar me shumë mënyra të tjera.

19 Por Herodi, tetraku, mbasi u qortua prej tij për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të tij Filipit, dhe për të gjitha mbrapshtitë që ai kishte kryer,

20 U shtoi të gjitha të tjerave edhe këtë, domethënë e futi Gjonin në burg.

21 Tani, si u pagëzua gjithë populli, edhe Jezusi u pagëzua; dhe ndërsa po lutej, qielli u hap

22 dhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të, në trajtën trupore si të pëllumbit, dhe nga qielli erdhi një zë, që thoshte: "Ti je Biri im i dashur, në ty unë jam kënaqur!".

23 Dhe Jezusi ishte rreth tridhjetë vjeç; dhe e pandehnin se ishte bir i Jozefit, bir i Elit;

24 bir i Mathatit, bir i Levit, bir i Melkit, bir i Janas, bir i Jozefit;

25 bir i Matathias, bir i Amosit, bir i Naumit, bir i Eslit, bir i Nagait;

26 bir i Maathit, bir i Matathias, bir i Semeit, bir i Jozefit, bir i Judës;

27 bir i Joannas, bir i Resas, bir i Zorobabelit, bir i Salatielit, bir i Nerit;

28 bir i Melkit, bir i Adit, bir i Kosamit, bir i Elmodamit, bir i Erit;

29 bir i Joseut, bir i Eliezerit, bir i Iorimit, bir i Mathatit, bir i Levit;

30 bir i Simeonit, bir i Judës, bir i Jozefit, bir i Jonanit, bir i Eliakimit;

31 bir i Meleas, bir i Menas, bir i Matathas, bir i Natanit, bir i Davidit;

32 bir i Jeseut, bir i Obedit, bir i Boozit, bir i Salmonit, bir i Naasonit;

33 bir i Aminadabit, bir i Aramit, bir i Esromit, bir i Faresit, bir i Judës;

34 bir i Jakobit, bir i Isakut, bir i Abrahamit, bir i Tares, bir i Nakorit;

35 bir i Serukut, bir i Ragaut, bir i Pelekut, bir i Eberit, bir i Selës;

36 bir i Kainanit, bir i Arfaksadit, bir i Semit, bir i Noeut, bir i Lamekut;

37 bir i Mathusalës, bir i Enokut, bir i Jaredit, bir i Mahalaleelit, bir i Kainanit;

38 bir i Enosit, bir i Setit, bir i Adamit, i Perëndisë.