Libri i namazit/Sifati thubutije

Nga Wikibooks

Sifati thubutije[redakto]

Cilësitë e qëndrueshme të përhershme të Allahut (xheleshanuhu)

1. Hajat - All-llahu Te’álá është Një, Ai jeton. Jeta e Tij nuk i përngjet jetës së krijesave dhe është një jetë e denjë dhe e posaçme vetëm për Të, e përhershme dhe e gjithmonshme.

2. Ilm - All-llahu(xheleshanuhu) di gjithçka. Dija e Tij nuk është si dija e krijesave. Në natën errët Ai sheh dhe di të ecurit e milingonës mbi një gur të zi. I di mendimet, qëllimet që kalojnë nëpër zemrat e njerëzve. Dija e Tij është e përhershme dhe e gjithmonshme.

3. Sem - All-llahu(xheleshanuhu) dëgjon gjithçka. Të dëgjuarit e Tij është pa mjet e pa drejtim. Të dëgjuarit e Tij nuk i përngjet të dëgjuarit të njerëzve. Si të gjitha cilësitë e Tij edhe kjo cilësi është e përhershme.

4. Besar - All-llahu(xheleshanuhu) sheh gjithçka. Sheh pa mjet e pa kusht. Të pamët e Tij nuk është me sy.

5. Iradet - All-llahu(xheleshanuhu) ka vullnetin e Vet. Atë që dëshiron, e krijon. Gjithçka bëhet me vullnetin e Tij. Nuk ka kurrfarë force që do të mund t’i bëhej pengesë vullnetit të Tij.

6. Kudret - All-llahu(xheleshanuhu) është i plotfuqishëm; gjithçka mund të bëjë dhe asgjë nuk mund ta pengojë.

7. Kelam - All-llahu(xheleshanuhu), flet me të folurit e Vet hyjnor. Të folurit e Tij, pra, nuk bëhet me ndonjë mjet, as me tinguj, as me zëra e gjuhë.

8. Tevkin - All-llahu(xheleshanuhu) është krijuesi i gjithçkaje dhe nuk ka Krijues tjetër veç Tij. Çdo gjë e krijon vetëm Ai. Përveç All-llahut xheleshanuhu nuk i duhet thënë tjetërkujt krijues.

T’i kuptosh të vërtetat e cilësive të All-llahut Te’álá, është e pamundur. Askush dhe asgjë nuk mund t’u bëhet shok cilësive dhe emrave të All-llahut (xheleshanuhu) dhe as nuk mund t’u përngjajë atyre.