Jump to content

Libri i namazit/Si falet namazi

Nga Wikibooks

Si falet namazi

[redakto]

Për namazin e mashkullit që falet vetëm po sjellim një shembull Sunnetin e namazit të sabahut i cili falet kështu:

1. Së pari kthehemi nga kiblja. Këmbët i mbajmë paralelisht të ndara nga njëra-tjetra në largësi rreth katër gishta. Me gishta të mëdhenj të duarve prekim të butin e veshëve, pëllëmbët të hapura i kthejmë nga kiblja dhe me zemër e gojë shqiptojmë: “E bëra nijet (vendosa) për kënaqësi të Zotit të fal sunnetin e namazit të sabahut të sotëm, u ktheva nga kiblja dhe u ujdisa(ndjek) Kuranit” dhe e shqiptojmë tekbirin: All-llahu ekber, e pastaj i bashkojmë duart nën kërthizë duke vënë dorën e djathtë mbi të majtën.

2. Sytë i drejtojmë në vendin ku do të bëjmë sexhdenë, dhe lexojmë: a) Subhaneke, b) Eudhu Besmelen, pastaj Fatihanë, c) pas Fatihasë, pa lexuar Besmelen, lexojmë një sure (të shkurtër).

3. Pas leximit të sures, duke thënë All-llahu ekber, përkulemi në ruku. Me duar mbulojmë kapakët e gjunjëve, belin e mbajmë drejt dhe duke mos i ndarë sytë nga këmbët, themi: Subhane rabbije-l-adhîm tri herë. Mund të thuhet edhe pesë ose shtatë herë.

4. Duke thënë Semiall-llahu limen hamideh, drejtohemi dhe, kur qëndrojmë drejt, shqiptojmë: Rabbena leke-l-hamd.

5. Pa qëndruar shumë në këmbë, duke thënë All-llahu ekber biem në sexhde. Duke rënë në sexhde në tokë vëmë me radhë: a) gjurin e djathtë, pastaj gjurin e majtë, pastaj dorën e djathtë, dorën e majtë, hundën dhe ballin; b) gishtat e këmbëve mblidhen në drejtim të kibles, c) koka vihet në mes dy duarve; ç) gishtat e duarve shtrihen përpara, d) së bashku me brendinë e pëllëmbëve shtrihen përtokë; dh) duke qenë në këtë gjëndje, themi së paku tri herë: Subhane rabbije-l-a’la.

6. Duke thënë All-llahu ekber ngrihemi nga sexhdja dhe këmba e majtë shtrihet në tokë, gishtat e këmbës së djathtë mblidhen në drejtim të kibles dhe ulemi në gjunjë. Duart vihen mbi gjunjë me gishta të shtrirë.

7. Pa ndenjur ulur tepër në gjunjë, duke thënë All-llahu ekber kthehemi prapë në sexhden e dytë.

8. Përsëri, në sexhde, së paku tri herë, themi Subhane rabbije-l-a’la dhe duke shqiptuar All-llahu ekber, ngrihemi në këmbë. Duke u ngritur nga sexhdja, së pari duhet ngritur balli nga toka, pastaj hunda, e pastaj dora e majtë dhe dora e djathtë dhe në fund gjuri i majtë dhe i djathti.

9. Kur marrim pozitën në këmbë, për të filluar rekatin e dytë, pas Besmeles lexojmë Fatihanë, e pastaj një sure (të shkurtër) dhe duke shqiptuar All-llahu ekber, përkulemi në ruku.

10. Edhe rekati i dytë bëhet deri në fund në atë mënyrë siç është përshkruar rekati i parë. Vetëm që pas sexhdes së dytë, kur të themi All-llahu ekber, pa u ngritur në këmbë, ulemi në gjunjë dhe:

a) Pasi t’i lexojmë lutjet (duatë): Ettehijjatu, All-llahumme sal-li, All-llahumme barik dhe Rabbena âtîna, japim selam, së pari në anën e djathtë duke thënë Esselâmu alejkum ve rahmetull-llah, e pastaj në të majtën Esselâmu alejkum ve rahmetull-llah.

b) Pasi të japim selam, themi: All-llahumme entesselamu ve minkes selâm tebarekte jâ dhe-l-xhelâli vel ikrâm, dhe pa folur fare, ngrihemi të falim farzin e sabahut. Sepse, të flasësh ndërmjet sunnetit dhe farzit, edhe pse nuk e prish namazin, i pakëson sevapet.

Pas namazit, këndohen: tri herë Estagfirull-llah, pastaj Ajetel kursija dhe tridhjetë e tre herë Subhanall-llah, tridhjetë e tre herë Elhamdulil-lah dhe tridhjetëetre herë All-llahu ekber. Këto duhen kënduar pa zë. Të këndosh me zë është bidat(shtesë).

Më pastaj bëhet duaja. Në dua meshkujt i çojnë duart në lartësi të gjoksit. Hapen pëllëmbët. Brendia e shuplakës kthehet drejt qiellit. Sepse ashtu siç është Qabeja kible e namazit, ashtu është qielli kible e lutjes. Pas duasë, duke lexuar ajetin Subhane rabbike..., i fërkojmë duart për fytyre.

Për rekatin e dytë në sunnete dhe farzet katër rekatëshe lexohet Ettehijatu dhe çohemi në këmbë. Në rekatet e treta dhe të katërta të sunneteve, pas Fatihasë, këndohet një sure (e shkurtër). Në rekatet e treta e të katërta të farzeve këndohet vetëm Fatihaja. Edhe farzi i akshamit falet kështu. Pra, në rekatin e tretë të tij nuk këndohet sureja. Kurse në namazin e vitrit në çdo rekat, pas Fatihasë, këndohet sure shtesë. Në rekatin e fundit pas sures merret tekbir dhe duart ngrihen te veshët. Pastaj këndohen duatë e Kunutit. Edhe sunnetet e para të ikindisë dhe jacisë, që janë Gajri muekked, janë si sunnetet e tjera, veçse në ndenjen pas rekatit të dytë, pas Tehijatit, këndohen edhe Salavatet.

Namazi i gruas që falet vetëm

Për shembull, Sunneti i namazit të sabahut falet kështu:

1. Së pari mbulohet trupi prej kokës deri te këmbët. Vetëm duart dhe fytyra mbeten të pambuluara. Suret dhe duatë që do t’i këndojë në namaz, janë sikur të namazit të mashkullit që falet vetëm. Ndërsa pjesët që ndryshojnë janë këto:

a) Duart nuk i ngrenë si meshkujt te veshët; duke i çuar duart në lartësinë e supeve, gruaja e bën nijet, merr tekbir, i lidh duart mbi gjoks dhe fillon namazin.

b) Në ruku nuk qëndron plotësisht drejt.

c) Në sexhde bërrylat i shtrin në tokë.

ç) Në tehijat ulet mbi kofsha. Domethënë, këmba e djathtë dhe e majtë janë në anë të djathtë, dhe ulet mbi të majtën.

Për gratë, forma më e lehtë për t’u mbuluar mirë në namaz, është një shami e gjerë që do t’i mbulojë edhe duart edhe një fund i gjatë e i gjërë, që do t’i mbulojë edhe këmbët.

VAXHIBET E NAMAZIT

Vaxhibet e namazit janë këto:

1. Të lexohet sureja Fatiha.

2. Pas Fatihasë, të lexohet një sure dhe një apo së paku tre ajete të shkurtra.

3. Të lexohet Fatihaja para sures.

4. Suren që lexohet pas Fatihasë, ta lexojmë në rekatin e parë e të dytë të farzeve dhe në çdo rekat të sunneteve.

5. Suret të lexohen radhazi njëra pas tjetrës.

6. Fatihanë ta lexosh një herë në çdo rekat të namazeve sunnet e vaxhib.

7. Të rrish ulur (teshehud) pas rekatit të dytë të namazeve tre dhe katër rekatëshe. Qëndrimi ulur i fundit, është farz.

8. Në rekatin e dytë të rrish ulur më tepër se teshehhudi.

9. Në sexhde t’i vësh bashkarisht hundën dhe ballin në tokë.

10. Kur të ulesh në rekatin e fundit, të këndosh Ettehijatu.

11. Në namaz t’i përshtatesh pjesëve përbërëse të namazit (ruknet).

12. Në fund të namazit të thuash: Esselamu alejkum ve rahmetullah.

13. Në fund të rekatit të tretë të vitër namazit, të këndosh duanë e Kunutit.

14. Të marrësh tekbire në namazet e bajrameve.

15. Të kënduarit e imamit me zë të lartë në namazet e sabahut, xhumasë, bajramit, teravisë, vitrit dhe në dy rekatet e para të akshamit e të jacisë.

16. Të lexuarit e imamit pa zë dhe të atij që falet vetëm në farzet e drekës dhe ikindisë dhe në rekatin e tretë të akshamit në rekatin e tretë e të katërt të jacisë.

Natën e kurban bajramit nga namazi i sabahut e deri në namazin e ikindisë të ditës së katërt, pas njëzet e tri namazeve farz të këndohet tekbiri; All-llahu ekber, All-llahu ekber, la ilâhe il-lall-llah, vall-llahu ekber, All-llahu ekber ve lil-lahi-l-hamd, është vaxhib.

SEHVI SEXHDE (Sexhdeja përmirësuese e harresës): Ai që fal namaz, nëse me dije ose me harresë, lë një pjesë që është farz në namaz, e prish namazin. Nëse një vaxhib e lëshon me harresë, nuk e prish atë. Por, duhet të bëjë Sehvi sexhde (Sexhde plotësuese-përmirësuese). Nëse e lë pa falur edhe me qëllim, namazi nuk prishet. Por është i mangët. Sehvi sexhde nuk është vaxhib. Por është vaxhib të falet përsëri ai namaz. Nëse nuk e fal, është gjynahqar. Nëse e lë pa falur me qëllim një sunnet, bën gjynah. Por, namazi nuk prishet. Nëse e lë pa falur me harresë, nuk bëhet Sehvi sexhde.

Nëse ke bërë disa gabime duke lënë pa plotësuar në namaz dhe të duhen disa Sehvi sexhde, mjafton të bëhet një herë. Nëse imami gabon dhe ia tërheqin vërejtjen, kërkohet Sehvi sexhde. Nëse ai që falet mbas imamit gabon, nuk bën Sehvi sexhde vetë, pa imam.

Sehvi sexhdja bëhet pasi të kendojmë tehijjatu dhe pasi të jepet selam në një anë, pra i bëjmë dy sexhde, ulemi dhe tani këndojmë Ettehijjatu, Salavatet dhe duatë e namazi plotësohet. Sehvi sexhdja mund të bëhet edhe pasi të jepet selam në të dy anët ose pa dhënë selam fare.

Kështu për shembull: Të ngrihesh kur duhet të rrish ulur; të rrish ulur kur duhet të ngrihesh; Të lexosh pa zë kur duhet të lexohet zëshëm; Të lexosh zëshëm kur kërkohet të lexohet pa zë; Ku kërkohet dua, të lexosh nga Kur’ani; Ku këndohet nga Kur’ani, të lexosh dua; Si p.sh.,: në vend të sures Fatiha të lexosh duanë Ettehijjatu, këtu domethënë është braktisur Fatihaja; Të japësh selam pa e plotësuar namazin; Të ngrihesh në këmbë pasi të jetë plotësuar namazi; Të lexosh sure të shkurtër në rekatet e treta dhe të katërta të namazeve farz pas Fatihasë; Të mos e lexosh suren e shkurtër pas Fatihasë në dy rekatet e para;Të leshë pa kënduar tekbiret e namazit të bajramit; Të leshë pa kënduar duanë e Kunutit në namaz të Vitrit, - të gjitha këto janë raste që kërkojnë të bëhet Sehvi sexhde.

SEXHDE-I TILAVETI: Në Kur’an në katërmbëdhjetë vende ka ajete me sexhde. Ai që e lexon njërin nga këto ajete, ose edhe ai që e dëgjon, edhe nëse nuk e kupton domethënien, e ka vaxhib të bëjë një sexhde. Kjo pra quhet sexhde-i tilavet ose Sexhdja e këndimit të Kur’anit.

Për ata që e dëgjojnë zërin që oshëtinë dhe kthehet prapë nga malet, shkretëtirat dhe nga vende të tjera, nuk është vaxhib të bëjnë sexhde. Për të bërë sexhden kërkohet të jetë zë njeriu. Më parë është thënë se zëri që vjen nga radioja nuk konsiderohet zë njeriu, sepse është zë i një mjeti të pashpirt, që i përngjet zërit të hafëzit. Për këtë arsye, ai që i dëgjon ajetet me sexhde të kënduara nga radioja dhe magnetofoni nuk e ka vaxhib të bëjë Sexhde-i tilavet.

Për të bërë Sexhde-i tilavet duhet të jesh me abdest, i kthyer nga kibla, të qëndrosh në këmbë para se t’i ngresh duart te veshët dhe duke shqiptuar All-llahu ekber, të lëshohesh në sexhde. Tri herë thuhet Subhane rabbije-l-a’la. Pastaj, duke thënë All-llahu ekber ngrihesh nga sexhdja dhe Sexhde-i tilaveti kryhet. Së pari duhet bërë nijeti, se pa nijet nuk pranohet.

Kur lexohet në namaz, menjëherë bëhen ndarazi rukuja dhe një sexhde dhe ngrihemi në këmbë e vazhdojmë leximin. Pas leximit të ajetit me sexhde dhe tri ajete pas tij, nëse përkulemi në ruku dhe nëse bëhet nijeti i Sexhdei tilavetit, rukuja dhe sexhdet e namazit zënë edhe vendin e Sexhde-i tilavetit. Ai që falet me xhemat, sapo të lexojë imami ajetin me sexhde, edhe pse nuk ka dëgjuar që imami e ka lexuar bashkë me imamin bën një ruku dhe dy sexhde veçazi. Xhemati në ruku duhet ta bëjë nijet. Jashtë namazit, Sexhde-i tilaveti mund të lihet për më vonë.

SEXHDJA E FALËNDERIMIT është si Sexhde-i tileveti. Atij që i vjen një nimet - begati, dhe ai që shpëton nga një problem, është e meritueshme që për All-llahut Te’álá të bëjë një sexhde falënderimi - mirënjohjeje. Në sexhde së pari thotë: Elhamdulil-lah pastaj e lexon Subhane rabbijel a’la. Të bësh sexhde pas namazit, është mekruh.

Është thënë se ai që nuk i kushton kujdes përpikmërisë së pjesëve përbërëse të namazit (rukneve) në namaz, u bën dëm të gjitha krijesave. Sepse për shkak të gjynahut të atij personi, nuk bien shira, nuk mbijnë të mbjellat dhe bien shira pas kohe, kështu që, në vend që të sjellin dobi, bëjnë dëme.