Libri i namazit/Namazi i xhumasë
Namazi i xhumasë
[redakto]All-llahut Te’álá e ka veçuar ditën e premte me madhërinë e Tij.Ai ka madhëruar myslimanët qënë kohën e drekes(të ylesë) të kësaj dite të falin namazin e xhumasë.
All-llahu Te’álá, në ajetet 9 e 10 të sures El-Xhum'a urdhëron: "O ju që besuat, kur thirret ezani për namaz ditën e xhuma, shpejtoni për të dëgjuar hytben dhe për të falur namazin e xhumasë dhe lini shitblerjen. Kjo është shumë e dobishme për ju nëse e dini. E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë për t'i kryer punët tuaja të jetës dhe kërkoni begatinë e All-llahut, por edhe ta përmendni shpesh All-llahun, ashtu që të gjeni shpëtim ."
Pas namazit, ai që do, shkon dhe kryen punën, ai që do rri në xhami dhe fal namaz, këndon Kur'an dhe bën dua. Kur të fillojë koha e namazit të xhumasë, shitblerja është gjynah .
Pejgamberi ynë (salall-llahu alejhi ve selem) në hadithe të ndryshme ka theksuar:
"Muslimani nëse merr gusul (lahet) ditën e xhuma dhe shkon në namaz të xhumasë, i falen gjunahet e një jave dhe për çdo hap i jepen sevape".
"Më e vlefshmja prej ditëve është dita e xhuma. Dita e xhuma është më e vlefshme se dita e bajramit dhe se dita e ashureve. Dita e xhuma është bajrami (festa) i besimtarëve në dynja e në ahiret."
"Nëse dikush, pa qenë i penguar, nuk i fal tri namaze të xhumasë, All-llahu Te’álá ia vulos zemrën dhe nuk bën mirësi më"
"Pas namazit të xhumasë, është një çast që lutja e besimtarit atë çast, nuk refuzohet".
"Atë që pas namazit të xhumasë e lexon shtatë herë suren Ihlas dhe Muavazetejn (Felak dhe Nass), All-llahu Te’álá e ruan një javë nga fatkeqësia, nga belaja dhe nga punët e këqija".
"Ashtu siç u është dhënë dita e shtunë jahudinjve, dita e diel të krishterëve edhe dita e xhuma u është dhënë myslimanëve. Këtë ditë, për myslimanët ka mirësi dhe bereqet".
Për ibadetet e bëra ditën e premte, u jepen më së paku dyfish sevap se për ibadetet e bëra ditëve të tjera. Edhe gjynahet e bëra ditën e premte, regjistrohen dyfish.
Ditën e premte tubohen shpirtat dhe njihen me njëri- tjetrin. Dhe është mirë të vizitohen varrezat. Këtë ditë ndërpriten ndëshkimi në varr. Sipas disa dijetarëve ndëshkimi i besimtarëve tashmë nuk fillon. Besimtarët që vdesin këtë ditë dhe në natën e saj, nuk e vuajnë dënimin e varrit. Gjithashtu ditën e premte Xhehennemi nuk është shumë i nxehtë. Ademi alejhisselam është krijuar ditën e xhuma dhe po ditën e xhuma ai është nxjerrë nga Xhenneti. Xhennetlinjtë, All-llahun Te’álá do ta shohin ditëve të xhuma.
Farzet e namazit të xhumasë
Ditën e xhuma falen gjashtëmbëdhjetë rekate. Prej këtyre dy rekate janë farz për t'u falur. Ky është farz shumë më i fuqishëm se namazi farz i drekës. Për të qenë farz namazi i xhumasë, ka dy lloje kushtesh:
1. Kushtet Eda (borxhi ose shpagimi e diçkaje që është si borxh)
2. Kushtet Vuxhub (që s'mund të braktiset, i nevojshëm).
Nëse njëri nga kushtet “eda” nuk plotësohet, namazi nuk pranohet. Edhe nëse mungojnë kushtet vuxhub pranohet.
Kushtet e quajtura eda, domethënë kushtet për të qenë i drejtë namazi i xhumasë janë shtatë:
1. Ta falësh namazin në qytet (mendohet në vendbanim më të madh, me xhami).
2. Të falim me leje të kryetarit të shtetit, valiut ose të udhëheqësit të Bashkësisë fetare. Hatibi i caktuar nga këta, mund ta lërë zëvendës tjetërkënd në vend të tij. (Në rastin tonë Bashkësia Islame, pra kryetari i saj i autorizon imamët për faljen e xhumasë).
3. Të falet në kohë të namazit të drekës.
4. Të lexohet hytbja gjatë kësaj kohe. (Alimët thonë se të lexuarit e hytbes së xhumasë është të thuash All-llahu ekber duke ndenjur në namaz).
Hytbja është fjalim instruktiv i imamit që mbahet për lavdrimet e All-llahut, falenderimin e Pejgamberit dhe si këshillim i myslimanëve nga vendi i shenjtë i quajtur minber. Hytbja duhet të dëgjohet me respekt dhe kujdes. Një pjesë e hytbes shprehet në gjuhën tonë e një pjesë në gjuhën arabe. Ta lexosh shkurt hytben, është sunnet. E ta lexosh gjatë, është mekruh.
5. Të lexohet hytbja para namazit.
6. Namazi i xhumasë të falet me xhemat.
7. Dyert e xhamisë të jenë të hapur për çdo kënd.
Kushtet e namazit të xhumasë të quajtur vuxhub janë nëntë:
1. Të banosh në atë qendër banimi. Për mysafirët nuk është farz.
2. Të jeshë i shëndoshë, për të sëmurët, për kujdestarin që nuk mund ta lërë të sëmurin dhe për pleqtë nuk është farz.
3. Të jesh i lirë(të mos jeshë rob)
4. Të jesh mashkull. Për femrat nuk është farz.
5. Të jesh i mençur dhe i moshës madhore (i pjekur).
6. Të mos jesh qorr. Për të verbrin, edhe nëse ka kush e dërgon rrugës, nuk është farz.
7. Të mund të ecësh. Edhe nëse ka mjet transporti, për të paralizuarin, për atë pa këmbë, nuk është farz.
8. Të mos jesh i burgosur dhe të mos kesh frikën e armikut, të pushtetit dhe të gabitësit.
9. Të mos ketë shi, borë, furtunë, baltë dhe të ftohtë të tepruar.
Si falet namazi i xhumasë?
Ditën e xhuma, kur thirret ezani i drekës, falen gjithsej gjashtëmbëdhjetë rekate, përfshirë edhe ato të xhumasë. Këto radhiten si vijon.
1. Së pari falen vetëm katër rekate sunnet të xhumasë. Ky sunnet falet si sunneti i parë i drekës. Për këtë nijeti bëhet kështu: "E bëra nijet, në emër të All-llahut të fal sunnetin e parë të xhumasë, u ktheva nga kiblja".
2. Pastaj, pas faljes së sunnetit, brenda në xhami këndohet ezani i dytë dhe hytbja.
3. Pasi të këndohet hytbja, këndohet ikameti dhe me xhemat falet farzi dyrekatësh i namazit të xhumasë. Për farz nijeti bëhet kështu: "E bëra nijet në emër të All-llahut, ta falin farzin e xhumasë. U ktheva nga kiblja, iu mbështeta imamit".
4. Pasi të falet farzi i namazit të xhumasë, falet sunneti i dytë i xhumasë prej katër rekatesh. Edhe ky sunnet falet sikur sunneti i parë i drekës.
5. Pas këtij, mund t'i falim katër rekatet ahiri dhuhrit (të drekës së mbramë) e cila theksohet me nijet dhe falet sikurse farzi i drekës
6. Dhe në fund dy rekate të quajtura sunnetu-l-vakti, i cili duhet theksuar me nijet dhe falet sikur sunneti i mbramë i drekës.
7. Dhe më pastaj lexohen “ajetin kursi”bëhen tespihet dhe duaja.
Sunnetet dhe të mirat e ditës së xhuma
1. Xhumanë ta presësh që nga dita e enjte.
2. Ditën e xhuma të marrësh gusul (të lahesh).
3. Të rruhesh (ai që mban mjekër, ta rregullojë) dhe t'i presh thonjtë.
4. Të shkosh herët, aq sa mundesh, për namazin e xhumasë.
5. Që të kalosh në safe të përparme, nuk duhet kaluar nëpër supe të xhematit.
6. Të mos kalosh përpara atij që fal namaz në xhami.
7. Të mos flasësh asgjë pasi të hipë predikusi në minber, madje të mos i përgjigjesh me shenja atij që flet, dhe të mos e përsëritësh ezanin.
8. Pas namazit të xhumasë t'i lexosh shtatë herë suret Fatiha, Kafirun, Ihlas, Felak dhe Nas.
9. Të rrish në xhami deri në ikindi dhe të bësh ibadet.
10. Të jesh i pranishëm në mësimet, ligjëratat e dijetarëve të Ehli sunnetit.
11. Ta kalosh ditën e xhuma gjithnjë me ibadet.
12. Të këndosh salavate ditën e xhuma.
13. Të këndosh Kur'ani Kerim. Duhet kënduar sureja Kehf.
14. Të japësh sadaka.
15. Të vizitosh nënën, babanë apo varret e tyre.
16. Të përgatisësh mjaft ushqime dhe ëmbëlsira në shtëpi.
17. Të falësh shumë namaz. Atyre të cilëve u ka mbetur namazi për kaza, duhet të falin atë namaz.