Jump to content

Libri i namazit/Fshehtësia e namazit

Nga Wikibooks

Fshehtësia e namazit

[redakto]

Imam Rabbani në vëllimin e parë të librit të tij "Mektubat", në letrën e tij të treqind e shtatë, thotë:

Pasi ta falënderojmë All-llahun Te’álá dhe pasi t'i këndojmë salavate Pejgamberit (salall-llahu alejhi ve selem), të lutemi për të arritur lumturinë e përjetshme. All-llahu në shumë ajete të Kur'anit njofton se besimtarët që bëjnë vepra të mira, do të hyjnë në Xhennet. Cilat janë këto vepra të mira, të gjitha punët e mira apo vetëm disa prej tyre? Nëse janë të gjitha gjërat e mira, këto nuk mund t'i bëjë askush. Nëse janë disa, atëherë cilat vepra të mira kërkohen? Më në fund All-llahu duke pasur mirësinë, ka njoftuar që shtylla e veprave të mira janë pesë pjesët përbërëse të Islamit. Kush i punon këto pesë themele të Islamit me njëmendësi dhe me devotshmëri, pa i lënë gjë mangut, do të shpëtojë nga Xhehennemi. Sepse këto, në të vërtetë janë punë të mira dhe njeriun e ruajnë nga gjynahet dhe nga punët e këqija. Pikërisht kështu në Kur'an, në ajetin 45 të sures Ankebut urdhërohet: "Namazi i falur pa të meta, vërtet të largon nga punët e këqija e të shëmtuara". Nëse një njeri ka fatin që t'i realizojë të pesta kushtet e Islamit, do të thotë se ka falënderuar për të mirat e dhuruara nga All-llahu. Sepse All-llahu në ajetin 146 të sures Nisa pohon kështu: "Po besuat dhe falënderuat, nuk ndëshkoj". Prandaj, duhet punuar me gjithë zemër që të realizohen pesë kushtet e Islamit.

Më i rëndësishmi nga këto pesë kushte është namazi, i cili është shtyllë e besimit. Duhen bërë përpjekje që namazi të falet pa përjashtuar asnjë rregull të tij. Nëse namazi është falur i saktë, është vënë themeli kryesor dhe më i madh i Islamit, është siguruar litari i shëndoshë që të shpëton nga Xhehennemi. Zoti na e mundësoftë të gjithë neve të falim namaz të drejtë.

Kur qëndrojmë në namaz, themi All-llahu ekber, që do të thotë se All-llahu Te’álá nuk ka nevojë për ibadet e asnjë krijese, nuk ka nevojë për asgjë dhe se namazet e njerëzve nuk do të jenë të dobishme për Atë. Meqë edhe në tesbihet në ruku është kjo domethënie, pas rukusë nuk është urdhëruar tekbiri. Mirëpo, pas tesbiheve të sexhdeve është urdhëruar. Sepse, meqë në sexhde është përulja më e madhe dhe meqë është maksimumi i përuljes dhe nënshtrimit, kur e bën këtë, mendohet se përnjëmend ke bërë ibadet të plotë. Për t'u mbrojtur nga ky mendim duke rënë dhe duke u ngritur nga sexhdeja, sikurse është sunnet të shqiptohet tekbiri, në tesbihet e sexhdesë është urdhëruar të thuash (a'la). Për shkak se namazi është miraxh i besimtarit është urdhëruar që në fund të namazit të lexohet Ettehijjatu, me leximin e të cilët u nderua Pejgamberi ynë (salall-llahu alejhi ve selem) natën e miraxhit. Atëherë, ai që fal namaz, namazin duhet t'ia bëjë miraxh vetes. Kulmi i afrimit tek All-llahu duhet kërkuar në namaz.

Pejgamberi ynë (salall-llahu alejhi ve selem) ka thënë: "Koha kur njeriu është më afër Krijuesit të tij, është koha kur fal namaz". Njeriu që fal namaz, e sheh se është duke biseduar me Zotin. Duke iu lutur Atij dhe Madhështisë së Tij dhe se përveç Tij nuk ka asgjë. Për këtë arsye, për shkak se në namaz do të arrihet frika, droja, për të gjetur ngushëllim dhe qetësim, është urdhëruar që në fund të namazit të jepet selam dy herë.

H. Muhamed (salall-llahu alejhi ve selem) në një hadith urdhëron: "Pas namazit farz, të bëhen 33 tesbihe, 33 tahmid, 33 tekbire dhe një tehlil". Arsyeja e kësaj: me Tesbihe mbulohen fajet (kusuret) në namaz. Njoftohet se nuk është bërë ibadeti i saktë, që meriton të bëhet. Me Tahmid i bëhet shukër-falenderim, për këtë dhuratë të madhe që njeriu është nderuar me falje të namazit duke ditur se edhe kjo arrihet me ndihmën e Tij. Dhe duke bërë Tekbir, deklarohet se veç Tij askush nuk është i denjë për ibadet.

Të falësh namazin në përputhje me rregullat dhe kushtet e tija, dhe kështu t'i mbulosh kusuret (fajet) e bëra dhe ta falenderosh Atë që të ka mundësuar faljen e namazit dhe se në ibadet nuk ka askush tjetër të denjë, duke e kumtuar me zemër të pastër dhe të sinqertë me Kelime-i tevhid, ky namaz mund të pranohet. Personi i tillë, bëhet nga falësit e namazit dhe nga të shpëtuarit. O Zot! na bëj prej atyre robëve të tu të lumtur, që falin namaz e shpëtojnë. Amin!