Libri i namazit/Farzet e namazit
=== Farzet e namazit ===
Farz quhet urdhri i prerë i All-llahut xheleshanuhu, që duhet të kryhet. Derisa nuk kryhen plotësisht farzet e një ibadeti, ai farz nuk është i drejtë. Duke falur namaz, duhet të realizohen dymbëdhjetë kushte (farze). Farzeve të jashtme(para namazit) u thuhet sharte (kushte), ndërsa të brendshmeve Rukne.
A) Kushtet e jashtme të namazit janë:
1.Hadesten taharet: Të marrësh abdest ose të lahesh. Nëse nuk ke mundësi për këto dy të parat, të marrësh tejemum.
2.Nexhaseten taharet: Trupi, petku dhe vendi ku do të falim namaz, duhet të jenë të pastër sipas rregullave të fesë sonë. (Për shembull, në fenë tonë gjërat, si: gjaku, urina, alkoli konsiderohen papastërti).
3.Setr-i auret: Të vishen sipas rregullit. Të mbulosh auretin (pjesët e turpshme). Mbulimi i vendeve të auretit është urdhër i All-llahut xheleshanuhu. Njeriu i ngarkuar me obligime fetare, gjatë faljes së namazit e ka të ndaluar të zbulojë ose t’i shfaqë vendet e auretit t’i shikojnë apo t’i shikojë të tjetrit. Auret (vende të turpshme) për mashkullin është pjesa e trupit nga kërthiza e deri nën gjunjë, kurse për gratë, përveç fytyrës dhe duarve, tërë pjesa tjetër e trupit është auret dhe duhet të mbulohet.
4.Istikbal-i kible: Të kthehesh nga kibla. Kur fal namaz duhet të kthehesh nga kibla. Kibla e myslimanëve është Qabeja e madhërueshme që gjendet në qytetin e Mekës. Hapësira përreth saj, prej tokës deri në arsh, është kible.
5. Vakit: Të falesh në kohën e duhur. Namazi duhet të falet në kohën e tij. Duhet ditur se kur fillon dhe mbaron koha e namazit dhe namazi i falur duhet të përcillet nga zemra.
6. Nijeti: Kur e fillon namazin, duhet të bësh nijet (të vendosësh) me zemër dhe ta thuash me gojë. Ta thuash vetëm me gojë, nuk quhet nijet. Të bësh nijet për namaz, domethënë me zemër të përcjellësh emrin e tij, kohën, kiblen; nëse falemi me xhemat, t’i drejtohemi imamit. Nijeti bëhet duke u thënë tekbiri fillestar. Nijeti i bërë pas tekbirit, nuk është i vlefshëm dhe ai namaz nuk pranohet.
B) Kushtet e mbrendshme të namazit
(Pjesët përbërëse - ruknet e namazit)
Kur të hyjmë në namaz, janë gjashtë kushte që duhen zbatuar. Secili nga këto gjashtë kushte quhet Rukn - pjesë përbërëse e namazit. Farzet - kushtet e brendshme të namazit janë këto:
1. Iftitah tekbiri - tekbiri fillestar. Duke hyrë na namaz, të thuash All-llahu ekber. Me thënjen e ndonjë fjale tjetër nuk konsiderohet se është marrë tekbiri.
2. Kiam - qëndrimi në këmbë, pra kur fillon namazin dhe derisa të falesh duhet të qëndrohet në këmbë. I sëmuri që nuk mund të qëndrojë në këmbë, falet ulur. Ai që nuk mund të falet ulur, falet shtrirë me shenja dhe nuk lejohet të falësh namaz ulur në karrige.
3. Kiraat - Leximi i Kur’anit. Ka kuptimin e të lexuarit me gojë nga Kur’ani një sure ose ajet.
4. Ruku’ - përkulja. Pas leximit të Kur’anit, të përkulesh dhe duart t’i vësh në gjunjë. Në ruku’ më së paku tri herë duhet thënë: Subhane Rabbijeladhim. Duke u drejtuar nga rukuja thuhet Semi All-llahu limen hamideh. Dhe kur të drejtohesh, thuhet: Rabbena lekel hamd.
5. Sexhde - domethënë pas rukusë të biesh me fytyrë në tokë. Sexhdja bëhet dy herë duke i vënë pëllëmbët e duarve në tokë dhe në mes tyre fytyrën, pra hundën dhe ballin. Në secilën sexhde më së paku duhet thënë tri herë: Subhane rabbije-l-a’la.
6. Kade-i ahire - ndenja e fundit. Pra në rekatin e fundit të rrish(pas çdo dy rekatesh) ulur aq sa të lexohet Ettehijatu.
Nga vetë fakti se ka shumë kushte, kuptohet se namazi është një punë serioze dhe më i rëndësishmi nga ibadetet. Duke u shtuar këtyre edhe vaxhibet, sunnetet, mustehabet, mekruhet dhe mufsidet kuptohet se si duhet të gjendet robi në prani të Zotit të tij. Robët si krijesa të mjera, të pafuqishme në çdo frymëmarrje, kanë nevojë për All-llahun xheleshanuhu, që i ka krijuar ata. Namazi është një ibadet që i tregon robit se është i pafuqishëm përpara madhështisë së Allahut.
Në këtë libër do të shpjegohen me radhë këto njohuri.