Libri i namazit/Dispozitat islame (Ahkâm-i Islâmijje)

Nga Wikibooks
Jump to navigation Jump to search

Dispozitat Islame(Ahkâm-i Islâmijje)[redakto]

Urdhrat dhe ndalesat që i ka shpallur feja islame, quhen Ahkam-i sher’ije apo Ahkâm-i islamije. Këto quhen edhe Ef’al-i mukel-lefin. Dispozitat islame janë tetë: Farz, vaxhib, sunnet, mustehab, mubah, haram, mekruh dhe mufsid.

1. F A R Z : janë gjërat (punët), veprimin e të cilave All-llahu e ka urdhëruar qartë dhe prerazi me ajete të Kur’anit. T’i braktisësh farzet, është haram. Kush nuk u beson dhe kryerjes së tyre nuk u kushton rëndësi, është qafir. Farzi është dy llojesh:

Farz-i ajn është farzi që duhet ta kryejë personalisht vetë çdo mysliman i ngarkuar me atë farz. Farzi ajn është të besosh (imani), të marrësh abdest, të marrësh gusul (domethënë të marrësh abdest trupor), të falësh pesë kohët e namazit, të agjërosh në muajin e Ramazanit, kur je i pasur të japësh zekat dhe të shkosh në Haxh. (Janë të njohura tridhjet e dy farze dhe pesëdhjetë e katër farze).

Farz-i kifaje janë farzet e përbashkëta, pra këto farze janë për të gjithë myslimanët, por kur i kryejnë disa mysliman, qoftë madje edhe vetëm një mysliman, myslimanët e tjerë lirohen nga detyrimi, dhe nga përgjegjësia. Të këtilla janë farzet si: t’i përgjigjesh selamit të dhënë,(përshëndetja) larja e xhenazes, falja e namazit të zhenazes, mësimi i Kur’anit përmendsh (hafëzllëku), xhihadi, zënia e dijeve fetare e shkencore më tepër sesa duhen për profesionin personal.

2. V A X H I B: janë ato që ka urdhëruar All-llahu të punohen. Argumenti i këtyre urdhrave në Kur’an nuk është i qartë (i prerë) sa i farzit. Falja e vitër-namazit dhe e namazit të bajramit, kur je i pasur, të presësh kurban, të japësh sadaka-fitrin, janë vaxhibe. Dispozita e vaxhibit është sikur farzi. Ta braktisësh vaxhibin është tahrimen mekruh. Ai që nuk beson se është vaxhib nuk bëhet qafir. Por, ai që nuk i kryen do të dënohet në Xhehennem.

3. S U N N E T: janë ato që vetë Pejgamberi ynë, Muhammedi (salall-llahu alejhi ve selem), i ka punuar, i ka porositur ose i ka lejuar të punohen. Të mos e pëlqesh sunnetin është kufër. Ai që e pëlqen e nuk e kryen nuk dënohet. Por ai që vazhdimisht e lë pa arsye, bëhet shkak për qortim dhe për t’u privuar(larguar) nga sevapet. Për shembull, sunnet janë të këndosh ezanin, të bësh ikamet, të falësh namaz me xhemaat, të përdorësh misvakun, të bësh synet fëmijën etj.

Sunneti është dy llojesh:

Sunnet-i muekkede - Quhen ato veprime e porosi që pejgamberi i ka punuar rregullisht, që i ka lënë rrallë pa kryer, pra sunnete të forta. Të këtillë janë sunneti i namazit të sabahut, sunneti i parë dhe i fundit të drekës, sunneti i namazit të akshamit, dy rekatet e fundit sunnet të namazit të jacisë. Këto sunnete nuk lihen kurrë pa arsye.

Sunnet-i gajri muekkede - janë ato punë që pejgamberi ynë i ka bërë herë pas here me qëllim të ibadetit. Të këtilla janë sunnetet e para katër rekatëshe të namazeve të ikindisë dhe të jacisë.Edhe nëse lihen këto shpesh, nuk bëhet gjë. Nëse lihen krejtësisht pa arsye, bëhet i mundur qortimi dhe të privohemi nga ndërmjetësimi.

Nëse një nga pesëdhjetë veta e kryen, edhe sunneteve të lëshuar nga myslimanët e tjerë, u thuhet Sunnet-i alel kifaje. P.sh. të japësh selam, të hysh në i’tikaf, të këndosh Besmelen kur merr abdest, kur ha, kur pi dhe kur të fillosh çdo punë të mirë, është sunnet.

4. M U S T E H A B: është gjithçka që është e lavduar për ta punuar. Kësaj i thonë edhe mendub, edeb. Ka vlerën e sunnetit muekkede. Janë veprat që pejgamberi ynë mund t’i ketë bërë qoftë edhe një a dy herë gjatë jetës, por ato i ka dashur dhe i ka pëlqyer. Fëmijës të porsalindur t’i vësh emrin në ditën e shtatë, për fëmijë djalë e vajzë të therësh kafshë akika, të vishesh bukur, të lyhesh me parfum të këndshëm, janë mustehabe. Kush i kryen këto, ka shumë sevape. Ai që nuk i punon, nuk dënohet, dhe as privohet nga ndërmjetësimi.

5. M U B A H : quhen gjërat që as janë urdhëruar dhe as janë ndaluar të punohen. Domethënë janë punët që nuk janë cilësuar gjynah. Kur punohet me qëllim të mirë për to ka sevap dhe kur punohen me qëllim të keq, ka dënim. Punët, si të flesh, të hash gjellëra të ndryshme nga hallalli, të veshësh rroba të ndryshme, me kusht që të jenë të lejuara, janë mubah. Për këto nëse kryhen me nijet që t’i përshtatesh islamizmit, pra t’u bindesh urdhrave, ka sevape (shpërblime)

6. H A R A M : janë gjërat (punët) që All-llahu në Kur’an i ndaloi kategorikisht të punohen. T’i kryesh dhe t’i shfrytëzosh haramet, është e ndaluar rreptësisht. Ai që hallallit i thotë haram dhe haramit i thotë hallall, e humb imanin dhe bëhet qafir. T’i braktisësh dhe të largohesh nga gjërat që janë haram, është farz dhe shumë sevap.

Harami është dy llojesh:

Haram li-ajnihi: Të mbysësh njeri, të bësh prostitucion, pederizëm, të luash kumar, të pish verë dhe çfardo lloj pijesh alkolike, të gënjesh, të vjedhësh, të hash mish derri, coftinë(kafshë të ngordhur), gratë, vajzat të dalin rrugës me kokë, krahë e këmbë të pambuluar është haram dhe janë gjynahe të mëdha. Ai që kur i punon këto, bën Besmele, ose beson se janë hallall, dhe nuk i kushton rëndësi që All-llahu xheleshanuhu, i ka bërë haram, kthehet në qafir. Nëse këto i beson se janë haram dhe i vepron duke u frikësuar, nuk bëhet qafir, por bëhet laik (meritor) për dënim në Xhehennem. Nëse ngul këmbë në to dhe nëse vdes pa u penduar,mund të shkojë pa iman.

Haram li gajrihi: Këto janë gjërat që me shekuj janë hallall po për shkak të të drejtave të të tjerëve janë haram. Për shembull: të hysh në kopsht të tjetërkujt dhe pa leje të pronarit të marrësh e të hash nga pemët e tij, të vjedhësh dhe t’i përdorish plaçkat e shtëpisë dhe paratë e dikujt, të mos e ruash sendin që të është besuar, të fitosh para dhe pasuri me ryshvet, faiz e kumar. Ai që bën këto dhe duke i bërë bën Besmele ose thotë se janë hallall, nuk bëhet qafir. Sepse është haku i atij personi, ia kthen prapë. Për hak të një vlere sa pesha pesë gramë e gjysmë argjend, nesër në ditën e kiametit i merren nga All-llahu xheleshanuhu, sevapet e shtatëqind rekateve namazi të pranuar e të falur me xhemat, dhe i jepen pronarit të vërtetë, pra atij që i ke hak. Të largohesh nga haramet, është më sevap se të bësh lutje. Për këtë arsye haramet duhet të njihen dhe duhet të largohemi nga to.

7. M E K R U H : quhen punët (veprat) që nuk i ka pëlqyer All-llahu Te’álá dhe Muhammedi (salall-llahu alejhi ve selem), dhe të cilat t’i fshijnë sevapet e ibadeteve.

Mekruhu është dy llojesh:

Tahrimen mekruh - Është lënia e vaxhibit. Ato gjëra që janë afër haramit, janë mekruh. T’i punosh këto, merr dënim. P.sh., të falësh namaz duke lindur dhe duke perënduar dielli. Ai që i punon këto me qëllim, është rebelues dhe mëkatar. Andaj edhe meriton dënimin në Xhehennem. Ai që në namaz i lë vaxhibet, ai që i punon tahrimi mekruhet, e ka vaxhib që ta përsërisë atë namaz. Nëse gabimi është bërë nga harresa, gjatë namazit bëhet sehvi sexhde.

Tenzihen mekruh - Janë punët mubah, domethënë, ato punë që është afër punëve të cilat janë hallall, ose ato punë që janë më mirë të mos punohen se të punohen. P.sh., të mos i punosh sunnetet gajri muekked ose mustehabet.

8. M U F S I D: Janë ato vepra që prishin një punë, e cila në fenë tonë është e rregulluar me dispozita të Sheriatit, ose që prishin një ibadet të filluar. Si t’ë prishësh imanin dhe namazin, nikahun e haxhin, zekatin, shitblerjen. Për shembull, nëse qesh në namaz, e prish abdestin dhe namazin; Kur të jesh agjërueshëm, po të hash me dije, e prish agjërimin.

Ai që i kryen farzet, vaxhibet dhe sunnetet dhe ai që ruhet nga haramet e mekruhet, i jepen shpërblime pra sevap. Ai që punon harame e mekruhe dhe ai që nuk i punon farzet e vaxhibet, i shkruhet gjynah. Ai që ruhet nga një haram, ka më shumë shpërblime se ai që kryen një farz. Ka më shumë sevap për kryerjen e një farzi, se për largimin nga një mekruh. Edhe për atë që largohet nga mekruhi ka më tepër sevap se për atë që punon një sunnet. Punët që i do All-llahu në kuadër të mubaheve, quhen hajrat dhe hasenat. Edhe pse atyre që i veprojnë këto, u jepen sevape, këto sevape janë më pak se te sunnetet.