Libri i namazit/Besimi dhe falja

Nga Wikibooks

Besimi dhe falja[redakto]

Çdokush së pari duhet të besojë.

All-llahu Te’álá dëshiron që njerëzit në dynja të jetojnë në paqe e qetësi dhe në Ahiret të arrijnë lumturinë e përhershme. Për këtë arsye ka urdhëruar të kryhen punë të dobishme, që sjellin lumturinë. Dhe ato gjëra të dëmshme që sjellin shkatërrim, i ka ndaluar. Urdhëri i parë i All-llahut Te’álá është Imani. Besimi nevojitet për të gjithë njerëzit dhe për secilin është i domosdoshëm.

Fjala Iman(besim) do të thotë, ta njohësh dikë për fjalëdrejtë, të saktë dhe t’i besosh Atij. Në Islam, iman do të thotë: ta pranosh të vërtetën se Muhammedi (salall-llahu alejhi ve selem), është Pejgamber i All-llahut Te’álá, i zgjedhuri i Tij dhe lajmëtar (nebi), natyrisht pasi të besosh All-llahun Te’álá dhe ta besosh me zemër e të shqiptosh me gojë Kelime-i shehadetin. Imani është i fuqishëm kur nga zemra saktësisht njohim All-llahun Te’álá dhe sifatet(cilësitë) e Tij të mëdha, vrapojmë nga kënaqësia dhe bukuria e Tij, ikim nga hidhërimi dhe pakënaqësia e Tij dhe imanin e vendosim në zemër të pastër e të shëndoshë, si një shkrim i gdhendur mbi mermer.

Iman, do të thotë të pëlqesh të gjitha ato që i thotë Muhammedi (salall-llahu alejhi ve selem), dhe të besosh se zemra e tij është pastruar. Njerëzve që kanë këtë besim u thuhet Mu’min (besimtar) pra Mysliman. Çdo mysliman duhet t’i bindet Muhammedit (salall-llahu alejhi ve selem), dhe duhet të ecë në rrugën që ka trasuar ai. Rruga e tij është rruga të cilën e ka treguar Kur’ani famëlartë. Kjo rrugë quhet Islam. Për t’iu përshtatur kësaj, së pari duhet besuar, pastaj duhet mësuar mirë islamin, të zbatosh farzet, të largohesh nga haramet, e më pas t’i kryesh sunnetet dhe të largohesh nga mekruhet. Pas këtyre duhet menduar ta ndjekësh edhe me gjërat që janë mubah.

Themeli i fesë sonë është besimi. All-llahu Te’álá nuk pranon dhe nuk pëlqen asnjë ibadet dhe asnjë bamirësi të atyre që nuk kanë iman. Myslimani së pari duhet të besojë, pastaj duhet të mësojë guslin, abdestin, namazin, farzet dhe haramet e tjera që janë të rëndësishme për t’u ditur.

Besimi(imani) i drejtë, i plotë, i përsosur

Njohuritë që thithen(merren) nga mendja dhe organet e ndjesive, janë ndihmesë për ta arritur në iman. Njohuritë shkencore janë shkak për të arritur imanin dhe për të ditur e kuptuar se rregulli tokësor, rendi i tij, nuk është i rastësishëm dhe se ka një krijues të këtij rregulli. Iman do të thotë të besosh dhe t’i mësosh njohuritë që Pejgamberi Muhammed (salall-llahu alejhi ve selem) i ka sjellë (trasmetuar) nga All-llahu Te’álá. Për këto njohuri që duhen besuar, të thuash se i besoj në qoftë se janë të logjikshme dhe nëse i kap mendja, domethënë të mos u besosh pejgamberëve(sepse nuk ke të drejtë t’i kushtëzosh sipas llogjikës tënde). Njohuritë fetare nuk janë shpikje të të mençurve. Obligimet për të cilat ka njoftuar pejgamberi ynë Muhammedi (salall-llahu alejhi ve selem), ne i mësojmë nga librat e dijetarëve të Ehli sunnetit dhe ato si të tilla duhen besuar. Që të kesh një iman të drejtë dhe të pranuar, krahas kësaj, duhen plotësuar edhe këto kushte:

1. Imani duhet të jetë i përhershëm dhe i qëndrueshëm. Për asnjë çast nuk duhet menduar ndarja prej tij. Ai që thotë se pas tre vjetësh do të dal nga Islami, që nga ai çast ai e humb imanin dhe del nga feja.

2. Imani i besimtarit duhet të jetë ndërmjet frikës dhe shpresës. Duhet të kesh frikë nga dënimi i All-llahut Te’álá, por për asnjë çast nuk duhet humbur shpresa nga rrahmeti(mëshira) i Tij. Duhet të ruhemi që të mos punojmë kurrfarë mëkati dhe duhet të frikësohemi se për këtë shkak mund të humbim imanin. Por edhe nëse ke bërë të gjitha mëkatet, nuk duhet humbur kurrë shpresa se Zoti ynë nuk na mëshiron. Për mëkatet duhet të bëhet teube (duhet të pendohesh), sepse ai që bën teube, pas kryerjes së saj bëhet sikur të mos ketë bërë gjynah fare.

3. Para se të dalë shpirti, duhet të jesh me iman. Sapo të të vijë shpirti në fyt, tregohen të gjitha pamjet e Ahiretit. Atëherë të gjithë qafirat duan të besojnë (të kenë iman), por imani duhet të jetë i padukshëm (i bazuar mbi të panjohurën) dhe duhet të besohet pa e parë. Nuk është iman një gjë që shihet. Por edhe në atë çast pendimi i besimtarëve pranohet.

4. Duhet të bëhesh me iman para se të lindë dielli nga perendimi. Një nga shenjat e mëdha të Kiametit është lindja e diellit nga perëndimi. Të gjithë njerëzit që do e shohin këtë, do duan të besojnë. Por besimi i tyre nuk do të pranohet, tashmë dera e teubes do të jetë e mbyllur.

5. Duhet besuar se gjërat që janë të padukshme, të fshehta, nuk i di askush përveç All-llahut Te’álá. Domethënë, të padukshmen e di vetëm All-llahu (xheleshanuhu). Ashtu siç i di edhe ato që i ka kumtuar Vetë. Të padukshmen nuk mund ta dinë as engjëjt (melaiqe), as xhindët (exhin-nët), as shejtanët dhe madje as pejgamberët. Mirëpo, pejgamberëve dhe robëve të devotshëm mund t’u jepen njohuri për gjërat e padukshme.

6. Një dispozitë (gjykim) i fesë që ka të bëjë me imanin dhe me ibadetet, nuk duhet refuzuar pa ndonjë arsye të justifikueshme. Të konsiderosh të paqëndrueshëm një urdhër ndalesë të Islamit, të tallesh me Kur’anin, me engjëjt dhe me ndonjë pejgamber dhe me atë që kanë kumtuar ata, dhe t’i mohosh me gjuhë pa qenë i detyruar, është kufër. Ai që thotë se mohon ekzistimin e All-llahut xheleshanuhu, të engjëjve dhe mohon detyrushmërinë e guslit e të namazit për ndonjë shkak të domosdoshëm psh; ta kërcënojnë me vdekje, nuk kthehet në qafir.

7. Nuk duhet të ketë dyshim dhe as hamendje mbi njohuritë e domosdoshme që janë shprehur qartë nga feja islame. Të dyshosh se falja e namazit nuk është farz, se e pira e verës dhe e pijeve të tjera alkolike, loja e kumarit, interesi bankar e ryshveti(korruptimi) nuk janë haram, ose për një haram që dihet si i tillë t’i thuash hallall, po ashtu dhe hallallit t’i thuash haram, kjo sjell daljen nga imani.

8. Imani duhet të jetë si e shpjegon feja islame. Të besosh siç njoftojnë filozofët dhe falsifikuesit e dijes, sipas mendjes së tyre, nuk është iman. Duhet besuar ashtu siç ka njoftuar Muhammedi (salall-llahu alejhi ve selem) nga dijet hyjnore.

9. Besimtari duhet të dashurojë vetëm për All-llahun Te’álá dhe vetëm për All-llahun duhet të urrejë. Duhet t'i dojë myslimanët që janë miq të All-llahut Te’álá, dhe nuk duhet t'i dojë ata që bëjnë armiqësi kundër Islamit me dorë e me laps. Vendi i kësaj armiqësie është zemra.

(Duhet të sillemi mirë, të jemi fjalëmbël e të buzëqeshur edhe me ata që nuk janë myslimanë, me bashkatdhetarët jomyslimanë dhe me të huajt. Duhet të jemi shembull me moralin tonë të mirë dhe t’i bëjmë ata që ta duan fenë tonë).

10. Duhet besuar sikur kanë besuar myslimanët e vërtetë, të cilët nuk janë shmangur nga rruga e vërtetë - e drejtë që ka ndje kur Pejgamberi ynë dhe as-habët e tij.. Që të jesh njeri me besim të drejtë, duhet besuar në përputhje me i’tikadin(bindjen) e Ehli sunnetit vel xhemaat. (Atyre që ndjekin librat e vërtetë fetarë, të cilët i kanë shkruar dijetarët e Ehli sunnetit, do t’u jepen sevapet e njëqind shehidëve(dëshmorëve të fesë). Secilit nga dijetarët e katër medhhebeve i thuhet dijetar i Ehli sunnetit. Prijësi i dijetarëve të Ehli sunnetit është Imami Adham Ebu Hanife. Këta dijetarë i kanë shkruar ato që i kanë mësuar nga Es-habi Kiramët, kurse Es-habi kiramët kanë thënë se ato i kanë dëgjuar personalisht nga Resulull-llahu (salall-llahu alejhi ve selem).