Levitiku - Kapitulli 18

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< LEVITIKU >
Kapitulli 18
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27

1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

2 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

3 Nuk do të bëni siç bëjnë në vendin e Egjiptit, ku keni banuar, dhe nuk do të bëni siç bëjnë në vendin e Kanaanit ku po ju çoj; ju nuk do të ndiqni zakonet e tyre.

4 Do të zbatoni dekretet e mia dhe do të respektoni statutet e mia, duke iu përmbajtur atyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

5 Do të respektoni statutet dhe dekretet e mia, me anën e të cilave, kushdo që i zbaton në praktikë, ka për të jetuar. Unë jam Zoti.

6 Asnjë nga ju nuk do t'i afrohet ndonjë të afërmi nga gjaku për të zbuluar lakuriqësinë e tij. Unë jam Zoti.

7 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e atit tënd apo lakuriqësinë e nënës sate; ajo është nëna jote; nuk do të zbulosh lakuriqësinë e saj.

8 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e gruas së atit tënd; ajo është lakuriqësia e atit tënd.

9 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës sate, bijë e atit tënd ose bijë e nënës sate, qoftë e lindur në shtëpi ose jashtë saj.

10 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e bijës së birit tënd apo të bijës së bijës sate, sepse lakuriqësia e tyre është vetë lakuriqësia jote.

11 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e bijës së gruas të atit tënd, e lindur nga ati yt; është motra jote; mos zbulo lakuriqësinë e saj.

12 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës së atit tënd; është një e afërme e ngushtë e atit tënd.

13 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës së nënës sate, sepse është një e afërme e ngushtë e nënës sate.

14 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e vëllait të atit tënd; nuk do t'i afrohesh gruas së tij; ajo është halla jote.

15 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e nuses së birit tënd; ajo është gruaja e djalit tënd; mos zbulo lakuriqësinë e saj.

16 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e gruas së vëllait tënd; është lakuriqësia e vëllait tënd.

17 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e një gruaje dhe të bijës së saj; nuk do të marrësh bijën e birit të saj, as bijën e bijës së saj për të zbuluar lakuriqësinë; janë të afërm të ngushtë të saj; është një incest.

18 Nuk do të marrësh një grua bashkë me të motrën për ta bërë shemër, duke zbuluar lakuriqësinë e saj ndërsa tjetra është akoma gjallë.

19 Nuk do t'i afrohesh një gruaje për të zbuluar lakuriqësinë e saj në periudhën e papastërtisë së saj të shkaktuar nga zakonet.

20 Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me gruan e fqinjit tënd për t'u ndotur me të.

21 Nuk do të lejosh që asnjë prej trashëgimtarëve të tu t'i ofrohet Molekut; dhe nuk do të përdhosësh emrin e Perëndisë tënd. Unë jam Zoti.

22 Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me një burrë, ashtu si bëhet me një grua; është një gjë e neveritshme.

23 Nuk do të bashkohesh me asnjë kafshë duke u ndotur me të; gjithashtu asnjë grua të mos i afrohet një kafshe për t'u bashkuar me të; është një degjenerim i neveritshëm.

24 Mos u ndotni me asnjë nga këto gjëra, sepse me gjithë këto gjëra janë ndotur kombet që po bëhem gati t'i përzë përpara jush.

25 Vendi është ndotur; prandaj unë do ta dënoj për paudhësinë e tij, dhe vendi do të vjellë banorët e tij.

26 Ju, pra, do të respektoni statutet dhe dekretet e mia dhe nuk do të kryeni asnjë nga ato gjëra të neveritshme, as ai që ka lindur në vend ashtu edhe i huaji që banon midis jush,

27 (sepse të gjithë këto gjëra të neveritshme i kanë bërë banorët e vendit që ishin para jush, dhe vendi është ndotur),

28 që edhe ju, po të jetë se e ndotni, vendi të mos ju vjellë ashtu si ka vjellë kombin që ishte para jush.

29 Sepse cilido që kryen ndonjë prej këtyre gjërave të neveritshme, personat që i kryejnë do të shfarosen në mes të tyre.

30 Do të respektoni, pra, urdhërimet e mia, nuk do të ndiqni asnjë nga zakonet e neveritshme që janë para jush dhe nuk do të ndoteni me to. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".