Letrat e Teutës
Moikom Zeqo
– Më thuaj diçka për Teutën e ilirëve, i tha shkrimtarja MRMK shkrimtarit MZZ.
– Për mbretëreshën Teuta?
– Për Teutën e famshme.
Dua të shkruaj diçka për të. Po mbledh lëndë për një roman për Teutën. Më tërheq shumë figura e saj. Është një figurë e jashtëzakonshme.
Dua të shkruaj për të. Kam kaq kohë që më është ngulitur në mendje dhe në zemër Teuta.
E dua Teutën. Burimet historike janë kaq të pakta për të. Historia është treguar kurnace. Më habit kjo gjë.
Kuptohet se Teuta është një figurë e madhe e ilirëve, por të dhënat për të janë fragmentare, të cungëta. Kjo më duket e tmerrshme. Një paradoks, ose një padrejtësi.
Pse ka ndodhur kështu?
– Historinë për Teutën e kanë shkruar kundërshtarët e saj, kronikanët romakë. Kryesisht Polibi.
Teuta i sfidoi romakët. Dhe ata u hakmorën.
Fundi i Teutës ka qenë tragjik.
Askush nuk e di fundin e saj. Askush nuk e di ç’ka ndodhur në ditët e saj të fundit të jetës. E kanë vrarë, ose është vetëvrarë.
– Vetëvrarë? Sa interesante. Më pëlqen të shkruaj një roman për vetëvrasjen e Teutës. Kjo do ta grishte lexuesin. Çdo vetëvrasje është enigmatike.
– Si vetëvrasja e Kleopatrës, ose e Senekës.
Verteri i Gëtes e ka një sharm dostojeskian edhe pa lindur ende Dostojevski. Nuk e di, por besoj se Teuta e ka vrarë veten. Ke qenë ndonjëherë në Bokat e Kotorrit, apo në gjirin e Rizonit?
– Jo nuk kam qenë. Por e di se aty ka qenë rezidenca mbretërore e Teutës.
– Është mjedisi ku ka ngrysur jetën. Është tempulli i hapur në natyrë i kultit legjendar të Teutës.
Skenat e aktit të fundit. Veçse s’kemi fuqi ta ngremë perden për të riparë ç’ndodhi. Është e pamundur. Krejt e pamundur.
Ne mund të ngremë perden e imagjinatës. Do të shohim mjegull.
Por siç thotë Miguel Asturiasi: “ku ka mjegull ka legjenda”.
S’dimë asgjë për fillimin, por as për fundin e Teutës. Historia e ka thandruar gjëmshëm gjestin e saj rebel. Dhe kjo është gjithçka konkrete.
Të tjerat janë shpirtëzime poetike të pafundme. Gjatë shekujve janë mbledhur disa legjenda për Teutën.
– Legjenda? Më shumë se tek kronika letërsia burimëzohet nga legjenda. Kjo është e pabesueshme.
– Ndoshta legjendat janë të vona, jehona të harlisura të zanafillës.
Një legjendë thotë se Teuta qe bija e një magjistareje mjeke nga një qytet ilir në luginën e Naretvës.
Mbreti Agron e takoi gjatë një panairi ilir kushtuar hyut Medaur. Aty mbreti u sëmur befas.
E ëma e Teutës e shëroi me disa barëra magjike.
Aty mbreti e pa Teutën, vajzë të re dhe ra marrëzisht në dashuri me të.
Më pas u martua me të.
Thuhet se Agroni qe mbret shumë i fuqishëm.
Ai e ndërtoi qytetin me emrin e tij Agronium, ku bëri dasmën madhështore me Teutën.
Një natë para dasmës Agronit ju shfaqën disa nga hyjnitë ilire. Ishin të pikëlluar dhe belbëzonin. Fjalët e tyre shndërroheshin në drita mes erës dhe reve.
I thanë Agronit se Teuta qe e bukur, por do t’i sjellë fatkeqësi mbretërisë.
Por Agroni nuk i dëgjoi hyjnitë.
Kaq e pamatë qe dashuria e tij.
Qytetin Agronium e rrethoi me bedena mermeri të bardhë. Bëri sheshe në formën e rrethit diellor dhe rrethit hënor.
Bëri disa arena teatrosh që i mbolli me lule dhe bimë të papara.
Edhe brenda tempujve vuri drurë dhe bimë prej ari dhe argjendi.
Ndërtoi një anije lembe me pupat e zbukuruar me gurë të çmuar dhe skulptura ebaniti, plot fenerë që kishin zjarr ndonëse nuk ekzistonte vaji – qenë zjarre hyjnore që nuk shuheshin.
Tek ky qytet i çuditshëm jetonte Teuta në pallatin plot libra mjekësie dhe magjie.
Qe shumë e ditur.
Ajo bëri një pije që të mos mplakej kurrë Agroni.
Një mëngjes në qytet erdhi mbas një beteje detare mbreti Agron me anijen e pakrahasueshme.
Mbretëresha Teuta e priti me tërë bukurinë e saj mbi një karrocë të stolisur dhe i dha të pinte amforën me pijen jetëdhënëse.
Agroni e piu, por u helmua dhe vdiq në vend.
Teuta u tmerrua.
Ç’kishte ndodhur?
Një nga hyjnitë ilire, pikërisht hyu i luftës Medauri e kishte kthyer pijen në helm.
Duke vdekur mbreti, mbretëresha do të drejtonte shtetin. Medauri e quante Teutën si më trime, më të pafrikshme. Ajo qe lindur për beteja të mëdha.
Kur Teuta po shkulte nga dhimbja, hyu Medaur ju shfaq si një fantazmë fosforeshente në formën e një centauri, gjysmë burrë e gjysmë kalë.
Medauri i foli Teutës për lavdinë.
Ajo do të qe e pathyeshme. Po ai e nxiti për të qenë e pathyeshme.
Medauri mbase e dinte disfatën e saj të ardhshme.
Mbase Medauri mbajti anën e hyjnive ilire që e këshilluan Agronin të mos martohej me Teutën.
Ja ç’ndodh kur mbreti s’i dëgjon hyjnitë e tij.
– Ua, tamam një intrigë e përsosur dhe inteligjente. Ç’intrigë!
– Megjithatë Teuta u përball me dinjitet me romakët. Ajo u bë simbol i lirisë. Për këtë mbeti e pavdekshme.
Legjendat për fundin e saj janë më të çuditshme.
Thuhet se Teuta e shpoi gjoksin me një shpatë që të mos u binte e gjallë në duar romakëve të vrazhdë.
Por nga plaga nuk shpërtheu gjaku por dritë e fuqishme e purpurt.
Befas u duk e ëma e saj dhe njëqind magjistrica ilire. E rrëmbyen për ta çuar ende të pavdekur dot në një mbretëri shpellash nën tokë.
Në mbretërinë ku nuk mund të vdiset, pra në botën e pavdekshme.
Magjistricat i mallkuan hyjnitë ilire dhe Medaurin duke u thënë se ata do të vdisnin shumë shpejt e do të harroheshin, kurse Teuta s’do të harrohej.
Me sa duket ky mallkim funksionoi. Teuta vërtet s’u harrua.
– Po nuk u harrua MZZ, tha e ngazëlluar MRMK. Me këto që më the më duket se e ke shpikur ti një roman, ndonëse të pabotuar, ose edhe të pashkruar ende për Teutën.
– Jo, s’kam për të shkruar asnjë roman për Teutën.
E pse ta shkruaja? Ndoshta kështu është më mirë. Shiko, harrova të them një fakt që e përmend Polibi në Historiae II, 6: “Njëra nga mënyrat e komunikimit të ilirëve ishte edhe ai përmes letrave të shkruara. Këtë gjë e bënte mbretëresha Teuta sidomos kur donte t’i dërgonte urdhra ushtrisë që ndodhej larg.”
Një fakt mahnitës.
Letra të shkruara në ilirisht?
Kjo më ka tronditur MRMK. Para disa vitesh ashtu si i përhumbur, pa ambicie, pa rregull i kam shkruar një rrëfim me letra të imagjinuara të Teutës.
Jo thjesht letra të artit strategjik, as të ligjeve të shtetit ilir. Por letra delikate për poezinë, botën e pazbulueshme dot të shpirtit.
Me një fjalë bëra një profanim: e shndërrova Teutën më shumë në një Safo, se sa në një Zhan D’Arkë.
– Ose në një Margarite Jursenar, tha MRMK. Ti e di se unë i kam përkthyer tregimet ekzotike të Jursenarit. Jursenari është ikona ime.
– E di. Po rrëfimi im, krejt i rastësishëm lidhej me diçka tjetër.
Në viset e Teutës është një shkëmb i madh që sot njihet si Shkëmbi i Lipcës. Arkeologët kanë zbuluar në shkëmb piktura, në fakt prehistorike, me drerë, që vrapojnë, kuaj dhe simbole astronomike.
Shkrime piktografike, që dikush e quajti “Rebusi i Teutës”.
Kjo e ka mitizuar furishëm se brenda këtij shkëmbi gjigant fshihet vetë trupi i pagjetshëm asnjëherë nga romakët dhe thesari i saj përrallor që romakët e kërkuan më kot.
Në masivin malor të Rizonit mendohet se ekzistojnë shtatë liqene nëntokësorë.
Nëse këta liqene të padukshëm do të shfaqen mbi sipërfaqe ahere ka ardhur çasti që Teuta e bukur të kthehet nga jeta e saj e përtejme për ta parë sërish të gjithë.
– Pra një epifani e Teutës.
– Po, epifania e saj e vonë por e merituar.
– Ja u plotësua subjekti i saj.
– Tërë subjektet nuk janë asnjëherë të plotë MRMK. Ne vetëm mund t’i përfytyrojmë. Por përfytyrimi është i njëjtë me ëndrrën. Sepse edhe letërsia është ëndërr.
– E saktë. Është ëndërr. Ëndërr e shkronjëzuar. Ëndërr tipografike.
– Ne s’e dimë shkrimin e letrave të Teutës.
Ç’kaligrafi ka pasur?
Vetë emri i saj është si një letër në postën e bllokuar të shekujve.
Por në postën e shpirtit bllokimi zhbëhet.
Tërë mungesat tona janë letrat imagjinare të cilët rishkruajmë papushim, pa u lodhur, nganjëherë edhe pa e ditur pse e bëjmë këtë gjë.
Disa nga këto letra ja dërgojmë edhe Teutës! (2010)