Jump to content

Letersia e Gergj Fishtes/9

Nga Wikibooks

Paradigma letrare Atme e Fe- universi Letrar Fishtian


Gjergj Fishta është autori i përmasave universale, sa do që karakteri i letërsisë së tij, të shumtën e herëve zhvillohet në suaza të qenësisë së botës shqiptare dhe nuk largohet shumë nga topika ekzistenciale nacionale, pra trajtimi i temave që lidhen me etnikumin. Në këtë aspekt, letërsia e tij ndërlidhet pashmangshëm me një kontekst të caktuar shoqëror. Kësisoj edhe iu përgjigjet natyrshëm zhvillimeve të kohës. Sidomos këtë përmasë e ndeshim më fuqishëm te “Lahuta e Malcis”, në të cilin tekst letrar, Fishta shpërfaq fuqishëm dhe hapur qëllimet jashtaletrare dhe kështu arrit të ndërtoj një rrjet paradigmatik letrar që ndërlidhet me Shenjën Letrare, që përbëjnë Strumbullarin e binomit përshkues letrar: Atme e Fe, që do të bëhet, në kuadër të letërsisë së Fishtës, një kod i madh letrar, i ndjekur edhe në strukturat ligjërimore.

Letërsia e Fishtës përfaqëson njërin ndër korpuset më specifike në literaturën shqipe, përgjithësisht. Në kontekstin e kontinuitetit letrar, shënjon dhe avancon ndërlidhjen e fuqishme letrare, me traditën gege të kulturës e shkrimit letrar, kulturë kjo letrare e cila shtresoi elementet bazike për gjithë kulturën e letërsinë shqipe, shpërnderuar në pikëpamje të kodeve tematike, të cilat ndërlidhet me autorët klasik (Buzuku, Budi e Bogdani), të cilët autori Anton Berishaj i vlerëson me formulimin e qëlluar se këta autor përfaqësojnë themeluesit e kulturës tekstuale shqiptare, kulturë letrare dhe estetik kjo, e cila zhvillohet brenda një shtrati specifik, përmes letërsisë së arbëreshëve të Italisë, dhe që më tej, merr vulën përmes autorëve modern të viteve të 30-ta, të cilët përfaqësojnë themeluesit e modernitetit në kulturën letrare shqipe, bashkautor i së cilës është Gjergj Fishta me korpusin e tij letrar, roli i së cilit shkrimtar në letërsinë shqipe do të jetë e rëndësishëm dhe shumëplanesh. Mbase, për shumëçka autori me inflencues. Madje këtë kulturë letrare, autori do ta avancoj në pikëpamje poetike dhe zhanrore në një shkallë të lartë dhe të paarritshme. Kjo frymë zhvillohet edhe më tej, përfundimisht, me zgjerime në kodet ligjërimore. Pikat e përbashkëta interletrare sforcohen përmes Fishtës në formën poetike të shkrimit, në vargje, dhe Koliqit, Camjat e Pashkut në prozë. Shënjues i përbashkët i kësaj literature, mbetet intenca e shkrimtarëve, për të qenë misionar në ide dhe në angazhime konkrete. Te Fishta kjo del në mënyrë eksplicite. Ndërsa tek autorët tjerë fshehët në ndërtekst (përmes trajtave implicite). Këtu edhe njëherë vetëm sa na ripërsëritet mendimi i Cabejt, se poeti në të njëjtën kohë i duhet të jetë edhe prijës, apostull dhe bari i kombit. Dhe në të njëjtën kohë shkrimtar. Veçmas kjo hetohet te letërsia e Fishtës. Dhe më pas, te letërsia e Nolit, letërsi që në pika të përbashkëta, edhe pse zhvillohen në kontrast, pretendojnë të ndërtojnë heroin, misionarin, që hidhet edhe për tej letërsisë, në angazhimet konkrete shoqërore. Noli i kërkon në personalitet, ndërsa Fishta në dy akse, në shpirtin e popullit dhe personalitet historike. Në të vërtetë ky fenomen, nëpër kohë do të bëhet karakteristikë letrare në shtratin topikës dominonte të letërsisë shqiptare. Nëse do të synonim të kërkonim një paradigmë të përbashkët në universin poetik të letërsisë së Fishtës, si nyje që ndërlidh indet e letërsisë së Fishtës, atëherë ideja e kulturim të gjithmbarshëm e emancipim për liri të njëmendtë e shfaqur kurdoherë, dhe atë, me përmasa të gjithanshme, në substratin e së cilit formulim, implikohet formula esenciale, e cila determinon poetikën letrare të Fishtës, pra formula e shënjuar përmes binomit paradigmatik letrar e estetik: Atme e Fe. Ky binom do të bëhet model organizues i teksteve të autorit në shumë nivele dhe me përmasa funksionale. Paradigmë kjo që shenjëzohet përmes kërkesës patetike fishtian, për rinjohje të vlerave nacionale, përmes identifikimit në strumbullarin Atme e Fe. Ky binomi letrar endet në letërsinë e Fishtës me status intencional dhe përbën esencialitetin e ligjërimit letrar. Në fakt, përtej dy termeve/koncepteve abstrakte, ky binome letërsinë e Fishtës do të bëhet paradigmë/shenjë letrare, figurë poetike edhe kur ka përdegëzime intretekstuale e interdiskursive. Me këtë formulim, gërshetohet edhe filozofia e qenësimit kombëtar, në planin e diskursit historik. Njëherit bëhet domosdoshmëri edhe në dritën e së ardhmes. Ky kulturim në tekstin epik, ka për qëllimin edukimin dhe emancipimin kombëtar, ndërsa në tekstet lirike dhe dramatike, mbitheksohet nga pretendimi për edukim dhe kulturim fetar, në përmbushje të misionit të përbashkët: Atme e Fe, që lidhet me Atdheun dhe Kishën. Kjo paradigmë krijuese, siç vlerëson Injac Zamputi mbetet “fanari i jetës së tij, qe sinteza e artit dhe filozofisë së tij. Andaj tekstet e Fishtës ruajnë fuqishëm shenjat e mishërimit me misionin, duke identifikuar plotësisht me misionarin. Me këtë formë të shkrimit, autori vetëm se aplikon teorinë që analizon arketipat letrare, përmes formulës së Bariut të Mirë, e cila sipas Northrop Frajit, nënkupton figurën kryetipore të Bariut të mirë Biblik (Jezu Krishtin), një figurë retorike kryetipore që evokon, dhe e cila sublimon kërkesat e intencës letrare, pas së cilës ec letërsia e Fishtës. Kjo intencë, në statusin letrar të teksteve të autorit, është esenciale, në të njëjtën kohë e nxjerr autorin nga vetvetja dhe e hedh në labirintet e kërkimeve të tij, edhe jashtë letrare. Gjithherë përmes tendencave artistike/letrare. Kësisoj, autori arrin të krijon ambivalencen e gjuhës dhe ligjërimit. Me kujdes të sofistikuar, merr rolin e bariut të grigjës së tij, si bari shpirtëror i popullit të tij, por asnjëherë duke tejkaluar rrethanat e përgjithshme. Ideja e bariut të mirë, funksionalizohet në mënyrë implicite te Kënga e Patër Gjonit në ”Lahutën e Malcis”, në të cilën autori vetë identifikohet me narratorin, merr përmasat e tij mbi supë, në rrugën e lirisë së kombit dhe fesë, duke implikuar një rrjet shenjash interdiskursive të modelit biblik e religjioz. Më tej, kjo ide funksionon për mrekulli në personazhin e tragjedisë “Juda Mukabe” dhe në përgjithësi në tragjedinë në fjalë. Vetëflijimin e heroit Juda Mukabes në këtë tragjedi implikon autorin dhe qëndrimet e tij karshi rrethanave të kohës dhe kontekstit të përgjithshëm shoqëror e kulturor të shqiptarëve. Përmes ligjërimit dramatik, autori rrah ndër temat më të rëndësishme të kohës: tradhtinë, mohimin e mikut, nevojën për vetëflijim. Rrjedhimisht, këtë segment letrar e ndeshim edhe në fushën e lirikës, sidomos te personifikimi autorial i cili shkon deri në nivelin e vetëflijimit për atdheun, kur jepet kushtrimi në vargjet: ”Qe mue tek m’kni, merreni e m’boni fli”, ("Surgite mortu, Qohuni të vdekun"). Në këtë formë Fishta shkroi letërsi për të mishnuar filozofinë e tij të Kulturimit.

Letërsia e Gjergj Fishtës zhvillohet brenda një periudhë kohore relativisht të gjatë dhe me zhvillime dramatike për popullin e tij. Në kuadër të këtyre zhvillime, autori botën e tij artistike nuk e përqendroj vetëm në epikë, por sprovoj talentin dhe fantazinë krijuese në lirikë, dramatikë dhe satirik, për të mos lanë anash as tekstet e shumta diskursive, socio-psikologjike, etno-psikologjike, religjioze, politike etj. Madje edhe tekstet metakritike të aspektit teorik për artin dhe qenësinë e tij. Në gjitha shkëlqej në mënyrën e vetë, duke formësuar stilin e veçantë poetik e letrar. Me një diskurs të kondensuar estetik pikasi ndjeshmet e kohës, duke i bërë dhimbje e kërkesa universale. Fishta duke i riinterpretuar në një kontekst letrar e kulturor, kontekstualizmit të teksteve të njohura letrare ju jep konotime aktuale, ku pikasën fuqishëm idetë me shpërthimet e tij letrare, që kërkojnë përmbushjen e intencionalitetin ideor, nëpërmjet shenjave e simboleve letrare, të cilat kurdoherë korrespondojnë me projektin letrar fishtian për emancipim e kulturim të gjithmbarshëm të kombit e fesë, mision ky që kapërcen kufijtë letrar dhe bëhet paradigmë krijuese, e papërsëritshme në letrat shqipe. Formula poetike, binomi i shenjtë: Atme e Fe përtej kuptimeve ideore, është shenjë që përcakton letërsinë e tij. Si e tillë, formula bëhet shënjues i letërsisë fishtiane, në të gjitha planet dhe në gjitha zhanret letrare. Dhe përcakton diskurset, trajtat e ligjërimit, stilin dhe kuptimet letrare.