Letersia e Gergj Fishtes/5
Letërsia si dialog
Përmes analizës së kategorive të diskurseve dhe diskurseve narrative, synojmë të interpretojmë, përveç tjerash, relacionet jashta letrare (të natyrës intertekstuale a interdiskursive), që shfaqën në letërsinë e Fishtës, si në nivel të topikës, të figuracionit letrar, ashtu edhe në aspektin e ligjërimit dhe shenjave poetike në tërësi. Hetimi i funksioneve që paraqesin kategoritë e veçanta të diskurseve, brenda korpusit të përgjithshëm të veprave letrare të Fishtës dhe veprave në veçanti, mundëson për t’i vënë relacionet në raporte interkomunikative, për të parë si funksionojnë brenda diskursit autorial në shkrim, në kuptimin Unik që ka Teksti Letrar kategoritë e diskurseve.
Korpusi letrar i Fishtës, brenda fushave themelore të shkrimtarisë së tij, ndërtohen përmes një strategjie letrare, që njeh në mënyrë funksionale dy komponentë të ndërmjetme shkrimore, të cilat shkrihen nën stilin autorial: fiksionin dhe rrjetin e parateksteve; rrjet ky që shfaqët në formë të ndikimeve intertekstuale përbrenda sistemit letrar të opusit letrar të Fishtës. Në të vërtetë, Fishta duke qenë njohës dhe pasionues i madh i letërsisë, e dinte se shprehja e rikrijuar rishtazi (Horaci) përmbush intencën estetike më plotësisht dhe realizon katharsisin Aristotelian, si një dimension i domosdoshëm i krijimit poetik. Andaj rrekët së shkruari në këtë formë, duke krijuar shprehje, të cilat tingëllojnë të njohura për audiencën letrare, por që në vete ngërthenin vlera universale të domosdoshme për shpirtin shqiptar. Këtë logjikë letrare autori i ndjek në gjitha zhanret letrare ku krijoi. Ndërsa kjo formë e krijimit ndeshet më fuqishëm dhe atë në shumë plane strukturore, në konfigurimin e tekstit epikë, “Lahutën e Malcis”.
Fishta letërsinë e shkruan nga një referencë letrare, të cilën e përpunon mjeshtërisht dhe e rikontekstualizon në gjendjen e tij, për t’i dhënë status të qëndrueshëm dhe të tejkohshëm autorial, për të dëshmuar atë që shkruan Linda Hacion se: “Libri është thurje me libra tjerë, me tekste tjera, me fjalë tjera: ai është nyje përbrenda rrjetit”. Është ky lloj i letërsisë që merr karakter konotues. Mesazhi letrar tingëllon aktual, sa do që autori, ta zëmë shkruan për ngjarje, personazhe të kaluara e të largëta. Ky tip i krijimit, brenda letërsisë së Fishtës paraqitet në nivele të ndryshme dhe dallon prej zhanrit në zhanër. Në tjetër formë e gjejmë në epikë, tjetër në lirikë dhe në tjetër në dramatikë e satirikë.
Duke qenë librat thurje gramatikore, sipas një renditje të organizuar në princip, nga disa parakonceptime për letërsinë, Fishta tekstet i ndërlidh brenda një sistemi poetik me një nyje triadike: aty inkorporon fiksioni letrar, si element i parë konstituiv e shkrimit artistik, për ta zgjeruar me mbarështimin e figurave, ideve dhe ngjarje të njohura (letrare e religjioze); dhe pastaj i realizon brenda konteksti shoqëror, i cili kontekst motivon disa segmente letrare të krijimtarisë së tij.
Semiologu Umberto Eco në eseun “Borghesi dhe ankthi im nga ndikimet” shkruan: “Librat flasin njëri tjetrin”-. Duke “folur” librat me njëri-tjetrin, bëjnë procesin më të natyrshëm të ngjasimit. Në këtë aspekt, letërsia e Fishtës ndërton një rrjet të gjerë të interkomunikimeve aktive me tekste dhe parateksteve letrare, kulturore, historike a religjioze. Epika e tij mund të lexohet në relacion të ngjashëm më epet klasike, Iliada, Odisea, Eneida. Ndërsa, tragjedia “Juda Mukabe” shkruhet në relacion me Biblën. Mirëpo në lirikë bëhet një hibridizim, ku diskursi biblik dhe ai historik e oral shkrihen në konfigurimin e lirikës së Fishtës. Në satirikë, referencat letrare janë kryesisht shoqërore, por që hasen shenja, figura dhe aspekte interdiskursive, qoftë me diskursin biblik, qoftë më trajtat tjera interdiskursive.
Dialogu letrar, natyrshëm nënkupton relacionet, referencialitein, të cilat elemente i ndërton teksti në rrjet me tekste për rreth tij, që në kritikën letrare, kategori kjo që tashmë njihen me nocionin intertekstualiet. Këto marrëdhënie të ndërmjetme letrare, në të vërtetë përbëjnë segment me rëndësi në procesin e leximit, kuptimit dhe interpretimit të letërsisë së Fishtës. Letërsia e Fishtës në këtë rrafsh, në gjitha planet e ligjërimit na shpie kah referencialiteti, edhe si aspekt tematik, por më shumë si diskurs. Pra letërsia e Fishtës bën një dialog aktivë. Çështja e relacioneve interletrare, në kuadër të poetikës letrare që ndërton Fishta, paraqitet mjaft specifike, jo vetëm si karakteristikë për autorin, por edhe për kulturën e shkrimit shqip përgjithësisht. Letërsia e Fishtës në planin e çështjes së relacioneve me referencialitetin, nuk dallon shumë nga pjesa dominuese e letërsisë shqipe: veprat e autorit kanë për bazë strumbullarët fundamentale që influencuan letërsinë tonë; kultura letrare biblike dhe kulturën letrare orale. Mirëpo këtu trajtat e ligjërimit dallojnë nga gjithë autorët tjerë që kanë për objekt të trajtimit këto dukuri Por dallon esencialisht me mënyrën e transformimeve të diskurseve dhe temave. Këto lloje të ndikimeve i gjejmë në epikë te “Lahuta e Malcis”, në lirikë te dy librat me poezi “Mirzi i Zanavet” dhe “Vallja e parrizit”, në dramatikë te “Juda Mukabe”, me ca nuanca edhe në satirik, përshembull te libri “Anzat e Paransit”. Por Fishta hë për hë, përvidhet nga këto strumbullarë dhe “del” e hedhet thellësive mistike të poezisë, për të dalur në pah krijuesi i vërtetë, shpirti artistik fishtian. Këtë e bënë te lirika “Një lule vjeshte” dhe një tufë lirikash religjioze ku pulson shirit i madh krijues. Megjithëse “thenë” natyrën tematike të rënd, shkëmbore e mashkullore, siç e përkufizon stilin Fishtës Lasgush Poradeci, edhe këtu Fishta nuk i ik ndikimit të gjuhës ligjërimore orale, sidomos në formësimit figurative dhe gjuhën religjioze biblike që përbën shpirtin e kësaj kategorie lirike. Por autori këtu, më fuqishëm se kudo, shpërfaq potencën e jashtëzakonshme krijese, potencë kjo që ka fuqitë e një krijuesi me përmasa universale.
U tha se librat “flasin” me njëri tjetrin. Së këndejmi, është e natyrshëm që procesi i riartikulimeve të konvertoj trajtat burimore në një status që merr shenjën e autorit. Megjithëse në esencialitetin e transformimeve letrar, marrëdhëniet mes kodit letrar dhe ligjërimit autorial ndërrojnë esencialisht, në letërsinë e Fishtës, kemi tekste ku vetëm sugjerohen konotome letrare, siç është tragjedia “Juda Mukabe”. Ngase, duke u manifestuar në trajta qoftë të ndryshme shkrimore (e kam fjalën zhanore), apo edhe shkrimore, nga poezia në prozë, apo anasjelltas, referencat shkrihen dhe marrin karakter të ri letrar, që vishen mjeshtërisht nga stili dhe diskursi fishtian. Duke u “ndryshuar” referencat ndryshojnë mesazhin dhe riartikulohen natyrshëm nga një pozicion i ri. Këto trajta të shkrimit i ndeshim, ta zëmë në tragjedinë “Juda Mukabe”, ku Fishta lëndën religjioze e dramatizon në zhanrin e tragjedisë, me nuanca të klasicizmit dhe ja “përshtat” gjendjes kulturore dhe shoqërore të audiencës së tij letrare. Këndej, kjo tragjedi ruan statusi të dyfishtë letrar: përcjell ngjarjen e njohur biblike si reminsehcë, me gjithë pasojat që sjell dhe përshkruan gjendjet e kësollojshme në kontekstin shqiptar për të implikuar analogjitë e mundshme.
Letërsia është dialog, mbase dialog permanent, që zhvillohet në relacion të gjera, në të cilat relacione të dialogimit, bota e plotfuqishme artistike autoriale ka statusin special. Poiesisi (krijimi nga asgjëja, sipas Aristotelit), mbetet në këtë rrafsh përcaktues i qenësisë së letërsisë. Krijimi poetik në kuadër të korpusit të letërsisë së Fishtës, në të shumtën e herave konstruktohet duke ruajtur natyrshëm referenca letrare a kulturore. Kjo letërsi ka modelin, riprodhohet përmes modelit dhe simboleve kryetipore (Fraji), si pjesë e imazheve që merr sistemi psikik krijues në procesin e shkrimit. Ky nivel letrar në relacion më diskursit autorial-personal, rrafshi i së cilit dallon artikulimin e pastër fiksional të autorit, në relacion me rrafshin tjetër, i japin korpusit të letërsisë së Fishtës, karakter polisemantik edhe në planin e topikës, po ashtu edhe të diskursit.
Mendimi lartëshkruara që konceptojnë e letërsisë si dialog, na shpie te vlerësimi: duke qenë letërsia dialog permanent interaktive dhe dinamik, produkti i kësaj qenie letrare, që është teksti letrar/estetik, dialogun e bën me tekste që janë të shkruara më herët, të fushës se letërsisë dhe joletërsisë, por që kanë cilësi letrare. Si të këtilla, përgjallojnë sipas sajesës së sojit letrar (zhanrit). Tekstet letrare të Fishtës krijojnë analogji brenda llojit letrar, por edhe veçmas. Sidomos në letërsinë e Fishtës, gjejmë tekste që derivohen dhe humbin në esencë natyrën origjinale. Tragjedinë “Juda Mukabe”, Fishta e shkruan në vargje, përkundër shkrimit origjinal që është në prozë. Po ashtu, inkorporomi i personazheve letrare, citateve a figurave të ndryshme, leksikut apo rrjeti i toposit (temave dhe motiveve), në letërsinë e Fishtës merr fuqishëm karakter personal, stil të veçantë, që është stili fishtian, i karakterizuar fund e krye në nga diskurs specifik i shkrimit letrare ligjërimor dhe që ka një karakteristikë të përhershme, që Michel Fuco e thekson si Diskursi i Fuqise (Poëer discourse) Në këtë kuadër, duhet përmendim rrjetin predominant që kanë ndikuar në letërsinë e Fishtës, siç janë veprat e lashta të antikitetit greko-romak, Iliada, Odisea, Eneida, pastaj Bibla dhe letërsia orale.
Studimet bashkëkohore të letërsisë, kanë avancuar me metodën që i analizon tekstet në rrjet, duke i parë në lidhje të ngushta me tekstet pararendëse. Teoritë e këtilla, tashmë i mbështesin dijetar të shumtë të studimeve letrare, dhe atë të disiplinave të ndryshme. Mbase, mendime të kësaj kategorie ndeshim edhe në antikitet, edhe pse të paformuluara sikur sot. Kështu në Artin Poetik të Horacit gjejmë këtë sugjerim për shkrimtarët: “shprehja e krijuar rishtazi do të ketë vlerë të qëndrueshme”. Ky është dimensioni intertekstual i letërsisë, të cilin aspekt të letërsisë e sforcon Roland Barti kur pohon në formë përkufizuese se: “çdo tekst, është intertekst”. Ndërsa edhe semiologu i njohur i letërsisë Umberto Eco, kur diskuton për ndikimet letrare shkruan: “gjëja më interesante është se librat flasin mes vete”. Rrjeti intertekstual i tekstit letrar i jep status poli/letrar. Duke interkomunikuar, duke “folur”, librat njëra me tjetrin, natyrshëm marrin e japin trajta të ndryshme letrare, “shfrytëzojnë” njëra-tjetrën, për të thithur përvojat e qëndrueshme letrare dhe diskursin, që në transformimet letrare merr shenjën autoriale, nga fakti se çdo libër letrar ka vulën e origjinalitetit, të cilën ja jep stili autorit, i cili në kuadër të ndikimeve intertekstuale, gjithherë ruan aspektin autorial si pjesë e natyrshme e sistemi fiksional të krijimit. Në sensin e kësaj ideje letrare, kërkimi i letrarsisë në kuadër të veprës letrare të Fishtës, si tërësi, përmes aplikimit të modelit interkomunikues mes literaturës, pra nga konteksti se librat “flasin” me libra tjerë, me kultura e modele të ndryshme ligjërimi, të cilat qoftë si sekuenca narrative letrare, apo edhe tërësi diskursesh, paraqesin, posaçërisht dimension me rëndësi në konfigurimin e tekstit poetik të Fishtës, paraqet një aspekt të rëndësishëm dhe me mjaft peshë në kuadër të kuptimit të korpusit të autorit tonë.
"Të lexosh diçka si letërsi është ta trajtosh atë si një ngjarje që ka kuptim në lidhje me ligjërimet tjera" (Xhonatan Keller). Letërsia e Fishtës është pikë ku gjendën trajta të nyjëtimit të ligjërimeve të ndryshme letrare e kulturore, që si të tilla përbëjnë në vete rol të rëndësishëm letrar dhe përmes së cilës nxjerrim kuptimet e ligjërimeve të ndryshime të qenies njerëzore dhe botës së letërsisë.
Teoricieni dhe poeti gjenial antik Horaci, në vargjet brilante poetike, por edhe teorike kritike, sugjeron shkrimtarët e gjitha brezave: “Ju që shkruani, zgjeshni lëndën që u përshtatet fuqive dhe mendonin gjatë së çfarë mund e çfarë s’mund të bartni mbi supet tuaja”, për të shtruar se “shprehja e krijuar rishtazi do të ketë vlerë të qëndrueshme”. Sugjerimin në fjalë, Fishta e bën pjesë funksionale të letërsisë së tij më vetëdije të plotë krijuese, për ta zbatuar me devotshmëri krijuese në gjitha zhanret letrare. Sidomos në aspektin e rikrijimit të trajtave të njohura letrare, që tekstet e Fishtës i bën të gjalla, dinamike dhe sugjestionuese, përmes frazeologjisë dhe gjuhës popullore dhe dialektit gege, që e bën krejt e veçantë në kulturën letrare shqipe këtë lloj shkrimi.
Gjergj Fishta dijet letrare i zhvilloj përmes asimilimit të kulturës së lashtë folklorike, me atë mitologjike. Ernest Koliqi mendon se Fishta landën letrar për epikën e nxori pas kontakti me botën e Malësorëve, ku ndesh botën heroike dhe patriotike dhe kështu duke “mbledhun kangë e fjala e fraza, tue banue midis tynëe, tue pas rast si bari shpirtënash më u a njoftun me themel psiken, ai atëherë rrinte e mbyllej me shtatë dryje në vetvete”.
Për t’i pasuruar e zgjeruar kurdoherë këto thesare letrare e kulturore, Fishta tharmon imagjinatën për të interkomunikuar edhe me artin universal e veprat më eminente të artit botënor. Këtë e dëshmon në tekstet teorike për probleme të ndryshme të estetikës, artit, letërsisë, muzikës. Konceptet krijuese të autorit, sikundër riformulojnë e artikulojnë teoritë fundamentale klasike për artin e letërsinë. Në tekst, autori jetëson konceptet për të këndshmen dhe të dobishmen në art e letërsi . Duke ditur që është e dobishme, njëherit e këndshme të këndohet kodi i mitit nacional, tekstet kurdoherë ruajnë shenjat e intencës kërkimore, që rezultojnë me destinimin; ky lloj kangëtimi influencon për të frymëzuar zemrat djaloshare për lirinë Atmes e fesë, që ishte projekt letrar e kulturor i Fishtës, i nisur fillimisht, më himnizimin e trimërisë, lavdisë, bukurisë shqiptare, kujtesës historike, implikon, pastaj diskursin historik, me përmasat e mitit për prejardhjen lashtë Ilire, dhe për kohën e lavdishme të Gjergj Kastriotit: komponente këto që do të bëhen hallka të rëndësishme në orkestrimin e letërsisë së tij, sidomos epikës dhe lirikës. Duke pasur për bazë këto komponente autori krijon disa lloje të diskurseve. Në këtë rrafsh, diskursi historik është përcaktues, por përmasa diskursit glorifikues e sforcon ligjërimin historik dhe i jep intenconalitet më të fuqishëm e më kumbues. Këtë autori i bën përmes diskursit të fuqisë (Michel Focou) që ka potencë të thellë krijuese. Por çka ndodh, ky lloj diskursi përfundon në kontrastin letrar, në sarkazëm therëse e rrënqethëse, që të trandë shpirtin e të ngjeth trupin, kur shkrimtari godet pamëshirshëm dvarrësit e idealeve dhe qëllimkëqijtë e kombit. Jo vetëm në satirë, por edhe në epikë e lirikë ndeshim nuanca të shumta të këtij lloj diskursi. Kjo domethënë se autori nuk donë kompromis me prishësit a thyerësit e idealit të misionarit. Në të vërtetë, ku soj ligjërim më së miri gjen vetën në zhanrin e satirës, ku Fishta tejkalon kornizat konvencionale të shkrimit letrare, edhe të lirikës edhe të epikës. Këtu diskursi glorifikues tretet, dhe gjitha dobësitë shqiptare autori i merr në thumbim. Në fakt, këtu Fishta përdor kamçikun. Mu sikurse bariu i tij shpirtëror biblik, kryetipi njohur nga mësimet biblike, dhe me të fishkëllen gjithë ata që devijojnë idealeve të projektit shqiptar për emancipim e liri, si projekt autorial. Në këtë rrafsh, Fishta ndërton analogji implicite me ngjarjen biblike, kur Jezu Krishtin, në Sinagogë sheh të bëhet tregti dhe merr kamçikun e fishkëllen me të. Ky dimensioni simbolik i teksteve, që Northrep Fraji i analizon në kontekstin e përfytyrimeve që kanë ngjarjet, personazhet në shkrimin letrar, edhe pse i padukshëm në sipërfaqen e jashtme të tekstit lexohet nëse analizohet në kontekste të ngjarjes së përmendur.
Teoricieni e mendimtari i letërsisë Roland Barthi, shkruante: “teksti është një endje citimesh që vijnë nga mijëra kultura”. Ky mendim i Bariti mund të ”shërbejë” në shumë nivele sprovues, domethënës në mëtimet /kërkimet tona, ngase në tërësi çështja e sistemit letrar të autorit, në të gjitha zhanret ku shkroi letërsi, funksionin si endje funksionale citimesh, ngjarjesh e personazhesh që vijnë nga kultura të ndryshme të njohura në kulturën tekstuale shqiptare apo edhe dimensionet universale të shtrirjes së botës së letërsisë.
Fishta në zhvillimet letrare dhe kulturore, niset me një projekt letrar, dhe këtë shohim qartë se e jetëson përmes një strategjia letrare. Në këtë strategji, krijimi e tekstit poetik ka një qëllim, një funksion, dhe në të njëjtën kohë përcjell një ide-mesazh. Në zhanrin e epikës, te teksti ”Lahuta e Malcis”, Fishta jep totalitetin e mundshëm të historisë shqiptare, duke zbritur në të kaluarën dhe duke kënduar aktualitetin, si premisë për të ardhmen. Përmes dijes empirike letrare, autori thithë në përmasa eksplicite kulturën e letërsinë orale, ngjarjet dhe personazhet e njohura nga diskurset historike e orale, thith kodet tematike e retorike, të së cilat i hibridizohen, mbivendosë, kombinon dhe i ridistribuon përmes mekanizmave poetik në strukturën e tekstit, për të funksionalizuar e formësuar diskursin epik, i cili ka shenjat poetike personale dhe ndikimet intertekstuale, sidomos ato që vijnë nga lloji përkatës poetik. Shenjat poetike referenciale shfaqen edhe në planin kompozicional (të jashtëm, që shenjën e parë e ka në formulimin Lahuta, dhe mbiemërzimin e Malësisë, që nënkupton një vendbanim të njohur gjeografik, që implikon llojin e këngës me ritëm e elemente të diskursit përshkrues që del nga fushëveprimi ambiental). Model letrar, i përshtatshëm për Fishtën, mbetet kultura retorike e komunikimit poetik me elemente heroike: (autori fillon me bariun Marash Ucin, Oso Kuka, Trinëgn, Dedë Gjo Luli, Naim Frashri e përfundon me Abdyl Frashrin, etj.), të ndërthurura në një planë tjetër nga shfrytëzimi i mitologjisë së lashtë (përmes Zanave, Orëve, Dragonjve). Për të sforcuar diskursin, autori kurdoherë referencat, citatet, shenjat, ngjarjet i transformon në mënyrë eksplicite për t’u jetësuar në dritën e kohës, me metafora e krahasime e gjetje brilante poetike. Edhe pse teksti epik ndërtohet sipas modeleve klasike të epëve, në esencat e shenjave letrare gjejmë shtratin e kulturën retorike shqiptare, përmes leksikut, fjalëformimit, figurshmërisë, elemente këto që përgjallojnë nëpër ambientet e përditshmërisë shqiptare Gjitha këto elemente bazike, brenda strategjisë së autorit për tekstin, pra projektimet ideore dalin të përpunuara mjeshtërisht. Autori empirik thërret referentin, për t’i shpërthyer ekzaltimet shpirtërore, idetë letrare dhe me narratorin ndërton një relacion shkak/pasojë. Rrjedhimisht, këtë filozofi krijuese, autori empirik e shpreh në vargun ftillues të ”Lahutës…”, përmes së cilit varg sugjeron dhe njëherit thekson në formë kushtruese intencën letrare, duke kërkuar mbështetjen e Zotit, për të kënduar gjallimin e kombit, në pesëçindvjetët robërisë turke, që kishin pllakosur vendin në një prapambeturi tmerruese, shenjat denigruese të së cilës kishin bërë të zvetonheshin ato idealet kastriotinae: ”Ndihmo Zot, si m’ke ndihmue”. Kjo hyrje ftilluese, njëherit na sugjeron futjen në lojë të dimensionit intertekstual e interdiskursiv të tekstit, i cili në rend të parë i referohet filozofisë së tij religjioze, së dyti modelit epik, për të bërë të ditur se në këtë tekst rrëfehet, tregohet, pra ka narracion për një ngjarje të caktuar në të cilën ai krijon të ndërtoj marrëdhënien mes narratorit dhe audiencës. Fishta kërkon referentin për të nisur kangëtimin e nacionit dhe me këtë referent vepron tutje, duke u bërë teksti i tij endje funksionale citimesh e ngjarjesh që vijnë nga kultura dhe letërsi të ndryshme. Hyrja në Lahutë, shënjon edhe një analogji me “Iliadën” e Homerit. Këndo hyjneshë mërinë e Akilit. Vetëm dallon narracioni. Te Fishta kemi interkomunikim të drejtpërdrejtë poet/zot, ndërsa të Homeri kemi narracion atributive.
Letërsia e Fishtës zhvillohet në një kontekst kulturor dhe letrar që dominohej nga retorika heroike që përcillte zhvillimet shoqërore dhe transformimet e shumta dhe shumëdimensionale. Kjo dominacnë, deri diku, vetvetiu nënkupton edhe modelin letrar dhe diskursin, i cili natyrshëm ka shenja të fuqishme të korrespondimit të thellë me këtë gjendje, motivohet prej saj dhe ka këtë synim letrar.
Në këtë univers, rëndësi kanë edhe rrugët e formësimi të autorit, ajo që Sharl Lalo e quan psikologji autoriale. Ky estet i njohur frëng duke diskutuar aspektin psikologjik në vepër dhe në kapitullin “Estetika psikologjike” duke shkruar për personalitetin, sinqeritetin dhe fiksionin shkruan: “Shpesh përsëritet se vepra duhet të jetë shprehje e personalitetit të autorit të saj dhe se, sa më personal që është, aq më e bukur del. Shenjat me autentike të estetikes së tekstit të Fishtës, formësohet përmes dy komponentëve të rëndësishme estetike: dijës paraprake letrare, në formë të një parakonceptimi që ndërton autori për letërsinë në rrugën e formimit të tij artistik. Në këtë rrafsh, doemos inkuadrohet edhe talentit krijues, fiksionaliteti, që përbëhen bashkë më modelet pjesë e “qenies letrare” të letërsisë.
Letërsia Fishtës në esencën e saj ka vulën e gjendjes shoqërore. Autori njihte mirë trendët letrare në kulturën letrare perëndimore. Por kundronte gjendjen dhe zgjidhte dilemat e tij; për shqiptarët nuk ishte momenti të shkruhej letërsi e dimensioneve që përfaqësonin shembull, autorët si Kafka, Xhojsi e Kamys, por duhej sforcuar morali, duhej mobilizuar për të shpëtuar ekzistencën, duhej, në fund të fundit, të motivohej një shpirt kombëtar i degraduar në synim për liri e pavarësi. Në këtë synim, Fishta zgjodhi lëndën që i përshtatej fuqive të tij krijuese (Horaci), por, edhe artikuloj pozicionin e fuqishëm kundruall audiencën letrare dhe presupozoj një audiencë të caktuar letrare. Duke e ditur se kulturës letrare shqipe i mungonte një tekst themelor nacional i identifikimit, Fishta iu rrek shkrimit të epit, kur ky zhanër i përkiste së kaluarës. Dhe në këtë qëllim, autori e kuptonte se më së miri, mund të ndikoj epopeja kombëtare, që do të këndonte përpjekjet për pavarësi, vështruar në planin historik dhe perspektivë, e cila vepër i mungonte letërsisë shqipe. Këtë gjë nuk e kishin bërë më parë as autorët si De Rada, Naimi, Noli, Skiroi, përkundër përpjekjeve të herëpashershme. Dhe ndërtoj një simfoni epike të brilante, e cila pati ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm në botën letrare, por edhe në përgjithësi në audiencën e shumtë, që u bë model. Fishta donte që letërsia të influencoj.
Fishta ishte njeri religjioz me formim, i ndërtuar mbi mësimin e krishterë dhe biblik. Ky segment, do të bëhet dimension fundamental, që i jep shenjën autoriale, ngjyrë krijimtarisë së tij, parashenja e së cilit zë fill me artikulimin e projektit bazik autorial për Atme e Fe, postulate rreth së cilit sillet pjesa dominonte e krijimtarisë së tij. Fishta si bari shpirtëror dhe frat françeskan (rregull i krishterë që ka si objektivë jetën sa më të vështirë, për t’iu ndihmuar të tjerëve), i gjendur në një ambient ku funksionon në përmasa të mëdha kodi oral i jetës dhe i organizmit shoqëror (në Malësi), del në furtunat letrare dhe shkruan nga pozicioni i artistit, duke aplikuar një diskurs të fuqishëm. I mahnitur nga madhështia e bujaria e shpirtit të malësorëve, Fishta krijon miqësi me njërin nga malësorët, i cili do të behet edhe personazh i rëndësishëm në “Lauhtë e Malcis”, me Marash Ucin, personazh letrar i dokumentuar historik, i cili do të ndikoj shumë në epikën e tij. Po ashtu njihet për së afërmi me trajta të moçme folklorike, të cilat i absorbon dhe i funksionalizon duke ju dhënë stil të veçantë poetik. Jashtë këtyre pikave të rëndësishme, për të kuptuar natyrën e letrarsisë së Fishtës, mbetet me rëndësi të përmendim edhe përvojën letrare, si fushë empirike autoriale për letërsinë që zë fill më kontaktet e tij më letërsitë sllave, gjatë studimeve të tij në Sarajevë. Për këto Fishta në flet edhe vete në diskutimet e tij për artin dhe estetikën, përsiatjet që shpalosin karakterin shkrimtarit. Autori është lexues i pasionuar i autorëve të mëdhenj antikë, prej së cilëve magjepsej.
Gjitha këto ndërlidhën në literaturë përmes një indi, i cili njeh shndërrimet e mëdha, të cilat i gjejmë ne veprën e tij letrare; shndërrime do thoshim epokale, të cilat i përjetonte populli shqiptar, barrën kryesore të së cilës natyrisht e kishin intelektualët dhe shkrimtarët; nga të cilat zhvillime Fishta nuk shkëputet asnjë qastë; kalimi nga joliria drejtë lirisë, emancipimit dhe konsolidimit të kombit shqiptar, është beteja në të cilën Fishta artikulon vetën në art. Në fakt, Shqipëria dhe shqiptarët gjendeshin në një djerrinë kombëtare, por edhe religjioze. Nga i cili aspekt edhe motivohet shkrimi i bazuar në dy komponentë Atme e Fe, të cilat marrin trajta poetike të jashtëzakonshme, personale për t’u bërë tema të mëdha të letërsisë së autorit; madje tema fundamentale, të cilat do të përshkojnë ligjëratën poetike të Fishtës, në kuadër të gjitha zhanreve letrare; veçanërisht epikën. Në fakt, përmendja e këtyre elementeve jashta letrare, ka një motiv shpjegues për letërsinë e autorit. Sepse, prej këtij konteksti u motivua një pjesë e konsiderueshme e krijimtarisë letrare, ndikim që del në mënyrë eksplicite, me përjashtim të disa lirikave dhe teksteve metafizike e kushtuese (religjioze). Gjithsesi një përjashtim nga ky kuadër paraqet teksti poetik “Një lule vjeshte”, dhe si i këtillë del me status karakteristikë në kuadër të korpusit letrar fishtian, dhe që këndej shtron domosdonë e një ekstrainterpretim, ngase aty Fishta përvijohet nga vetja, për të dal i pastër në pasionin e tij krijues, në të cilën shpërfaq fuqinë brilante të këndimit poetik, duk mbetur larg zhvillimeve shoqërore.
Dimensioni semantik dhe estetik në letërsinë e Fishtës
Teksti letrar, “qenia e letërsisë së tij”, ndërtohet mbi dy kategori esenciale, të cilat njëherit janë preokupim i vazhdueshëm në fushën e interpretimit të letërsisë: aksi semantike dhe aksi estetike. Kualifikimi i parë ndërlidhet me idetë, kuptimet, ngjarjet, rrjetin narratologjik (mënyra si thuret ngjarja nga këndvështrimi i diegesisit aristotelian); dhe, kualifikimi i dytë ndërlidhet me rrafshin e mënyrës se si janë manifestuar në tekstet letrare elementet kostutituive estetike, elemente këto që janë të natyrës gjuhësor, stilistike, përgjithësisht atë që mund ta konceptonim gramatikë e tekstit letrar. Këto dy komponentë të cilat i përmendëm, implikojnë dy nivele të leximit të tekstit letrar, të cilat Umberto Eco i shtron në kuadër të nivelit të leximit semantik dhe leximit estetik të tekstit letrar. Po ashtu, kategoritë e lartëshkruara sugjerojnë edhe dy akse të mundshme të interpretimit të letërsisë pas procesit të leximit dhe gjenerimit të kuptimeve në tekste të caktuara letrare. Duke operuar me këtë kuadër termash (nocionesh) letrare, letërsinë e Fishtës e dimensionojmë, në dy segmente, të cilat i identifikojmë tek tekstet letrare të fushave themelore të letrarsisë së tij: në epikë, lirikë, dramatikë dhe satirikë. Në këtë korpus tekstesh, dy kategoritë e përmendura, paraqiten në plan të ndryshme dhe dalin në funksion të përmbushjes së idesë finale të tekstit, pra asaj që i është statusi letrar. Prandaj edhe shqyrtimi-kuptimi i letërsisë fishtian, përmes këtyre dy kategorive, bëhet për të specifikuar dy përbërës themelore të letërsisë së tij, që janë:
1. Dimensioni semantik,
2. Dimensioni estetik.
Ky kategorizim, në pikëshikim të një analize tekstuale, synon sintetizimin e funksioneve semantike dhe estetike, në strukturën apo strukturat shumështresore të teksteve letrare të autorit. Po ashtu, këto dy kategori letrare, prekin logjikën e funksionimit të teksteve letrare të Fishtës, në planin qëllimor që shtron ai para objektit të quajtur letërsi. Në fakt, niveli semantik dhe niveli estetik i tekstit, jo vetëm që janë pjesë e strategjisë autoriale, në një analizë më të gjithanshme, shprehin esencën e letrarsisë së Fishtës, letërsi kjo që ngërthen në vete këto dy boshte s elemente të fuqishme: teksti të ketë ide, mesazh letrar dhe konfigurim estetik letrar. Këtë pikësynim mbase autori e funksionalizon për të realizuar konceptin aristotelian për letërsinë: Katharsis-in. Në të vërtetë, kjo intencë letrare ndërlidhet me misionin e autorit në shkrim, mision ky që ndeshet në gjitha zhanret letrare, në gjitha mënyrat e artikulimit të diskursit, që për pandehmë ka prototipin e Misionarit Biblik, që studiuesi amerikan Northrep Fraji e analizon në kontekstin e figurës kryetipore të bariut të mirë biblik. Këto dy nivele të konfigurimit të tekstit te Fishtës, kurdoherë pikëtakohen dhe realizojnë fuqishëm poetikën letrare. Sidomos në tekstet narrative (epikë), ku idetë, kuptimet, ngjarjet kanë rol predominant, përpiqen njëra me tjetrën dhe konstruktojnë tërësinë letrare. Këtë tip të shkrimit Fishta më fuqishëm se kudo në tekstet e tij, autori e plason në epikë, te “Lahuta e Malcis”. Në këtë tekst, përpjekja e autorit për të harmonizuar idenë (ngjarjet) me mënyrën e të thanit (nivelin retorik/poetik dhe estetik e stilistik), mbetet një ndër karakteristikat e stilit fishtian. Në këtë aspekt, sekuencat narrative realizojnë nivelin letrarsisë, asaj që Zherar Zhent i thotë “qenie e letërsisë”, të epit në fjalë. Këtë logjikë, autori e ndërton përmes idesë së projektuar, që njohu paramodelin. Në epikë, ky model përshembull ka për bazë së pari rrëfimin sipas tipave të epëve të lashta (Iliada dhe Odisea të Homerit dhe Eneida e Virgjilit), i dyti, ka pikëmbështetje trashëgiminë e pasur vendëse (formë kjo që rezulton në mënyrë eksplicite prej letërsisë orale) dhe që ndeshet në krijimtarinë e Fishtës në formë të diskursit oral, që të bashkuara në shtratin narrativ konfigurojnë statusin final të “Lahutës së Malcis”. Këto elemente letrare gërshetohen, thithën, hibridizon, mbivendos dhe shpërndahen (ridistribuon) në ligjëratën letrare, përmes emocinalitetit poetik, të ndjenjës së thellë lirike dhe fuqisë së diskursit epik.
Në librin “Bërja e analizës së diskursit” (Doing discourse analyses), autorët Linda A. Ëood dhe Rolf O. Krogër, shpjegojnë modele të ndryshme të bërjes së analizave të diskursit. Në këtë kontekst, autorët flasin për “strategjinë e interpretimit”, si orientim efektiv për të analizuar funksionet e diskursit brenda një vepre letrare. Kjo mënyrë e shpjegimit të diskurseve në tekstet letrare të Fishtës, është orientim bazik dhe funksional, i cili në të njëjtën kohë mundëson të aplikohet si metodë e mundshme që kërkon mënyrën e funksionimit të tekstit letrar fishtian, në planin e ligjërimit, dhe idesë së hetimit të tipave të diskuesve brenda strukturës së tekstit konkret.
Letërsia e Fishtës synon të jetë funksionale. Ky term në fakt prek dinamikën e teksteve, në procesin e gjenerimit të kuptimit. I kontekstualizuar në tekstet letrare të Fishtës, termi përbën një komponent me rëndësi, për faktin se nënkupton funksionet që pretendojnë të luajnë tekstet e Fishtës në audiencën. Sidomos atëherë kur rrjeti i këtyre shenjave si kode letrare (semiozave sipas Ecos) në tekst funksionalizohen më qëllim të prodhimit të kuptimeve letrare të caktuara, çfarë synonte autori.
”Veprat letrare në ftojnë ka liria e interpretimit, sepse na propozojnë një diskurs shumëplanësh të leximit dhe na vënë përballë ambiguitetit të jetës dhe gjuhës” shkruan Umberto Eco. Në këtë mendim, Eco identifikon dy koncepcione esenciale: ambiguitetin e diskursit dhe jetës. Ky i fundit kap statusin e empirisë letrare. I pari ndërlidhet me tekstin. I dyti me autorin empirik dhe psikologjik. Kësofare ligjërata poetike e Fishtës, në instancën letrare derdh në shtratin e botës narrative letrare, shumëplanësinë e diskurseve të jetës dhe empirisë letrare, drejtë qëllimit final të tekstit, që prodhon ambiguitetin e gjuhës letrare. Në letërsinë e Fishtës ka polidiskurse letrare. Teksti fishtian artikulohet nga një referencë, pastaj merr statusin autorial.