Jump to content

Letersia e Gergj Fishtes/1

Nga Wikibooks

Letërsia e Gjergj Fishtës'


Ndue Ukaj

I pari shkrimtar shqiptar i propozuar për çmim Nobel, prozator, poet, përkthyes, "Militant i letërsisë shqipe" – i vlerësuar nga Lasgush Poradeci, për të marrë epitetin e meritum. "Poet kombëtar i shqiptarëve" - Eqrem Çabej dhe “Homeri Shqipta” (Maximilian Lamberci dhe pastaj Engjell Sedaj), Gjergj Fishta do të mbete për më se një shekull personaliteti më i spikatur i kulturës letrare shqipe, duke u çmuar klasiku më i dalluar i kësaj letërsie. Figura madhore e Fishtës është vlerësuar dhe vlerësohet lartë jo vetëm në fushën e letërsisë, por përgjithësisht në kulturën shqiptare, dimensionet dhe përmasat e së cilit prekin gjitha sferat me rëndësi kombëtare. Personaliteti i tij ndriçon në kulturën shqipe në shumë aspekte. Në kulturën e shkrimit shqipe, mbetet krijues kulmor, autori më i veçantë, më i shumëllojshëm dhe më i popullarizuari. Portreti i tij poliedrik, rrezaton në shumë drejtime në kulturën letrare shqipe. Me fuqinë intelektuale dhe shpirtin e pasionuar artistik, është bërë, për mase një shekull enciklopedia e shpirtit dhe mendësisë shqiptare, duke mbet zëri më influencues i kulturës letrare shqipe, edhe pse vepra e tij dhe ai vet përjetuan çmendurin më të madhe të komunizmit ateist në Shqipëri, kur u ekskomunikua dhe u abuzua me veprën e tij, kur u shtrembua dhe kur autori për së vdekuri përjetoj tragjiken e zhvarrosjes. Me të drejtë, Sabri Hamiti shkruan se ky akt vetëm sforcon mitin e martirizimit të krijuesve shqiptar, të ngjashëm me Pjetër Bogdanin.

Poet me sens të brumosur artistik, dramaturg me shpirt të rrëmbyer skenik, lirik më ndjenja të holla e drithërima vibruese, epikë me natyrë glorifikeuse e diskurs të fuqishëm heroik, Fishta është paradigma më interesante e letërsisë shqiptare të shekullit XX, por edhe letërsisë shqiptare vështruar përgjithësisht. Vepra e tij e gjerë dhe e larmishme, e shkruar brenda një periudhe dramatike kombëtare, që përfshinë katër deceniet e para të shekullit të kalum, është referencat më të rëndësishme e kulturës letrare shqipe, duke ja dhënë pikërisht fizionominë që i mungonte gjatë shekujve qenësimit të saj.

Me sensin e njeriut të përkushtuar dhe të pasionuar për artin letrar, autori diti të bënte një sintetizim të mrekullueshëm të shpirtit dhe mendësisë shqiptare, të kaluarës dhe të tashmes, sikur në një pikturë, ku spikaten virtytet dhe veset e kombit, ku rrëfehen degradimet kombëtare dhe ku shihen rrugët e trasuara për një ardhme të ndritshme herë me ngjyra subtile, herë ne nuanca të rënda, të ashpra, dramatike. Duke zgjeruar gamën tematike, duke sintetizuar kohë, ngjarje e mënyra më të shumëllojshme të këndimit artistik, autori i dha letërsisë shqipe një dimension të ri. Në mënyrë të jashtëzakonshme diti të harmonizoj estetikën e tekstit dhe tematikën. Me mjeshtëri e dije të kulluar letrare, shkriu empirin letrare dhe fiksionalitetin, në shtratin e intencës letrare që përplotëson tendencat e letërsisë misionare, me të cilin ideal Fishta ishte i mishëruar plotësisht, për t’u konsideruar apostull i lirisë së atdheut, misionar i letërsisë e kulturës shqiptare, ngase mishëroi në tekste popullin, aspiratat, gjallimin e shpirtin luftarak, natyrën rebeluse, të kaluarën e të tashmen. Ai ndërtoj një univers letrar, një Olimp Shqiptar, me qenie mitike e reale, duke ndërtuar kontraste të fuqishme dhe dramatike të letërsisë; madje më dramatikët në letërsinë shqipe. Aty ndeshim diskurset më glorifikuese, por edhe diskursin më sarkastik, që bëhen përmes ironisë së hollë, ku autori godet pamëshirshëm. Përmes veprës së vet të larmishme, autori donte të theksonte një aspekt të rëndësishëm për shpatarët; një identiteti kolektiv, që endet se karakteristikë e përhershme e veprës së tij. Autori e shqiptari i madh, Fishta diti t’i himnizojë mrekullisht virtytet shqiptare, shenjat identifikuese nacionale, gjuhën shqipe, flamurin kombëtar, trimërinë, figurat nacionale, të cilat i personifikon përmes heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu; portreti i së cilit do të endet në mënyrë funksionale dhe domethënëse në gjithë veprën e tij letrare. Fishta, figurë poliedrike, mbetet shembull eklatant e njeriut të ndritur, eruditë në shkrim, eruditë në kërkimet letrare, së këndejmi eruditë edhe në shkrimet e natyrës diskurseve analitike. Prandaj ka të drejtë njëri ndër njohësit e mirë të veprës së Fishtës, Atë Daniel Gjeçaj kur shkruan: ”S'do mend se janë të rrallë ata studiues që kur shkruajnë diçka për Fishtën të mos tronditën thellë e të mos i qasen me një kujdesej të veçantë veprës së tij, sepse portreti i tij është klasik e aq i lartë sa kishte për t'u dashtë me ardh një tjetër Fishtë për ta paraqitur si duhet pa ia deformuar profilin, pa ju vorgnue ngjyrat”.

Atë Gjergj Fishta, personalitet i rrallë i letërsisë shqipe, i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran shqiptar (Robert Elsie). Fishta ndjente nevojën e ripërtëritjes së kombit. Dhe kjo ripërtëritje, duhej bërë përmes njohjes së rrënjëve që lidhen me dimensionet etno-kulturore, mitike, epiko-historike. Andaj Fishta frymëzohet nga ideale që e karakterizonin shpirtin shqiptar. Prandaj, i jap të drejtë njërës nder njohëset e veprës së Fishtës, Janice Mathie-Heck, kur shkruan: “...Unë mendoj se Fishta u frymëzua nga sensi që ata kishin për nderin, drejtësinë dhe trimërinë. Ishte një atdhetar krenar dhe e vështronte Shqipërinë si një komb të rrezikuar, i cili donte të zinte vendin e vet përkrah kombeve të tjera të pavarura të Europës”.

Konceptet krijuese të Fishtës, sikundër e riformulon e artikulon teoritë klasike për artin e letërsinë. Në tekstet e tij letrare, autori jetëson konceptet Horacit për të dobishme dhe të këndshmen në art e letërsi (Dulce et Utule). Duke ditur që është e dobishme të këndohet kodi i mitit nacional, njësojë diti se është i këndshme ky lloj kangëtimi për të frymëzuar zemrat djaloshare në lirinë e popullit. Për këtë zgjodhi kurdoherë diskursin substancial, diskurs ky që korrespondon me mitet dhe kulturën nacionale, që fuqizon tregimet për Orët, Zanat e Dragonjtë, për kujtesën historike, e figurat e dalluara, për ngjarje e personazhe të njohura biblike dhe religjioze. Koncepti krijues e letrar i fishtian, njëkohësisht e dinte dhe e njihte mirë funksionin e letërsisë, funksion ky që lidhet me konceptin aristotelian për Katharsis-in. Autori e ndjente se përmes teksteve të tij ai duhet të ndikojë në zemrat dhe ndërgjegjen shqiptare t’i shkund në vetëdije kombëtare. Më tej, autori në shkrimet e shumta, nuk aplikon ndonjë metodë letrare, shkollë të caktuar, por thithi gjitha diskurset e mundshme, aty ku pretendonte t’i fuqizonte konceptet e lartshënuara. Për të qenë klasik e modern; i kuptueshëm e elitar, stil ky që u formësua përmes koloritit të lloj-llojet ngjyrash poetike dhe që kulmon si një margaritar i rrallë. Në të vërtetë çdo autor ka qëllim origjinalitetin, edhe atëherë kur është i vetëdijshme se nuk ka ligjërim virgjër (Roland Barthi), dhe se diskursi personal/fiksional, me vetëdije apo pa të, huazon ligjërime të njohura, për ta pasuruar Universin Letrar. Nivelet e këtilla, si modele të përmendura i gjejmë në shumë plane të krijimtarisë së Fishtës, veçanërisht tek tekstet themelore, në të cilat autori funksionalizon gjithë potencën krijuese (në epikë te teksti fundamental “Lahuta e Malcis”, në lirikë te dy përmbledhjet “Mirizi i Zanavet” dhe “Vallja e Parrizit”, në dramatikë te tragjedia letrare “Juda Mukabe”, në satirikë te “Anzat e Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit”.