Letërsisë shqipe i mungon dialogu!

Nga Wikibooks

Nga Rezart Palluqi

Jam i mendimit se nëse dikush do që ta bëjë prozën gjithëpërfshirëse, me shumë zëra, këtë mund ta arrijë vetëm duke lëvruar sa më mirë dialogun e natyrshëm. Dialogu për fat të keq konstatoj se i mungon mjaft letërsisë shqipe. Dhe proza PA dialog është pak a shumë si ai parlamenti komunist, ose diktatorial, ku një udhëheqës i vetëm dominon ose dikton mendimin e dhjetëra njerëzve të tjerë. Kjo ndodh pak a shumë në prozën me dialogë shumë shumë të paktë.


Në kësi lloj romanesh dominon zëri, mendimi i shkrimtarit. Personazhet janë të paktë dhe ata flasin ose të ndrydhur, ose heshtin, ose ndjenjat, qofshin këto të mira apo të këqija, i shprehin mbrapa krahëve të tjetrit. Çdo lloj sjellje të personazhit, apo formë shprehjeje, e përcakton shkrimtari. Rrjedhimisht, mungesa e të bërit dialog, krijon personazhe “pa karakter”. Atëherë mungesa e dialogut na krijon një efekt zinxhir: personazhe që nuk janë vetvetja dhe vetpërgënjeshtrohen. Nuk kanë vizion, ose nëse e kanë një të tillë, nuk e shprehin dhe e realizojnë atë duke përdorur lloj-lloj intrigash në dëm të bashkënjeriut të tij, dhe shoqërisë e botës akoma më gjerë.

Përse kemi dështuar të lëvrojmë dialogun në prozën shqipe?

Zakonisht, shkrimtari ose artisti del i pari nga guaska apo kafazi i moskomunikimit ose komunikimit të ndrydhur. Pra, ai sjell një kod të ri komunikimi, të paktën për hapësirën e gjuhës që flet populli, në gjirin e të cilit ai u lind dhe u brumos. Por që të sjellësh dialogun në letërsi duhet te kesh edhe një përvojë të madhe në jetë, të kesh zhbiruar karakteret e dhjetëra njerëzve të ndryshëm. Krahas kësaj, shkrimtari duhet të mos e përbuzë turmën, përkundrazi ta dojë atë dhe korrigjojë vazhdimisht, jo vetëm duke e cenuar, tallur atë, por vlerësuar dhe instruktuar. Dialogu lind prej turmës, kurse elita e civilizon atë. Elita, (2%) nuk ka nevojë për dialogë, sepse merret vesh fare lehtë nëpërmjet gjuhës trupore, kurse turma ka nevojë të bëjë zhurmë, ulërijë, qeshë, zgërdhihet, qajë publikisht etjer. Shkurt, dialogu e detyron shkrimtarin që të fluturojë pak më lart se mendja e gjuhës/popullit ku u lind dhe të ketë përvojë të gjallë jetike. Për fat të keq, shkrimtarët shqiptarë, sidomos ata mbas 1944, nuk kanë arritur t’i përvetësojnë dhe integrojnë në letërsi këto dy vlera/armë. Ata nuk e kanë shndrydhur/ shkrirë shprehësinë hipokrite të personazheve të tyre. Akoma më keq, ata e përbuzin turmën. Mendojnë se ajo është budallaqe. Pak a shumë kështu mendojnë edhe Tiranët, ndaj dhe bëjnë çtë duan me turmat e zhvlerësuara. Pa dashur të dal nga shinat e kësaj eseje analitike, mjafton t’ju përmend turmën holandeze. Si politikanët, si artistët holandezë kanë besim të madh tek ajo. Si në politikë, si në art, në këtë rast në letërsi, liria delegohet në shumë personazhe. Ata janë vetvetja, respektohet mendimi i tyre dhe krijohet shkëmbimi i mendimeve, përplasja e ideve, duke krijuar një debat. Shkrimtari distancohet dhe nuk bëhet një tiran, duke ngjizur çdo personazh me egon, mendimet e tij. Ndaj dhe turma evoluon, ecën paralel me shkrimtarin. Kështu që ata nuk i ndajnë lartësi olimpike, siç e hasim në Ballkan e shumë hapësira të tjera.

Që të mos keqkuptohem. Unë nuk jam përkrahës i idesë që dialogu të dominojë prozën, sepse atëherë rrëshqasim në zhanrin e dramës. Në një roman autobiografik atë e hasim rrallë, dhe kjo është tejet e justifikueshme, madje e nevojshme.

Dobitë e dialogut?

Dialogu, që zakonisht të çon në një debat konstruktiv, është plugu i mendimit të thellë. Dialogu është ura që ndan Luftën djathtas dhe Paqen majtas. Kur ai paralizohet, në politikë, Lufta dhe Paqja kacafyten, ndërsa në letërsi, personazhet izolohen në ishuj që rrethohen prej tabuve të pacekura, urrejtja dhe keqkuptimi. Në të kundërtën, lexuesi ngjizet me shprehshmërinë e natyrshme të personazheve dialogues. Ai mëson të jetë vetvetja, nuk lë askënd tjetër të flasë në emër të tij, guxon t’i thotë gjërat troç, qoftë edhe kur bashkëbiseduesit nuk i pëlqen. Ai është antibiotikë e hipokrizisë. Nëpërmjet dialogut mund të afrohet dhe kuptohet viktima dhe agresori, si në rastin e terrorit hoxhist, ku si viktima, si agresori vazhdojnë të qëndrojnë larg shoshoqit, për shkak se ata asnjëherë, qoftë edhe në prozë, nuk kanë tentuar të diskutojnë, kuptojnë plagët e hapura. Atëherë mund të rezultojmë se dialogu na ndihmon të marrim lamtumirë nga e kaluara traumatike, ose na mëson të bashkëjetojmë me disa plagë të pashërueshme.

Dialogu i jep aksion prozës, karakter dhe natyrshmëri. Prandaj dhe popujt me sisteme totalitare politike, si Shqipëria, kanë nevojë për një prozë të tillë.

Për fat të keq, sipas mendimit tim, shqiptari sillet NJËLLOJ, si në kafene, si në parlament, si në romanet shqiptare! Ose shkrimtari flet në emër të gjithë personazheve, siç ndodh me politikanët tanë. Ose edhe kur personazhet tentojnë të shprehen, shpesh njëra palë ofendon tjetrën, dhe mendimet e tyre hynë në njërin vesh dhe dalin në tjetrin. Krijohet një kaos dialogues që përkon me atë zhurmshmërinë e kafeneve ose parlamentit apo ambienteve familjare, ku shpesh krijohet përshtypja se familjarët nuk po komunikojnë por po grinden. Egoja majmunore këtu shemb çdo urë komunikimi dhe mirëkuptimi, pa të cilën njeriu do të sfilitet në armiqësi të panevojshme. Një sjellje të tillë e ndeshim edhe në vendet e Amerikës Latine. Këtij kurthi nuk arriti t’i shmanget as Markezi. Edhe ai në romanet e tij krijon fare pak dialogë, dhe e përmbyt prozën e tij me ujëvara figuracionesh. Ndërkohë që Dostojevski dhe Tolstoi krijuan qindra personazhe, secili me zërin e tyre të pavarur. Nuk është e rastit që ata ne na frymëzojnë e do të na frymëzojnë përgjithmonë. Apo që në Rusi gjithnjë ka pasur dhe do të ketë rusë që do t’i kundërvihen sistemeve totalitare. Ata do të jenë vetvetja, dhe do t’u ngjajnë personazheve të mjeshtrave, si Tolstoi, Dostojevski e shumë të tjerë.

Njeriu do të jetë në kërkim të identitetit të tij, dhe ai haset tek njeriu ose personazhet ekspresionistë.

Në mbyllje, dialogun në prozë apo jetën e përditshme, e konsideroj një vlerë të jashtëzakonshme për çdo shoqëri shumëkulturore, aq më tepër që në dy shekujt e fundit, sistemi demokratik është përpjekur të hedhë rrënjë. Tek e fundit, dialogu e shpëton shkrimtarin të mos bëhet tiran, ose narcist Sa më shumë personazhe të lirë, aq më dinjitoze për shkrimtarin. Proza me dialogë e personazhe të pavarur, është një shëmbëlltyrë e asaj bote ideale që njeriu e ka ëndërruar prej shekujsh, jo vetëm në ëndrra por edhe me sy hapur…


Amsterdam, 31 mars 2017