Laiciteti i shtetit dhe laiciteti i arsimit

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

Në një forum intelektualësh në gazetën “Dita” në prill 2016 edhe unë jam shprehur me një logjikë juridike dhe kushtetuese se laiciteti i shtetit parakupton në substancë dhe laicitetin e arsimit kombëtar.

Arsimi kombëtar është gjithashtu një institucion i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe të patjetërsueshme, ndoshta institucioni më i madh dhe në shumë pikëpamje i vetmi që formëson strukturën kulturore shkencore dhe humanistike të gjeneratave të reja.

Të mos harrojmë se gjeneratat e reja janë kombi me parametrat cilësorë ose të degradimit, në thelb të një dekadence të vetëdijes dhe të tagrit të vetë qenies ekzistenciale të kombit. Si dhe të mbijetesës së tij, ose jo!

Ideja për të futur lëndët fetare në programin mësimor, qofshin këto të strukturuara ose të modifikuara nga specialistë dhe didaktistë të sprovuar për mendimin tim është një ide krejt e papritur, jo e menduar thellë dhe unë shpresoj që përveç ngjalljes dhe stimulimit të një debati, që gjithsesi krijon një rigjallërim, apo dhe një stres ndaj plogështisë intelektuale, intelektualët dhe personalitetet e kulturës në Shqipëri, pavarësisht përplasjeve të domosdoshme të konvergojnë në një ide qendrore pikërisht për të ardhmen e substancës së arsimit kombëtar, të laicitetit kushtetues dhe të bashkekzistencës sa më harmonike midis institucioneve dhe besimeve fetare.

E vërteta që e dinë të gjithë shqiptarët është se harmonia fetare në Shqipëri është e lavdërueshme, se ajo nuk është thjesht bashkekzistencë, por dhe matrica e një tolerance gjithëpërfshirëse, të përbashkët, që sendërton atë “comon sense” që mendimtari i shquar amerikan Thomas Payne e quan si një arritje superiore të arsyes njerëzore, të dashurisë dhe të humanizmit. Po e ritheksoj se toleranca fetare në një vend me pluralitet fesh si Shqipëria është e tillë pikërisht jo për arsye të dallimeve krahasimtare apo doktrinore të feve, por të njësisë së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.

Këtë gjë e shpreh edhe poeti i madh anglez Lord Bajroni në shek.XIX kur në letrat e tij i shkruan nënës se shqiptarët pavarësisht statusit fetar, të krishterë apo myslimanë, përherë parapëlqenin të thonin se janë thjesht “shqiptarë”. Ndryshe nga vendet e tjera evropiane ku fanatizmi fetar, apo edhe fundamentalizmi fetar krijoi edhe degama dhe luftëra fetare, në Shqipëri në të gjithë shekujt e ekzistencës së saj nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë. Dhe kjo është diçka e mrekullueshme. Toleranca fetare në Shqipëri duhet kuptuar dhe analizuar thellë.

Toleranca fetare në Shqipëri është një arritje e pashembullt.

Unë pyes: nëse kjo tolerancë fetare është arritur pikërisht në bazë të një tradite shekullore, madje pa qenë nevoja ose dhe në mungesën e “domosdoshmërisë” të futjes së lëndëve fetare në arsim, atëherë ku qëndron shqetësimi që mbas një konstatimi dhe formulimi të tillë të një virtyti kombëtar të hedhim befas tezën dhe mendimin se duhet të futen në arsimin e Shqipërisë edhe lëndët fetare? I gjithë ky argumentim në shikim të parë është paradoksal sepse nuk ka një sens të vetë arsyetimit logjik.

Një nga mendimtarët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave i cili është dhe kryearkitekti i Autoqefalisë, së Kishës Ortodokse Shqiptare Fan Noli në një artikull të tij me titull “Përgjigja jonë” botuar në gazetën “Dielli” më 15 tetor 1909, nr: 29, shkruan: “’ Feja s’mund të ndahet nga arsimi’ thotë zoti Praodentikos (në shqip: Përparimtari, shënimi im MZ). Në Anadoll po, mirëpo a është kjo e vërtetë edhe në botën e qytetëruar? Në Amerikë feja s’ka asnjë pjesë në arsimim”.

Noli i cili kishte përkthyer edhe tekstet e shenjta në shqip e shihte qartë laicitetin e arsimit kombëtar pa mohuar këtu në bazë të konditave ligjore, siç i ka çdo shtet i qytetëruar, edhe të shkollave fetare të vetë institucioneve adekuate.

Një optikë shumë e qartë, do të thonim edhe ne sot.

Në vitin 1935 Migjeni botoi një skicë eseistike me titullin “Programi i një reviste”. Në të thuhet:

“Politikë – jo! Jo! Jemi dakord. Se politika s’ka një themel të shëndoshë, s’ka ligj, s’ka mllef. Madje, s’ka as moral – ia shtoi një redaktor moralist, tue i shikue kolegët përmbi syza. Ky redaktor, asaj dite për drekë, në vend të bukës, pahiri, futi në gojë një cep të librit “Morali fetar” dhe, kur pa se nuk shkon, e pshtyni. Mirëpo zotnia kishte te shtëpia fëmijtë; e fëmijtë, s’i thotë pedagogjia moderne, janë majmuna, prandej, kur e panë t’anë tue pshtye, ia nisën dhe ata fuj-fuj-fuj!

Politika asht një kameleon, i cili – dihet – simbas vendit ku gjendet, merr dhe ngjyrën. Të mendojmë se kameleoni gjendet mbi një shkrep, dhe, natyrisht, merr ngjyrën e shkrepit. Ta dëftojnë me gisht dhe ti mezi e dallon atë nga shkrepi. Lëshohe turravrap me e xanë, por kthehe me trofej në ballë, si me pasë qenë në Luftën e Trojës. Balli yt asht bamë dhe një herë ma i madh në të përpjekun me shkrepin. Se kameleonin tash e ke, tash s’e ke. Të iku… – Qe një definicion i politikës, po qe se mund të ketë politika definicion,- tha një tjetër redaktor.”

Parabola e mësipërme ka një aktualitet të habitshëm. Për politikanët është substancial koncepti se ç’është politika në të vërtetë. A mund të ketë një politikë subjektiviste, tepër të lëshuar dhe të harlisur? Sa mund të jetë koeficienti i subjektivitetit në politikë i një politikani?

Çfarë është në të vërtetë politika? A është një triumf i qytetërimit juridik? A është një sublimim i kulturës së qytetërimeve të përbotshme dhe i traditave të popujve të mëdhenj dhe të vegjël? A është politika “një shkop magjik”, apo një “fabrikë onirike”?

A nuk është laiciteti një fitore e madhe e njerëzimit? A nuk ka thënë Monteskje se politizimi i fetares si dhe fetalizimi i politikës janë formulime katastrofike me dëme të pallogaritshme? A mundet në një shoqëri të veprohet duke përdorur mutacionet ideologjike ose për të stimuluar një inxhinieri ideore, nocione këto që janë kritikuar ashpër nga filozofët Karl Poper dhe Bertand Russell? A mund të kemi një situatë të së ardhmes si tek librat utopikë si “L’ille inconnue” e Grivel-it apo në “L’Ane 2440” të Sebastian Mercier-it?

Duhet të jemi tepër të kujdesshëm sidomos në idetë që kanë të bëjnë më ndryshimin radikal të situatave dhe traditave. E njëjta gjë mund të thuhet për situatën plurale dhe të lavdërueshme në Shqipëri të ringjalljes së tyre mbas mohimit të shtetit totalitar ateist që qe gjithashtu një utopi negative e pashembullt. Rene Remond ka thënë: “Historia e ideve nuk rregullohet vetëm dhe kryesisht përmes determinizmit të jashtëm, nëse ajo u bën jehonë pikëpamjeve të kohës, nëse shpesh ajo është shtyrë dhe pështyrë, lakuar, ndryshuar, madje nga ngjarja, ajo ruan një aspekt autonom.”

Kjo do të thotë se e vërteta se qytetërimi i sotëm modern është qytetërimi juridik që parakupton laicitetin, por edhe tolerancën dhe bashkëekzistencën e feve është në të vërtetë një arritje e madhe e njërëzimit mbas shumë luftërash mendore, paradoksesh, shkatërrimesh, persekutimesh të llahtarshme për të qartësuar atë që konsiderohet doktrina e humanizmit mbarëplanetar.

Me këtë rast dua dhe unë të shpreh shqetësimin tim se arsimi kombëtar shqiptar përjeton një gjendje kritike. Arsimi kombëtar shqiptar i të gjitha niveleve ka një mungesë të dukshme të rolit vendimtar dhe botëkuptimor, njeriformues të disiplinave humanistike.

Sot një pjesë e madhe e universit është mbyllur. Pavarësisht dimensioneve virtuale, bota reale është tkurrur. Shkencat na janë bërë të pakapshme. Kush mund t’i kuptojë aventurat e funsit të gjenetikës, astrofizikës, gjeologjisë? Kush mund t’ua shpjegojë ato profanëve? Duket sikur dijet nuk komunikojnë më, shkrimtarët dhe filozofët ngjajnë si specie në zhdukje. Nga ana tjetër zhvillimi i teknologjisë është marramendës. Lind si domosdoshëmri nevoja e të kuptuarit.

Imagjinoni një botë, thotë George Steiner, ku neurokimia të na spiegonte Moxartin.

“Po kjo është e mundur, dhe më tremb. Makineritë janë tashmë interaktive me trurin: Kompjuteri dhe qenia njerëzore punojnë bashke. Ndoshta një ditë mund të ndodhë që historianët të kuptojnë se ngjarja më e rëndësishme në shek.XX, nuk ishte lufta, as krah-i financiar, por ajo natë ku Kasparov, lojtari i shahut, humbi kundër një kutie të vogël prej metali. Dhe shkruajti: “Makineria nuk ka njehsuar, por ka menduar.” Kur e pashë këtë, kërkova mendimin e kolegëve të mi në Cambridge, që janë mbretërit e shkencës. Më thanë se nuk e dinin nëse mendimi ishte një llogari. Kjo është një përgjigje e tmerrshme! A do të mundet që një ditë kutia e vogël të na krijojë muzikë?”

Së fundi dua të bëj dhe një saktësim terminologjik. Ka një ngatërresë dhe një konfuzion midis “lëndëve fetare” dhe “historisë së feve”. Lëndët fetare në arsim lidhen me elementë shpjegues dhe ilustrues të doktrinave fetare siç janë katekizmi, morali fetar, dogmat kryesore.

Pra lëndët fetare kanë të bëjnë me doktrinat fetare dhe jo me ato jashtë tyre. Kurse historiku i feve është një koncept i mirëfilltë shkencor dhe jo fetar. Ne flasim për historik të feve si një disiplinë që u bashkëngjitet shkencës së historisë, flasim për histori të ikonografisë, të arteve etj. gjithmonë në konceptin e studimit rigoroz, krahasimtar por edhe estetik të mirëfilltë.

Fjala vjen historia e qytetërimeve është vetvetiu dhe histori shkencore e feve të mëdha apo të vogla, e feve që s’janë më (shumica e feve politeiste) si dhe e feve botërore monoteiste etj.

Por e ritheksoj, historia e feve është vetvetiu një koncept shkencor dhe jo fetar.

Nëse do të shtojmë diçka më shumë për historinë e feve në arsimi shqiptar – unë e di shumë mirë që histori të tilla ekzistojnë në shumë tekste është diçka tjetër nga futja e “lëndëve fetare”, që do të përbënte një arsimim fetar të mirëfilltë.

Por kjo duam apo nuk duam do të krijonte një kontradiktë të panevojshme dhe të kapërcyer tashmë prej shekujsh në arsimimin laik.