Jump to content

Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Referendumi

Nga Wikibooks

Neni 218

Populli i Kosovës përveç përmes përfaqësuesve të vet në organet shtetërore, vendos dretpërdrejt edhe me referendum.
Me referendum populli vendos në rastet e përcaktuara me Kushtetutë, si dhe në rastet e tjera kur ai këtë e kërkon.

Neni 219

Populli, nëpërmjet pesëdhjetë mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t'i kërkojë Kuvendit të Kosovës zhvillimin e referendumit për një çështje me rëndësi të veçantë.
Kuvendi i Kosovës, me propozimin e së paku dy të pestave të anëtarëve të vet, ose me propozimin e Kryetarit të Kosovës ose Qeverisë së Kosovës, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj me rëndësi të veçantë të shtrohet në referendum. Vendimi merret me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij përcaktohen me ligj.

Neni 220

Ligji i miratuar me referendum shpallet nga organi i caktuar me Kushtetutë për shpalljen e ligjeve të rëndomta.
Çështjet që lidhen me statusin përfundimtar të Kosovës dhe me ndryshimin e kufijve të saj mund të vendosen vetëm me referendum.
Çështjet që lidhen me kufizimin e lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të Kosovës, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në referendum.
Referendumi për të njëjtën çështje nuk mund të përsëritet përpara se të kenë kaluar tre vjet nga zhvillimi i tij.

Neni 221

Referendumi në njësitë e vetëqeverisjes lokale rregullohet me ligj.