Jump to content

Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Qeveria e Kosovës

Nga Wikibooks
Alternativa: Këshilli i Ministrave


Neni 159

Qeveria e Kosovës është bartëse e pushtetit ekzekutiv.
Të drejtat dhe detyrat e veta Qeveria i ushtron në bazë dhe në suaza të Kushtetutës dhe të ligjeve.

Neni 160

Qeveria e Kosovës:

1. propozon dhe realizon politikën e Kosovës, cakton politikën e zbatimit të ligjeve dhe të dispozitave të tjera të Kuvendit dhe është përgjegjëse për përmbushjen e tyre;
2. nxjerr urdhëresa dhe dispozita të tjera për zbatimin e ligjeve;
3. propozon ligje, planin hapësinor, buxhetin dhe llogarinë përfunditare si dhe dispozita të tjera të cilat i nxjerr Kuvendi;
4. përcakton parime për organizimin e brendshëm dhe për punën e ministrive dhe të organeve të tjera të administratës;
5. orienton dhe bënë mbikëqyrjen e punës së ministrive, abrogon ose anulon dispozitat e tyre që janë në kundërshtim me ligjin ose me dispozitat që i ka miratuar;
6. jep mendimin për ligjet dhe dispozitat e tjera të cilat Kuvendit ia paraqesin propozuesit e tjerë të autorizuar;
7. formon shërbime profesionale dhe shërbime të tjera për nevojat e veta;
8. propozon prokurorët publikë;
9. emëron dhe shkarkon bartësit e funksioneve të caktuara me ligje dhe dispozita të tjera;
10. vendos për njohjen e shteteve dhe të qeverive;
11. vendos marrëdhënie diplomatike e konsulare dhe propozon hapjen e përfaqësive diplomatike e konsulare në botën e jashtme;
12. vendos për ngritjen e akuzës para Gjykatës Kushtetuese kundër organeve të komunës dhe të Qytetit të Prishtinës për shkelje të ligjit;
13. propozon shpërndarjen e kuvendeve të komunave dhe të Qytetit të Prishtinës; dhe
14. kryen edhe punë të tjera të caktuara me Kushtetutë dhe ligj.


Neni 161

Qeverinë e përbëjnë: kryetari, numri i caktuar i nënkryetarëve dhe ministrat.
Kryetari, nënkryetarët dhe ministrat zgjidhen nga radha e deputetëve në Kuvend.

Alternativa për alinenë 2:

Kryetari, nënkryetarët dhe ministrat nuk mund të jenë deputetë në Kuvend.

Neni 162

Kyetari i Qeverisë, nënkryetarët dhe ministrat gëzojnë imunitetin e deputetit. Për imunitetin e tyre vendos Qeveria.
Funksioni kryetar e nënkryetar i Qeverisë dhe ministër është i papajtueshëm me ushtrimin e asnjë veprimtarie tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimpruese.
Organizimi dhe mënyra e punës së Qeverisë rregullohen me ligj.

Neni 163

Kryetari i Kosovës është i obliguar që në afat prej dhjetë ditësh prej ditës së mbledhjes së parë të Kuvendit të posazgjedhur ta caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë.
Mandatari, brenda 20 ditësh prej ditës së besimit të mandatit, ia paraqet Kuvendit programin politik dhe ia propozon përbërjen e Qeverisë.
Qeverinë e zgjedh Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Neni 164

Qeveria dhe secili anëtar i saj përgjigjen për punën e vet para Kuvendit.
Qeveria dhe çdo anëtar i saj mund t’i paraqesin dorëheqje Kuvendit.
Dorëheqja e kryetarit të Qeverisë, vdekja e tij ose pengimi i përhershëm në ushtrimin e funksionit, tërheq dorëheqjen e Qeverisë.
Qeverisë i pushon mandati kur shpërndahet Kuvendi.
Kryetari i Qeverisë mund t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e ndonjë anëtari të Qeverisë. Po qe se propozon shkarkimin e më shumë se 1/3 së anëtarëve të Qeverisë, Kuvendi vendos si për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Neni 165

Kuvendi mund t’i votojë mosbesimin Qeverisë.
Mocionin për mosbesimin Qeverisë mund ta paraqesin së paku 20 deputetë.
Votimi për mosbesimin Qeverisë bëhet pas kalimit të tri ditëve prej paraqitjes së mocionit për bësimin Qeverisë.
Vendimi për mosbesimin e Qeverisë konsiderohet i miratuar në qoftë se për këtë voton shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve të Kuvendit.
Mocione të sërishme për mosbesimin Qeverisë nuk mund të bëhen para se të kalojnë së paku 90 ditë nga dita e votimit të fundit për mosbesim, përpos në rast se këtë propozim e kërkon shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve.
Qeveria së cilës i është votuar mosbesimi, e cila ka dhënë dorëheqje ose së cilës i pushon mandati me vendimin e Gjykatës Kushtetuese ose për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Neni 166

Kryetari dhe anëtarët e Qeverisë dhe organet që kanë përgjegjësi të ngjashme mund të gjykohen për shkelje të ligjit nga Gjykata Kushtetuese.
Akuza ngrihet me propozimin e së paku 1/4 të të gjithë deputetëve dhe duhet të mbështetet nga shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese shqyrton akuzën kundër kryetarit të Qeverisë brenda një muaji nga ngritja e saj. Në qoftë se vërtetohet se ka shkelë ligjin, atij i ndërpritet mandati dhe shkarkohet nga funksioni.

Neni 167

Administratën shtetërore e përbëjnë ministritë dhe organet tjera të administratës dhe organizatat e administratës të caktuara me ligj.
Ministritë dhe organet tjera të administratës zbatojnë ligjet, dispozitat dhe aktet e tjera të Kuvendit, të Qeverisë dhe kryetarit të Kosovës, si dhe vendosin për çështjet administrative të caktuara me ligj.
Organet e administratës shtetërore i ushtrojnë kompetencat e tyre në mënyrë të pavarur në bazë dhe në suazat e Kushtetutës dhe të ligjeve.
Organet e administratës shtetërore për punën e tyre i përgjigjen Qeverisë.
Organizimi, puna dhe kompetencat e organeve të administratës shtetërore rregullohen me ligj i cili miratohet me shumicën e 2/3 të votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Neni 168

Organet e administratës në lëmin e mbrojtjes dhe të policisë i udhëheqin personat civil.