Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Ombudspersoni i Kosovës
Appearance
Alternativë: Avokati i Popullit i Kosovës
Neni 185
- Ombudspersoni afirmon dhe mbron të drejtat dhe liritë e ligjshme të individëve dhe të personave juridik nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike.
- Ombudspersoni është i pavarur në ushtrimin e detyrës së tij.
- Ombudspersoni ka zyrën dhe buxhet të veçantë, të cilin e propozon dhe admninistron vet, në bazë të ligjit.
- Zyra e Ombudspersonit përbëhet nga Ombudspersoni dhe numri i caktuar i zëvendësve të tij dhe personalit kompetent profesional.
- Ombudspersoni mund të formojë zyrat e tij edhe në komunat e caktuara.
Neni 186
- Ombudspersonin e Kosovës dhe zëvendësit e tij i zgjedhë Kuvendi i Kosovës me shumicë prej tri të pestave (3/5) të votave të të gjithë anëtarëve.
- Ombudspersoni dhe zëvendësit e tij zgjedhen me mandat prej katër vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
- Së paku një nga zëvendësit e Ombudspersonit duhet të jetë pjesëtar i pakicave kombëtare ose grupeve etnike.
- Në funksionin e Ombudspersonit dhe zëvendësve të tij mund të zgjedhen persona të shquar me karakter të lartë moral, të paanshëm dhe të ndershëm, me arsim të lartë, me njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare dhe grupeve etnike.
- Ombudspersoni dhe zëvendësit e tij gëzojnë imunitetin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
- Ombudspersoni dhe zëvendësit e tij nuk mund të jenë anëtarë të asnjë partie politike, nuk mund të ushtrojnë veprimtari tjetër politike, shtetërore ose private profesionale dhe as të marrin pjesë në organizmat drejtues të organizatave civile, ekonomike dhe tregtare.
Neni 187
- Ombudspersoni dhe zëvendësit e tij mund të shkarkohen me kërkesën e tyre të arsyetuar dhe kur t'i plotësojnë kushtet për pension sipas ligjit.
- Ombudspersoni dhe zëvendësit e tij mund të shkarkohen edhe me kërkesë të motivuar të së paku një të tretës së anëtarëve të Kuvendit.
- Në rastin nga alinea 2 e këtij neni Kuvendi vendos me shumicë prej tri të pestave të votave të të gjithë anëtarëve të vet.
Neni 188
- Ombudspersoni paraqet raport vjetor përpara Kuvendit.
- Ombudspersoni raporton përpara Kuvendit kur kërkohet prej tij, si dhe mund t'i kërkojë Kuvendit të dëgjohet për çështje që ai i çmon të rëndësishme.
- Ombudspersoni ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike.
- Ombudspersoni do t'i publikojë rekomandimet e tij, përpos në rastet kur konsideron se kanë të bëjnë me çështje sekrete, apo kur këtë shprehimisht e kërkon personi që e ka paraqitur ankesën.
- Organet dhe bartësit e funksioneve publike janë të detyruar t'i paraqesin Ombudspersonit të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara prej tij.
Neni 189
- Ombudspersoni mund të marrë iniciativë për fillimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë të ligjit dhe të ligjshmërisë së akteve të përgjithshme juridike, nëse çështja e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së tyre paraqitet në punën e tij në rastet konkrete.
Neni 190
- Vendimet ose veprimet e ndërmarra nga ana e Ombudspersonit nuk mund të goditen me kurrfarë ankese.
Neni 191
- Organizimi, procedura dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me Ombudspersonin rregullohen më hollësisht me ligj.