Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Marrëdhëniet dhe marrëveshjet ndërkombëtare
Appearance
Neni 237
- Kosova, në kuadër të të drejtave dhe detyrave të veta të përcaktuara me Kushtetutë, në pajtim me rezolutat e përgjithshme të Asamblesë së Përgjithshme dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bashkëpunon me të gjitha vendet demokratike mbi parimet e Kartës së OKB-së dhe barazisë e reciprocitetit, si dhe me organizatat ndërkombëtare.
- Në marrëdhëniet ndërkombëtare, Kosova do t’i jap prioritet zhvillimit të bashkëpunimit dhe mirëbesimit me shtetet fqinje e të rajonit dhe me të gjitha organizmat ndërkombëtare.
Neni 238
- Kosova mund të anëtarësohet në organizata, institucione dhe asociacione ndërkombëtare. Vendimin për anëtarësimin ose për daljen nga anëtarësia në organizatat ndërkombëtare e merr Kuvendi me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve me propozimin e Kryetarit të Kosovës.
Neni 239
- Deri me asociimin në to, Kosova pranon marrëveshjet ndërkombëtare të cilat nuk janë në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës.
- Marrëveshjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e njeriut janë pjesë përbërëse e rendit të brendshëm juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj.
Neni 240
- Në kuadër të të drejtave dhe detyrave të përcaktuara me Kushtetutë, Kosova lidh marrëveshje ndërkombëtare ekonomike, politike, kulturore, ushtarake dhe marrëveshje të tjera me interes për popullin.
- Marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Kosovës i lidhë Kryetari i Kosovës.
- Marrëveshjet ndërkombëtare mund t’i lidhë edhe Qeveria e Kosovës kur kjo është parashikuar me ligj.
- Marrëveshjet ndërkombëtare nga al. 2 e 3 e këtij neni i ratifikon Kuvendi i Kosovës me ligj.
- Parimet dhe procedura për ratifikimin dhe denoncimin e marrëveshjeve ndërkombëtare përcaktohen me Kushtetutë dhe ligj.