Jump to content

Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Kuvendi i Kosovës

Nga Wikibooks

Neni 125

Kuvendi i Kosovës është organ përfaqësues dhe bartës i pushtetit legjislativ.

Neni 126

Kuvendi i Kosovës:
1. nxjerr dhe ndryshon Kushtetutën e Kosovës;
2. miraton ligje dhe dispozita të tjera;
3. miraton planin hapësinor;
4. përcakton objektivat e veprimtarisë ekonomike e shoqërore dhe cakton detyrimet publike;
5. miraton buxhetin dhe llogarinë përfundimtare;
6. vendos për ndryshimin e kufijve të Kosovës në bazë të vullnetit të shprehur lirisht të popullit të Kosovës me referendum;
7. rregullon organizimin administrativ-territorial të Kosovës;
8. vendos për luftën dhe paqen;
9. ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare;
10. shpall referendumin e Kosovës;
11. shpall huatë publike të Kosovës dhe vendos për hyrjen borxh të Kosovës;
12. zgjedh dhe shkarkon: kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, Qeverinë e Kosovës, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Ombudspersonin e Kosovës dhe zëvendësit e tij, katër anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Kosovës; emëron dhe shkarkon: Kryetarin dhe gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe të gjykatave të tjera të rregullta në Kosovë, gjyqtarët betarë, Prokurorin e zëvendësprokurorët publik të Kosovës dhe prokurorët publik e zëvëndësit e prokurorëve publik në Kosovë dhe bartësit e funkisioneve publike të caktuara me ligj;
13. ushtron kontrollin politik dhe mbikëqyrjen e punës së Qeverisë dhe të organeve të tjera, si dhe të bartësve të funksioneve publike që janë përgjegjës para Kuvendit;
14. me propozimin e Qeverisë shpërndanë kuvendet e komunave dhe të Qytetit të Prishtinës dhe shpall zgjedhjet e parakohshme për zgjedhjen e tyre, në rastet kur konstaton se është bërë shkelja e rëndë e Kushtetutës dhe e ligjit, si edhe kur janë cenuar të drejtat e njerëzve dhe të pakicave kombëtare dhe grupeve etnike;
15. bën amnestinë e kryerësve të veprave penale;
16. bën interpretimin autentik të ligjeve;
17. kryen edhe punë të tjera të caktuara me Kushtetutë.
Organizimi dhe funksionimi i Kuvendit rregullohen me Kushtetutë dhe me Rregulloren e brendshme të punës, të miratuar nga shumica e të gjithë deputetëve.

Neni 127

Kuvendi miraton ligje, vendime, deklerata dhe porosi.
Ligjet dhe vendimet janë të detyrueshme për të gjitha organet shtetërore, organizatat dhe shtetasit.

Neni 128

Kuvendi i Kosovës përbëhet nga një dhomë dhe ka 130 deputetë.
Struktura kombëtare dhe etnike e deputetëve të Kuvendit është në përputhje me strukturën kombëtare dhe etnike të popullsisë së përgjithshme të Kosovës.
Përjashtimisht nga alinea paraprake e këtij neni, pakicave kombëtare dhe grupeve etnike u lihen ___ % të vendeve në Kuvend, të cilat ndahen midis tyre në përputhje me pjesëmarrjen e përgjithshme në strukturën kombëtare dhe etnike të Kosovës.


Alternativa për alinenë 3:

Në Kuvend pakicat kombëtare dhe grupet etnike përfaqësohen: me dhjetë deputetë serbët dhe me nga një deputet boshnjakët, malazezët, kroatët, turqit, hashkalinjtë, egjiptasit dhe romët.
Deputetët zgjedhen në zgjedhjet e përgjithshme, të lira, të drejtpërdrejta e të barabarta, me vota të fshehta.
Kandidatët për deputet mund t’i propozojnë: partitë politike, koalicionet e partive politike si dhe zgjedhësit.
Mënyra dhe kushtet e zgjedhjes së deputetëve dhe formimi i njësive zgjedhore rregullohet me ligj, i cili miratohet me shumicën e votave të numrit të përgjithëshëm të deputetëve.

Neni 129

Deputeti përfaqëson popullin dhe në Kuvend vendos sipas bindjes së tij.
Deputeti nuk mund të revokohet.

Neni 130

Deputeti gëzon imunitet.
Deputeti nuk mund të thirret në përgjegjësi penale, të arrestohet apo të dënohet për mendimin e shprehur ose për dhënien e votës në Kuvend me përjashtim të rastit të shpifjes.
Deputeti nuk mund të arrestohet pa lejen e Kuvendit e, në qoftë se thirret në imunitet, kundër tij nuk mund të inicohet procedura penale pa lejen e Kuvendit.
Deputeti mund të arrestohet pa lejen e Kuvendit vetëm në qoftë se është zënë në kryerjen e veprës së rëndë penale për të cilën është parashikuar dënimi me burg në kohëzgjatje më tepër se pesë vjet.
Kuvendi mund të vendosë që të zbatohet imuniteti ndaj deputetit i cili nuk është thirrë në imunitet në qoftë se kjo është e nevojshme për kryerjen e funksionit të tij.
Për heqjen e imunitetit të deputetit vendos Kuvendi me votim të fshehtë, me shumicë prej 3/5 të votave të të gjithë deputetëve.

Neni 131

Deputetët nuk mund të ushtrojnë asnjë detyrë tjetër shtetërore përveç asaj të anëtarit të Qeverisë.
Alternativa për alinenë 1:
Deputeti nuk mund të ushtrojë asnjë detyrë tjetër shtetërore.
Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e Kosovës ose e pushtetit lokal dhe as të fitojë pasuri të tyre.
Për çdo shkelje të alineve të mësipërme të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një të dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.

Neni 132

Kuvendi zgjedhet për katër vjet.
Zgjedhjet për Kuvend zhvillohen 60 ditë para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.
Mandati i Kuvendit vazhdon deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. Në këtë ndërkohë Kuvendi nuk mund të miratojë ligje ose të marrë vendime, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.
Kuvendi shpërndahet nëse për atë deklerohet shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve, si dhe në mënyrë tjetër të parashikuar me Kushtetutë.
Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte dhe për aq kohe sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është i shpërndarë, ai rithirret vetvetiu.

Neni 133

Mandati i deputetëve fillon ditën e verifikimit nga ana e Kuvendit.
Para fillimit të ushtrimit të mandatit deputetët bëjnë betimin në Kuvend.
Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm në rastet:
- kur ai nuk bën betimin;
- kur heq dorë nga mandati,
- kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë të parashikuara me ligj ose të papajtueshmërisë të parashikuara me Kushtetutë;
- kur mbaron mandati i Kuvendit;
- kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
- kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e veprës penale.

Neni 134

Kuvendi i posazgjedhur mblidhet në seancën e parë më se voni 20 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve.
Seancën e parë e konvokon kryetari i Kuvendit të mëparshëm. Në mungesë të tij atë e konvokon kryetari i Kosovës. Në mungesë edhe të Kryetarit të Kosovës, atë e konvokon deputeti më i vjetër.
Deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, seancën e parë e kryeson deputeti më i vjetër.
Po qe se nuk konvokohet seanca e parë në afatin e parashikuar nga personat e autorizuar, deputetët mblidhen vetë në ditën e 21 prej ditës së përfundimit të zgjedhjeve dhe e bëjnë konstituimin e Kuvendit.

Neni 135

Në seancën e parë Kuvendi zgjedh kryetarin dhe dy apo më tepër nënkryetarë.
Kryetari dhe nënkryetarët zgjedhen dhe shkarkohen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Njëri nga nënkryetarët zgjidhet nga radha e deputetëve - pjes[tarëve të pakicave kombëtare ose grupeve etnike.
Funksioni i kryetarit edhe nënkryetarëve të Kuvendit është i papajtueshëm me kryerjen e funksionit tjetër publik ose funksionit në partinë politike.

Neni 136

Kryetari kryeson debatin, drejton punimet, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të deputetëve të tij.
Kryetari e përfaqëson Kuvendin në marrëdhëniet me të tjerët.
Kryetari i shpall zgjedhjet për deputetë dhe për zgjedhjen e Kryetarit të Kosovës.

Neni 137

Nëpunësi më i lartë civil i Kuvendit është sekretari i përgjithshëm, të cilin e emëron Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Shërbimet e tjera të nevojshme për funksionimin e Kuvendit kryhen nga nëpunës të tjerë, siç përcaktohet me Rregulloren e brendshme të punës.

Neni 138

Kuvendi zhvillon punimet vjetore në dy sesione: Sesioni i parë fillon të hënën e dytë të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit.
Kuvendi mund të mblidhet në sesion të jashtzakonshëm me kërkesën e kryetarit të Kosovës, të Qeverisë së Kosovës ose më së paku të 30 deputetëve, me rend dite të përcaktuar më parë.

Neni 139

Kuvendi mund të punojë nëse në seancë janë prezentë shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve. Kuvendi vendos me shumicën e votave të deputetëve që janë prezentë e së paku me 1/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve, nëse me Kushtetutë nuk ëshë parashikuar shumica e posaçme.
Të drejtën e propozimit të ligjeve dhe të dispozitave të tjera e kanë Qeveria e Kosovës, secili deputet dhe më së paku 10.000 zgjedhës.
Iniciativë për nxjerrjen e ligjit pranë propozuesve të autorizuar mund të japë çdo zgjedhës, grup zgjedhësish, institucion dhe shoqatë.

Neni 140

Kuvendi vendos me shumicë të cilësuar të 2/3 të votave të të gjithë deputetëve:
- për ndryshimin e Kushtetutës;
- për ndryshimin e kufijve;
- kur rishqyrton ligjin e kthyer nga kryetari i Kosovës për rishqyrtim; dhe
- kur vendos të punojë pa prezencën e opinionit.
Kuvendi vendos me shumicë të cilësuar të 3/5 të votave të të gjithë deputetëve:
- për marrjen e mandatit deputetit;
- për miratimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të parashikuara me Kushtetutë;
- për miratimin e ligjit për shtetësinë;
- për miratimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe lokale;
- për miratimin e ligjit për referendumet;
- për miratimin e kodeve;
- për miratimin e ligjit për mbrojtjen, gjendjen e luftës dhe gjendjen e jashtëzakonshme;
- për miratimin e ligjit për statusin e funksionarëve publikë;
- për miratimin e ligjit për amnisti; dhe
- për miratimin e ligjit për ndarjen administrative-territoriale.
Kuvendi mund të vendosë që për ndonjë çështje nga kompetenca e tij të vendoset me referendum.
Referendumi rregullohet me Kushtetutë dhe me ligj.

Neni 141

Ligjin e shpall kryetari i Kosovës, me dekret, brenda 30 ditëve nga paraqitja e tij.
Kryetari i Kosovës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim brenda afatit të caktuar në alinenë paraprake. Kjo e drejtë mund të shfrytëzohet vetëm një herë.
Dekreti i kryetarit të Kosovës për rishqyrtimin e ligjit e humb fuqinë kur kundër tij votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve.
Në rast se kryetari i Kosovës nuk e shpall ligjin brenda afatit prej 30 ditësh e nuk e ka kthyer në rishqyrtim, apo nuk e shpall edhe pas votimit të dekretit për kthim në rishqyrtim me shumicë pre 2/3 të votave të të gjithë deputetëve në afatin prej 10 ditësh nga paraqitja e tij, ligjin e shpall kryetari i Kuvendit me vendim.
Ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditëve nga botimi i tij në “Gazetën Zyrtare të Kosovës”.

Neni 142

Për shqyrtimin e propozimit të ligjeve dhe të akteve të tjera dhe përcjelljen e realizimit të tyre, Kuvendi mund të formojë forume punuese të përhershme dhe të përkohshme.
Në Kuvendin e Kosovës formohet Këshilli për Marrëdhëniet Ndërnacionale - Etnike.
Këshillin e përbëjnë: kryetari i Kuvendit dhe nga dy anëtarë shqiptarë e serbë, si dhe nga një anëtar boshnjak, turk, kroat, malazez, hashkali, rom e egjiptas.
Kryetari i Kuvendit është kryetar i Këshillit.
Këshilli shqyrton çështjet në lëmën e marrëdhënieve ndërnacionale, ndëretnike dhe jep propozime për zgjidhjen e tyre.
Kuvendi është i obliguar t’i shqyrtojë mendimet dhe propozimet e Këshillit dhe të merrë vendim lidhur me to.

Neni 143

Kuvendi ka të drejtë dhe, me kerkesë të një së katërtës të të gjithë deputetëve, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tij nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohet prokurorisë, e cila e vlerëson sipas procedurës ligjore.
Komisioni i hetimit vepron sipas procedurës së parashikuar me ligj.

Neni 144

Kryetari dhe çdo anëtar i Qeverisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit ose të trupave të tij. Atij i jepet fjala sa herë që e kërkon.
Në Kuvend mund të shtrohet interpelanca për punën e Qeverisë, të çdo anëtari të saj individualisht dhe të çdo bartësi të funksionit publik.
Interpelancë mund të paraqesin së paku pesë deputetë.
Çdo deputet në Kuvend mund të shtrojë pyetje.
Kryetari dhe çdo anëtar i Qeverisë është i detyruar t’u përgjigjet interpelancave dhe pyetjeve të deputetëve brenda tri javëve.
Mënyra e paraqitjes së interpelancës dhe pyetjeve, si dhe veprimet lidhur me to rregullohen me Rregulloren e brendshme të punës.