Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Kushtetueshmëria dhe ligjshmëria
Appearance
Neni 113
- Përkujdesja për kushtetutëshmërinë dhe ligjëshmërinë është detyrim i të gjithëve dhe i secilit.
Neni 114
- Ligjet, dispozitat dhe aktet e tjera të përgjithshme të organeve të Kosovës, të komunave dhe të Qytetit të Prishtinës duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe të pranuara.
- Dispozitat dhe aktet e tjera të përgjithshme duhet të jenë në pajtim, respektivisht nuk mund të jenë në kundërshtim me ligjin.
Neni 115
- Ligjet, dispozitat dhe aktet e tjera të përgjithshme të organeve të Kosovës, të komunës e të Qytetit të Prishtinës shpallen në “Gazetën Zyrtare të Kosovës”.
- Ligjet, dispozitat dhe aktet e tjera të përgjithëshme hyjnë në fuqi jo më parë se ditën e pesëmbëdhjetë pas shpalljes, në qoftë se për shkaqe posaçërisht të arsyshme nuk është parashikuar që të hyjnë në fuqi në afat më të shkurtër ose më të gjatë.
Neni 116
- Ligjet, dispozitat dhe aktet e tjera nuk mund të kenë efekt prapaveprues.
- Vetëm me ligj mund të caktohet që disa dispozita të tij, nëse e kërkon interesi i përgjithshëm publik, të kenë efekt prapaveprues.
- Veprat e dënueshme përcaktohen dhe dënimet për këto vepra shqiptohen sipas ligjit, përkatësisht dispozitës tjetër që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës, me përjashtim kur ligji, përkatësisht dispozita e re është më e favorshme për kryesin.
Neni 117
- Organet dhe institucionet që ushtrojnë autorizime publike, në çështjet individuale mund të vendosin mbi të drejtat dhe detyrat në bazë të ligjit, të aplikojnë masa detyrimi ose kufizimi, vetëm në procedurën e përcaktuar me ligj në të cilën i jepet mundësia secilit që t’i mbrojë të drejtat dhe interesat e veta dhe që kundër aktit të nxjerrë të paraqes ankesë ose të përsërisë mjetin juridik të parashikuar me ligj.
Neni 118
- Kundër vendimeve dhe akteve të tjera individuale të organeve gjyqësore, administrative dhe të organeve të tjera shtetërore, si dhe kundër akteve të këtilla të organeve dhe të institucioneve që ushtrojnë autorizime publike të nxjerra në shkallën e parë, mund t’i paraqitet ankesa organit kompetent të shkallës më të lartë.
- Në raste të jashtëzakonshme dhe të caktuara me ligj mund të përjashtohet ankesa po që se në mënyrë tjetër është siguruar mbrojtja e të drejtave dhe e ligjshmërisë.
- Mbi ligjshmërinë e akteve individuale përfundimtare, të organeve të administratës ose të insitutucioneve që ushtrojnë autorizime publike dhe vendosin mbi të drejtat ose detyrimet, vendos gjykata kompetente në konfliktin administrativ, po qe se për çështjen e caktuar nuk është siguruar mbrojtje tjetër gjyqësore.
- Vetëm me ligj për llojet e caktuara të çështjeve administrative, mund të përjashtohet konflikti administrativ.
Neni 119
- Mosnjohja e gjuhës në të cilën zhvillohet procedura nuk mund të jetë pengesë për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave dhe interesave të njeriut e shtetasit.
- Secilit i garantohet e drejta që në procedurë para gjykatës, organeve të tjera shtetërore, organeve dhe institucioneve që në ushtrimin e autorizimeve publike vendosin mbi të drejtat dhe detyrimet e njerëzve e të shtetasve, të përdorë gjuhën e vet dhe që në këtë procedurë të njihet në gjuhën e vet me faktet.