Jump to content

Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Këshilli i Lartë i Drejtësisë

Nga Wikibooks

Neni 179

Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga Kryetari i Kosovës, Kryetari i Gjykatës Supreme, ministri i Drejtësisë dhe katër anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi.
Anëtarët të cilët zgjedhen nga Kuvendi duhet të jenë juristë të dalluar. Ata zgjedhen për 6 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat.
Kryetari i Kosovës është Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Kryetarit të Kosovës, zgjedh nga radhët e tij zëvendëskryetarin. Zëvendëskryetari organizon veprimtarinë e Këshillit, si dhe kryeson mbledhjet e tij në mungesë të Kryetarit të Kosovës.
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjedhur gëzojnë imunitet. Për imunitetin e tyre vendos Kuvendi.
Funksioni anëtar i zgjedhur i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është i papajtueshëm me ushtrimin e funksioneve dhe të profesioneve të tjera publike ose me anëtarësinë në parti politike.

Neni 180

Këshilli i Lartë i Drejtësisë:
- i propozon Kuvendit emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe gjyqtarëve betarë dhe cakton propozimin për shkarkim nga funksioni gjyqësor në rastet e parashikuara me Kushtetutë;
- vendos për përgjegjësinë disiplinore të gjyqëtarëve;
- vlerëson profesionalitetin dhe ndërgjegjësinë e gjyqtarëve në ushtrimin e funksionit të tyre;
- zgjedh tre anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
- vendos për transferimin e gjyqtarëve, i cili nuk mund të bëhet pa pëlqimin e tyre, përveç se kur këtë e diktojnë nevojat e riorganizimit të sistemit gjyqësor; dhe
- ushtron detyra të tjera të parashikuara me Kushtetutë dhe me ligj.