Jump to content

Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Hyrje

Nga Wikibooks
  • Duke u mbështetur në traditën demokratike shekullore përparimtare e liridashëse të kombit shqiptar dhe të pjesëtarëve të pakicave kombëtare dhe të grupeve etnike që jetojnë së bashku me të në Kosovë;
  • Duke u mbështetur në luftërat shekullore dhe në luftën antifashiste që të mbrojë qenien e vet;
  • Duke u mbështetur në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, intervenimin humanitar të NATO-s dhe përkrahjen e forcave demokratike të botës për mposhtjen e imperializmit kolonialist e gjenocidial të regjimeve serbe që nga okupimi i tokave shqiptare, e në veçanti në fundin e mijëvjeçarit të dytë;
  • Duke synuar sigurimin e mirëqenies së përgjithshme të njerëzve, të humanitetit dhe vendosjes së lirisë, të barazisë dhe të drejtësisë për vete dhe për breznitë që vijnë;
  • Duke synuar një shoqëri demokratike e të begatshme, me arsim, shkencë e kulturë përparimtare, me zhvillim të gjithanshëm të personalitetit të njeriut;
  • Duke u nisur nga e drejta natyrore e popullit të përcaktojë lirisht, kur dhe si dëshiron vetë ai, pozitën e subjektivitetin e vet politik dhe të realizojë lirisht të drejtën për zhvillimin e vet të pavarur ekonomik, shoqëror e kulturor;
  • Duke u nisur nga synimet për krijimin e shtetit demokratik, ligjor, mbi bazat juridike e shoqërore mbi të cilat sigurohen e realizohen të drejtat kombëtare, liritë e të drejtat e njeriut dhe të shtetasit, drejtësia shoqërore, solidariteti, mirëqenia, përparimi individual e shoqëror dhe dinjiteti i plotë i njeriut;
  • Duke siguruar të drejtat e plota të kombit shqiptar dhe të të gjitha pakicave kombëtare dhe të grupeve etnike që jetojnë në Kosovë;
  • Duke realizuar vullnetin dhe dëshirën e popullit që sipas vendimit të lirë vetanak të vazhdojë rrugën e demokracisë, të drejtësisë shoqërore, të paqes dhe të miqësisë midis popujve;
  • Duke u nisur nga përcaktimi se vullneti i popullit është bazë e pushtetit shtetëror, vullnet të cilin ai e ka shprehur në mënyrë plebishitare për vetpërcaktimin e subjektivitetit të tij politik-juridik në pajtim me Kartën e OKB-së dhe të akteve të tjera ndërkombëtare;
  • Duke respektuar parimet e demokracisë, të barazisë, të bashkëjetesës dhe të bashkëpunimit midis popujve;

Duke garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat për të gjithë njerëzit e shtetasit, të përcaktuara me aktet e OKB-së, të OSBE-së dhe të UE-së, dhe duke u bazuar në Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Kosovën, dhe Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nr. 1244/1999 për Kosovën; dhe

  • Duke respektuar vendimin e popullit për të miratuar këtë akt më të lartë politik-juridik, të shprehur në referendumin e mbajtur më dt. ___________ 2001;


Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë


Shpall


Alternativa: shlyhet alinea e fundit e Preambulës dhe teksti pas saj vazhdon me këtë përmbajtje:


Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë


Nxirret:

Kushtetuta e përkohshme e Kosovës