Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Gjykatat
Appearance
Neni 169
- Pushtetin gjyqësor e ushtrojnë gjykatat e rregullta.
- Me ligj mund të themelohen edhe lloje të tjera të gjykatave për zgjidhjen e kontesteve të caktuara.
Neni 170
- Gjykatat janë të pavarura dhe gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve.
- Organizimi i gjykatave është unik.
- Janë të ndaluara gjykatat e jashtëzakonshme.
- Llojet, kompetencat, themelimi dhe përbërja e gjykatave, si dhe procedura para tyre, rregullohet me ligj.
- Ligjin mbi gjykatat e miraton Kuvendi me shumicën e 2/3 të votave të të gjithë deputetëve.
Neni 171
- Shqyrtimi para gjykatave dhe shqiptimi i aktgjykimeve janë publike.
- Për mbrojtjen e sekretit, mbrojtjen e moralit, interesave të të miturëve ose për mbrojtjen e interesave të tjera të përgjithshme, me ligj caktohet se në cilat raste mund të përjashtohet publiku.
Neni 172
- Gjykata gjykon në kolegj.
- Kolegji i gjykatës përbëhet nga gjyqtarët dhe gjyqtaret - betarë, në mënyrë të caktuar me ligj.
- Me ligj mund të përcaktohet se në gjykatat e caktuara dhe në çështje të caktuara gjykon kolegji i përbërë vetëm nga gjyqëtarët ose gjyqtari i vetëm.
- Gjyqëtarët betarë nuk mund të merren në përgjegjësi për mendimin dhe vendosjen me rastin e marrjes së vendimeve gjyqësore.
Neni 173
- Ndalohet organizimi dhe veprimi politik në gjykata.
Neni 174
- Gjyqtarët i emëron dhe shkarkon Kuvendi i Kosovës me propozimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Kosovës.
- Gjyqtari emërohet në kohë të pacaktuar, nëse me Kushtetutë nuk është caktuar ndryshe.
- Gjyqtari nuk mund të transferohet kundër vullnetit të tij.
- Gjyqtari shkarkohet kur:
- - dënohet me vendim gjyqësor për vepër penale me dënim të pakushtëzuar me burg prej së paku gashtë muaj;
- - deklarohet i paaftë për të ushtruar funksionin gjyqësor, të cilën e vërteton Këshilli i Lartë i Drejtësisë;
- - Këshilli i Lartë i Drejtësisë vlerëson se nuk po e ushtron funksionin në mënyrë profesionale dhe të ndërgjegjshme;
- - bën shkelje më të rëndë disiplinore të sanksionuar me ligje, e cila e bën të padenjë për ushtrimin e funksionit gjyqësor;
- - mbush moshën 65 vjeç;
- - jep dorëheqjen.
- Gjyqtarët betarë i emëron dhe shkarkon Kuvendi i Kosovës për katër vjet.
Neni 175
- Gjyqtarët gëzojnë imunitet.
- Për imunitetin e gjyqëtarëve vendos Kuvendi.
- Funksioni i gjyqtarit është i papajtushëm me ushtrimin e funksionit ose profesionit tjetër publik ose me anëtarësinë në parti politike.
Neni 176
- Gjykata Supreme e Kosovës është gjykata më e lartë në Kosovë dhe siguron imunitet në zbatimin e ligjeve nga ana e gjykatave.
- Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës Supreme emërohen nga Kuvendi me propozimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
- Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës Supreme zgjedhen për tetë vjet, me të drejtë riemërtimi edhe për një mandat.
Neni 177
- Gjykata Supreme ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër kryetarit të Kosovës, kryetarit dhe anëtarëve të Qeverisë, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, si dhe kur vendos për ligjshmërinë e akteve individuale të formës së prerë të organeve të administratës.
- Kompetencat, organizimi dhe procedura para Gjykatës Supreme më hollësisht rregullohen me ligj, të cilin e miraton Kuvendi me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.
Neni 178
- Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
- Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast, ata pezullojnë gjykimin dhe fillojnë procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit para Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm për të gjitha gjykatat.
- Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve pas sjell përgjegjësi sipas ligjit.