Jump to content

Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Gjendja e jashtëzakonshme

Nga Wikibooks

Neni 254

Gjendje e jshtëzakonshme konsiderohet situata me çrregullime që kërcënojnë rendin kushtetues, fatkeqësitë e mëdha natyrore apo epidemitë.
Ekzistimin e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e Kosovës apo pjesës së saj e konstaton Kuvendi sipas propozimit të Kryetarit të Kosovës, të Qeverisë së Kosovës apo të më së paku 30 deputetëve.
Vendimin me të cilin konstatohet ekzistimi i gjendjes së jashtëzakonshme e nxjerr Kuvendi me 3/5 e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Neni 255

Në rastet kur ekziston gjendja e luftës apo gjendja e jashtëzakonshme, Qeveria e Kosovës nxjerr dekretligje, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin.
Autorizimi i Qeverisë për të nxjerrë dekretligje zgjat derisa të përfundojë gjendja e luftës apo gjendja e jashtëzakonshme, për çka vendos Kuvendi.

Neni 256

Gjatë kohës së gjendjes së luftës, nëse Kuvendi nuk mund të mblidhet, Kryetari i Kosovës mund të emërojë e të shkarkojë Qeverinë dhe funksionarët, zgjedhja e të cilëve është në kompetencë të Kuvendit.

Neni 257

Mandati i Kuvendit, i Qeverisë, i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe i bartësve të funksioneve publike gjatë gjendjes së luftës apo të gjendjes së jashtëzakonshme, vazhdohet për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.

Neni 258

Për shkak të gjendjes së luftës, rrezikimit të rendit kushtetues, fatkeqësisë natyrore dhe shfaqjes së epidemive mund të vendosen masat e jashtëzakonshme.
Masat e jashtëzakonshme zgjasin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.
Procedurat për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme caktohen me Kushtetutë dhe me ligj.

Neni 259

Veprimtaria e organeve publike dhe shkalla e kufizimit të të drejtave e lirive të njeriut gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe parimet, fushat dhe mënyra e kompensimit të humbjeve që vijnë si rezultat i kufizimit të të drejtave e lirive gjatë marrjes së masave të jashtëzakonshme caktohen me ligj.