Jump to content

Kushtetuta e përkohshme e Kosovës/Aplikimi i Kushtetutës së Përkohshme të Kosovës

Nga Wikibooks

Neni 1

Kushtetuta e Përkohshme e Kosovës aplikohet ditën kur e shpall (nxjerr) Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, nëse në pikëpamje të aplikimit të disa dispozitave të saj nuk është caktuar ndryshe me këtë Ligj.
Alternativa për nenin 1:
Kushtetuta e Përkohshme e Kosovës aplikohet ditën kur Kuvendi i Kosovës e shpall, nëse në pikëpamje të aplikimit të dispozitave të saj të veçanta nuk është caktuar ndryshe me këtë Ligj.

Neni 2

Dispozitat e Kushtetutës së Përkohshme të Kosovës që kanë të bëjnë me përbërjen, organizimin dhe të drejtat e detyrat e Kuvendit të Kosovës zbatohen që nga dita e mbledhjes së parë të Kuvendit të posazgjedhur të Kosovës.

Neni 3

Dispozitat e Kushtetutës së Përkohshme të Kosovës që kanë të bëjnë me zgjedhjen e shkarkimin e Kryetarit të Kosovës dhe të drejtat e detyrat e tij, aplikohen prej ditës kur Kryetari i Kosovës jep betimin para Kuvendit të Kosovës.

Neni 4

Dispozitat e Kushtetutës së Përkohshme të Kosovës që kanë të bëjnë me zgjedhjen, emërimin dhe shkarkimin e Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme dhe të gjykatave të tjera të rregullta në Kosovë, Prokurorin e zëvendësprokurorët publikë të Kosovës dhe prokurorët e zëvendësprokurorët e tjerë në Kosovë, Ombudspersonin dhe zëvendësve të tij, anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Guvernatorit të Bankës Qendrore, Kryetarit të Kontrollit të Lartë dhe bartësve të funksioneve publike të tjera, aplikohen prej ditës së mbledhjes së parë të Kuvendit të posazgjedhur.

Neni 5

Dispozitat e Kushtetutës së Përkohshme të Kosovës që kanë të bëjnë me liritë e të drejtat e njeriut e shtetasit dhe pakicat kombëtare e grupet etnike, zbatohen ditën e shpalljes së Kushtetutës së Përkohshme të Kosovës.

Neni 6

Mbeten pa fuqi, deri në kalimin e pushtetit nga UNMIK-u e KFOR-i në organet e Kosovës, këto dispozita të Kushtetutës së Përkohshme të Kosovës: Neni 126 p.8; Neni 146; Neni 147 p. 1, 2, 3, 4 e 15; Nenet 242, 244, 253, 255, 256, 257 dhe 258.

Neni 7

Rregulloret e UNMIK-ut, nëse nuk shfuqizohen me këtë Ligj, mbeten në fuqi deri në nxerrjen e ligjeve të Kosovës, kurse dispozitat e tyre që nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Përkohshme të Kosovës duhet të harmonizohen me të në afatin e caktuar me këtë Ligj.