Jump to content

Kushkuj/7

Nga Wikibooks
Ferit Lamaj[1]

Dritëro Agolli [2]

      Ferit Lamaj është më origjinali e më i begati ndër fabulistët shqiptarë. Njeriu mund të shkruajë tërë jetën dhe të mos arrijë të botojë as njëqind pjesë nga kjo sferë e mençurisë njerëzore. Ndërsa Ferit Lamaj të habit me begatinë krijuese në këtë fushë.
      Duke lexuar fabulat e tij ndjen një kënaqësi estetike, vë buzën në gaz nga rrëkezat e humorit, ironisë dhe sarkazmës për shumë gjëra, që na bëjnë të qeshim në këtë botë të trazuar e të mbushur me halle.
      Fabulat janë plot me të papritura e paradokse, të shkruara shkathët e natyrshëm, jashtë letrarizmave estetizante. Ato shquhen nga konciziteti dhe mençuria e batutave, duke iu larguar moralizimit të hapur e banal, nga i cili ndonjëherë vuajnë edhe fabulistët e shquar.
      Ndër to, nuk mund të mos vësh re edhe frymën popullore dhe kombëtare të përrallave e rrëfimeve të popullit tonë, përmes personazhit - kafshë.
      Jo vetëm kaq. Në fabulat e Ferit Lamajt ndihet edhe kultura, edhe ajo esencë që është përftuar e nxjerrë qysh nga Ezopi e La Fonteni, Krillovi e Trilusa dhe deri te autorët bashkëkohës. Me këtë dua të them, se autori i ka hyrë kësaj gjinie me seriozitetin e kulturës letrare dhe jo vetëm me intuitën e një poeti, që e dashuron fabulën mes të tjerash.
      Doemos, vlerësuesi më i mirë si gjithmonë është lexuesi. Dhe ky lexues në fabul është i të gjitha moshave. Fabulën e do edhe gjyshi, edhe nipi, edhe shkencëtari, edhe bariu. Prandaj fabula ka jetë të gjatë në gjirin e lexuesit. Le t’ia lëmë tani vlerësimet lexuesit.

Kadri Roshi [3]

      "Skllav, por i pavdekshëm"
      "Mes ferrës së vogël fshihet lepuri i madh" - shprehet metaforikisht Populli. Mes fabulave të Lamajt fshihen e fshikullohen dallkaukët e servilët, rrufjanët e maskarenjtë e kësaj kohe të trazuar e të tejmbushur me strese. Më kanë pëlqyer përherë fabulat e Ferit Lamajt, këtij Ezopi shqiptar. Si më i moshuar, le t'i jap një "këshillë": të mos harrojë jetën e Ezopit të lashtë. Ai ka qenë skllav, por na la rreth 430 fabula të mrekullueshme, të pavdekshme. Skllav, por i pavdekshëm. Ndaj, udhëmbarësi të reja në zhanrin ezopian! Fabulat e F. Lamajt përcjellin mesazhe të vërteta filozofike, shquhen për lakonizmin e mençurinë sarkastike, për koncizitetin dhe artin befasues. Pak vargje, por që flasin shumë, që të ngërthejnë e të pushtojnë shpirtin. I recitoj shpesh ato në mjedise publike. Nuk ke si të mos respektosh talentin e fuqishëm të këtij fabulisti, fatbardhësisht shqiptar. Në një autograf të botimit të parë të vëllimit "Dhelpra e Trojës", fitues i çmimit të Karrierës, ndër të tjera, Feriti shkruan: "Prof. K. Roshit, që e kam ndjekur për herë të parë në skenë te "Dhelpra dhe rrushtë", në rolin e Ezopit..." Atëherë ai ishte një fëmijë 9-vjeçar, kurse unë 39. Tani, pas shumë vitesh, kam kënaqësinë e rrallë të interpretoj në moshën 75-vjeçare, në një film televiziv pjesë nga krijimtaria fabuleske e Lamajt. Më duket se jam rilindur. Faleminderit, Ferit!

  1. Ferit Lamaj NË ENCIKLOPEDI
  2. Dritëro Agolli NË ENCIKLOPEDI
  3. Kadri Roshi NË ENCIKLOPEDI


< 6
faqe
- 7 -

8 >