Kush duhet ta dorëzojë teserën e PS, Sevo Tarifa apo Edi Rama?

Nga Wikibooks

Xhevdet Shehu

Fatos Tarifa në një intervistë botuar sot në DITA tregon një episod vërtet mbresëlënës: Babai tij, veterani 92 vjeçar, Sevo Tarifa një nga ikonat e Luftës Antifashiste ka menduar të dorëzojë teserën e Partisë Socialiste.

Ka ndodhur siç na e rrëfen vetë Fatosi, pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të kreut të Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri, ku Rama u kërkoi Sevos dhe veteranëve të tjerë të Luftës, “të ulin kokën”.

Më poshtë pjesa e intervistës ku flitet për këtë:

“Të nesërmen ndërsa hyra në dhomën e tim eti për t’i thënë mirëmëngjes e për t’i uruar një ditë të mbarë, ai më tha: “Dua të ndaj diçka me ty. Sot kam vendosur të dorëzoj teserën e Partisë Socialiste. Kjo nuk është më partia e idealeve për të cilat luftuam dhe as përfaqëson më interesat e pjesës më të madhe të brezit tim, që luftuam kundër fashizmit dhe nazizmit dhe çliruam vendin”.

I thashë tim eti se e kuptoja shumë mirë brengën e tij. Besoj se të njëjtën brengë kanë ndarë dhe ndajnë edhe shumë veteranë të tjerë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe pjesëtarë të familjeve të tyre.

Sot ai është 92 vjeç. Ishte vetëm 14 kur iu bashkua lëvizjes klandestine dhe vetëm 16 vjeç kur, në vitin 1943, doli partizan, me një pushkë në dorë,që ishte e gjatë gati sa ai vetë. Me një qëllim dhe me një ideal të shenjtë: të luftonte për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë italianë dhe ata nazistë që erdhën pas tyre, si dhe kundër atyre që bashkëpunuan me pushtuesit, në radhë të parë Ballit Kombëtar, të udhëhequr nga Mit’hat Frashëri.

Unë nuk e kam parë tim atë asnjëherë të ligështuar, të rënë moralisht, të lodhur, të pashpresë, të çorientuar, të trembur, të përgjunjur. Të ligështuar tim atë e kam parë vetëm atë ditë, kur veteranëve të Luftës, kryetari Partisë Socialiste u tha të “ulnin kokën” e ta pranonin Mit’hat Frashërin në mesin e tyre si një atdhetar të madh, pa çka se ai drejtoi një organizatë kolaboracioniste.

Në fakt, shkaku i ligështimit të tim eti nuk ishte aq sjellja e eshtrave të Mit’hat Frashërit në Shqipëri dhe nderimet që iu bënë nga një qeveri socialiste, por fjalët e z. Rama për ata që “arkëmortin” e Lumos Skëndos e shohin si një “provokim ndaj një historie që e shkruan fitimtarët”. Këtyre njerëzve, ndër të cilët bëjnë pjesë, në radhë të parë, veteranët e Luftës së madhe, pra, edhe im atë, z. Rama u kërkoi “të ulin kokën” e të mos ndihen, me argumentin se edhe regjimi që u krijua në Shqipëri pas Luftës bëri po ashtu krime. Kjo nuk është një logjikë e drejtë, as e saktë, as bindëse”

Këtë tregon Fatosi për Sevon sot në DITA dhe shton se Sevo, ashtu si shokët e tij veteranë të Luftës dhe dhjetëra e qindra mijëra shqiptarë që i çmojnë patriotizmin dhe vlerat e tij, dhe që deri më sot kanë votuar për Partinë Socialiste, kanë të drejtë të indinjohen nga fjalët e kryeministrit.

Në të vërtetë nuk është Sevo Tarifa ai që duhet të dorëzojë teserën e PS. Sevoja ka qenë dhe është aty ku duhet të jetë. Ai nuk ka gënjyer ndonjëherë për identitetin e tij politik e as ka shprehur me gojë të tjera e në zemër të ketë patur të tjera parime dhe bindje.

Nëse duhet të dorëzojë dikush teserën e PS, ai është Edi Rama.

Gjithcka në vendimet e rëndësishme që ka marrë dhe vecanërisht në vendimet e fundit, tregon se kreu i PS, në mënyrë paradoksale as mendon, as ndjen si i majtë e aq më pak si socialist.

PS është përdorur prej tij në mënyrë tinzare vetëm si hambar votash që prej fillimit, apo devijimi erdhi rrugës? Këtë le ta mendojnë dhe ta gjykojnë vetë socialistët por zoti Rama, në mënyrë shumë trishtuese, përditë e më tepër nuk ka më asnjë lidhje me bazën, programin dhe ideologjinë e PS-së.

Sevo, as mos e mendo më punën e teserës. Nuk ke pse ikën ti nga shtëpia jote, janë të tjerë ata që kanë hyrë aty brenda me maska.


21 Nëntor 2018