Kur në Fier vritej një gjeneral

Nga Wikibooks

Kryengritja e Fierit e 14 gushtit 1935, një përshkrim i shkurtër i kësaj ngjarje të ndodhur 83 vjet më parë

Nga Ilirjan Gjika

Në periudhën midis dy luftërave botërore të gjitha vendet e Ballkanit u karakterizuan nga paqëndrueshmëria politike dhe lufta për pushtet midis grupeve të ndryshme. Kështu në Greqi, ndodhi konflikti i ashpër midis republikanëve dhe monarkistëve që vazhdoi për më shumë se një dekadë. Nga ana tjetër Jugosllavia, njohu përplasjet ndëretnike midis grupit serb dhe atij kroato-slloven. Bullgaria dhe Rumania patën përballje midis të majtës dhe të djathtës. Ndërsa në Shqipëri situata paraqitej paksa ndryshe. Pas paqëndrueshmërisë politike të viteve 1920-1924 gjatë së cilës u ndërruan 12 qeveri, si dhe kryengritjes së qershorit 1924, u vendos së fundmi stabiliteti politik. Ai vijoi përgjatë viteve 1925-1939, kohë që njihet nga historia jonë si, periudha e drejtimit politik të Ahmet Zogut. Në këtë etapë për herë të parë në jetën e tij u bë edhe konsolidimi i shtetit shqiptar.

Duke u bazuar te këto zhvillime, historianët theksojnë se, fillimisht si president dhe më pas si mbret, Zogu, u përpoq t’i jepte vendit rend, qetësi dhe stabilitet. Arritje të rëndësishme u bënë në shumë fusha, ku shteti shqiptar kishte: monedhën e tij, pushtet gjyqësor, legjislacion bashkëkohor, administratë efektive, arsim fillor falas, lëvizje të lirë brenda dhe jashtë vendit, etj. Gjithashtu Shqipëria e asaj kohe kishte një orientim perëndimor ku garantohej e drejta e jetës, pronës, barazia përpara ligjit, e drejta e besimit fetar, etj.Ndërkohë ekzistonin edhe probleme të tilla si: mungesa e pluralizmit politik, demokracisë, censura mbi shtypin apo përndjekja e kundërshtarëve të regjimit. Por në aspektin ekonomik mungonin strategjitë e qeverive për zhvillimin e mirëfilltë ekonomik, ku disa probleme kryesore ishin: ai i tokës, i prodhimit të drithërave, përhapja e fajdesë dhe një prapambetje e përgjithshme. Këtyre problemeve i shtohej edhe ekzistenca e një opozite politike jashtë dhe brenda vendit. Ajo zhvillonte jo vetëm një propagandë ta fuqishme kundër regjimit në emigracion, por ndërmerrte herë pas here dhe veprime të armatosura. Të tilla ishin atentati ndaj Zogut në Vjenë (1931), komploti i organizatës së fshehtë të Vlorës (1931-32), kryengritja e Fierit (1935), si dhe lëvizja e Delvinës e vitit 1937.

Gjithsesi të gjitha këto veprime nuk e kërcënuan seriozisht stabilitetin politik, megjithëse e rrezikuan ndjeshëm regjimin e kohës. E tillë ishte edhe Kryengritja e Fierit e 14 gushtit të vitit 1935 e cila ishte përpjekja më serioze për rrëzimin e regjimit politik.


2

Deri në vitin 1935 Fieri ishte një qyteti vogël i cili nuk kishte rolin, peshën dhe rëndësinë e sotme. Do të ishte revolta ndaj regjimit monarkist që njihet me emrin, Kryengritja e Fierit, ajo që do ta bënte këtë qytet të njohur në Europën e vitit 1935. Vetëm brenda një muaji, aty, do të zhvilloheshin disa ngjarje që do të trondisnin jo vetëm rendin politik por dhe gjithe opinionin publik shqiptar. Pikërisht në Fier do të niste një kryengritje, do të vritej një general, do të shpallej rrëzimi i monarkisë, do të ndërmerrej një sulm i armatosur drejt Tiranës, do të zhvillohej një gjyq politik, do të improvizohej një burg masiv dhe do të ekzekutoheshin një grup ushtarakësh. Gjithashtu ‘’Kryengritja’’ do të ishte edhe tema kryesore e rubrikave të shtypit të kohës.

Por ç’përfaqësonte ky qytet në Shqipërinë e vitin 1935. Le ta shohim konkretisht atë dhe këto zhvillime hap pas hapi.

Në këtë periudhë, Fieri, ishte qendër nënprefekture në varësi të Prefekturës së Beratit. Në përbërjen e tij futeshin krahinat e Rrethit të Qendrës dhe të Semanit. Ndërsa qyteti funksiononte si një bashki e kategorise se dytë dhe kishte rreth 4000 banorë. Në aspektin ekonomik, në Fier, funksiononin njësi shitjeje dhe magazina të mëdha mallrash, të cilat i shërbenin një rrjeti të gjerë tregtar, ku zejtarët, tregtarët dhe industrialistët zhvillonin një aktivitet të gjerë ekonomik. Tregtia e jashtme zhvillohej nëpërmjet skelës detare të Semanit me vende të tilla si: Italinë, Turqinë dhe Greqinë, ndërsa në qytetin e Fierit, ushtronin aktivitetin e tyre industrial disa fabrika që prodhonin miell, vaj, sapun, duhan cigare, si dhe disa punishte, njëra prej të cilave prodhonte qese ambalazhi për tregun shqiptar. Ndërsa dega kryesore e ekonomisë vazhdonte të mbetej bujqësia, ku përveçse bujqve të vegjël, funksiononin 37 çifligje shtetërore dhe 40 çifligje private (Gjika, I., 2004: 136 ).

Duhet theksuar se në vitin 1935, Fieri, ashtu si gjithë vendi vuante pasojat e krizës, të cilat i ndienin të gjitha shtresat e popullisë si: tregtarët, zejtarët, bujqit, punëtorët, nëpunësit, ku një pjesë e tyre e shprehnin hapur pakënaqësinë ndaj regjimit.


3

Në pranverën e vitit 1934, në Tiranë, u formua “Organizata e Fshehtë” e cila ngriti degët e saj në disa qytete të vendit. Ajo përfaqësonte njerëz me formim të ndryshëm politik të cilët vinin nga shtresa të ndryshme shoqërore si: ushtarakë, ish ushtarakë, nëpunës, tregtarë, pronarë të mëdhenj tokash, intelektualë, mësues, të rinj me prirje revolucionare, etj. Të gjithë këta persona kishin bindje të ndryshme politike si: republikane, nacionaliste apo komuniste. Një pjesë e madhe e tyre ishin njerëz që ishin prekur nga reformat shtetërore të ndërmarra nga regjimi i Zogut dhe kërkonin përmbysje të tij dhe shpalljen e republikës.

‘’Si president i republikës së re (monarkinë pjesëtarët e komplotit përgatiteshin për ta zhdukur), ishte vendosur të vihej Nuredim Vlora, përfaqësues i një prej familjeve të parisë shqiptare…’’, thekson për qëllimet e Organizatës së Fshehtë, historiania Nina Smirnova (Smirnova, N., 2004: 185-186).

Ndërsa, pjesa tjetër e organizatës kërkonte që pasi të merrte pushtetin t’i imponohej mbretit, që ai të shpallte pluralizmin politik si dhe të largonte ndikimin italian në Shqipëri. Organizata e Fshehtë drejtohej nga Ali Shefqet Shkupi, ish oficer i lartë i nxjerrë në lirim dhe kishte vendosur të realizonte një kryengritje, duke u bazuar te një grusht shteti të ndërmarrë nga segmente të ushtrisë, i cili do të kombinohej edher me veprime kryengritëse të forcave civile. Për këtë qëllim, organizata, ngriti degët e saj në disa qytete dhe krahina të vendit si: Tiranë, Durrës, Shijak, Elbasan, Peqin, Berat, Lushnje, Fier, Mallakastër dhe Skrapar. E ndërsa ajo bënte përgatitjet, strukturat e specializuara të shtetit, ranë në gjurmët e saj, gjë që e nguti organizatën ta niste kryengritjen përpara kohe (Belegu, M., 1987: 82-85). Në këtë mënyrë ajo nuk e organizoi si duhet kryengritjen duke e shpërthyer atë vetëm në Fier dhe Skrapar.

Por le të kthehemi tek Fieri, në të cilin funksiononte dega lokale e Organizatës së Fshehtë. Autori Mentar Belegu, te libri i tij ‘’Kryengritja Antizogiste e Fierit’’, pavarësisht trajtimit të kësaj ngjarjeje sipas një këndvështrimi të njëanshëm, karakteristikë e botimeve të periudhës së komunizmit na jep këto të dhëna. Sipas tij, grupi i Fierit, përbëhej nga Hekuran Maneku, Mustafa Kaçaçi, Zenel Hekali, Musa Kranja, Dervish Hekali, Jashar e Namik Cakrani, Abdurrahman Zelka dhe Xhevahir Arapi (Belegu: 72, 75).

Por ndryshe nga degët e tjera të Organizatës së Fshehtë, grupi i Fierit, ju vu punës, duke ngritur strukturat përkatëse dhe rekrutuar njerëzit për kryengritjen e armatosur (Emiri, H., 2001: 165: 168-169). Në bazë të punës së zhvilluar dhe organizimit të mirë, ky grup, ishte i pari që nisi revoltën, duke dhënë sinjalin e kryengritjes. Për këtë qëllim e mërkura e 14 gushtit ishtë një ditë optimale, pasi në Fier zhvillohej pazari lokal dhe grumbullimi i njerëzve nuk do të binte në sy.

Nga dëshmitë që kanë lënë disa nga protagonistët pjesmarrës në këtë ngjarje, kryengritja, u drejtua nga nëntoger Musa Kranja, zëvendëskomandant i xhandarmërisë së Fierit. Ato së bashku me të dhëna të tjera të hollësishme rreth kësaj ngjarjeje të pjesmarrësve Jakov Milaj, Ramiz Omari apo Xhevahir Arapi, i gjejmë në librin e autorit Hysen Emiri: ‘’Historia e Fierit’’, botuar në vitin 2001. Sipas tyre, në orën 14: 30, Kranja, mblodhi njerëzit e grumbulluar së bashku me 11 xhandarët e postës së Fierit dhe hapi depon ushtarake të garnizonit duke shpërndarë armët që ndodheshin aty. Sipas kujtimeve të, Ramiz Omarit, me to u armatosën civilët e ardhur nga fshatrat e Fierit dhe Mallakastrës (Emiri: 185-186). Më pas veprimet vijuan me arrestimin e nënprefektit Hasan Lame, i cili sapo ishte informuar dhe po përgatitej për tu nisur që të informonte Tiranën. Arrestimi i tij u bë nga Musa Kranja, në ambientet e godinës së nënprefekturës (po aty: 168).

Duke cituar Dr. Jakov Milajn, Emiri, shkruan se kryengritësit morën masat e para duke shpallur shtetrrethimin. U ndalua dalja e makinave jashtë qytetit, u ndërprenë lidhjet telefonike dhe telegrafike me qytetet e tjera. Veprime të mëtejshme për të marrë autoritetin ishin edhe mbledhja në nënprefekturë ku u krijua Komisionit Administrativ i drejtuar nga Spiro Papa. Për të drejtuar bashkinë u zgjodh drejtues Ramiz Omari, kurse komandat i vendit u caktua, Hekuran Maneku, i cili krijoi patrullat që do të ruanin qetësinë dhe rendin. Pas këtyre veprimeve filloi në sheshin përpara bashkisë mitingu.

‘’Në ballkon të bashkisë doli komisioni administrativ, Musa Kranja dhe pas tij folën Kost Çekrezi ( ky kishte ardhur para dy ditësh me Musain nga Tirana), Zejnel Hekali dhe të tjerë’’, thekson Jakov Milaj rreth këtij zhvillimi (Emiri: 153-190).

Kost Çekrezi njoftoi pjesmarrësit se në Tiranë pushteti i Zogut kishte rënë dhe se qeveria e re e kishte dërguar atë në Fier si përfaqësues të saj. Ndërkohë në këtë momemt mbërriti me makinën e tij gjenerali Leon De Gilardi, figura e tretë e hierarkisë ushtarake shqiptare. Gjenerali u ndodh rastësisht dhe ndaloi automobilin të shihte se ç’po ndodhte.(Fischer, J. Bernd., :255). Ai po udhëtonte nga Berati për në Fier me destinacion Apoloninë, ku ishte ftuar nga arkeologu Leon Rei, drejtues i misionit arkeologjik francez.

‘’Gjenerali ishte rrugës për në Apoloni, ku e prisja për drekë dhe unë u habita kur mora vesh lajmin e vrasjes të nesërmen në mëngjes’’. Kështu shkruan Leon Rei në ditarin e tij për vrasjen e gjeneral Gilardit atë ditë të 14 gushtit 1935 (Rei, Leon., 2012: 98).

I shoqëruar nga shoferi, gjenerali, ndaloi përpara turmës, e cila e ekzaltuar ishte mbledhur në manifestimin ku po shpallej kryengritja dhe rrëzimi i monarkisë. Në momentin kur makina ndaloi përpara saj u shfaqën dy xhandarë: Xhevair Abazi dhe Myrteza Dajlani. Gilardi i cili ishte Inspektor i Përgjithshëm i ushtrisë replikoi shpejt me ta dhe në momentin kur nisi të dilte nga makina u vra nga Xhevahir Abazi. Këtë fakt e ka pohuar edhe vetë autori Xhevahir Abazi si dhe disa nga pjesmarrësit në kujtimet e tyre.

‘’I bëra thirrje që të dorëzohej por ai nuk ju bind fjalës dhe më në fund më tha: ‘’Jam gjeneral Gjilardi’’. Në kohën, kur ai donte të dilte nga e majta e veturës, u godit për vdekje’’.

Kështu i ka dëshmuar në gusht të vitit 1975, Xhevahir Abazi (Spathara) shkrimtarit dhe studjuesit Hysen Emiri rreth kësaj ngjarje (Emiri: 189).

Ndërkohë që në mbrëmjen e asaj dite, kryengritësit rreth 200-250 veta, pasi pritën pa rezultat kryengritësit e Vlorës që duhet të vinin sipas planit të organizatës, marshuan drejt Lushnjes. Sipas konspiracionit ata do të takoheshin në hyrje të saj me kryengritësit e tjerë që do të vinin prej Beratit dhe Skraparit. Pasi mbërritën aty në orën 22: 00, ata u takuan vetëm me kryengritësit e Karbunarës të drejtuar nga Taullah Sinani. Së bashku, pas një ore tentuan të futeshin në Lushnje, për ndeshën në qëndresën e xhandarmarisë lokale, e cila menjëherë i goditi me armë (Belegu: 101).

Të dy palët patën një shkëmbim zjarri që nuk shkaktoi të vrarë. Të dëshpëruar nga qëndresa e forcave qeveritare kryengritësit u tërhoqën me panik duke u shpërndarë në drejtim të Fierit. Tërheqja u bë me pështjellim të plotë dhe pa qëllim rigrupimi. Sipas kujtimeve të Xhevahir Arapit, krerët e kryengritjes u kthyen në Fier. Këtu pasi u veshën civilë u nisën drejt Karavastasë, ku gjetën një benzinatë italiane. Duke mashtruar pronarin se do të shkonin në Durrës, dolën në det të hapur dhe pas disa miljesh morën drejtimin për në Itali (Emiri:190).

Grupi që u arratis përbëhej nga Musa Kranja, Kost Çekrezi dhe Zenel Hekali, të shoqëruar edhe nga Arshi Shehu, dhe Xhevahir Arapi. Në Karavasta ata hipën në motobarkën italiane ‘’Due Fratelli’’, të drejtuar nga kapiteni Ranjo Nikolo dhe nëpërmjet saj mbërritën në Bari (Belegu:118).

Këtu ata pasi qëndruan për tre muaj u liruan duke marrë statusin e emigrantit politik. Ndërkohë lajmi kishte mbërritur në kryeqytet dhe qeveria mori masa të shpejta ushtarake. Menjëherë u nisën kundër kryengritësve dy batalione nga Tirana dhe Elbasani. Me të mbërritur në Lushnje, trupat ushtarake, panë se gjendja ishte e qetë ndaj morën drejtimin për të marshuar drejt Fierit, ku ishte qendra e rrebelimit. Aty, këto forca mbërritën në mëngjesin e datës 15 gusht pa hasur asnjë lloj rezistence (Fischer, J. Bernd: 255).

Sapo batalionet e ushtrisë u futën në qytet, komanda e tyre shpalli gjendjen e shtetrrethimit, duke marrë nën kontroll të gjitha pikat e rëndësishme. U shpërnda komisioni i përkohshëm adminisrativ dhe filluan arrestimet. Gjithashtu nisi veprimtarinë e saj gjykata e posaçme politike e krijuar enkas për këtë rast me dekret mbretëror.

Kryetari i trupit gjykues ishte Ali Rizai, komandant i operacionit. Anëtarë të tjerë të tij ishin: majori Hamza Kuçi, kapiten Zef Prenushi dhe gjyqtarët Petro Martini dhe Sadri Faslliu. Prokuror ishte Kiço Bisha, prokuror i pëhershëm i Gjykates së Posaçme (Gazeta Besa: 17-18 gusht 1935).

Gjykimi u bë nën një regjim terrrori dhe mbi të burgosurit u ushtruan edhe torturat të ndryshme.

‘’Bashkia, shtëpitë e Qemal Vrionit ato ditë ishin salla gjyqi dhe natën salla torturash, zyra e post telegrafit, dyqanet e Idris Bylos, zyra e gjindarmërisë e rrethit dhe ajo e postkomandës, shkolla “Plotore” e Fierit në Bishanak, hoteli i Ramis Omarit e të tjerë lokale, ishin burgje dhe salla torturash’’, shkruan në kujtimet e tij vite më vonë Xhelal Staravecka, ish pjesmarrës në këtë kryengritje (Staravecka, 2012).

Seanca e parë gjyqësore u zhvillua në ambientet e nënprefekrurës dhe dënoi grupin e parë që përbëhej nga 21 xhandarë, pjesmarrës në këtë kryengritje. Nga këta, 11 prej tyre u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan ndërsa të tjerët e pësuan me afate të ndryshme burgimi. Më pas gjyqi i zhvendosi gjykimet në shtëpinë e Qemal Bej Vrionit, i cili ishte një nga të arestuarit. Gjykimet e tjera kishin të bënin me civilët që kishin marrë pjesë në kryengritje. U dënuan 213 të pandehur nga të cilët 42 persona u dënuan me vdekje ndërsa të tjerët me dënime të tjera (Emiri: 178-179).

Midis personave të dënuar figuronin edhe anëtarët e disa familjeve të dëgjuara dhe me influencës siç ishin familjet: Vrioni, Dibra dhe Vlora. Ndaj këtyre personave gjykata nxori prova të dorës se dytë. Këto prova dëshmonin për një pakënaqësi të përgjithshme ndaj mbretit, qeverisë dhe disa personave të veshur me pushtet si, ministrit të brendshëm Musa Juka, ministrit të luftës Xhemal Aranistasit dhe adjutantit të Zogut, Abdurrahman Krosit (Fischer, J. Bernd: 256).

Meqënëse numri i të pandehurve ishte shumë i madh, gjyqi ndaj tyre për mungesë ambienti të përshtatshëm u zhvillua në oborrin e shtëpisë së Qemal Bej Vrionit, i cili ishte një nga anëtaret e bankës së të akuzuarve. Zhvillimi i seancave u bë nën hijen e një pjergulle. Instiktivisht të pandehurit ngrinin shpesh herë kokën dhe shihnin bistakët e rrushit të pjekur. Më pas kthenin vështrimin nga Qemal Vrioni dhe në momentet e pushimit e ngacmonin me batutat:-I mbarë rrushi këtë vit, Qemal Bej!-Verë apo raki do të bësh këtë vjeshtë?! Vërtet ironi absurde e kësaj ngjarje, kur një i pandehur gjykohej jo në gjykatë por në shtëpinë e tij.

Por pushkatimet dhe dënimet e ashpra të gjyqit politik të Fierit goditën imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Do të ishin edhe torturat e përdorura mbi pjesëmarrësit që sollën një reagim të madh, duke nisur nga shtypi i huaj, organizatat ndërkombëtare e deri te Lidhja e Kombeve. Kështu, një ditë përpara mbylljes së gjyqit në 16 shtator 1935, Shoqëria Juridike Internacionale, dërgoi në Tiranë, avokaten franceze, Stodel. Ndërsa pothuajse të gjitha gazetat më të njohura të shtypit të huaj si: Times, Daily Telegraph, Le petit Parisien, Le Figaro, Journal de Geneve, Pravda, Kathimerini, Vreme, etj, shkruan artikuj reth kësaj ngjarjeje ( Belegu: 144, 147, 149).

Autorë të ndryshëm theksojnë se problemit të keqtrajtimeve në gjyqin e Fierit i kushtoi një seancë të posaçme edhe Lidhja e Kombeve. Biles rreth kësaj çështjeje, gazetari dhe publicisti Tajar Zavalani, në librin ‘’Histori e Shqipnis’’ midis të tjerave shkruante se: ‘’Drama juridike e Fierit pat një jehonë të papritur në Europë. Lidhja për të Drejtat e Njeriut në Paris dhe organizata të tjera liberale protestun pranë qeveris së Tiranës. Këshilli i Lidhjes së Kombeve, qi ishte mbledhë në atë kohë në Gjenevë, bani presion mbi delegacionin shqiptar qi të mos ekzekutohej ky masakrim i legalizum’’ (Zavalani, Tajar., 1998: 290).

Në gjyqin e Fierit dolën 539 vetë, nga të cilët 17 ishin të arratisur politikë të cilët u gjykuan në mungesë. Përveç ekzekutimit të njëmbëdhjetë xhandarëve, me vdekje u dënuan edhe 41 të tjerë, të cilët në prag të ekzekutimit si rezultat i presionit ndërkombëtar, ju ndërrua dënimi në burgim të përjetshëm. Prej këtyre vetëm Hekuran Maneku u ekzekutua me varje në 23 shtator (Belegu: 136).

Gjyqi përfundoi në 17 shtator pasi punoi me intensitet për një muaj rresht, duke lënë në Fier një klimë terrrori, e cila arriti kulmin në datën 23 shtator me ekzekutimin e Hekuran Manekut. Ai ishte një nga pjesëmarrësit aktiv në kryengritje dhe u akuzua për vrasjen e Gilardit. Për arësye të torturave të tmerrshme dhe qëndrimit burrëror që mbajti, Maneku, tentoi vetvrasjen duke shpuar barkun me një gozhdë që gjeti në murin e birucës. Duke qenë se nuk ju dha kujdesi shëndëtësor plaga ju infektua. Mjeku e vizitoi vetëm në momentet e fundit dhe deklaroi se gjendja e tij ishte e pashpresë. Për ti shpëtuar diskreditimin në shtypin e huaj për torturat e përdoruara, regjimi, vendosi ekzekutimin e tij (Emiri: 178-180).

Gjithsesi presioni ndëkombëtar e detyroi mbretin Zog, që vetëm dy muaj më pas pikërisht për përvjetorin e pavarësisë, në 28 Nëntor 1935, të shpallte një amnisti e cila i falte një pjesë të të dënuarve. Më pas ajo do të pasohej në 31 dhjetor nga amnistia tjetër, ku një pjesë e të dënuarve u liruan.


4

Kryengritja e Fierit, ishte shprehja më e fuqishme e pakënaqësisë që ekzistonte në vend kundër mbretit Zog. Kjo lëvizje e tronditi seriozisht regjimin gjë që u pa në zhvillimet e seancave të gjyqit politik të Fierit apo në shkrimet e gazetës proqeveritare ‘’Besa’’, etj. Ajo u shoqërua me rrëzimin e qeverisë konservatore të kryeministrit Pandeli Evangjeli dhe zëvendësimin me qeverine e re liberale e të moderuar të Mehdi Frashërit. Ndërkohë që rreth Kryengritjes, aludohej se në të kishte ‘’dorë’’ edhe shërbimi inteligjent Italian. Natyrisht që italianët kishin dijeni për Organizatën e Fshehtë dhe organizimin e kryengritjes, por ata nuk ndërhynë në zhvillimet e saj. Në këtë kohë atyre u interesonte zëvendësimi i regjimit të Zogut por vënia e tij në një situatë të vështirë në një moment krize të marrëdhënieve dypalëshe. Por në verën e vitit 1935, Italia, ishte e zënë me përgatitjet ushtarake të fushatës për pushtimin e Abisinisë në Afrike.

Italia, agjentura e të cilës ushtronte një aktivitet të gjerë në Shqipëri, konstatoi edhe faktin se, në Organizatën e Fshehtë, nisi të dominonte fryma nacionaliste dhe antitaliane. Kështu ajo i këshilloi njerëzit e saj që ta braktisnin kryengritjen, biles edhe ta sabotonin atë në pikënisjen e saj. Kjo ishte një nga arsyet e dështimit të Kryengritjes së Fierit. Në këtë drejtim një shkak tjetër ishte se, Organizata e Fshehtë, gaboi në vlerësimin e situatës politike në vend, duke krijuar idenë se me fillimin e revoltës, regjimi, do të rrëzohej artificialisht. Interesant është edhe fati i mëvonshëm i protagonistëve të kësaj lëvizjeje. Do të ishin ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore ato që përcaktuan të ardhmen e tyre. Disa prej tyre ju bashkuan rezistencës antifashiste, ku disa ranë dëshmorë në luftë si, Jashar Cakrani apo Mustafa Kaçaçi. Një pjesë tjetër bashkëpunoi me autoritetet italiane të pushtimit. Ndërkohë që disa të tjerë u detyruan që pas luftës të emigronin, të zhvisheshin nga pasuria apo të burgoseshin. Por fakti më i çuditshëm është se asnjë prej atyre pjesmarrësve të saj nuk u bë ndonjë personalitet i shquar në Shqipërinë e periudhës së komunizmit. Ndërsa zhvillimi i kësaj lëvizje në Fier, tregonte qartë se në këtë qytet të vogël ekzistonte një bërthamë e fuqishme borgjezo-intelektuale, një ndërgjegje e lartë politike dhe ndjenja të forta antizogiste.


14 Gusht 2018