Jump to content

Kur kënga të zbukuron jetën

Nga Wikibooks

Nga Ramazan Çeka

Kënga popullore shkodrane i ka fillimet e saj shekuj më parë dhe ashtu si çdo gjë e bukur që ka dalë nga mendja dhe duart e shkodranëve, edhe kënga është krijuar dhe interpretuar në këtë mjedis, duke u bërë jo vetëm gëzimi dhe dëfrimi i tyre ,por edhe frymëzimi i jetës së përditshme. Janë me qindra emrat e krijuesve dhe interpretuesve të saj që kanë lënë gjurmë në kulturën dhe artin shqiptar. Janë më qindra që vazhdojnë këtë traditë deri në ditët tona si për të vërtetuar plotësisht se Shkodra është një fidanishtë dhe një burim i pashterrshëm për artin dhe kulturën jo vetëm shkodrane, por mbarëkombëtare

E bëmë këtë hyrje për këngën popullore shkodrane, për t’u ndalur tek njëra nga përfaqësueset më bashkëkohore të kësaj kënge, tek këngëtarja e suksesshme Alma Velaj. Sfondi historik i kësaj krijimtarie muzikore e ravijëzon më mirë edhe portretin e një këngëtari, siç do të flasim më poshtë për Almën.

Alma Velaj lindi e u rrit në këtë ambjent, ashtu si edhe paraadhësit e saj këngëtarë e muzikantë. Ajo që në moshë fare të re u bë pjesë e këngëve dhe ahengut shkodran, duke u bërë që atëherë edhe një interpretuese që shpejt do të binte në sy të mësuesve e specialistëve si një talent që premtonte një të ardhme të suksesshme. Kënga popullore shkodrane kishte gjetur edhe një këngëtare të re që do ta përçonte atë jo vetëm në dasma e gëzime familjare, por edhe në aktivitete prestigjioze të skenës dhe ekranit. Shpejt ajo bën emër me zërin e mrekullueshëm, interpretimin e mrekullueshëm dhe repertorin e pasur. Dhe të bësh emër në Shkodër si artist nuk është e lehtë, por ama është edhe një nder i madh.

Alma Velaj është një nga përfaqësueset më besnike të këngës popullore shkodrane dhe ky është çelësi i suksesit të saj. Ajo është një këngëtare e mrekullueshme, simpatike dhe e talentuar. Kjo ka bërë që karriera e saj artistike të njohë vetëm suksese.

Që në fillimet e saj Alma tregoi se në karakterin e saj mbizotëronte një vullnet i hekurt që kërkonte punë dhe pasion për të arritur suksesin.

Ajo, përveç punës për përsosjen e vokalit, punoi për krijimin e një repertori të pasur me perlat e këngës popullore shkodrane, duke e plotësuar atë edhe me këngë të reja, që jo radhë u bënë hite dhe, si të thuash, u përpinë nga dashamirësit e kësaj kënge.

Për të krijuar sa më qartë identitetin e saj artistik, Alma Velaj 22 vite më parë formoi grupin e saj artistik të njohur me emrin “Oriental” që ka një orkestër mjaft të suksesshme dhe të preferuar, jo vetëm në festat familjare e shoqërore, por edhe në aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Janë të panumërta këngët dhe videoklipet e realizuara me interpretimet e saj duke filluar që nga viti 2002, kur publikon albumin “Për të gjallët asht dashnia” e për të ardhur tek albumi më i ri baladë “Mos lëndo një femër”, teksti: Vojsava Alia, muzika: Vani Rushiti, apo kënga më e re: “S’ka fajtor në dashuri”, teksti: Arjanit Simoni, muzika: Edi Balili.

Në klipet e saj të shumtë bie në sy përveç krijimeve të reja edhe qëmtimi i këngëve të traditës, të cilat ajo i sjell si potpuri ku mund të veçojmë “Moj Zoge”, “Potpuri Shkodrane” dhe “Potpuri dasme shkodrane”, realizime që ndezin atmosferën sidomos në gëzimet familjare, sepse, siç dihet, në Shkodër të gjithë këndojnë.

Alma Velaj ka marrë pjesë në të gjitha edicionet e “Hiteve Verore” të organizuara nga televizioni “Blue Skye, ku në vitin 2015 është vlerësuar me “Çmimin e karrierës”. Gjithashtu në vitin 2018 është vlerësuar me çmimin “Këngëtarja më besnike e TV Blue Sky” me këngën “Ti po don e unë s’po du” me tekst të Armand Trebickës dhe muzikë të kompozitorit Edi Balili.

Kjo këngëtare ka qenë pjesë e pandarë e “Sofrës së Shqipes” të organizuara në New York, në Kosovë, por dhe si e ftuar speciale në Londër, po në këtë sofër. Ajo vazhdimisht është e angazhuar në koncerte të ndrysme që organizohen, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Evropë dhe në Amerikën e largët, pra kudo ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë.

Ajo është e pëlqyeshme dhe e kërkuar në të gjitha trevat shqiptare si këngëtarja më e dashur dhe më e preferuar nga të gjithë dashamirësit e këngës shqiptare, veçanërisht asaj shkodrane.

Një tjetër veçori e kësaj këngëtareje është edhe bashkëpunimi i saj me kompozitorë, autorë tekstesh dhe kolegë këngëtarë. Këngëtarja e mrekullueshme Alma Velaj ka një bashkëpunim tepër të suksesshëm në radhë të parë me kolegen dhe miken e saj Vjollca Luka, për të vazhduar edhe me emra të tjerë që janë të shumtë si Ardian Jaku, Lap Logu, Roland Çukaj, Hajredin Gjeta etj.

Këtu duhet veçuar edhe bashkëpunimi mjaft i suksesshëm me “Mjeshtrin e Madh” Bujar Qamili në duetin “Ma ke gishtin për unazë”. Bashkëpunime të suksesshme në realizimin e këngëve të saj, Alma Velaj ka pasur edhe me kompozitorin e talentuar shkodran Luan Dagistani, por një sukses i veçantë ka qenë dueti “Lot e mall” me tekst të autorit të këtij shkrimi, muzika nga maestro Alban Furtuna, të cilën e këndoj si duet me këngëtarin e mirënjohur nga Ulqini, Gëzim Salaj.

Alma Velaj ka edhe idetë e saj për këngën popullore shkodrane. Ajo i druhet një lloj largimi të rinisë nga kjo perlë e kultivuar në vite dhe mendon se duhet punuar edhe më shumë nga vetë këngëtarët popullorë, që ta nbahjnë gjallë e ta trashëgojnë. Unë jam një nga ata këngëtare që këngën popullore nuk e ndaj asnjëherë nga jeta dhe pasioni im. Prandaj edhe më kanë quajtur besnike të saj.

Dhe vërtet, këngëtarja e pavdekshme Naile Hoxha ka thënë për Almën se “është pasardhësja e denjë e imja”. Ky është një vlerësim dhe një nder i madh për këtë këngëtare të mrekullueshme dhe besnike të këngës popullore shkodrane.


11 Nëntor 2018