Jump to content

Kur Plaku i Vlorës kuvendonte me vranishnjotët

Nga Wikibooks

Për këtë qëllim madhor, Ismail Qemali nuk shëtiti vetëm nëpër kancelaritë europiane, për t’u afirmuar si një politikan i regjur, por ai së pari u lidh ngushtësisht me popullin për të qenë mishëruesi i aspiratave të tij. Në këtë odise rrugëtimesh, Ismail Qemali nuk la pa shkelur edhe Lumin e Vlorës.

nga Arben Saliu


Akti i madh patriotik me vlera kapitale për fatet e vendit, që kreu më 28 Nëntor 1912 Plaku i Vlorës, nuk ishte një veprim spontan, por erdhi si rrjedhojë e përpjekjeve të vazhdueshme të tij dhe patriotëve të tjerë, të cilët nuk reshtën së luftuari e punuari për ta shkëputur Shqipërinë nga thonjtë e Sulltanatit, me besim që ajo të jetonte e lirë dhe sovrane. Për këtë qëllim madhor, Ismail Qemali nuk shëtiti vetëm nëpër kancelaritë europiane, për t’u afirmuar si një politikan i regjur, por ai së pari u lidh ngushtësisht me popullin për të qenë mishëruesi i aspiratave të tij. Në këtë odise rrugëtimesh, Ismail Qemali nuk la pa shkelur edhe Lumin e Vlorës.

Në kujtimet që ka lënë me shkrim dhe të përmbledhura në librin monografik për të, patrioti me pushkë e penë, Mësuesi i Merituar, Xhemil Veli Duka midis të tjerash bën fjalë edhe për vizitën e Ismail Qemalit në Vranisht, në vjeshtën e parë të vitit 1908. Ishte koha kur Ismail Qemalit ju desh të shpaloste alternativën e tij politike si kandidat për deputet ndaj asaj që reklamonte pinjolli tjetër i familjes Vlora, rivali Syrja beu. Si dëshmitar okular i këtij evenimenti historik, ku Ismail Qemali bujti edhe në shtëpinë e Veli Adem Dukës si dhe bazuar në rrëfimet e mëpasme që ka vjelur nga njerëz të pranishëm në këtë takim, Xhemil Duka na jep një tablo të qartë me vlera të dobishme për historiografinë tonë, e cila fatkeqësisht, anashkalon shpesh herë fakte të kësaj natyre, por që kanë rëndësi jo të vogël.

-Ja ç’thot Xhemil Duka për vizitën e Ismail Qemalit në Vranisht:

“Vranishti është një fshat që gjendet rrëzë maleve në Lumin e Vlorës. Të parët tanë u shquan në luftërat me osmanë dhe u këndohen këngë e tregohen tregime. Kur isha i vogël, kam njohur burra të fshatit që bënin kuvendime e shuanin bela, sherre e grindje. Zakonet ishin si në gjithë Labërinë. Po të duash të mësosh historinë e Vranishtit dhe të fshatrave të tjerë, shëno këngët e vajet dhe ato të mësojnë historinë e vërtetë se çka ndodhur.

Mbaj mend Çelo Jonuzin e Murat Tartarin kur zinin valle për Mete Çobon. Ka qenë një valle që i thoshin: “Vallja e firarit”. I pari firar në fshatin tonë ka qenë Pasho Ramadani, një burrë zakonlli dhe që kish miqësi të dëgjuar në Himarë, Delvinë, Mallakastër e fshatrat e Mesaplikut. Kur doli firar Pashua, u fsheh ca kohë në Shpellën e Hajdutëve, që kemi mbi kokë të fshatit. Erdhën koshallet në fshat dhe ndenjën një javë duke gjurmuar, por nuk e gjetën. Kur u kthye Sali Murati (Vranishti) nga burgu i Janinës, u bë një darkë e madhe në fshatin tonë dhe Pasho Ramadani mbajti një fjalë, ku tha: “Edhe një kongjill të jetë në vatër, zjarri është i ndezur. Po t’i hedhim dru këtij kongjilli, në dimër nuk do kemi taksiratllëk”. Ishte muhabeti se me Sali Muratin duhej të bëheshin tok edhe djem të tjerë. Mbaj mend kur erdhi Ismail beu në Vranisht.

Duhet të ketë qenë vjeshta e parë e vitit 1908. Atë vit qeveria e Stambollit shpalli zgjedhjet për deputet. Ismail Qemali ishte kandidat i sanxhakut të Beratit, ku përfshihej edhe Vlora. Ai erdhi me vapor në Vlorë. E pritën vlonjatët dhe e ngritën në krah deri në beledije, që nga moli i Skelës. Një ditë ai i tha Ibrahim Abdullaut, Abaz Mezinit, Haxhi Muhametit dhe Hamza Isait: “Dua të shkoj në katundet e kazasë së Vlorës”. Siç më ka thënë Hamza Isai, rrugën nga Vlora në Vranisht Ismail beu e ka bërë kështu: në fillim shkoi në Tragjas, tek Alem Mehmeti, pastaj në Kaninë, që atje në Gumenicë dhe më pas në Brataj. Nga këtu, bëri një takim në Shalës-Mesaplik, ku nga Vranishti shkuan Azem Sulua, Murat Tartari, Aliko Totua, Murat e Pasho Ramadani si dhe Veli Ademi. Sali Murati nuk u ndodh në fshat. Njerëzisë ju bëri përshtypje se Ismail beu përshëndeti Toto Hosin nga Bolena dhe Arif Mëhillin nga Kuçi.

Kur foli në kuvend Arif Mëhilli, ai e ndërpreu duke i thënë: “Të drejtat do t’i kërkojmë, por mendja ime thotë se lebërit nuk e kanë lënë të ndryshket palla e Zenel Gjolekës dhe kapedanëve të Labërisë”. Prej këtej ai shkoi në Bolenë. Në të hyrë të fshatit, Toto Hosi shkrehu tre herë armën dhe fshatarët dolën tek kroi, tek rrapi. U kujtoi bolenasve se në kohën e Lidhjes së Prizrenit, kishte qenë në këto anë edhe Abdyl Frashëri. Plani i tij ishte të vinte edhe në Vranisht.

Ata që e shoqëronin ishin: Ahmet Durmishi nga Karbunara, Alem Mehmeti, Ibrahim Abdullau, Beqir Velo Kanina, Hamza Isai, Memo Mete Brati, Xhemil bej Vlora, Adem Mahmudi. Në Vranisht, Ismail beu dhe shokët e tij qëndruan te shtëpia e Pasho Ramadanit dhe Veli Ademit, babait tim. Kur mbërritën këtu, Sali Murati ndodhej në Vuno. Pasho Ramadani i dërgoi haber me një pilurjot nga Çakallajt. Të nesërmen Sali Murati mbërriti që në mëngjes pa gdhirë. Nga pjekja me Ismail Qemalin, mori fuxhut Sali Murati, Azem Sulua dhe djem të tjerë të krahinës të cilët u bënë tok në një çetë që quhej: “Çeta e Sali kapedanit”.

Ismail Qemali darkën e parë e hëngri te Pashua, kurse drekën dhe darkën e ditës së nesërme ndenji në shtëpinë tonë. Babai im drekën e përgatiti në rrëzë të malit të Vranishtit, nën hijen që lëshonin lisat e mëdhenj, në një lëndinë të bukur, pranë një burimi me ujë të ftohtë. U gatua sipas zakonit shqiptar me mishra të pjekur në hell. Me të ishin edhe dy inxhinierë francezë. Këta duke shëtitur në shpatet e malit të Vranishtit, mblodhën gurë e copa drurësh të lisave e shelgjeve, të cilat i paketuan dhe i morën me vete. Si duket do t’u bënin analizat në laboratorët e instituteve të kërkimeve për gjeologji e botanikë. Gjatë drekës u kënduan këngë e valle, ashtu si e kanë zakon anët tona. Inxhinierët u kënaqën jashtë mase dhe lavdëruan mikpritjen e bërë. Rapsodi Çelo Jonuzi, që ishte bari, aty për aty, i frymëzuar nga mendjemprehtësia, por edhe thjeshtësia e Ismail Qemalit, ja mori këngës: “Smail Qemali me halle/ Gjejdise krale më krale/ Hall’ e Shqipërisë e qave/ Por s’të bënë kabull fare…”

Ismail beut iu bë qejfi shumë e i tha: “Mor ti burrë. Bari vendi e i ditke të gjitha. Politikën e Evropës e luajtke me gisht. Ti po na tregon ngjarjet sikur ke qenë me mua. Bravo të qoftë!”

Kur Ismail beu erdhi te shtëpia jonë në darkë, muhabeti zgjati deri në mesnatë. Ne si fëmijë që ishim donim të venim në odë, por nuk na linin. Sadedin Duka, kushëriri im, filloi të qajë. U sos aty Hamzo Selami e na foli që të pushonim. Ata që ishin në odë e pyetën: “Çfarë kanë kalamaqërit që qajnë”? Ky ishte zëri i babait tim, Veliut. Unë ja kisha shumë frikën babait, ndaj pushova, kurse Sadedini nuk dëgjonte. Plaku Aliko Toto i tha Hamzos të qaseshim edhe ne te sofra. Kur u qasëm, unë pashë njëherë nga babai, që uli kokën dhe desh që të mos ulesha në shilte. Ismail beu në këtë kohë nxori nga një çantë dy libra të vegjël dhe na i zgjati duke na thënë: “T’i marrin kalamaqërit këto vivlla që të mësojnë gjuhën e vatanit, për të cilën na digjet shpirti”. Ishin dy abetare.

Po ç’i ngjau Ismail beut kur qe në Vranisht? Kur doli te një rrugicë, i shkau këmba. Vështroi rreth e rrotull ata që e shoqëronin. I hodhi dorën në sup vranishtjotit Çelo Jonuzi e i thotë: “Urdhëro këto tre napolona flori. Me këto ndërtoni udhën me kalldrëm që të mos rrëzohen e vriten kalamaqërit dhe pleqtë”. Më pas u bë udha dhe ne në Vranisht i themi: “Kalldrëmi i Smail beut”.

Atë ditë që u bë gati të ikte nga Vranishti, vranishjoti Mehmet Islam Habilaj i bëri peshqesh Ismail Beut ca filxhanë të gdhendur në gur dhe një culë dyjare. Ai e puthi atë dhe ja la dhuratat në dorë Ahmet Durmishit, mikut të tij që e shoqëronte. Ismail Qemali shprehu kujdes gjithashtu edhe për zhvillimin e arsimit dhe kërkoi emrat e atyre që ishin pak të mësuar, me qëllim që t’i dërgonte me bursë në Korfuz. Babai më ka treguar se Ismail Qemali pyeti gjithashtu nëse kishte sherre e bela në fshat e krahinë. Po, kemi, i kishte thënë Pasho Ramadani.

Ismail Qemali pasi i falënderoi fshatarët e Vranishtit për pritjen dhe nderet që i bënë, ju tha se: “Populli shqiptar është në prag të çlirimit kombëtar, prandaj duhet t’ i falni gjakrat. Shqiptari duhet ta derdhë gjakun jo kundër vëllait të tij, por për Atdheun”.

Qysh në atë kohë u pajtuan shumë gjaqe, sherre e hasmëri që kishte në Vranisht e fshatra të tjerë të krahinës së Mesaplikut. Ai iku nga Vranishti i shoqëruar edhe nga Sali Murati, Pasho Ramadani e Hamza Selami duke përshkruar rrugën Kallarat, Pilur për t’u hedhur në Korfuz.

Vizita që bëri Ismail Qemali në vitin 1908 në fshatin tim Vranisht, kujtohet akoma edhe sot nga fshatarët e mi”.

Ismail Qemali u largua nga Vranishti dhe Lumi i Vlorës me një besë të marrë nga banorët e kësaj krahine.

Kjo ngjarje është materializuar gjithashtu edhe në vargjet e këngës:

“Nëntëqind e tetë viti

Smail Qemali na ndriti

Gëzoi populli i Vranishtit

Dhe Sali Murat komiti

Bashkë me shokë e priti

I dha fjalën dhe e nisi…”

Pavarësisht nga intrigat, shpifjet dhe demagogjia e tyre, Syrja beu me të birin e tij Eqerem Vlorën, nuk mundën dot ta devijonin popullin e Vranishtit dhe të Labërisë nga rruga e Ismail Qemalit. Këtë besnikëri ndaj Ismail Qemalit, populli i Vranishtit e manifestoi në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të mëvonshme duke e mbajtur të pashuar prushin e patriotizmit.


3 Nëntor 2018