49. Përkujtoni edhe kur ju shpëtuam prej popullit të faraonit, që nga ai shijuat dënimin më të idhët, duke ua therrur bijtë tuaj, e duke ua lënë gjallë gratë tuaja. Në këtë torturë përjetuat një sprovim të madh nga Zoti juaj.
50. Dhe kur për ju e ndamë detin, e ju shpëtuam, ndërsa ithtarët e faraonit i fundosëm, e ju i shihnit (me sytë tuaj).
51. E kur i premtuam Musait (t’ia japim Tevratin) dyzet netë, pas tij ju (pasi shkoi ai për Tevrat) e adhuruat viçin, ju ishit dëmtues (të vetes suaj).
52. Mandej edhe pas asaj ua falëm (gabimin), ashtu që të falenderoni.
53. Dhe (përkujtoni) kur ia dhamë Musait librin, dalluesin në mënyrë që të udhëzoheni në rrugë të drejtë.
54. Dhe kur Musai popullit të vet i tha: “O populli im, me adhurimin e viçit (në vend të Zotit), ju i bëtë zullum vetvetes, pra pendohuni para Krijuesit tuaj, dhe mbytne vetveten. Kjo për ju është më së miri te Krijuesi juaj. E Ai ua pranoi pendimin tuaj, Ai është mëshirues, ndaj pranoi shumë pendimin.
55. Dhe kur i thatë: “O Musa, ne nuk të besojmë ty derisa ta shohim All-llahun haptazi, e atëherë juve u rrëmbeu rrufeja (zjarri) dhe ju e shihnit.
56. Pastaj, që të jeni mirënjohës pas vdekjes suaj juve ju ngjallëm.
57. Dhe Ne bëmë që retë t’u bëjnë juve hije, ju furnizuam me rrëshirë (të ëmbël -Manna ) dhe me shkurtëza (Salwa). (Ju thamë) Hani nga të mirat që ju furnizuam! (Ata nuk qenë mirënjohës). Po Neve ata nuk na bënë kurrfarë dëmi, por ata dëmtuan vetveten.